Vrasja e Santos/ Filmimi i krimit, i padorëzuar ende nga Policia në Prokurori

0
134

Sonila Mesareja

santo ndjekjaHetimi, të paqarta motivet e mosdorëzimit të pamjeve. Tregohet momenti i ekzekutimit dhe vrapi i policit rrugor dhe punonjësve të sigurisë nga frika

Një muaj e gjysmë pas ekzekutimit mafioz në mes të ish-Bllokut të bankierit Artan Santo, ende në Prokurori nuk kanë mbërritur pamjet e vrasjes së tij. Filmimi që ka bërë xhiron në rrjetet sociale dhe që është parë dhe komentuar nga gati gjithë shqiptarët, mbahet i bllokuar në Polici dhe nuk u është dorëzuar grupit të hetimit në Prokurori. Arsyet mbeten të paqarta për grupin hetimor, ndërsa ky filmim është mjaft i rëndësishëm për hetimin pasi tregon qartë skena e krimit, por edhe pozicionet e mjaft personave, që nga viktima, autorët dhe deri të polici rrugor, punonjësit e sigurisë së bankës apo dhe shoferit të Santos. Videoja e vrasjes së Artan Santos u publikua në internet dhe më pas në shumë televizione, por ende nuk është në dosjen e prokurorisë. Policia mban ende të bllokuara kamerat e sigurisë dhe pamjet që filmuan vrasësit të kryenin krimin dhe më pas të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

 

Pas krimit

Policia nuk ia ka dhënë Prokurorisë as pamjet e largimit të vrasësve. “Pas ngjarjes ata përshkuan rrugën “Ibrahim Rugova” drejt Gardës së Republikës, ndërsa në ndjekje të tyre u vu menjëherë një efektiv i policisë rrugore, me motor, i cili në momentin e krimit, ishte afër vendit të ngjarjes. Disa shërbime u ngritën në drejtimin nga po udhëtonin autorët e vrasjes si dhe u ngritën pika të përforcuara kontrolli në të gjitha daljet e Tiranës. Autorët u ndoqën deri në afërsi të Liqenit të thatë, duke përshkuar rrugë-kalimet përmes pallateve në Lagjen Komuna e Parisit Tiranë. Aty mjeti në ndjekje i humbi kontrollit të efektivit të policisë, për shkak të devijimit të rrugës dhe shpejtësisë së lartë të mjetit. Autorët e dyshuar kanë dalë nga Tirana përmes zonës së Yzberishtit, duke përdorur rrugë dytësore, nëpërmjet nënkalimin të Kasharit e më pas nëpërmjet rrugës nacionale të aeroportit të Rinasit, duke u drejtuar drejt zonës së Fushë-Krujës”. Dhe, ndërsa kanë kaluar 40 ditë nga momenti i vrasjes së bankierit Santo, hetimet kanë ngelur në vendnumëro dhe nuk bëhet me dije pse kjo ngadalësi. Sipas burimeve nga akuza, ende nuk janë kryer veprimet procedurale për të marrë në dorëzim filmime të tjera në rrugët e kryeqytetit, ku duket motori që largohet nga vendi i ngjarjes, pas atentatit. Këto pamje, sipas prokurorëve, tregojnë itinerarin e lëvizjes së vrasësve që largohen nga Tirana. Në disa zona të autostradës, vrasësit janë filmuar teksa largohen nga mbikalimi i aeroportit “Nënë Tereza” drejt Fushë-Krujës.

 

Vrasja

Bankieri Artan Santo u qëllua për vdekje gjatë një atentati mafioz mëngjesin e 26 qershorit. Ekzekutimi u krye në zonën e ish bllokut, para bankës “Credins” të cilën i ndjeri e drejtonte prej vitesh. Edhe pse në vendin e ngjarjes ndodhej një efektiv i policisë rrugore, atentatorët arritën të largoheshin me motor deri në dalje të kryeqytetit. Madje, pamjet e krimit tregojnë sesi Santo qëllohet nga njëri prej personave me motor, tentativa për t’u larguar dhe afrimi i njërit prej vrasësve duke e qëlluar për vdekje. Në pamje duket qartë sesi largohet me vrap efektivi i rrugores, dy punonjësit e sigurisë së bankës, dhe pas krimit largohet shoferi i Santos dhe dy atentatorët me motor.

 

Lushnjë/ Ushtria çmonton dhe largon nga plazhi i Divjakës avionin e Riformatos

Avioni Piper që u rrëzua tre muaj më parë nuk do të jetë më në plazhin e Divjakës. Specialistët e ushtrisë së repartit të Kuçovës dhe ata të ushtrisë në Tiranë çmontuan pjesët e tij për ta larguar avionin e drogës nga plazhi. Procesi nisi rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm. Specialistët bënë me diej se avioni do të ndahet në dy pjesë për t’u transportuar. Krahët e tij do të ngarkohen në një nga karrotrecët e Ministrisë së Mbrojtjes, 10 metër të gjatë, ndërsa trupi do të vendoset në një tjetër mjet të ushtrisë. Që nga data 10 maj 2014 kur u rrëzua në Divjakë, avioni është ruajtur me shërbime 24-orëshe nga policia.

 

Tiranë/ Helmohen nga ushqimi 10 studentë të Akademisë së Policisë

Dhjetë studentë të Akademisë së Policisë janë shoqëruar me urgjencë në spital pasi rezulton të kenë pësuar helmim nga ushqimi. Burime spitalore bëjnë me dije se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, 10 studentë të Akademisë së Policisë janë dërguar me urgjencë në spitalin Infektiv pasi kanë shfaqur komplikacione dhe shkak dyshohet të jetë helmimi nga ushqimi. Lajmi konfirmohet dhe nga Akademia e Policisë, ku drejtues të saj thonë se pas mjekimit të marrë, 8 studentë janë rikthyer në akademi dhe 2 prej tyre janë shtruar për një mjekim më të specializuar. Burime nga QSUT-ja bëjnë të ditur se paraprakisht dyshohet se studentët e Akademisë së Policisë janë helmuar nga ushqimi. Ndërkohë studentëve u janë bërë analizat nga Instituti i Shëndetit Publik.

 

Shkodër/ Akuzat e deputetit Doshi për Tahirin, ministri refuzon të japë koment

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka zgjedhur të mos u përgjigjet akuzave që deputeti i PS-së, Tom Doshi, bëri në adresë të tij në Komisionin e Ligjeve ndërsa diskutohej projektligji për Policinë e Shtetit. I pyetur nga gazetarët në Shkodër nëse kishte ndonjë reagim, ministri është shprehur: “Nuk kam asnjë koment. Unë jam shumë i vendosur të bëj punë time dhe të vazhdoj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”. Kjo deklaratë u bë gjatë një inspektimi që numri një i Ministrisë së Brendshme bëri në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Kliv Rumbold. Masat për sezonin turistik dhe lufta ndaj bimëve narkotike ishin në fokus të takimit. Vetëm në Shkodër janë asgjësuar 49 mijë rrënjë kanabis. “Erdha në Shkodër jo vetëm për të vlerësuar rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe për t’i nxitur që këto rezultate t’i konsiderojnë një pikënisje për rezultate më të mëdha në vijim. Kemi thjeshtuar në maksimum procedurat për turistët që vijnë në Shqipëri, duke garantuar kufij të hapur por të sigurt për turistët”, – deklaroi ministri Tahiri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency