Ligji pë KLD/ Miratohen ndryshimet e ligjit, si mund të shkarkohen anëtarët

0
134

Florenc Drizari

kld-debate-10-tetor-2013-Naco-Naço-Nishani-640x426 Majko: U zgjodhe anëtar i KLD-së, do t’i shërbesh drejtësisë, dhe jo vetes

Komisioni i Ligjeve miratoi dje në mungesë të anëtarëve të opozitës projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” të ndryshuar””. Deputetët e mazhorancës theksuan se kryesisht në dy vitet e fundit ky Këshill nuk ka funksionuar siç duhet dhe për këtë duhet që rregullat e KLD-së të ngrihen në ligj, ashtu siç bën edhe nisma e fundit e ndërmarrë në fushën e drejtësisë. Më 30 qershor të këtij viti, një grup deputetësh nga shumica parlamentare: Spartak Braho, Vexhi Muçmata, Vasilika Hysi, Ulsi Manja, Silva Caka, Pirro Lutaj, Petrit Vasili, Pandeli Majko, Bashkim Fino dhe Ermonela Felaj, propozuan një projektligj të ri për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke ndryshuar edhe disa nene që kanë të bëjmë ne shkarkimin e anëtarëve të këtij organi.

Më konkretisht në nenin 2, pika f, të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” të ndryshuar””, thuhet se anëtarët e zgjedhur nga Kuvendit dhe nga Konferenca Gjyqësore, shkarkohen për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës. “Anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit. Anëtarët e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit”. Për deputetët e mazhorancës këto ndryshime në ligj bëhen me synim shprehjen në mënyrë të qartë se shkelja e Kushtetutës dhe ligjit gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi apo nga KGJK-ja, përbën shkak për mbarimin e mandatit të tyre, duke shmangur kështu sjelljet abuzive gjatë ushtrimit të detyrës

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së, Pandeli Majko tha se duhen që rregulla të vetë KLD-së të ngrihen në ligj, ndërsa theksoi se është e nevojshme që publiku t’i shohë në mënyrë transparente mbledhjet dhe ato që ndodhin në KLD. “Një anëtar i KLD-së zgjidhet për një anëtar të KLD-së. Duhet marrëdhënia mes inspektoratit dhe KLD-së, është shumë e rëndësishme ndaj i sjellim të normuara. Kemi sjellë edhe ndryshimet që vijnë pas ndryshimeve në Kushtetutë për procedimin dhe ndjekjen penale të anëtarëve të sistemit të drejtësisë. Disa norma të KLD-së t’i normojmë në ligj për të nxitur mirëfunksionimin. Shpresoj që pas miratimit të ligjit do kemi mirëfunksionim. Ne po i kërkojmë KLD-së të respektojë rregullat që ka miratuar vetë”, – tha Majko.

Ndërsa kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, deklaroi se për reformën e thellë në drejtësi do të ngrihet një komision i posaçëm dhe se këto ndryshime janë të domosdoshme të miratohen para mbylljes së këtij sesioni parlamentare. “Shumë shpejt në Parlament do të ketë një komision për një reformë të thellë në drejtësi. Këtë kërkojnë qytetarët ky është detyrimi dhe obligimi ynë. Kjo nuk është reforma e plotë. Në rast se opozita ishte e interesuar të vinte këtu dhe jo ta anatemonte nga SHQUP-i. Nuk ka detyrim që ne t’i drejtohemi Komisionit të Venecias. Ne nuk po bëjmë ndryshime në Kushtetutë”, – tha Xhafaj. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe deputeti i opozitës, Nard Ndoka, i cili kërkoi shtyrjen e diskutimeve deri në rikthimin e opozitës në Kuvend, ndërsa për draftin në fjalë u shpreh kundër.

 

Neni 2

Pas shkronjës “ë”, të pikës 1, të nenit 7, shtohen shkronjat “f” dhe “g”, me përmbajtje si vijon:

“f. Anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit.

g. Anëtarët e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit.”

 

Projektligji, reagon KLD/ “Nisma, antikushtetuese,  ligji të konsultohet ose të tërhiqet”

 “Ky projektligj përveçse bie ndesh me Kushtetutën, bie në konflikt të hapur edhe me disa ligje të tjera që rregullojnë sistemin gjyqësor

 Këshilli i Lartë i Drejtësisë reagoi publikisht një ditë më parë pas qëndrimeve të mbajtura nga deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve, duke dhënë mendimin zyrtar për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Sipas KDL-së, ky projektligj është diskutuar në një nga mbledhjet e fundit plenare të këtij Këshilli dhe sipas shumicës së anëtarëve të KLD-së, përgjithësisht ky projektligj nuk sjell asnjë të re në punën e Këshillit, por synon realisht zvogëlimin e kompetencave të tij. Në këtë projektligj thuhet se nuk janë respektuar rregullat dhe parimet bazë që praktika e deritanishme ka sanksionuar në krijimin e një projektligji. Pavarësisht se Kushtetuta i ka dhënë të drejtën e nismës legjislative qeverisë, një grupi deputetësh, një deputeti të vetëm apo 20 mijë zgjedhësve, tashmë në Shqipëri janë krijuar disa standarde në procesin legjislativ, falë edhe bashkëpunimit me faktorë ndërkombëtarë.

“E meta kryesore e këtij projektligji, sipas vlerësimit të anëtarëve, është fakti se ka probleme të rënda kushtetuese. Në këtë kontekst, me këto ndryshime ligjore, cenohet Parimi i ndarjes së pushteteve, konkretisht marrëdhëniet ndërmjet Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Parlamentit apo marrëdhëniet midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ekzekutivit. Sot ka një jurisprudencë shumë të pasur të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka dizenjuar në mënyrë të qartë aspektet dhe ka theksuar fort parimet mbi të cilat ndërtohet shteti, por kjo nuk është marrë aspak në konsideratë. Për Këshillin, përbën shqetësim procedura e ndjekur e cila e vendos KLD në trysni dhe nuk zgjidh problemin, por zhyt sistemin gjyqësor në anarki. Ky projektligj përveçse bie ndesh me Kushtetutën, bie në konflikt të hapur edhe me disa ligje të tjera që rregullojnë sistemin gjyqësor, siç është ligji për Konferencën Kombëtare Gjyqësore, apo ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”. Për mendimin tonë, në shkelje të të gjitha parimeve kushtetuese po i hiqet sovraniteti këtij Këshilli, po cenohet në mënyrë siguria juridike dhe po minohet sistemi gjyqësor”, – thuhet në qëndrimin e KLD-së. Referuar këtyre ndryshimeve ligjore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë konstaton një synim për të marrë kompetencat e një organi kushtetues. “Tentativa dhe marrja e kompetencave të organeve kushtetuese është një rrezik serioz ndaj parimeve bazë të shtetit të së drejtës. Në respekt të përgjegjësive, për detyrën që kemi, ne duam të sjellim në vëmendjen tuaj pikërisht këto fakte që nënvizuam, në mënyrë që gjërat të shihen në një dimension real, të vërtetë dhe me thellësinë që meritojnë. Në mendimin tonë, në mënyrën më emergjente, duhet të stopohet ritmi i këtij procesi, i cili mund të ketë pasoja shumë të rënda dhe të pariparueshme, me qëllim që të vendoset një konsultim institucional dhe i ndershëm”, – përfundon deklarata e KLD-së.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency