Vendimi/ Nuk kanë kredite, u hiqet licenca 784 mjekëve, infermierëve dhe stomatologëve

0
168

 Driçim Çaka

mjeke1361041338Janë 1953 mjekë që kanë nga 1-100 kredite dhe 2956 mjekë që kanë mbi 100 kredite dhe askujt nuk do t’i rinovohet licenca

Plot 784 mjekë, infermierë dhe stomatologë nuk kanë grumbulluar asnjë kredit dhe për këtë arsye do t’u hiqet licenca. Ka qenë kreu i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj, i cili bëri të ditur se të gjithë punonjësit e shëndetësisë të cilët kanë 0 kredite do t’u hiqet licenca dhe do të rikthehen për ritestim në provimin e shtetit. “Ka mjekë, farmacistë e stomatologë që kanë zero kredite. Në 5 vitet e programit të parë të kualifikimit, në bazë të ligjit për profesionet e rregulluara ka rezultuar se rreth 318 mjekë, 148 farmacistë dhe 376 stomatologë nuk kanë marrë asnjë kredit të cilat përfitohen nga pjesëmarrjet në konferenca të ndryshme shkencore, seminare apo trajnime. Në qoftë se këta deri në fund të këtij viti do vazhdojnë të jenë me zero kredite, bordi i akredititimit që u mblodh 2 ditë më parë në ministrinë e shëndetësisë ka vendosur që tu pezullohet licenca e ushtrimit të profesionit dhe tu jepet e drejta e rifillimit si mjekë pasi të kenë dhënë provimin e shteti”, – u shpreh Abazaj. Përveç mjekëve, infermierëve dhe stomatologëve që nuk kanë asnjë kredit, një numër tejet i madh punonjësish nuk kanë plotësuar kreditet e mjaftueshme që duhen grumbulluar brenda 5 viteve dhe në këtë mënyrë nuk mund tu rinovohet licenca. “Ka dhe nga këto kategori që nuk kanë përfituar 150 kreditet e duhura në 5 vjet, sipas programit të edukimit në vazhdim, të cilat bëjnë të mundur certifikimin e njohurive të tyre dhe përfitimin e licencës që rinovohet cdo 5 vjet. Sipas rregullores, mjekët që nuk plotësojnë kreditet nuk rilicencohen dhe nuk u jepet e drejta për të vazhduar profesionin. Janë 1953 mjekë që kanë nga 1-100 kredite dhe 2956 mjekë që kanë mbi 100 kredite”, – u shpreh kreu i Urdhrit të Mjekut.

 

Mundësitë

Ata mjekë që nuk do të kenë më kredite janë lejuar nga Ministria e Shëndetësisë që të japin provimin e shtetit për të rifituar licencën. “Për mjekët që punojnë në sektorin publik, drejtuesit e institucioneve shëndetësore sipas rregullore duhet të shpallin vendet vakante, këtyre mjekëve do tu pezullohet licenca dhe do t’u jepet e drejta të futen në provimin e shtetit. Ky është një lëshim që u është bërë për shkak se ishte cikli i parë, në vitet në vazhdim sipas rregullores, për kategoritë e mjekëve që nuk do të marrin pjesë në trajnime e nuk do të kualifikohen do t’u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit. Për ata mjekë që s’kanë plotësuar 150 kreditet e nevojshme në 5 vjet, do vazhdojnë ushtrimin e profesionit por brenda 6 muajve do të japin provimin e shtetit”, – përmendi Dine Abazaj.

 

Ricertifikimi

Programi i ricertifikimit të mjekëve organizohet në cikle 5-vjeçare, ku cikli i parë ka filluar më 1 janar të 2010-ës, ndërsa pritet të përfundojë më datë 31 dhjetor të vitit 2014. duke iu referuar rregullores së përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë këtij cikli, punonjësit e shëndetësisë duhet të zotërojnë 150 kredite në total, të cilat sigurohen nga pjesëmarrja në seminaret e zhvilluara nga kjo qendër në ndihmë të specializimit të tyre. Në rregullore saktësohet se profesionistët të cilët kanë filluar ta ushtrojnë detyrën në vitin 2010 duhet të zotërojnë 10 kredite, në vitin 2011 20 kredite, në vitin 2012 30 kredite, në 2013-ën 40 kredite dhe në 2014-ën 50 kredite, shuma e të cilave është 150 në total. Një kredit është i barabartë me një orë seminar, kështu në rast se mjekët, stomatologët dhe farmacistët të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit ndërpresin punën për një periudhë 4 mujore ose më shumë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik.

 

Takimi/ Arrihet marrëveshja, invalidët nuk do të paguajnë biletën

Shoqatat e transportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale kanë arritur një marrëveshje paraprake në mënyrë që invalidët të mos paguajnë biletë e urbanit. Gjatë takimit të Erion Veliajt me shoqatat e transportit u ra dakord që Ministria në bashkëpunim me Shoqatën e Invalidëve do të ndërmarrin një plan masash për të disiplinuar skemën e pajisjes me librezat e invaliditetit, për t’u siguruar që vetëm invalidët të cilëve u takon kjo e drejtë me ligj të përfitojnë udhëtimin falas. Në takim u ra dakord dhe që Shoqata e Transportit Qytetas të ofrojë udhëtimin falas për invalidët, duke filluar nga dita e sotme.

 

 Tekstet/ Programi mësimor, vitin e ardhshëm ndryshojnë kurrikulat

Programe mësimore të mbingarkuara, përsëritje e vazhdueshme e koncepteve nga klasa në klasë, por edhe një moskoordinim i tyre mes cikleve të ndryshme të sistemit parauniversitar. Kjo është panorama që të ofrojnë kurrikulat e sotme në arsimin 9-vjeçar dhe atë të mesëm. Drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit shprehet se si pasojë e probleme të shumta me programet mësimore lindi nevoja e rishikimit të tyre. “Ne kemi një nga planet mësimore pothuajse nga më të ngarkuarit. programet mësimore i fokusojnë më shumë nxënësit në një formim teorik dhe mekanik dhe i aftësojnë më pak për jetën praktike. Mungesa e një lidhje logjike mes programeve që bëhen në parashkollorë, programeve që bëhen në mësimin bazë dhe programeve që bëhen në arsimin e mesëm. Njohurit e caktuara në shkencat e caktuara ripërsëriten në lëndë të caktuara. Mungesa e një kualifikimi të mësuesve”, – tha Gerti Janaqi, drejtor i IZHA-së. Autoritetet e arsimit thonë se hapi i parë është kualifikimi i mësuesve dhe njohja e tyre me kurrikulat e reja. Ai thotë se fillimisht në këtë proces do të përfshihen mësuesit e 26 shkollave në të gjithë vendin, të disa klasave të caktuara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency