Letra për Krujën / Dyshojnë te Martin Camaj, mos ka përlye pendën… si antar i Dushanit!

0
159

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

 

 

m.camaj_Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

 

Ramleh, 14.5.1954

 

I dashuni Zef,

 

Kuvêndi rreth mërgimit t’ând bitse paska marrë fund ndërmjet nesh. Vetëm po shtoj un edhe nji send: dosjer’i gjithë formaliteteve të bâme në nji konsullatë amerikane për mërgim po na ndiqka mbrapa kudo qi të vemi në botë n’atë konsullatën tjetër, pa pasë bjerrë asnji nga të drejtat e fitueme (si rendin e mërgimit mbas datës qi kemi bâmë lutjen, p.sh.) Athue nuk do t’ishte mâ mirë për tý – mbasi të keshë pyetun e të jeshë siguruem se nuk bier gjâ – me e bâmë pa tjetër kërkesën edhe për Kanadá e mbrapa… ndihmo Zot e çarku i Dodës?

Sa për mue e t’ime motër – se tjetër prej familjes, posë Bashkimit qi kam n’Amerikë, s’âsht kurrkush mâ me mue -, ç’po dijmë na të mjerët se kur ka për të na ardhun rendi, ai rend i lum qi presim si i verbti sŷtë? Se atë rendin tjetër qi âsht për të gjithë njâjze, un e quej si nji mrekullí të Sh. Lazrit! Pra nuk dijmë kurrgjâ e as konsullata amerikane s’ka dijtun me na shënuem ndonji farë date, qoftë edhe afrore. Dijmë vetëm nji gjâ: kur im bir, mbas dý vjeç e gjysë, ka për të fituem të drejtën me u bâmë shtetas amerikan e si t’i ketë sosun formalitetet relative, mue mundet me më marrë atje kur të detë.

Librin e Rizës s’e kam marrë. Martini as s’më ka shkruem mâ. E patëm nisun letërshkëmbimin rreth fjalorit të Kristoforidhit. Ishte fort i kënaqun prej kshilleve të mija e thoshte se aso kshillesh s’kishte marrë prej kurrkuj deri tash. Nuk do të kishte lânë pa më shkruem, pra, pa ndonji arsye të fortë. Dashtë Zoti e mos qoftë tjetër posë humbjes së ndonji letre në postë. Se edhe nji tjetër e tij s’më ka ramë në dorë. Un s’guxoj me i shkruem pa marrë letër prej tij, se drue mos t’a dâmtoj, sado qi nënshkruej Tafë Marlekaj. Me tjetër kênd s’kam kontakt n’atë dhê. Po deshe, pra, dërgoma atë vepërz të Rizës. Kam këtu edhe gazetat qi më ke pasë çuem me kohë e mundem me t’i kthyem kur të duesh.

U gzova sa s’ka për systemimin e t’yt vëlla. Por a paska gjymnaz në nji katund të Pejës? Se un s’po njoh ndonji qytet në Kosovë me emën Gjurakovac, apo âsht emën i ri i ndonji qyteti të vjetër?

Mue s’më lëshon manij’e gjuhës: flashk paska (në Merditë?) edhe kuptimin e lëkurës së gjarpnit si emën? – e me u përbiruem ç’done me thânë e ku? – atë njoftoj t’ignorancës burokratike s’m’a ka bluem stomaku kurrë. Pra shporre dhe ti prej fjalorit t’ând – E shkruej Ndoi, jo Ndoj.

Si je tue e çuem tash me shëndet? A bân ndonji punë?

 

Me shumë urime

Mustafa

 

 

Romë, 6 Qershuer 1954

 

I ndershmi Zotni Mustafë,

Ndonse Ju pata premtue se do të Ju përgjegjshem mejherë dhe do të Ju dërgojshem librecin e Z. Selman Rizës, kah qeshë ndër ethet e përpjekjet e atij provimit të kursit të radioteknikës, për të cilin Ju kam pasë shkrue ka’dit, nuk m’u bâ me Ju shkrue. E kam pasë ba mendim me Ju shkrue pa ndruejtje edhe sikur të kishem mbetë, pse tue ia pa piklat vetit disi e kam pasë përgatitë arsyetimin e shfajsimin q’mâ parë. Prandej thueja se edhe këso here disi po shfajsohem për vonesë. Zaten ke na, kur ndokuej i mbetet ves me e bâ nji gjâ hiri e pa hiri i thonë: “…po, ia ka lanë lîja ortei!”; aniç edhe mue. Sidoqoftë besoj se jam arsyetue mbassi përfundimi ka qenë pozitiv, edhe pse nuk e ka shpërblye mundimin a me të drejtë stërmundimin qi kam bâ. Veç, kah mendoj se nuk e kam koritë sidomos Fandin qi krahas me peshkven ka ndërmend me ia hŷ edhe punëvet të teknikës, përsëri disi ngazllohem në shpirt e më duket se jam ma lehtë tash se para. Përnjimend tash po më bâhet me qeshë si i marri me veti, se qe besa më ka pasë thartue bukur fort e sidomos termat prej të cilavet – si e ka përvetsue Selman Riza më shkrimet e arsyetimet e komentimet e veta – haemadreq se e kam dijtë njâ për be’ e kur e kam pa ma së pari radjon me përmbrendcat e sajë, më ka vojtë mendja se ishte mbushë me karamela laralara e s’dijshem kah bijnë katundet e rezistencve, kondensatorave, komutatorave e Zot ruejnave!…

Me gjithatë përfaqsuesi i Organizatës NCËC qi muer pjesë si ndigjues në provimet n’akordoi mejherë bursën e studimit (vetëm pagimin e taksës shkollore) për të vijue nji kurs të shpejtë specjal për diplomë televizjoni, qi do të nisi me 15 k.m. për arsye se e ndiejshe vetin të plogësht e të stërmunduem dhe për arsyet qi do të mund i merrni vesht mâ vonë, nuk mujta me pranue qi në këte vapë t’a mundojshe vetin aq fort pa qenë aspak i sigurtë se do të mundem me korrë përfundim të mirë. Tue parashtrue gjendjen t’eme shëndetësore, kërkova qi ajo e drejtë të më ruhej për në vjeshtë me rihapjen e kursit, qoftë të shpejtë specjal, qoftë të rregulltë. Ata pranuen edhe un firmova urdhnin e kështu në vjeshtë, në se ende nuk do kemë emigrue e në se i kam trût ende në kaploçe, me ndimë të Zotit, do t’ia hyjë edhe asaj “telhyqje”.

Kështu tash kam e do të kemë me paraqitë letra e dishmina të zêjeve të pa-zêje e, m’i hangshin, mirë o Zot; në mos, shëndet e moti i mirë!

Kam pyetë përskîthas përsa më porositshi Ju në se njiherit do të mundesha me ba kërkesën edhe për Kanada, porse kam pasë përshtypjen se ata krejt i kanë fjalët bashkë e luejnë me nê si luejnë valët e detit me ndonji bushikëz llastiku. Edhe kësaj do t’i rri pishë se âsht porosi me vend, por m’anë tjetër mundesh me pasë shtymjen e pshtymjen si i pavendosun, në mos stërkamcën nga ndonji ndërpretim i ndonjij zemërngushti teksasian. Un për veti po ia shof gjasët se do të më duhej me pritë mrekullín e Shën Lazrit qi thoni Ju, se as këta këtu nuk ipen, por e lanë punën vari-m’vari, a tëhiq – e mos këput. Paj, Zotni, sado qi sjellen njerzisht, për Zoten po më duket se na jemi coftina e këta nëpunësa qejt qi ushqehen mbi nê ashtu ngulshuemas e përngutas kah druen se mos nuk po ka mâ klienta të marrë m’u sandallë si pengje e derzanina dersa fituesat t’i dajnë çakla e rrakshtaja e na kallakotrumkosure me to! Më falni, po, ja që hë; kajherë hynë në kambë ndo’i ferrë e duhet me e shtrydhë mllanin për të dalë t’krejt (qelbi).

Uroj për të gjithë e në këtê rasë për Jú e për mue qi të dali ndonji Mojzeh e t’i bjeri Atlantikut me Shkopin e Madh, se për ndryshe, bane Zot mirë! Por përsërí Ju qenki më kalit; edhe për dy vjet e gjymës them dilet andej.

Difterët e Shqipes të Selman Rizës po Ju a dërgoj. Mbasi të kemë marrë edhe disa shënime qi më nevojiten nga parathanja, do të Ju dërgoj, në mos e paçi marrë, edhe fjalorin e Dr. Henrik Bariqit, i cili më mrrijti në këto ditë nëpër dy duer.

Martini, si më duket se Ju kam pasë lajmue, më ka pasë kërkue gramatikën e Kristoforidhit. Un qeshë përpjekë me ia gjetë këtu e po t’a gjejshe a në Bibliothekën Orientale ase n’atê Vatikane, do t’ia fotografojshe, por s’u gjet e prandej iu drejtova disa shokëvet në Greqi e pikërisht Gjenc Korçës e Luan Gashit. Luani e kishte pasë edhe pat mirëkuptimin me ia dërgue jo aq për shoqní e njoftim qi kam pasë me tê, sa për hír të çashtjes. Un e lajmova Martinin se libri i âsht nisë, por as mue nuk m’u ka përgjegjë ma fare. Jam tue drashtë shum se ia ka zanë rrota bishtin. Ai âsht, po, edhe antar i Komitetit ekzekutiv të Dushanit, pse duhej t’a përlyente doemos edhe atê pendë me taktikën e vet; ose e kanë provue e mandej ia kanë mbushë shtjelm përmbrapa qi me i ardhë mendja rreth. Prandej do të pres edhe nuk do t’i shkruej nji herë. Në rasë se un marrë letër prej tij, Ju shkruej.

Përsa më pyetni në se ka gjymnaz në katundet e Pejës po Ju sqaroj : Kiju inat e folju hakun, propagandë e ç’propagandë, interesa e çínteresa e uji shkon në mulli të tyne gjithsesi, por ata pa u mbushë ende dhetë vjet kanë hapë aq shum gjimnaze e paragjimnaze shqiptare nëpër Kosovë e gjetiu, sa me sigurín mâ të madhe çfardo qeverije nacjonale thjeshtë shqiptare qi t’a kish pasë Kosovën në dorë as nuk do t’î kishte shkue ndërmend me i hapë gjithato e me i shtî punë vetit. Tash urdhnoni e ndieni se sa shkolla të mesme shqipe ka në Pejë e rrethe: mbrenda gjimnaz i plotë shqiptar e serb, shkollë zejtarije e plotë me degë tregtije e bujqësije; çdo verë katër muej kurs për maturitet mësuesash së pakualifikuem; jashtë Peje : n’Isniq gjimnaz me 6 klasë; n’Istok gjimnaz me 6 klasë; në Gjurakovac1), katund i madh me mâ shum shkjê se shqiptar, plot nji orë nën Pejë, gjimnaz me semimaturë; (e mu tash më shkruen vllau se do të jetë i zanun deri me 15 Korrik me provimet e semimaturës, mbasi prej 20 k.m. deri me 30 do të jetë si përfaqsues në provimet qi do të jepen po për semimaturë; sivjet âsht hapë edhe Zllakuqan ku qe transferue vllau mbasi duel i pafajshëm; gjimnaz me semimaturë ka edhe në Klinë (Metohí), qi Serbët e Malazezt i thonë Dobrovoda e shqiptarët Ujmirë. Tash numroni Ju vetë e mendoni në se do të jetë pozitiv apo jo, edhe pse pa mjete, edhe pse tue folë me ndjenjat e dishirat e hueja, edhe pse tue shá Ju e nê e nacjonalizmën; po njajo punë vetë mue tash po më duket se nuk âsht tjetër veç nacjonalizëm nëpërmjet të komunizmit. E, në qoftë se ajo âsht doza e kënaqëshme e dalun nga formula e doktorave komunista kosovarë, atyne ju lumtë se kanë ba mâ shum se tjerët, të cilëvet as vetë shqiptarët nuk dojshin me u ndigjue për të dërgue fëmijt në fillore, se mâ hem në katund edhe në gjimnaz, ani çikat e katundit në gjimnaz!…

Asht e dijtun se detyra e jonë âsht me e mprojtun thezën e nacjonalizmës me sa të kemi arsye e fuqít e saj, por kah tjetërkush u ka dhanë të drejtë atyne shum mâ fort ______________

1) Prejardhjen e vjetërsín e emnit nuk e dij, por me sa kam pá, pse kam qenë mbrendë në vjeshtën e 1943, âsht Katund i vjetër me qendër komuneje, përpara i banuem vetëm prej raje me shqiptarë pak e tash i janë shtue malazezt.

se sa nê, atëhere duhet me ndejtë shtremtë e me folë drejt.

Jo aq në lidhje me këtê, besoj se ju ka rá në dorë nji artikull i Vardarit, ku përshkruhet njifarë falënderimi Fadil Hoxhës. Po Ju a dërgoj bashk me nji koment të bamë në “I Merguemi”, mbasi nuk dijta se kuej me i mbetë më derë e, tue qenë se agraristat e kanë mprefë fort shpatën, iu drejtova Vardarit, i cili e botoi mejherë, por kjo le të mbetet ke Ju, mbasi natyrisht s’ka hije me i dhanë emën kur i bâhet dam mu vehtes. Më jepni, Ju lutem përshtypjen e Juej rreth atij falënderimi dhe shtesës së tij si punë komenti në fletushkën e Germenjit qi e bamë bashk me nji shoq, të cilit iu mbush mendja se e vyente barra qirán.

E tash rrjedhimisht po më bjen puna ke arsyeja tjetër e shtymjes së kursit të televizjonit për vjeshtë :

Pa dyshim do të jetë e tepërme të them “….entre neus”. Jú qi jeni n’atë pikë mâ un se un-i dhe pra për këtê e për ndiemjen e nevojës së Juej âsht vendosë nga nuk e dij sekush, qi nepërmjet meje, pa e dijtë njeri i lemë tjetër, të Ju drejtohem me kërkue këshillimin, deri diku, sugjerimin dhe ndihmën përsa vijon : në fundin e këtij vjeti do të dali me të shëndoshë të Zotit nji libër e libërth përkujtimuer i dhetvjetorit të ripushtimit të Kosovës e vendeve tjera shqiptare nga Jugosllavia, në bazë të tryezës së landës qi po Ju bashkangjes, e qi mbassi t’a keni pa mirë do të Ju lutem me m’a këthye me gjithshka të keni me thanë për tê. Jú, për të mos u ba megaloman e me shitë mend, mbasi besoj se më keni njoftë deri diku, nuk do të Ju mërzis me ato qi kam shkrue ndonjaj të parryemi si Ju, pse jam mâ se i bindun se çdo gja në këtê t’imtë përshkon nëpër menden e ndiesit mâ të pastrat t’Uejat.

Po të kishem pasë mundësi me Ju a dërgue krejt landën e mbledhun e të përpunueme, o tash qi nuk asht e plotë, o ma mirë kur të m’ishte mbushë mendja e dikush tjetër t’a kishte pá me udhë se âsht mbushë thesi, do të kishte qenë feja vetë; por shka zotnoj tash âsht në shrregull e pak. Ato dokumenta e ajo landë qi pres nga njerz si e afër Jush do vonojnë, në mos mungofshin plotësisht e prandej asht vendosë qi, mbasi libri dokumentar nuk do të përmbajë emën, e në rasë se edhe Ju do të jeni “d’accordo”, tue e pasë para syshë si me thanë panoramën e asaj qi do të trajtohet, me Ju lutë qi të keni mirësin me i bamë nji parathanje, si mundt’a bani vetëm Ju, Ju e kurkush tjetër, Ju, tradhtarii Kosovës!… Nji gja vetëm due të Ju theksoj se nisjativa asht marrë nga njerz të thjeshtë, të paparti, të parroga por qi q’me kohë kanë nisë me nda kashoren e gojës me të vërtetë e je me llafe për të dhanë minimumin materjal e moral. Nuk do të ketë përfitime, as emën as mbrapaqëllime ; nuk do të fyejë kend, por do të jetë pasqyra e së vërtetës s’idhët, pasqyra e ngjarjevet të përjetueme ose të dokumentueme e të pamohueshme të së kaluemes së largët e t’afërme e të sodit.

E dij se do të jetë nji fashamje për Ju në këto kohë, në këtë vapë, meshë, lmurje të gjithanëshme, por besoj se do të jetë edhe njifarë ngushllimi shpirtnuer, qi grupe të rijsh e të vjetrish në pajtim të plotë ripohojnë haptas flijimin ekstrem të pishtarëve të nji gjymës shekulli përpjekjesh.

Sidoqoftë, në rasë se nuk ia shifni gjasën vetit ose nuk ua merr mendja se del gja serjoze nga dora e të rijvet e e të parryemvet me pendë, ose në rasë se sadokudo mendoni se do të Ju shkojë mundimi kot, mos ia hyni. Un nuk dishroj qi të Ju torturoj, por m’anë tjetër për këto punë nuk më dhimbeni pse të Ju nxjerri të fshame të reja. Në çdo mënyrë, sado thatë, sado keq, me shpresën e Perendis na do t’a nxjerrim me ose pa leje, me ose pa ndihmë, me ose pa oportunitet. Ky asht aksjon i vetvetishëm i proletarvet nacionalista e Ju thueni e ngjitnja qysh të u a dojë zogu i qejfit. Prandej pritet solidariteti i veteranit të heshtun po në heshtje. E, nuk po e tjerri mâ, vetëm po Ju siguroj se çdo gja asht bâ shum ngusht me “Ti e un ose Ju e un” e un për veti, n’e dhashtë Zoti, mbas kësaj do të mundem me emigrue shum ma i qetë. Besoj edhe se pajtimin ose mospajtimin a ma mirë pranimin për nji mundim të tillë do të mundem me e marrë vesht shpejt e, ose me u qetsue, ose me iu përmbledhë diqysh edhe asaj për të cilën nuk e ndiejmë vetin të thirrun.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency