Urrejtja e vjetër është rikthyer

0
142

fokus fotoKonflikti në Gazë ka shkaktuar reagime të shumta në Gjermani. Pas demonstratave të fundit antiizraelite fjalën e kanë marrë edhe organizatat hebreje. Kritika e tyre “Në Gjermani po nxitet urrejtja e vjetër ndaj hebrenjve”.

Në Mynih kanë protestuar të martën (29.7.) shumë prominentë nga politika, kisha dhe shoqëria kundër antisemitizmit. Presidentja e Shoqatës izraelite për Mynih dhe Oberbajern, Charlotte Knobloch, u shpreh gjatë protestës e mllefosur me urrejtjen e dëgjuar kohët e fundit ndaj hebrenjve në Gjermani, por edhe me heshtjen e popullit gjerman. Si e mbijetuar e Holokaustit ajo sërish po përjeton përhapjen e antisemitizmit. “Urrejtja e re e vjetër është rikthyer”, – tha 82-vjeçarja.

Ka pasur cingërime të shumta të telefonave dhe posta të shumta elektronike: “Neve po na shajnë, ofendojnë, kërcënojnë dhe sulmojnë edhe fizikisht”, – tha ish-presidentja e Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani. “Ne hebrenjtë po përjetojmë në këtë vend, në vendin tonë, kohërat më të rrezikshme që nga viti 1945”. Ajo u ankua edhe për mbështetjen e vogël të popullatës gjermane. Ministri i Bujqësisë. Christian Schmidt. (CSU) i quajti deklarimet kundër hebrenjve “një virus”, i cili cenon vendlindjen e përbashkët. Presidentja e Parlamentit në Bavari, Barbara Stamm, tha: “Parullat antisemitiste janë një turp për vendin tonë”.

 

“Bashkëvuajtja për Palestinën si armë kundër Izraelit”

Peshkopja rajonale evangjeliste Breit Keßler kumtoi se konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës e përjeton si një “plagë të hapur”. Lufta në Lindjen e Mesme është për disa “një shkas i mirëseardhur, për të shprehur qëndrimet e tyre antisemitiste”. E drejta e ekzistencës së Izraelit nuk guxon të kontestohet. Bashkëvuajtja për Palestinën po përdoret si armë për të justifikuar vuajtjen e Izraelit. “Kjo është ana perverse e një solidariteti të ndershëm”, – theksoi teologia.

Të martën tre meshkuj ia kanë vënë flakën një sinagoge në Wuppertal. Ata kanë hedhur disa koktej Molotov në zonën e hyrjes në këtë sinagogë. Një i dyshuar është arrestuar. Menjëherë para sinangogës janë mbledhur qindra persona në protesta. Kryetari i bashkisë Peter Jung ka bërë thirrje për solidaritet me bashkësinë hebreje në Gjermani. Presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Dieter Graumann, e ka dënuar këtë sulm sikur edhe Këshilli Qendror i Myslimanëve në Gjermani, i cili këto ditë është ankuar edhe për sulme ndaj xhamive në këtë vend.

Prej fillimit të konflikteve të fundit mes Izraelit dhe Hamasit radikal në rripin e Gazës para tri javësh, në Gjermani “janë shtuar sulmet ndaj simboleve dhe varrezave hebreje. Këshilli Qendror i Hebrenjve nuk deklarohet për këto gjëra, por sugjeron të shikohen të dhënat e Fondacionit berlinez, Amadeu Antonio, i cili dokumenton të gjitha sulmet që nga viti 2001. Në “kronikën antisemitiste për vitin 2014”, fondacioni ka regjistruar 98 sulme. “Kemi regjistruar një rritje të sulmeve”, konfirmoi kryetarja e Fondacionit Amadeu-Antonio, Anetta Kahane, në një bisedë me “DW”.

 

Të dhënat zyrtare flasin ndryshe

Ministria e Brendshme gjermane bën të ditur se në dekadën e fundit ka rënë dukshëm numri i veprave penale me sfond antisemitist. Prej vitit 2001 deri 2013 numri i sulmeve është zvogëluar nga 1.691 në 1.275. Në anën tjetër është shtuar numri i akteve të dhunshme në vitin 2013 në gjithsej 51. Por Ministria nuk mund të japë të dhëna për disa javët e fundit.

Profesorja Monika Schwarz-Friesel ka vërejtur së fundi një “eksplozion të anisemitizmit verbal në internet”. Kriza në Lindjen e Mesme gjithmonë ka shkaktuar valë dhe përmbytje të deklaratave armiqësore ndaj hebrenjve në rrjetet sociale. “Për momentin ajo që po ndodh tani në internet i ka tejkaluar të gjitha vitet e kaluara, si në aspektin kualitativ, ashtu edhe kuantitativ të sulmeve”, – thotë ajo për “Deutsche Welle”-n. Por shumë shpesh mund të shihen edhe teori komploti dhe një lloj diktati, ku Izraeli nuk guxon të kritikohet hapur. Krahasimet me krimet e kohës së nazizmit nuk mund të jenë mjet legjitim i kritikës politike. Hulumtuesja tani ka nisur edhe një projekt më të gjerë për “antisemitizmin në internet”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency