Me dyer të mbyllura/ Zbardhen negociatat, Garda i shpëton shkrirjes, Byroja e Hetimit, konsensus

0
145

Florenc Drizari

sig voton Garda me dy variante në Kuvend, konsensus  për Byronë pas negociatave me Tahirin dhe Didin

 12 vota pro variantit të dytë për Gardën e Republikës, Braho, Felaj dhe Muçmata, kundër

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dje mes debatesh në tërësi projektligjin “Për Policinë e Shtetit”. Pak minuta para se të fillonte mbledhja e Komisionit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, zhvilluan bisedime të fundit pa praninë e medias me kreun e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Brahon, si dhe me disa deputetë të tjerë socialistë. Pas këtij takimi deputetët e mazhorancës gjetën konsensusin, duke e miratuar në tërësi projektligjin “Për Policinë e Shtetit”, paçka se gjatë shqyrtimit nën për nen, nuk munguan debatet si dhe votat kundër.

 

Për Gardën e Republikës

Qëndrime kontradiktore pati për Gardën e Republikës, që me ligjin e ri pritet të krijohet si njësi brenda Policisë së Shtetit me emrin “Struktura e ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë”. Për këtë çështje më herët ka pasur debate të forta mes deputetëve socialistë, ndërsa në mbledhjen e djeshme, me 12 vota pro dhe 3 kundër, u votua varianti i Komisionit të Ligjeve dhe jo ai i qeverisë. Ky variant thotë se “Ruajtja dhe mbrojtja e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë realizohet nga një strukturë e posaçme”, ndërsa për statusin, thuhet se “organizimi dhe funksionimi i kësaj strukture përcaktohen me ligj të veçantë”. Ky variant pritet të shkaktojë debate edhe në seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, për faktin se deputetët Braho, Felaj dhe Muçmata votuan kundër. Ndërkaq, mësohet se negociatat mes ministrit Tahiri dhe kreut të Komisionit të Sigurisë, Braho, kanë pasur si qëllim edhe një amendim në kompetencat e këshillit konsultativ që me propozim të deputetit të LSI-së, do të ngrihej pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit.

 

Për Byronë

Ndryshe nga sa pritej, mbledhja e djeshme e Komisionit të Sigurisë Kombëtare kaloi pa debate nenet që përcaktojnë ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Deputetët votuan me konsensus nenet që flasin për ngritjen e strukturës së re të hetimit, ndërkohë që sipas burimeve nga Kuvendi, mësohet se për marrëveshjen u ra dakord në komentet e fundit mes kreut të Komisionit të Sigurisë dhe drejtuesve të Ministrisë së Brendshme gjatë një takimi të shkurtër që ata patën pa praninë e medias. Ndërkaq, deputetët në mbledhjen e djeshme votuan në tërësi propozimet e bëra më parë nga Komisioni i Ligjeve.

 

Debati për gradat

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë, deputetët socialistë debatuan gjatë edhe për çështjen e gradave në polici. Relatori i projektligjit “Për Policinë e Shtetit”, Arben Çuko, kundërshtoi variantin e Ministrisë për gradat dhe karrierën në Policinë e Shtetit. Propozimi i tij për ta ndryshuar këtë nen, u votua pro nga shumica e anëtarëve të komisionit, që i dhanë të drejtë gjykimit të tij se, me ndryshimet e propozuara nga Ministria nuk motivohet karriera në polici. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i ministrisë, Bilbil Mema, deklaroi: “Në qoftë se do ndryshojmë ato nene që ju votuat, do të ndryshojmë tërësisht frymën e ligjit”. Por deklarata e kryetarit të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i cili tha: “Ne votuam ndryshimin, i cili prish strukturën e ligjit dhe duhet të vijë i shoqëruar me të tëra sinkronizimet. Seanca le ta votojë”, u duk se solli edhe ndryshimin e qëndrimit të relatorit, i cili bëri edhe propozimin. “Le ta lëmë strukturën e ligjit ashtu siç është. Përsëri po ju them me bindje se shumë shpejt, ju vetë do të vini sërish këtu, sepse kështu siç e keni lënë, unë e shoh karrierën e policisë si një pellg me ujë të ndenjur”, – deklaroi sërish deputeti Arben Çuko.

 

Varianti i parë i qeverisë për Gardën e Republikës

Neni 21

Struktura e ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë

1. Në përbërje të Policisë së Shtetit krijohet dhe funksionon struktura e ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë për:

a) ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore;
b) ruajtjen e ambienteve të punës, banimit e qëndrimit të personaliteteve të larta shtetërore;
c) ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë.

2. Drejtori i personalitetet e larta shtetërore, emërohet nga ministri përgjegjës.

3. Personalitetet e larta shtetërore, ambientet e punës dhe të banimit, dhe objektet e rëndësisë së veçantë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Varianti i dytë i Komisionit të Ligjeve për Gardën, i miratuar

Ruajtja dhe mbrojtja e personaliteteve

1. Ruajtja dhe mbrojtja e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë realizohet nga një strukturë e posaçme.

2. Statusi.

Organizimi dhe funksionimi i kësaj strukture përcaktohen me ligj të veçantë.

 

BYROJA KOMBËTARE E HETIMIT

Neni 26

Byroja e Kombëtare e Hetimit

1. Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e veçantë e Policisë së Shtetit.
2. Kjo strukturë kryen veprimtari gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të.
3. Kjo strukturë ushtron kompetencat në gjithë territorin e vendit dhe për veprimtarinë gjurmuese përgjigjet para drejtorit të Policisë së Shtetit, ndërsa për veprimtarinë hetimore procedurale përgjigjet edhe para prokurorit.
4. Organizimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohet me urdhër të ministrit.

 

Debate tek Siguria pa praninë e medias/ Stërkaj: Qeveria të mos bëjë gabime me Gardën

 Para fillimit të mbledhjes së djeshme në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, deputeti socialist Paulin Stërkaj kërkoi zhvillimin e një mbledhjeje të shkurtër pa praninë e medias për të diskutuar propozimet e fundit të bëra nga Komisioni i Ligjeve, lidhur me Gardën e Republikës. Edhe pse mbledhja u zhvillua jashtë prezencës së medias, larg mikrofonit u dëgjua që deputeti Stërkaj tha: “Dua që qeveria të mos bëjë gabime. Ne për këtë punë jemi votu, për këto ligje, se për ministër e ka marrë tjetër kush në dorë. Të dy variantet që ka sjellë Komisioni i Ligjeve, nuk zënë vend për Gardën. Për të na bërë marifete siç thotë Taku (Spartak Braho), nuk funksionon. Ose të kalojë ligji siç është për të kaluar Garda, ose unë do çoj dorën kundër”. Ndërkaq, në këtë mbledhje pati edhe diskutime të forta mes deputetëve të tjerë të PS-së lidhur me strukturën e Gardës. Kjo gjë u reflektua edhe në votimin e draftit në tërësi, ku tre deputetë votuan kundër propozimeve të fundit dhe 12 ligjvënës të tjerë, mes këtyre edhe deputeti Stërkaj, mbështetën variantin e dytë për Gardën e Republikës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency