Krujë/ Akuza për vjedhje ndaj Durmishit, zyrtari i Tatimeve rrezikon 4 vite burg

0
152

Sonila Mesareja

vjedhje para Prokuroria e deklaron fajtor për disa vjedhje në kohën kur ishte menaxher në një shoqëri private në Nikël të Krujës

 Një zyrtar aktual i Tatimeve rrezikon deri në 4 vite burg, nëse Gjykata e Krujës do të pranojë kërkesën e Prokurorisë për dënimin e tij me 4 vite burg për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Bëhet fjalë për të pandehurin Klodian Durmishi, aktualisht përgjegjës sektori në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Tiranë, i cili akuzohet për disa vjedhje në kohë kur ka qenë menaxher në një shoqëri private në Nikël të Krujës. Seanca e djeshme u shty për t’i dhënë kohë palës mbrojtëse për të përgatitur konkluzionet përfundimtare për të kaluar më pas në verdiktin e Gjykatës.

 

Kallëzimi

Kallëzimi për këtë person është regjistruar më 3 maj të vitit të kaluar, pasi materialit kallëzues të ardhur në Prokurorinë e Krujës nga shoqëria “R….” sh.p.k. me qendër në Komunën Nikël të rrethit të Krujës për shtetasin Klodian Durmishi. Nga hetimi dhe gjykimi i kësaj çështjeje penale, ka rezultuar e provuar se Klodian Durmishi ka filluar punë pranë kësaj shoqërie në datën 1.12.2011 me pozicionin e punës si shitës i produkteve të kësaj kompanie dhe gjatë kësaj kohe ai i ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën shumën 956.047 lekë. Këtë detyrë e ka ushtruar për një afat kohor 1 vit e 4 muaj dhe në këtë periudhë kohore, i pandehuri Klodian Durmishi ka furnizuar klientët e “R…..” për zonën e jugut të Shqipërisë. Nga kontrolli i bërë në fund të vitit 2012 nga kompania “R…..” për debitorët e zonës së Klodian Durmishit ka rezultuar se disa klientë që rezultonin si debitorë ia kishin shlyer faturat Klodian Durmishit dhe për këto fatura shtetasi Klodian Durmishi ka nënshkruar se e pranon detyrimin dhe do t’i shlyejë deri në fund të marsit 2013, kjo sipas procesverbaleve të nënshkruara nga vetë Klodiani, të cilat janë administruar në dosjen hetimore.

 

Akuza

I pandehuri Klodian Durmishi, gjatë kohës që ka qenë me detyrën e menaxherit pranë shoqërisë “R…..” sh.p.k., për periudhën 1 dhjetor të vitit 2011 e deri në prill të vitit 2013, ka përvetësuar nga kjo shoqëri në mënyrë antiligjore dhe me veprime konkrete shumën 956.047 lekë, duke shpërdoruar detyrën. Më tej, në konkluzionet e saj, akuza bën me dije se përveç kësaj shume nuk përmenden edhe klientë të tjerë të cilët në mënyrë verbale kanë pranuar se i kanë dhënë lekë kesh të pandehurit Klodian Durmishi, por nuk kanë pranuar të japin deklarime në lidhje me sasinë e parave që ata i kishin dhënë atij.

 

Dëshmitë

Akuza ka renditur për Gjykatën edhe disa deklarime të personave që i pandehuri u ka marrë paratë dhe nuk i ka deklaruar si fatura të shlyera. Për klientin e firmës “R……”, shtetasi L. T., nga ana e të pandehurit është shënuar në fature se borxhi prej 18.165 lekë është zero, pasi këtë shume ja ka shlyer punonjësit të kompanisë, të pandehurit Klodian Durmishi. Janë pyetur si persona që tregojnë rrethana të hetimit punonjësit e kompanisë “R……” dhe konkretisht S. Gala, e cila në deklarimin e saj ka thënë: “Më datën 11.2.2013 kemi bërë një mbledhje me drejtoreshën e Përgjithshme A. Gjinollari dhe nga kjo mbledhje ka dalë një problem me agjentin e shitjeve Klodian Durmishi, pasi disa klientë mohuan detyrimet që kishin karshi firmës tonë. Në këtë mbledhje është lënë detyrë që unë së bashku me Klodianin të shkonim dhe të merrnim kontakt direkt me klientët në rrethet ku kishte zonën Klodian Durmishi. Në datën 6.3.2013, unë jam nisur për kontroll së bashku me punonjësin A. Ismaili, pasi Klodiani refuzoi të vinte dhe të merrte kontakt me klientët e tij. Ne kemi komunikuar me klientët, ku një pjesë e tyre e kanë pranuar detyrimin karshi firmës, një pjesë nuk e kanë pranuar detyrimin, pasi kanë pretenduar se lekët ia kanë dhënë Klodian Durmishit, një pjesë refuzuan të dilnin në takim, si dhe një pjesë tjetër nuk ka pasur kontakte të vëna në dispozicion nga Klodian Durmishi, por kanë qenë vetëm emri i klientit pa mbiemër, adresë dhe numër kontakti. Gjatë kontrollit të bërë në qytetin e Vlorës, ka qenë e njëjta situatë si në zona të tjera ku disa klientë kanë pranuar detyrimin, disa të tjerë nuk e kanë pranuar atë dhe disa të tjerë kanë qenë klientë fantazmë. Kur është pyetur Klodiani për klientët që nuk kishin shumë të dhëna, Klodiani na ka thënë që i marr unë përsipër detyrimet që kanë kjo kategori personash…” Po kështu është pyetur edhe shtetasi A. D., i cili është dhe shef shitjesh pranë kompanisë “R…” Ai është shprehur se “sa për Klodian Durmishin kam për të thënë se ky si agjent shitjesh nuk ishte serioz, shpesh herë ai nuk ishte korrekt me detyrën që kishte. Dua të theksoj se në dhjetor të vitit 2012, ne u kemi dhe urdhër agjentëve të shitjes që për zonat që mbulonin të mblidhnin borxhet e klientëve të tyre, midis tyre dhe Klodiani. Klodiani na gënjente nga dhjetori deri ne muajin shkurt, ai ka bërë arkëtime të pakta dhe shumat që ai i referonte si borxhe ishin më të mëdha se arkëtimet që ai bëri në muajin dhjetor. Pasi kontrolluam punën e tij e larguam nga detyra”.

 

Mbledhja/ KLD vijon me procedimin e gjyqtarëve Pashaj e Çela

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur dje pasdite, në orën 17:00, për të diskutuar masën disiplinore ndaj dy gjyqtarëve. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Elbasanit Ilir Pashaj dhe gjyqtaren e Vlorës Harrile Çela. Gjithashtu në rendin e ditës do të jepet edhe vlerësimi për disa gjyqtare nga gjykata të ndryshme të vendit. Në përfundim të shqyrtimit të kërkesave të ministrit, anëtarët e KLD-së kanë vendosur të japin “Vërejtje me paralajmërim” për gjyqtarin Pashaj, ndërsa pritet të marrë vendim edhe për gjyqtaren Çela. Nga burime pranë KLD-së bëhet me dije se mbledhja e radhës do të mbahet këtë të mërkurë për të vijuar me të tjera çështje që ishin për t’u shqyrtuar dje në rendin e ditës. Ndërkohë në datën 16 korrik KLD shkarkoi nga detyra si gjyqtar ish-kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, i cili po gjykohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës pas denoncimit në një emision investigativ. Po ashtu, në mbledhjen e datës 16 korrik, KLD dha masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim” gjyqtarit të Elbasanit Bujar Musta si dhe gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Bujar Krasniqit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency