Burgu i Drenovës / Sherr mes të dënuarve, plagoset rëndë Dritan Lushka

0
264

Anxhela Tato

Dy të burgosurit Enea Shkoza dhe Saleo Stojani i përplasën kokën pas murit Lushkës, refuzoi t’i lëshonte paralelet për stërvitje

Në gjendje kritike i plagosur, përfundojnë në dhomën e izolimit dy agresorët

 

dritan lushkaPersonazhet e botës së krimit kthejnë sërish në qendër të vëmendjen burgun e Drenovës, ku episodi i radhës ka qenë një përleshje mes tre të dënuarve. Ndonëse të izoluar në një ndër institucionet e sigurisë së lartë, për shkak të rrezikshmërisë së krimeve të kryera, të dënuarit nuk duan t’ia dinë as për gardianët, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e konflikteve me anë të dhunës. Burgu i Drenovës herë pas here shndërrohet në lajm prej veprimeve “rebele” të të dënuarve. Këtë herë bëhet fjalë për tre të dënuar, të cilët janë konfrontuar fizikisht kur ndodheshin në ajrim. Mësohet se sherri ka qenë për arsye banale, për lirimin e hekurave të stërvitjes. Nga burime mësohet se Dritan Lushka ndodhej duke bërë paralele, kur i janë afruar dy të dënuarit e tjerë. Të tre kanë nisur të debatojnë, pasi Lushka nuk pranonte të largohej nga paralelet. Situata është nxehur, ku pas ofendimeve dy të dënuarit Saleo Stojani dhe Enena Shkoza i kanë plasur kokën pas murit Dritan Lushkës.

Sherri

Sherri mes tre të burgosurve ka ndodhur pasditen e së premtes, 11 korrik, në momentin kur të dënuarit dhe të paraburgosurit ishin në ajrim. Mësohet se i plagosur ka mbetur pogradecari Dritan Lushka, i paraburgosur nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë të Florian Hykës. Sipas policisë, Lushka, teksa ndodhej në ajrim, është konfliktuar me dy të burgosur Enea Shkoza dhe superhajdutin korçar, Saleo Stojani, i cili së fundmi vuan dënimin për vrasjen e efektivit të policisë në Vlorë. Konflikti ka degjeneruar në përleshje fizike dhe dy të dënuarit pasi e kanë qëlluar me grushte i kanë përplasur kokën pas murit Dritan Lushkës, i cili ka marrë plagë të rënda në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. E menjëhershme ka qenë ndërhyrja e forcave të sigurisë dhe gardianëve të burgut që kanë shmangur ndërhyrjen e personave të tjerë në këtë sherr. Aktualisht Dritan Lushka ndodhet në spitalin e burgut në Tiranë. Burime nga spitali kanë bërë të ditur se ai është në gjendje kritike për jetën. Burime nga burgu thanë se gjatë dhe pas ngjarjes, në mjediset brenda të institucionit të riedukimit, ka pasur një situatë e tensionuar mes të dënuarve.

 

Profili i të burgosurve

I plagosuri Dritan Lushka është vënë në pranga në mars të vitit 2013, pasi ishte në kërkim për plagosjen me armë të Florian Hykajt, efektiv i policisë së Komunës Velçan në Pogradec. Lushka e kishte qëlluar me pistoletë Hykën, po për fat të mirë nuk e ka vrarë dot. E gjithë ngjarja kishte ndodhur për një borxh që i plagosuri i kishte të arrestuarit. I dënuari Saleo Stojani është i njohur pasi ka kryer qindra vjedhje në Tiranë dhe në disa rrethe të vendit. Së fundmi ai u vu në pranga pasi ishte i pranishëm në vrasjen e efektivit të policisë në Vlorë, Roland Likaj. Stojani është dënuar për moskallëzim krimi. Ndërsa për Enea Shkozën nuk ka ndonjë informacion për aktivitetin kriminal të tij.

 

 

Durrës

16 leje ndërtimi në bregdet, pranga kreut të Komunës Rrashbull dhe 4 funksionarëve

Plot 16 leje ndërtimi në bregun e detit tek zona e Shkëmbit të Kavajës fusin në burg kreun e Komunës së Rrashbullit në Durrës, Hysen Gashin dhe 4 funksionarë të komunës, konkretisht drejtorin urbanistik Viktor Ndreka dhe 3 anëtarë të Këshillit të Rregullimit të Territorit, Vasil Gjoni me profesion Topograf, inspektor i zyres Urbanistike, si dhe Indrit Hamiti e Sabri Troci, anëtarë të KRRT. Po ashtu janë edhe 3 funksionarë të tjerë të akuzuar për shpërdorim detyre, ndaj të cilëve Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, Erifili Theollari, Nevjana Isufi dhe Fatjon Aliaj. Ndërsa për 5 zyrtarët e tjerë, përfshirë edhe kryekomunarin e Rrashbullit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë të akuzuar për shpërdorim detyre në dhënien e lejeve të ndërtimit në brezin e rërës te Shkëmbi i Kavajës. Zyrtarët ishin vënë në hetim prej muajit Shkurt të këtij viti pas denoncimeve në komisariat të qytetarëve të komunës, ndërsa mësohet se lejet abuzive janë dhënë gjatë dy viteve të fundit. Hetimet për Gashin janë kryer nga drejtoria e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit, ndërsa njësia Speciale ka ekzekutuar urdhër-arrestin duke vene ne pranga këtë të shtunë Hysni Gashin dhe 4 zyrtarët e tjerë. Mësohet se vetë Gashi nuk ka bërë rezistencë gjatë momentit të ndalimit, teksa mësohet se ka mohuar akuzat në momentin e komunikimit të urdhër-arrestit. Kreu i komunës Rrashbull dhe 4 funksionarët e tjerë të këtij institucioni u vunë në pranga falë operacionit të koduar “Urbanistika”. Sakaq, Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar dokumentet e mbledhjeve të KRT-së dhe të Komunës së Rrashbullit. 58-vjeçari Hysen Gashi aktualisht ndodhet në paraburgim tek Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit dhe do të merret në pyetje nga hetuesit e Tiranës. Gashi është i zgjedhur lokal i Partisë Demokratike në komunën Rrashbull të cilën e drejton prej 4 vitesh.

 

 

Kosovë

Të paguar për të kryer një vrasje, pranga 2 shqiptarëve

Dy shqiptarë janë arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se do të kryenin një vrasje me pagesë. Gjatë një operacioni të zhvilluar në qytetin e Pejës, në pranga kanë përfunduar dy shqiptarët  S. D., 44 vjeç, si dhe N. M., 49 vjeç, si dhe një shtetasi kosovar B. G., 39 vjeç. Arrestimi i tyre u bë pasi policia e Kosovës kishte marrë informacione se disa persona të panjohur nga Shqipëria ishin paguar rreth 40 000 euro nga një kosovar, me qëllim që të vrisnin një person në Kosovë dhe për këtë kishin kohë që përgatiteshin. Nga hetimet e policisë kosovare, 39-vjeçari nga Kosova kishte paguar shtetasin N. M., 49 vjeç (nga Shqipëria) për të kryer vrasjen, ndërsa si ndërmjetës ka shërbyer 44-vjeçari S. D. Në momentin e arrestimit është gjetur një armë zjarri pistoletë e tipit “TT” dhe një karikator me 8 fishekë. Sipas policisë së Kosovës, ndaj të dyshuarve janë lëshuar vendime mbi ndalimin prej 48 orësh për të vazhduar me procedurat tjera hetimore.

 

 

Përmet

Vidhte banesa, arrestohet 50-vjeçarja

Një 50-vjeçare ka rënë në prangat e policisë së Përmetit, pasi dyshohet për vjedhje. Sipas policisë, shtetasja K. P. dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetases L. M. një shumë prej 1.2 milionë lekë. Kjo shtetase dyshohet edhe për dy vjedhje të tjera në të njëjtin pallat, me të njëjtin mekanizëm, duke kryer vjedhjen me anë të çelësit të banesave. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprime të mëtejshme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency