Trajneri i ri/ Dunga vihet në krye të Brazilit

0
135

dunga_pictureAshtu siç u aludua disa ditë më parë, kapiteni që u shpall kampion bote me Seleçaon tashmë do të jetë në rolin e trajnerit

Gjithçka shkoi ashtu siç u aludua dhe Dunga është trajneri i ri i Brazilit. Ishte zgjedhja më mirë midis kandidatëve, duke parë edhe profilin, edhe rrugën në të cilën kishin ecur. Kapiteni i Brazilit në vitin 1994, tashmë do të rivihet në krye të stolit të anijes së mbytur me emrin Brazil. 50-vjeçari e ka drejtuar Seleçaon edhe në vitet 2006-2010, duke fituar Kupën e Amerikës në vitin 2007 dhe Kupën e Konfederatave dy vite më pas. Në përfundim të Botërorit 2010, Federata nuk ia rinovoi kontratën, për shkak të paraqitjes zhgënjyese në Afrikën e Jugut, ku u eliminua nga Holanda në çerekfinale. Emri i tij u propozua nga shefi i skuadrave zinxhir të kombëtares, Gilmar Rinaldi, i cili hodhi emrin e Dungës për të ringritur Seleçaon pas dështimit historik në Botërorin e shtëpisë. Humbja e turpshme ndaj Gjermanisë dhe më pas humbja edhe ndaj Holandës për vendin e tretë duket se mbushi kupën për teknikun Skolari. Në disfatën ndaj “pancerave” tekniku deklaroi se nuk do të jepte dorëheqjen, ndërsa humbja edhe ndaj tulipanëve solli fundin e teknikut për detyrën në krye të skuadrës pesë herë kampione e botës. Zgjedhja e Dungës, që veç të tjerash ka gjeneruar edhe jo pak kritika në atdheun e tij, është përkrahur fort nga Gilmar Rinaldi. Dunga konsiderohet si njeriu i duhur për ta zhvendosur vëmendjen nga marketingu te stërvitjet. Sipas shumë kritikëve në Botërorin e fundit, lojtarët u shpërqendruan nga sponsorët e shumtë dhe Nejmari në këtë drejtim është shembullor. Në aspektin tekniko-taktik, Dunga në atdhe është konsideruar gjithmonë më i kujdesshëm nga sa duhet, futbolli i tij është paksa i mërzitshëm. Por pas 7 golave të pësuar nga Gjermania, brazilianët tani duhet të jenë më të predispozuar në drejtim të mërzisë. Në aventurën e tij të mëparshme në një nga stolat më të nxehtë të botës, Dunga fitoi 42 nga 60 ndeshjet e luajtura, me 12 barazime dhe 6 disfata, duke fituar një Kupë Amerike në 2007-ën dhe një Kupë Konfederatash në 2009-ën. Në atë kohë krijoi një grup besnikësh që i çoi deri në Botëror. Përdori 40 futbollistë dhe vetëm 4 prej tyre fituan udhëtimin në Afrikën e Jugut pa luajtur më parë të paktën një dyzinë ndeshjesh. Tashmë projekti i Brazilit duket se do të ndryshojë edhe në përbërje, pasi tekniku do të ketë ide të reja për lojtarët dhe për mënyrën se si duhet të ndërtohet loja. Brazili ka shumë lojtarë të mirë dhe nuk mungojnë cilësitë, vetëm se nuk do të jetë e lehtë që të bëhen zëvendësime. Pritet që nga faza sulmuese të shpëtojë vetëm Nejmari, pasi të tjerët ishin një dështim i vërtetë. Ndërsa theks më i madh do të ushtrohet te gjetja e elementëve me tipare mbrojtëse. Ish-tekniku i 5-herë kampionëve të botës u shkarkua në muajin tetor nga stoli i Internacionalit dhe që prej asaj kohe nuk ka mbajtur asnjë post tjetër.

 

Ibaka: Mund të mposhtim SHBA-në

Lojtari i Oklahoma City Thunder në NBA deklaroi se ka besim te kombëtarja e tij, ndërsa shtoi se do t’i pëlqente një përballje në finale me ekipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Unë mendoj se ne i kemi mundësitë për të rivalizuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e madje për t’i mposhtur ata. Pas finales në Lojërat Olimpike që u zhvilluan në Londër gjithçka është e mundur. Spanja i ka basketbollistët e duhur për të synuar fitoren finale në këtë Kampionat Botëror”, – u shpreh Ibaka. Por, edhe pse Spanja ka në përbërje lojtarë si Pau dhe Mark Gasol, Rudi Fernandez, Riki Rubio, Serxho Rodrigez dhe shumë basketbollistë të tjerë cilësorë, Ibaka është bindur kur shprehet se përballë Shteteve të Bashkuara dhe një lojtari të madh si shoku i tij i skuadrës te Oklahoma Kevin Durant, ekipi i drejtuar nga trajneri Huan Antonio Orenga do ta ketë shumë të vështirë. “Momentalisht Durant është në formë të shkëlqyer dhe për mendimin tim është basketbollisti më i mirë në Botë. Megjithatë nëse ndeshemi me Shtetet e Bashkuara ne nuk do të mendojmë shumë për kualitetet që ata kanë në skuadër, pasi duam të fitojmë përballë tyre”, – përfundoi Ibaka.

 

Ospina nënshkruan për Arsenalin

David Ospina ka arritur marrëveshje për t’u transferuar te Arsenali dhe do t’i bashkohet skuadrës para ndeshjes së fundit të turneut në SHBA. Në javën e ardhshme, portieri kolumbian do të kompletojë transferimin e tij nga Nisa në vlerë prej 4.4 milionë euro. 25-vjeçari do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore gjatë kësaj jave dhe do të bashkohet me ekipin e Arsen Vengerit para ndeshjes kundër Nju Jork Red Bulls. Megjithatë, për zyrtarizimin e transferimit duhet të kompletohen detajet e marrëveshjes. Ospina do të përfitojë 76.000 euro në javë në bazë të kontratës me Arsenalin.

 

 Bytyqi: Jam kosovar, por luaj për Austrinë

 Sinan Bytyqi vendos të luajë me Austrinë. Në një prononcim për “Die Presse”, Sinani ka hedhur poshtë mundësinë që të luajë me Kosovën. Talenti kosovar është duke shkëlqyer me Austrinë U19 në Kampionatin Evropian U19. “Gjaku im është kosovar, por unë e kam shqiponjën në gjoks”, – u shpreh Bytyqi, duke menduar për shqiponjën tradicionale të austriakëve. Ai realizoi gol në fitoren 3:0 që austriakët e rinj e shënuan në takimin kundër Hungarisë U19, duke qenë një nga lojtarët më të mirë në fushë.

 

 Junajtid, i vendosur për Strotmanin

Tashëm Van Gal është duke u munduar që të bëjë edhe blerjet e fundit para sezonit të ri. Menaxheri i Mançesterit është i vendosur që ta transferojë Kevin Strotmanin nga Roma. Sipas “Mirror”, strategu holandez dëshiron që ta ketë 24-vjeçarin në skuadër nga muaji janar. Strotman nuk mori pjesë në Kampionatin Botëror si pasojë e lëndimit, mirëpo ai tashmë është kthyer në stërvitje. Megjithatë, nuk pritet që mesfushori të luajë deri në vjeshtë. Strotman kaloi te Roma në verën e kaluar nga PSV Eindhoven dhe ka arritur të realizojë një perfomancë shumë të mirë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency