Legalizimet/ Si do të bëhet rivlerësimi i 45 mijë dosjeve, kur qytetarët duhet të paraqiten në sportele

0
169

Florenc Drizari

zone-informale Do të bëhen matje, se nuk ka asnjë. Po sqaroj se ata qytetarë që kanë paguar faturat, u janë bërë matje, por nuk rezulton asnjë nga ato në dosje, nuk kanë për të paguar asgjë shtesë. Është detyrimi ynë që të ribëjmë matjet ose t’i bëjmë nga e para, se ka dhe që nuk janë bërë fare. E vetmja gjë që kërkojmë, është të mirëkuptojnë këtë situatë të trashëguar

 Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit te Zonave, Ndërtimeve Informale bëri të ditur se do të rihapë procesin nga e para për 45 mijë dosje legalizimesh. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se mungesa e dokumentacionit në këto 45 mijë dosje e detyron agjencinë të rihapë nga e para këto dosje, duke bërë edhe verifikimet në terren.

“Dosjet janë të paplota, pra kanë brenda vetëm faturat e pagesës së shërbimit dhe asnjë dokumentacion tjetër se nuk është bërë asnjë veprim. Kjo krijon reaksion nga qytetarët që thonë se ne kemi paguar, pse nuk mbarojmë punë. Janë mbledhur paratë dhe nuk është bërë asnjë lloj shërbimi. Kjo kërkon që të gjitha veprimet të bëhen nga fillimi. Arsyeja tjetër është që qytetarët e interesuar kanë ndërprerë tërësisht pagesat, pasi presin miratimin e këtij vendimi qeverie për pagesën nga i cili ata përfitojnë. Kjo flet për atë që qytetarët kanë krijuar bindjen se ligji i ri do të ketë tarifa të reduktuara”, – deklaroi Lame.

 

45 mijë dosjet

Sipas përfaqësuesve të ALUIZNI-t, ditët e fundit ka pasur një rritje të numrit të qytetarëve në sportelet e kësaj Agjencie dhe kërkesat e tyre kanë të bëjnë se në cilën fazë ndodhen dosjet e tyre te legalizimeve. Kreu i kësaj Agjencie, Artan Lame, tha një ditë më parë se do të bëhen matjet nga e para për 45 mijë dosje, pa përcaktuar konkretisht se në cilat zona.

“Mungesa totale e përgjegjshmërisë që i katandisi veçanërisht në vitin 2013, në një situatë ku u thuhej paguani faturat, për letrat shohim e bëjmë, na ka lënë në këtë situatë. U bëj thirrje qytetarëve ta pranojmë këtë situatë dhe pastaj së bashku ta përballojmë dhe jemi duke e përballuar.

Do bëhen matje se nuk ka asnjë. Po sqaroj se ata qytetar që kanë paguar faturat, u janë bërë matje por nuk rezulton asnjë nga ato në dosje, nuk kanë për të paguar asgjë shtesë. Është detyrimi ynë që të ribëjmë matjet ose ti bëjmë nga e para se ka dhe që nuk janë bërë fare. E vetmja gjë që kërkojmë është të mirëkuptojnë këtë situatë të trashëguar”, – tha Lame.

Pyetjes se çfarë detyrimi kanë qytetarët mbi bazën e formularit të ri, Lame tha se ai qytetar që është i interesuar dhe ka që ka hyrë në procedurë në vitin 2006 dhe në këto 8 vjet e nisi shtëpinë me 1 kat dhe tani e ka bërë me 3 kate, dhe në 8 vite shteti nuk i ka bërë legalizimin, tani thjesht duhet të aplikojë mbi bazën e atij formulari në drejtorinë përkatëse për shtesën që ka bërë dhe ekipi do shkojë në terren. Ajo që kërkohet nga qytetarët është mirëkuptimi tha Lame, duke theksuar se është një proces që bëhet në bashkëpunim me qytetarët.

“Nëse kanë emergjencë të paraqiten, nëse nuk kanë të rrinë në shtëpi se do vejë ekipi për procedurat”, – deklaroi kreu i ALUIZNI-t.

Lidhur me projektvendimin për përcaktimin e mënyrës së pagesës, Lame tha se në projektvendim pritet të reflektohen të gjitha premtimet e bëra, duke ia lënë këtë të drejtë ekzekutivit për ta bërë publike në ditët në vijim.

 

Lame, thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve

 1. Mos bini pre e lloj-lloj spekulantësh dhe përfituesish të pandershëm, për të cilët, për fat të keq, na vijnë njoftime se po ndodhin.

2. Mos pranoni persona që ju thonë se përkundrejt pagesës mund t’ju përshpejtojnë procedurat.

3. Mos paguani tek noterët çmime që tejkalojnë tarifat shtetërore të publikuara.

4. Kërkojuni personave që ju paraqiten, t’ju tregojnë kartelën e identifikimit të ALUIZNI-t.

 

 Zyrtare/ Si do të bëhet kompensimi i ish-pronarëve në bregdet  dhe çfarë detyrimesh parashikon ALUIZNI

Dy ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin  “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.186, datë 5.11.2009 “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” të ndryshuar”. Ndryshimet që propozon projektligji, zona e stimuluar do të kalojë në favor të të gjithë subjekteve të interesuara, ose personit të stimuluar në përputhje me kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi. I gjithë ky proces do të kryhet edhe në përputhje me ligjin nr. 10112, të vitit 2009 për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit, ndërsa në rastet kur subjektet e interesuara dhe personi i stimuluar, nuk kërkojnë kalimin në bashkëpronësi të detyrueshëm të truallit të lirë, sipas përcaktimeve të propozuara, ky truall do të ngelet me titull pronësie, shtet. Projektligji për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin, pritet t’u japë zgjidhje problemeve të hasura me ligjin e mëparshëm, duke ofruar procedura për kalimin e trojeve të mbetura pa funksion, si rrugë, sheshe, pishina, sipërfaqe të gjelbëruara, brenda zonës së stimuluar.

Zgjidhja e problemit të pronësisë së truallit pronë private, të kthyer ish-pronarëve në zonat e stimuluara do të kryhet nëpërmjet procedurave të kompensimit financiar nëpërmjet çmimeve të tregut, njësoj si me ligjin e legalizimeve. Ky projektligj sipas ekzekutivit u jep zgjidhje edhe subjekteve të interesuara që të kërkojnë blerjen e truallit në funksion të njësisë të ndërtuar të ndodhur brenda kufirit të parcelës ndërtimore. Në këtë rast, personit të stimuluar i lind e drejta për blerjen e truallit dhe nëse është në fazën e zbatimit të lejes së ndërtimit. Një zgjidhje tjetër është shlyerja e detyrimeve të prapambetura që rrjedhin nga marrëveshja e qirasë. Ky ndryshim bëhet duke llogaritur paguar detyrimet deri në momentin e zgjidhjes së marrëveshjes. Ligji që u miratua dje në Kuvend, parashikon edhe penalitet. Në këtë projektligj është përcaktuar edhe çmimi i truallit i cili reduktohet në masën 10 për qind nëse paguhet brenda një muaji nga njoftimi me shkrim që i bën ALUIZNI. Mospagimi i çmimit brenda 6 muajve nga njoftimi, sjell penalitete në masën 10 për qind të çmimit të truallit për çdo muaj vonesë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency