Gjykatë/ Nuk i jep urdhër mbrojtjeje, kërcënohet me biçak gjyqtarja Zaimi

0
135

 Sonila Mesareja

gjtGjykatë, djali i së dhunuarës nxori biçakun dhe tentoi të qëllonte gjyqtaren shtatzënë. Shkak, refuzimi i vazhdimit të urdhrit

Kërkon vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes, duke pretenduar se ndaj saj ushtrohet dhunë, ndërkohë që para Gjykatës demonstron të kundërtën, madje edhe më keq, tenton të qëllojë me biçak gjyqtaren civiliste që trajton çështjet familjare, e cila është edhe shtatzënë. Ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e policit të qendrës së grave të dhunuara që ka neutralizuar njërin nga fëmijët e çiftit. Ngjarja ka lidhje me çështjen gjyqësore ndaj shtetases R.B, e cila ka depozituar kërkesën për vazhdim të urdhrit të mbrojtjes ndaj saj dhe fëmijëve për t’i shpëtuar dhunës së Q. C. Gjatë zhvillimit të seancës, njëri nga fëmijët e çiftit ka nxjerrë thikën nga çanta personale duke ia drejtuar gjyqtares Zaimi, e cila është shtatzënë, duke rrezikuar jetën e gjyqtares, por edhe gjendjen e saj për shkak të pritjes së një fëmije. Menjëherë ka ndërhyrë polici i qendrës së grave të dhunuara në Kamëz, i cili ndiqte procesin, duke ndaluar personin. Pas këtij incidenti Gjykata e Tiranës deklaroi për mediat se do t’i kërkojë sërish komisariatit numër 2 të kryeqytetit, i cili mbulon zonën ku ndodhet gjykata civile, si dhe Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, që të rrisin nivelin e sigurisë dhe efikasitetin e kontrolleve të qytetarëve në ambientet e Gjykatës. “Kjo, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurinë fizike të qytetarëve, gjyqtarëve dhe gjithë punonjësve të administratës gjyqësore”, – thuhet në një komunikatë për shtyp.

 

Reagimi

Arsyeja e reagimit agresiv mësohet të ketë qenë refuzimi i lëshimit të urdhrit të mbrojtjes nga ana e gjyqtares Vjosa Zaimi, pasi kjo e fundit nuk është bindur në provat dhe argumentet e paditëses për vijimin e këtij urdhri. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës, ndërsa aktualisht është ndaluar nga policia gruaja, e cila ndodhet në ambientet e komisariatit numër dy, ku po merret në pyetje për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Po ashtu në pyetje janë marrë dhe policët e turnit të shërbimit në gjykatë, të cilët kanë përgjegjësi për kontrollin e çdo shtetasi që futet në ambientet e gjykatës për t’i hequr sendet e ndaluara. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur gjykata refuzon lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për kërkueset, pasi ato nuk kanë prova bindëse për ushtrim dhune, ndërsa në mjaft raste ka rezultuar se paditë kanë qenë në shenja hakmarrje ndaj partnerëve.

 

 Korçë/ E përplas makina teksa kalonte rrugën, humb jetën 13-vjeçarja

 Një vajzë 13-vjeçare humbi jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në aksin rrugor Korçë – Pogradec, përkatësisht pranë fshatit Petrushë. Një makinë tip “Mitsubishi”, AA018CS, e drejtuar nga Kasem Galla e ka hedhur në 40 metra distancë të miturën me inicialet G. T., banuese në Kaçaç. Në momentin e aksidentit, e mitura ka qenë duke zbritur nga furgoni dhe po tentonte të kalonte rrugën nga njëra anë në tjetrën, e shoqëruar nga nëna e saj. Drejtuesi i mjetit e ka shoqëruar të miturën drejt spitalit të Pogradecit, por vajza ka ndërruar jetë rrugës. Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, ndërkohë që nuk bëhen me dije rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti të rëndë automobilistik. Ajo që mësohet paraprakisht është shpejtësia tej normave të lejuara e automjetit tip “Mitsubishi”.

 

Vlorë/ Asgjësohen 380 rrënjë kanabis, procedohen dy gra

 Policia e Vlorës ka asgjësuar 380 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Në pjesën verilindore të malit të Kamenicës buzë lumit Vjosë janë zbuluar e më pas asgjësuar 200 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa të kultivuara në një parcelë të vetme. Lënda narkotike kishte një lartësi deri në 60 cm. Gjithashtu, në fshatin Penkovë të Komunës Vllahinë në një zonë të pyllëzuar me pisha të gjenden 2 parcela me 100 rrënjë bimë narkotike të kultivuara me një lartësi deri në 60 cm. Ndërkohë sipas policisë është nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” ndaj 81-vjeçares Zenepe Meminaj banuese në fshatin Trevllazër, Komuna Novoselë. Procedimi penal filloi pasi nga kontrolli i ushtruar në banesë i janë gjetur të kultivuara 80 rrënjë bimë të ngjashme me atë të llojit kanabis sativa. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Fatime Meminajn, 62 vjeçe, banuese në fshatin Hadëraj, Vlorë. Arrestimi u krye pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën në banesën e kësaj shtetaseje janë gjetur 25 rrënjë bime narkotike të ngjashme me atë të llojit kanabis sativa të kultivuara.

Korçë/ Gjendet i pajetë në hotel i moshuari grek

 Një i moshuar me nënshtetësi greke është gjetur i vdekur nga policia e Korçës në një dhomë hoteli në fshatin Çiflik të këtij rrethi. Viktima, identiteti i të cilit nuk dihet ende, mësohet se është i moshës rreth 60 vjeç, ndërsa trupi i tij u gjet nga punonjësit e hotelit. Këta të fundit kanë njoftuar menjëherë uniformat blu të qytetit juglindor që kanë mbërritur në vendngjarje. Blutë e Korçës kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje dhe identifikimin e viktimës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency