Bankat në Shqipëri mbajnë afro 7 miliardë euro para të shqiptarëve

0
206

Ervin Kaduku

sportel banke–  Shifra është e barabartë me një herë e gjysmë buxhetin e shtetit dhe sa 70% e gjithçkaje që prodhohet në vend për një vit të tërë

–  Depozitat që u lihen bankave në dispozicion mund të shlyenin gjithë borxhin publik të vendit

Shqiptarët mbajnë 6.8 miliardë euro në banka, si depozita. Madje depozitat në sektorin bankar janë rritur në qershor 2014, duke kanë shënuar ecurinë më pozitive që nga shtatori 2013. Sipas statistikave mujore të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave në fund të muajit qershor arriti në 955 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 6 miliardë lekësh, apo 0.6%, në raport me majin 2014. Përmirësimi ka ardhur si nga shtimi i kursimeve në lekë, por më shumë nga ato në valutë. Në krahasim me dhjetorin 2013, depozitat e shqiptarëve janë rritur me vetëm 0.5%, si rrjedhojë e performancës negative në janar, shkurt dhe prill. Me bazë vjetore (qershor 2014/qershor 2013), kursimet janë rritur me 1.6%. Një vit më parë rritja përkatëse ishte 3.8%.

Dy vitet e fundit ritmet e rritjes së depozitave janë ngadalësuar ndjeshëm për tre arsye kryesore: Së pari, kriza ekonomike e ka bërë më të vështirë për individët të kursejnë, ndërkohë që dhe emigrantët po sjellin më pak para në shtëpi; së dyti, ecuria e dobët e kursimeve ka ardhur për shkak të uljes së depozitave të ndonjë banke, që i ka shkurajuar depozituesit e saj përmes ofrimit të normave të ulëta të interesit dhe, së treti, interesat e depozitave janë ulur ndjeshëm, duke i bërë më pak tërheqëse për individët. Norma mesatare e depozitave 12 mujore është aktualisht rreth 2%, nga 5-6% që ishte pak vjet më parë.

Megjithatë, edhe me këto shifra, duket qartë se bankat e nivelit të dytë kanë në dispozicion të tyre kursimet e qytetarëve, familjeve dhe bizneseve shqiptare në një total të barabartë me gjithë borxhin publik të shtetit. Në një këndvështrim tjetër, bankat rezulton se kanë në arkat e tyre të mbyllura shuma parash të barabarta me një herë e gjysëm më shumë se buxheti i shtetit shqiptar dhe sa 70 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit gjatë një viti.

Por, sa ka bërë Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare që të nxitë këto banka që të investojnë paratë në ekonominë reale? Për më tepër, kur rezulton se kreditimi nga këto banka ka vijuar me pikatore për vitet e fundit? Të njejta statistika tregojnë se stoku i kredisë për ekonominë arriti në 548.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.85 miliardë lekë, apo vetëm 0.5% në raport me muajin e mëparshëm. Por, në bazë vjetore (qershor 2014/qershor 2013) huaja për ekonominë vijon të jetë negative, ndonëse ritmet e rënies po ngadalësohen. Stoku i kredisë ka rënë me 1.6% në qershor 2014, në krahasim me qershorin 2013. Në maj, tkurrja vjetore ishte 1.7%. Kjo shifër negative është dy herë më e lartë se një vit më parë, kur ndryshimi përkatës vjetor ishte 0.8%.

 

Kosovarët sjellin më shumë valutë në shtëpi se qytetarët e Republikës së Shqipërisë

Open Data Albania ka kryer një përditësim të vlerave për remitanca në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës duke analizuar periudhën 2008-2013. Remitancat janë flukse hyrëse dhe dalëse paraje pa kundërshpërblim për ose nga jashtë vendit. Në rastin e dy shteteve të mara në analizë, ato përkojnë kryesisht me para të emigrantëve të sjella në atdhe si ndihmë për të afërmit apo fond kursimi dhe investimi. Të dhënat për realizimin e këtij artikulli janë marrë nga Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka e Shqipërisë.

Gjatë harkut kohor të gjashtë viteve analiza hulumtuese e ODA vë re se deri në vitin 2012 dërgesat e parave që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë i tejkalojnë ato drejt Kosovës. Viti 2013 shënon një rënie për Republikën e Shqipërisë ndërsa vazhdojnë të rrisin dërgesat drejt atdheut diaspora kosovare. Gjatë vitit 2013 shtetasit kosovar emigrantë kanë dërguar drejt vendit të tyre 621 milionë euro, ndërsa shtetasit shqiptar vetëm 497 milionë euro.

Open Data Albania hulumton re se shteti nga i cili emigrantët kanë dërguar më shumë para drejt Kosovës gjatë këtyre viteve është Gjermania. Në vitet 2008-2013 nga ky shtet janë dërguar mesatarisht 210 milionë euro nga emigrantët kosovarë. Kjo shifër vjen dhe si rezultat i numrit të lartë të emigrantëve kosovarë në Gjermani. Vend të dytë zë diaspora kosovare në Zvicër me 147.4 milionë euro.

Ndryshe nga Kosova ku peshën kryesore të remitancave e mbartin Gjermania e Zvicra, në Shqipëri remitancat më të larta shënohen me Greqinë e Italinë. Nëse në vitin 2011 janë dërguar nga Gjermania drejt Kosovës 194 milionë euro, nga ky shtet drejt Shqipërisë në po këtë vit janë dërguar vetëm 8 milionë euro.

Gjatë vitit 2013 peshën kryesore të remitancave për Kosovën e mbart Gjermania me 34% të totalit, pasuar nga Zvicra me 24%. Shtete të tjera me remitanca mbi 20 milionë euro janë dhe Italia, Austria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Sllovenia.

Republika e Shqipërisë ka numër më të lartë të popullsisë kundrejt Kosovës. Dy shtetet ballkanike nuk kanë statistika të qarta mbi numrin e emigrantëve të tyre dhe për rrjedhojë nuk mund të krahasojmë në numër diasporën e vendeve përkatëse. Duke u nisur nga vlerat e rikthyera në shtetet e origjinës mund të themi se diaspora kosovare ka lidhje ekonimke më të ngushta me shtetin amë, sikundër edhe fuqizim ekonomik më të mirë se diaspora e krijuar nga emigrimi i shtetasve të Republikës së Shqipërisë.

 

Dërgesat e emigrantëve në Shqipëri e Kosovë në vitet 2008-2013

Vlera në milionë euro

Shteti    2008

Kosovë    608.72

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency