300 ditët në shëndetësi/ PD: Mashtrim me premtimin “falas”. Ekspertët: Sistemi i goditur në financim dhe menaxhim

0
140

Gëzim Saliu

konferenca e PD per shendetesine Basha: Nuk ka as drekë falas, jo më shëndetësi, klientelizëm me listën e barnave të rimbursueshme

Partia Demokratike deklaroi dje se në 300 ditë në shëndetësi, doli në pah fakti i mashtrimit me premtimin “falas” si edhe përkeqësimi i situatës në sistem. Në konferencën “300 ditë mjerimi në shëndetësi” u analizuan nga ekspertë, profesorë dhe grupet e interesit të fushës së shëndetësisë politikat e qeverisë dhe në veçanti premtimet e parealizuara për shëndetësinë falas. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se në raport me gjendjen aktuale, bilanci flet shumë keq, ku, sipas tij, ka prapakthehu në të gjithë sektorët e ofrimit të shërbimit shëndetësor në Shqipëri. “Për ne si opozitë politike, problemi qëndron tek bazamenti që ishte pikërisht premtimi i rremë apo mashtrimi se shëndetësia do të ishte falas dhe nuk do të kushtonte lekë kur e dimë fare mirë se ky është një koncept jo i vjetruar, por është një koncept utopik, pse jo komunist le të themi, sepse çdo gjë, çdo mall, çdo shërbim ka vlerën e vet. E përsëris edhe njëherë, as drekë nuk ka falas, dikush e paguan, mund të mos e paguash ti, por dikush do ta paguajë. Do ta paguajë restoranti, do ta paguajë kuzhinieri? Dikush do ta paguaj. Do ta paguajë pronari? Dikush do ta paguaj. Kush e paguan shërbimin shëndetësor më të shtrenjtë, më të sofistikuar”, – deklaroi Basha.

 

Ekspertët

Eksperti për politikat shëndetësore, Gazmed Koduzi, analizoi në tryezën e djeshme politikat në sistemin parësor që, sipas tij, është duke përjetuar probleme të mëdha nga politikat e qeverisë në këto 300 ditë. “Sistemi parësor gjatë 300 ditëve është goditur në shtyllat e tij kryesore: financimi, menaxhimi dhe motivimi i personelit shëndetësor. Këto sjellin: rritje të centralizimit, rritje të korrupsionit dhe ulje të cilësisë së shërbimit për qytetarët. Janë pacientët që vuajnë duke paguar më shumë, marrin shërbime shëndetësore më pak cilësore dhe janë më pak të shëndetshëm”, – tha Koduzi. Ndërsa dr. Luftar Zebi analizoi shërbimin spitalor, duke e përkufizuar si në udhëkryq nga politikat e qeverisë aktuale. “Gjatë kësaj qeverisjeje është vërejtur: drejtim dhe menaxhim spitalor jokompetent, centralizim dhe megakorrupsion si sindroma e vitit zero. Shpenzime jo në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimit për pacientët si dhe rrënim i financave të pacientëve”, – tha ai. Në panel diskutuan edhe ekspertë dhe profesorë të mjekësisë në vend, ku prof. dr Isuf Kalo u shpreh se studimet e bëra në vendet e tjera në lidhje me sistemin tregojnë se sistemet që janë të mbështetura tek modeli Bismark, pra tek kontributet, kanë një ndikim më të mirë tek pacientët. “Duhet kuptuar që sistemi është një rrugëtim dhe duhet përmirësuar. Por sistemi me kontribute është vërtetuar nga studimet si më i miri për qytetarët. Duhet të kuptojmë që shërbimi shëndetësor është një e mirë publike dhe nuk është pronë e një partie politike”, – tha Kalo. Nga ana e saj, ish-ministrja e Shëndetësisë dhe mjekja Anila Godo analizoi sistemet e shëndetësisë, ndërsa vlerësoi sistemin gjerman me kontribute dhe sugjeroi se ky sistem duhet të vazhdojë duke kërkuar zgjerimin e bazës së kontributeve dhe ruajtjen e shtresave sociale. “Nuk mund të kthehemi mbrapa dhe t’i vëmë një x të gjithë asaj që kemi arritur. Skema që kemi, ka ecur në mjaft vende të zhvilluara të botës dhe nuk e kuptoj pse qeveria nuk kërkon të vazhdojmë me këtë skemë. Jam dakord që shëndetësia falas është një iluzion”, – tha Godo. Nga ana tjetër, prof. dr. Edmond Kapedani u shpreh se shëndetësia nuk mund të trajtohet sikur ka nisur çdo gjë nga zeroja dhe kërkoi që politika të mbështesë dhe inkurajojë mjekët. Ai kritikoi sistemin aktual edhe për mungesën e ilaçeve, ndërsa kërkoi decentralizim dhe mbështetjen e shërbimit parësor. Ndërkaq, grupet e interesit të urdhrit dhe shoqatës së farmacive u shprehën kundër projektligjit të qeverisë, duke theksuar se kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.

 

Beqaj: Shëndetësia e PD-së, me mjekë të akuzuar për shpërdorim detyre

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë diskutimit të djeshëm në Kuvend për projektligjin e barnave dhe shërbimeve farmaceutike foli edhe lidhur me tryezën e PD-së për 300 ditët në shëndetësi, ku tha se është për të ardhur keq që në konferencën për shëndetësinë ka persona të cilët janë akuzuar për shpërdorim detyre. “Më vjen keq që PD kishte zgjedhur të hapte sot dhe të bënte prezantimin për shëndetësinë një person, i cili sot është paditur nga fondi i sigurimeve të detyrueshme për shpërdorim detyre kur ai person kryente përkohësisht detyrën e drejtorit të Përgjithshëm me një veprim të kundërligjshëm prodhoi një dëm financiar që po ta linim ishte dy milionë dollarë në vit”, – tha ministri.

 

 Deklarata në konferencë/ Shehu: S’ka “dhuratë socialiste”. Vokshi: Emërime nepotike në sistem

Ish-ministri Tritan Shehu e cilësoi dje si spekulim dhe nismë aspak konkrete nga ana e qeverisë politikën e kësaj të fundit për shëndetësinë falas. “Qeveria kërkon të spekulojë dyfish me qytetarët që ata të mos ta kuptojnë që po paguajnë apo ta konsiderojnë shëndetësinë “dhuratë socialiste”. Qeveria kërkon të bëjë çfarë të dojë me taksat e tyre. Reformat e mëdha realizohen që në vitin e parë elektoral. Përfundojnë nga i treti, për t’u marrë rezultatet tek i katërti. Qeveria po bën të kundërtën sepse duan veçse të fitojnë kohë”, – tha Shehu. Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Albana Vokshi, analizoi shërbimin farmaceutik në vend, ku u shpreh se qeveria bëri emërime nepotike në këtë sistem. “Emëruan në krye të Drejtorisë Farmaceutike një person me lidhje nepotike, me arsim të dyshimtë, që ka ngelur dy herë në provimin e shtetit dhe nuk gëzon të drejtën e ushtrimit të profesionit”, – tha Vokshi.

 

 PD: 3 javë heshtje, Rama kampion i papërgjegjshmërisë

Partia Demokratike akuzoi dje përmes deputetes Elena Qirici Kryeministrin e vendit Edi Rama se prej tri javësh pas dhunimit të opozitës në Kuvend, ai nuk ka reaguar për rastin. Sipas ligjvënëses demokrate, edhe pse PD publikoi me prova e fakte kriminalizimin e Parlamentit, kreu i qeverisë nuk ka shprehur asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje. “Këto e bëjnë Edi Ramën një kampion të papërgjegjshmërisë. Edi Rama mund të jetë i zënë me mashtrimet mbi mashtrimet, e 300 ditëve të tij, po ai nuk i ikën dot llogaridhënies për faktin se ka bërë me mandat dhe imunitet një të dënuar për trafik prostitucioni në rrethana të rënduara dhe për rrëmbim personi. Nuk mund t’i ikë llogaridhënies, për faktin se pikërisht, deputetët si Arben Ndoka i përdor në parlament si skuadra dhune ndaj deputetëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike, duke goditur e kërcënuar me jetë, në përpjekjen për ti mbyllur gojën opozitës. Aleanca e Edi Ramës me krimin po funksionon”, – tha Qirici. Më tej, deputetja e PD-së tha se ndërkohë që deputetët me aktet e tyre banditeske po kryejnë porositë e Ramës, vetë kryeministri po kap drejtësinë dhe çdo institucion tjetër. “Edi Rama ka kriminalizuar administratën, parlamentin dhe synon të kapë dhe drejtësinë. Por Partia Demokratike do të bëjë çdo ditë transparencë mbi aferat e errëta, në parlament, në sallat e gjyqit, dhe kudo ku po sendërtohet aleanca e tij kriminale parazgjedhore”, – deklaroi ajo.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency