Prokuroria/ Skandali në Gjykatën e Pukës, kërkohen 16 vite burg për 5 nga të pandehurit

0
208

Sonila Mesareja

puke Seancën e radhës pritet mbrojtja dhe verdikti i gjykatës për 2 avokatë, 2 punonjëset e gjykatës dhe shoferin e prokurorit. Akuzohet për korrupsion, përfitojnë uljen e 1 të tretës së dënimit

Për pjesën më të madhe të të akuzuarve për skandalin korruptiv në Gjykatën e Pukës procesi është gati në fazën përfundimtare. Dje Prokuroria ka thënë fjalën e saj të fundit për pesë nga të pandehurit, duke kërkuar 16 vite burg në total. Ndërkohë që vijon ende procesi për dy krerët e organeve që akuzohen për marrje ryshfeti, ish-kreun e Gjykatës dhe ish-kreun e Prokurorisë së Pukës. Pas konkluzioneve përfundimtare të prokurorit për dy avokatët Fran Dashi dhe Fariz Xhurxhi, shoferit të kreu të akuzës Dëfrim Prençi, si dhe dy punonjëseve të gjykatës, kancelares dhe sekretares së kryetarit Shtjefën Lleshi, përkatësisht Meliha Kuka dhe Liljana Shkjau, pritet që seancën e ardhshme avokatët të kenë përgatitur fjalën e tyre të fundit bashkë me klientët, për të vijuar më pas me verdiktin përfundimtar të gjykatës. Pesë të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit nëse shpallen fajtorë nga gjykata, pasi që në fazën paraprake kanë kërkuar aplikimin e gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë vazhdon gjykimi për ish-kreun e Gjykatës, Shtjefën Lleshi, ish-kreun e Prokurorisë Pëllumb Premçi dhe Pal Pjetri, ky i fundit për veprën penale “korrupsion aktiv”.

 

Akuza

Shtatë të pandehurit e arrestuar po shtatë muaj më parë, akuzohen për veprat penale të korrupsionit pasiv dhe aktiv. Pranë pronës së kallëzuesit ushtron aktivitet subjekti tregtar Beral sha. Kallëzuesi së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij dhe banorë të tjerë të lagjes Nushaj kanë protestuar disa herë kundër punimeve të kryera nga ai subjekt tregtar me pretendimin e dëmtimit të pronave të tyre. Një protestë e ngjashme është zhvilluar dhe më datë 15.4.2013. Gjatë protestës ka ndërhyrë policia, e cila ka arrestuar një numër jo të vogël banorësh, si dhe gjashtë anëtarë të familjes së kallëzuesit. Ky i fundit, gjatë protestës së zhvilluar, pretendon se është goditur me sende të forta dhe është dërguar për kurim në spital. Seanca gjyqësore për caktimin e e masës së sigurimit rezulton të jetë zhvilluar në spital dhe për kallëzuesin është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”. Sipas kallëzuesit Pal Pjetri, avokati i ka treguar se i ka paguar 100.000 lekë gjyqtarit Shtjefën Lleshi dhe se duhet t’i paguante këtij gjyqtari dhe 100.000 lekë të tjera. Kallëzuesi, gjatë muajit qershor ka biseduar në telefon me gjyqtarin Shtjefën Lleshi dhe kanë lënë takim në Tiranë në lagjen “Don Bosko”. Gjyqtari është takuar me kallëzuesin dhe i ka kërkuar të hipte në makinë pasi në lokal mund të binin në sy të njerëzve. Sipas kallëzuesit, gjyqtari Lleshi i ka kërkuar shumën prej 200.000 lekë për lirimin e kallëzuesit dhe kallëzuesi duke menduar se ai gjyqtar kishte çështjen ku ishin arrestuar dhe djemtë e tij që ndodheshin në burg, i ka dhënë shumën e kërkuar, duke i lënë paratë në makinën e gjyqtarit sipas kërkesës. Në kohën e takimit mes kallëzuesit dhe gjyqtarit Shtjefën Lleshi, kallëzuesi ka qenë me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi”. Pas kësaj bisede, për kallëzuesin është zhvilluar gjykimi për zëvendësimin e masës së sigurimit dhe është caktuar masa detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Gjyqtari i ka bërë të ditur se në fillim duhet të ndryshohej masa e vetë Pjetrit dhe se para zgjedhjeve ai nuk do të lironte njeri nga burgu për shkak të situatës së krijuar.

 

Përfshirja e punonjëseve të gjykatës

I pandehuri Pal Pjetri, nëpërmjet avokatit të zgjedhur Fran Dashi ka paraqitur në Gjykatën e Pukës kërkesa për zëvendesimin e masave të sigurimit për djemtë dhe vëllezërit e tij. Kancelarja e gjykatës, Miliha Kukaj, i ka thënë se është Shtjefni që ka në dorë regjistrimin e kërkesave për gjykimin e tyre. Kallëzuesi ka marrë takim me gjyqtarin Shtjefën Lleshi në zyrën e tij dhe aty i janë kërkuar për pranimin e një kërkese për zëvendësimin e masës së sigurimit 2000 USD për gjyqtarin dhe 2000 USD për prokurorin. Kallëzuesi ka plotësuar lekët, sipas kërkesës së gjyqtarit dhe është paraqitur përsëri në gjykatë. Atje gjyqtari e ka drejtuar te sekretarja e tij që ndodhej në të njëjtën zyrë me kancelaren e gjykatës. Kancelarja Kukaj i ka thënë Pjetrit të bisedonte me sekretaren e gjyqtarit Shtjefën Lleshi dhe kallëzuesi i ka bërë gati për t’i dhënë lekët. Sekretarja i ka kërkuar gjithsej 550.000 lekë për zëvendësimin e masës së sigurimit për djalin e kallëzuesit Astritin. Kallëzuesi nuk i ka patur kaq lekë me vehte dhe është larguar përsëri. Sekretarja i ka kërkuar 250.000 lekë për gjyqtarin, 250.000 lekë për prokurorin, pas bisedës së kryer me Shtjefnin dhe nga 25.000 për vete dhe kancelaren e gjykatës. Kallëzuesi ka bërë gati paratë e kërkuara dhe është paraqitur përsëri në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë te sekretarja e gjyqtarit Shtjefën Lleshi, i ka dhënë paratë e kërkuara në prani të të pandehurave Liljana Shkjau dhe Meliha Kukaj dhe është larguar nga zyra, pasi ka regjistruar me video atë që ka ndodhur. Pas dorëzimit të parave, është zhvilluar seanca gjyqësore dhe është zëvendësuar masa e sigurimit për shtetasin Astrit Pjetri.

 

Përfshirja e shoferit dhe dy avokatëve

Nga hetimi rezulton se më datë 26.7.2013, shtetasi i arrestuar Arjan Ndoka, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën e Pukë për zëvendësimin e masës “Arrest ne burg”. Për gjykimin e kësaj çështjeje është ngarkuar gjyqtare Flutura Hoxha, e cila e ka rrëzuar kërkesën, ndërsa vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli i Shkodrës. I akuzuari bën rekurs në Gjykatën e Lartë dhe pas paraqitjes së rekursit, kallëzuesi Pal Pjetri ka takuar personin të pandehurin Dëfrim Prençi dhe ky i fundit i ka premtuar se do të ndërhynte në Gjykatën e Lartë për pranimin e rekursit, për zëvendësimin e masës së sigurimit për shtetasin e arrestuar Arjan Ndoka. I pandehuri Prençi i ka marrë kallëzuesit shumën prej 240.000 lekë për t’ia dhënë prokurorit të çështjes, Pëllumb Prençi për pranimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën e Pukës. Në këto kushte, Prençi i ka kërkuar kallëzuesit shumen e përgjithshme prej 6000 euro për trupin gjykues në Gjykatën e Lartë. Sipas tij, 2000 euro do t’i jepte për kryetarin e Gjykatës së Lartë shtetasin Xhezahir Zaganjori dhe 1000 euro për çdo anëtar të Gjykatës së Lartë. Biseda është bërë në prani të avokatit Fran Dashi. Kallëzuesi ka dhënë shumen e kërkuar Prençit në prani të avokatit Fran Dashi, ndërsa është vënë në dijeni të faktit se Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin. Dëfrim Prençi e ka prezantuar në Tiranë me avokatin Fariz Xhurxhi, i cili për disa kohë i deklaronte kallëzuesit se djali tij do të dale nga burgu së shpejti. Gjate bisedës së bërë më date 23.11.2013, avokati Fariz Xhurxhi i ka kërkuar 50.000 leke për çdo të pandehur pjesëtar të familjes së kallëzuesit për t’ia dhënë gjyqtarit Izet Kadana, 100.000 lekë për prokurorin dhe 100.000 lekë shpërblim për punën e tij.

 

Kërkesa e Prokurorisë

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Dëfrim Prençi për veprën penale “Mashtrimi” dhe dënimin e tij me 20 muaj burgim;

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Dashi, për veprën penale “Moskallëzim krimi” dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim;

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fariz Xhurxhi, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm” dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim;

4. Deklarimin fajtore të të pandehurës Liljana Shkjau, për veprën penale “Korrupsioni pasiv” dënimin e saj me 6 vjet burgim.

5. Deklarimin fajtore të të pandehurës Meliha Kukaj, për veprën penale “Korrupsioni pasiv” dhe dënimin e saj me 6 vjet burgim;

6. Përjashtimin nga dënimi të të pandehurës Bardhe Pjetri, në bazë të nenit 245/2 të Kodit Penal

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency