Flasin ekspertët/ Bankat “zgjidhin qesen” për kreditë, lehtësohen kushtet për individët dhe bizneset

0
140

Ervin Kaduku

para-280x200– Në tremujorin e dytë standardet e kredisë dhënë bizneseve u lehtësuan për herë të parë pas 12 tremujorësh

– Ekspertët e kredisë në banka shprehen për vijimësi të lehtësimit të standardeve të kreditimit për individët

– Pas tre tremujorësh vlerësim në rënie, kërkesa për kredi me qëllim financimin e blerjes së banesës rezultoi në rritje në tremujorin e dytë të vitit 2014

Ringjallet kërkesa për kredi, ndërkohë që bankat fillojnë të lehtësojnë kushtet për të dhënë hua të re. Kredidhënia nga bankat e nivelit të dytë është lehtësuar gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, si për bizneset, ashtu edhe për individët, konstaton Banka e Shqipërisë në raportin e saj lidhur me vrojtimin e aktivitetit kreditues në tremujorin e dytë të vitit, të publikuar dje. Lehtësimi i standardeve të kredisë dhënë bizneseve në total, për herë të parë që prej tremujorit të parë të vitit 2011, përbën një kthesë pozitive drejt lehtësimit të politikës kredidhënëse të bankave. Për kredinë dhënë individëve, bankat vijuan t’i lehtësonin standardet, për të tretin tremujor rresht, si për blerje banese ashtu edhe për financim të konsumit.

Kushtet e përdorura nga bankat në zbatimin e politikës lehtësuese në tremujorin e dytë të vitit kanë qenë: ulja e marzhit mesatar, ulja e komisioneve dhe zgjatja e maturitetit maksimal për kreditë dhënë për bizneset dhe për individët. Nga ana tjetër, marzhet për kreditë me rrezik kanë vazhduar të rriten, duke reflektuar një politikë të matur të bankave.

Kërkesa për kredi, bazuar në perceptimin e ekspertëve të bankave, është rritur ndjeshëm gjatë tremujorit në analizë nga të gjitha llojet e klientëve, duke dhënë sinjale pozitive për rigjallërim të aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë të vitit. Rritja e kërkesës është diktuar kryesisht nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues për bizneset dhe financimin e konsumit për individët.

Pritjet e bankave për tremujorin e tretë të vitit 2014 janë optimiste; standardet e kredidhënies pritet të lehtësohen dhe kërkesa të rritet, kryesisht për individët. Bankat shprehen më pak optimiste në pritjet e tyre për bizneset.

 

Kredia për bizneset

Në tremujorin e dytë të vitit 2014 standardet e kredisë dhënë bizneseve u lehtësuan për herë të parë pas 12 tremujorësh. Pas një periudhe të gjatë shtrëngimi, balanca neto e përgjigjeve të bankave u rrit me 11.2% krahasuar me tremujorin e kaluar. Ky përmirësim është kryesisht rezultat i lehtësimit të standardeve të kredisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Standardet për kredinë dhënë korporatave në tremujorin e dytë të vitit u lehtësuan në një shkallë më të ulët krahasuar me ndërmarrjet e vogla.

 

Kredia për individë

Në tremujorin e dytë të vitit 2014, ekspertët e kredisë në banka shprehen për vijimësi të lehtësimit të standardeve të kreditimit për individët. Përqindja neto e bankave që shprehen për lehtësim të standardeve rezultoi +16.9%, nga rreth 3.1% që ishte në vrojtimin e mëparshëm. Gjithashtu, niveli aktual i lehtësimit të standardeve të kredisë për individët është në linjë me pritjet e shprehura nga bankat për tremujorin e dytë të vitit 2014 në vrojtimin e mëparshëm.

Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u lehtësuan si për kredinë konsumatore ashtu dhe për atë me qëllim financimin e blerjes së banesës. Balancat përkatëse shënuan vlerat +22.5% dhe +15.5%, nga +6.5% dhe -9.6% në tremujorin e mëparshëm.

 

Kërkesa për kredi

Kërkesa e individëve për kredi vijoi të vlerësohej në rritje nga bankat përgjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, ku balanca përkatëse shënoi vlerën 10.2%. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, bankat raportojnë kërkesë në rritje për kredinë konsumatore, për të pestin tremujor radhazi. Pas tre tremujorësh vlerësim në rënie, kërkesa për kredi me qëllim financimin e blerjes së banesës rezultoi në rritje në tremujorin e dytë të vitit 2014. Balanca përkatëse rezultoi +1.2% nga -8.7% në tremujorin e mëparshëm.

Ekspertët bankarë presin që ecuria pozitive e kërkesës për kredi nga individët të vijojë edhe në tremujorin e tretë të vitit 2014.

 

  INSTAT: Qershor, “shpërthen” importi, rritet 27.5 për qind deficiti tregtar

Muaji i gjashtë i vitit ka shënuar një pikë kthese për keq për ekonominë shqiptare, e cila nuk po hedh hapa përpara në drejtim të konsumit të brendshëm, po rrit minimalisht eksportin, ndërkohë që ka shtuar shumë importet.

Në muajin qershor 2014 eksporti i mallrave arriti vlerën 22 miliardë lekë, duke u rritur me 8,2% në krahasim me qershorin 2013, por në ulje në masën 11,3% në krahasim me majin 2014, njoftoi dje Instituti i Statistikave. Rritje më të madhe vjetore ka pasur në eksportet e grupeve: “Tekstile dhe këpucë” me 24,1%, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 23,9% dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 14,1%. Ulje më të madhe vjetore pati eksporti i grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 23,7%. Sa i përket importit, në qershor ai arriti vlerën 49 miliardë lekë, duke u rritur me 17,9% në krahasim me qershor 2013 dhe 1,4% në krahasim me maj 2014. Rritje më të madhe vjetore ka pasur në importet e grupeve: “Prodhime druri dhe letre” me 35,2%, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 31,8%, “Produkte kimike dhe plastike” me 24,6% dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 18,9%.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 26 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të ndjeshme me 27,5% krahasuar me qershor 2013 dhe 15,5% në krahasim me maj 2014.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 65,4% të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,1%), Greqia (7,2%), Turqia (6,5%) dhe Kina (5,1%).

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency