Shpërdorimi i detyrës/ Regjistrime të rreme në sistemin TIMS të automjeteve, në kërkim 3 policë

0
198

 Anxhela Tato

moriniSkema, agjentja doganore gjente “klientët”, të dhënat ia niste me sms komisarit të Policisë Doganore Kukës, i cili ua kalonte kontrollorëve

Hetimet, fletëhyrje fiktive automjeteve për të shmangur detyrimin doganor, ryshfeti 10 mijë lekë të reja

Regjistrim fiktiv automjetesh në doganë, me qëllim përjashtimin nga pagesa e detyrimeve ligjore, duke i shkaktuar shtetit një dëm mbi 50 mijë euro. Skema është zbuluar nga Auditi i Ministrisë së Brendshme dhe hetimet paraprake të organit të akuzës, e cila ka lëshuar urdhrin e arrestit për tre efektivë policisë, të shpallur në kërkim. Me anë të një skeme fiktive këta punonjës policie, sipas Ministrisë së Brendshme, lëshonin fletëhyrje fiktive për automjetet të cilët për të shmangur penalitetet e ditë qëndrimeve, kur bënin zhdoganimin, shmangin gjobat. Kjo skemë e evazionit, sipas hetimeve, rezulton se kryhej nëpërmjet agjencisë doganore “Celmani” në Vorë e në pranga ka rënë edhe agjentja doganore Afërdita Kraja. Nga hetimet proaktive të zhvilluara nga ana e SHKB-së në bashkëpunim me Prokurorinë ka rezultuar se personat e sipërcituar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me qëllim përfitimi në mënyrë korruptive kanë bërë në disa raste, në kohë të ndryshme, regjistrime fiktive të hyrje-daljeve në Pikat e Kalimit Kufitar Kukës të disa mjeteve. Pas regjistrimit fiktiv janë kryer veprimet e zhdoganimit. Për këto veprime të kundërligjshme punonjësit e policisë së bashku me punonjësen e agjencisë doganore kanë përfituar shuma të konsiderueshme në lekë. “Nga ana e SHKB-së më datë 8.7.2014 u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasen Afërdita Ramiz Kraja e cila ka konsumuar veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1-2 të K. Penal ndërsa për tre punonjësit e policisë Fatos Ahmati, Behar Dida dhe Petrit Dauti për shkak se u janë shmangur hetimeve, u bë shpallja në kërkim e tyre”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme.

 

Dosja

Disa punonjës policie, që prej fillimit të vitit 2014 e në vazhdim, kanë kryer veprime në kundërshtim me ushtrimin e rregullt të detyrës, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë arritur të bëjnë regjistrime fiktive të automjeteve e personave të ndryshëm, duke krijuar të dhëna të rreme në sistemin TIMS në Pikat e Kalimit Kufitar Morinë e Shishtavec, Kukës, kundrejt dyshimit edhe të përfitimit të vlerave monetare. Kjo veprimtari është kryer në kohë të ndryshme, sa herë që punonjësve të policisë iu paraqiten raste, duke u realizuar fillimisht nëpërmjet komunikimeve midis tyre, ku jepen të dhënat e personit dhe të mjetit dhe më pas duke vepruar fizikisht me anë të regjistrimit fiktiv në hyrje në sistemin TIMS të këtyre mjeteve ose personave, nga punonjësi i policisë që është me shërbim në pikën përkatëse të kalimit kufitar. Arsyeja pse qytetarët kërkojnë regjistrimin e hyrjes se automjeteve është masa administrative që aplikohet nga autoriteti doganor, për rastin kur automjeti që do të bëjë doganën ka kaluar 6 muaj qëndrim në Shqipëri. Konkretisht, rezulton se punonjësi i policisë Fatos Ahmati, pasi ka marrë me mesazh të dhënat e personit dhe të mjetit, sipas rastit ia ka dërguar njërit prej kontrollorëve që ishte me shërbim si, Petrit Dauti, Behar Dida. Këta punonjës policie, me anë të veprimit të futjes së të dhënave në sistemin TIMS, duke krijuar të dhëna të rreme kompjuterike, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike si në rastet konkrete, nga personat që kanë për detyrë ruajtjen dhe administrimin e këtyre të dhënave ose në bashkëpunim, punonjësit e policisë, dyshohet se kanë kryer veprën penale të “Falsifikimi kompjuterik” parashikuar nga neni 186/a-2 i Kodit Penal.

 

Abuzimi

Punonjësit e policisë, kontrollorë, kanë bërë shënimin në sistemin TIMS sikur shtetasit e caktuar, kanë hyrë së bashku me mjetin e tyre në Shqipëri kohët e fundit, ndërkohë që mjetet kanë hyrë realisht kohë më parë dhe në datat e hyrjes nuk janë paraqitur fare në kufi. Bërja e këtyre veprimeve prej tyre provohet përveç të tjerave nga vet raporti i marrë nga sistemi TIMS me emrin e përdoruesit. Në këtë mënyrë punonjësit e policisë kanë kryer me dashje një veprim në sistemin TIMS, duke bërë një shënim fiktiv mbi hyrjen e mjetit në kundërshtim me ligjin, aktet nënligjore për kontrollin kufitar dhe funksionin publik të tij, kundrejt dyshimit për përfitime materiale të padrejta, si dhe duke dëmtuar interesat e shtetit në kontrollin dhe pasqyrimin e saktë të të dhënave në kufi dhe interesat e lidhura me këtë kontroll të hyrjes e daljes së mjeteve e personave. Nga hetimi rezulton se ky mekanizëm është vënë në funksion si rezultat i bashkëpunimit midis shtetases Afërdita Kraja, e cila pasi siguronte “klientët” në agjencinë doganore që disponon, me sms i dërgon të dhënat shtetasit Fatos Ahmati, shef stacioni i PKK-së Morinë dhe Shishtavec, Kukës, dhe ky i fundit, përmbajtjen e sms-s, ia dërgon për regjistrim kontrollorëve. Shtetasja A. Kraja me anë të veprimeve të saj dyshohet se ka kryer veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1-2 I Kodit Penal, pasi nëpërmjet saj është arritur të sigurohet kryerja e veprimit të shënimit në sistemin TIMS të hyrjes fiktive të automjetit kohët fundit. Për këtë ajo u ka siguruar personave drejtpërdrejt kryerjen e këtij veprimi dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga punonjësit e policisë kundrejt përfitimeve të parregullta, duke sjellë dhe pasojat e dëshiruara nga këto veprime.

 

 Korçë/ Konflikti për banesën, 41-vjeçari dhunon vajzën e njerkës

Një maraz i akumuluar që nga martesa e babait me një grua tjetër pas vdekjes së nënës, ka bërë që situata të acarohet, pasi njerka kishte sjellë me vete edhe një vajzë. Një 41-vjeçar me banim në fshatin Goskovë të Korçës, po ndiqet penalisht në gjendje të lirë pas denoncimit të thjeshtrës së tij adoleshente. 41-vjeçari S. S., dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj vajzës së njerkës, K. H., 17 vjeç, banuese në Goskovë. Burime zyrtare nga policia thanë se 41-vjeçari beqar jetonte në të njëjtën banesë me babanë, njerkën dhe vajzën e saj. Shkak për konfliktin mes tij dhe 17-vjeçares mësohet të ketë shërbyer debati për shtëpinë, pasi 41-vjeçari i shante dhe u thoshte se ishin të ardhura dhe për rrjedhojë nuk kishin pjesë në shtëpi. Përgjigjet e adoleshentes ndaj tij dhe shkëmbimet e fjalëve, kanë bërë që 41-vjeçari të ngrejë dorë mbi vajzën e njerkës, duke bërë që kjo e fundit ta denoncojë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency