Relacioni/ Ja pse do të rritet mosha e pensionit

0
111

 Driçim Çaka

pension 2014Duke filluar nga viti i ardhshëm, çdo individ, pavarësisht nga historiku i vjetërsisë në punë, në marrëdhënie me shtetin, me ish-kooperativat apo me kontribute të derdhura nga viti 1994 dhe në vazhdim, do të ketë të drejtë të marrë një pension që varet nga shuma e pensionit social, shuma e kontributeve të paguara dhe gjatësia e periudhës së sigurimit

Ndryshimet demografike dhe, sidomos, rritja e jetëgjatësisë kanë rritur ndjeshëm kohën e gëzimit të pensionit, duke zhbalancuar raportin e shumës së kontributeve të paguara dhe shumës së përfituar si pension. Është kjo një ndër arsyet se pse qeveria vendosi që të rriste moshën e pensionit. Sipas relacionit të qeverisë, ky fenomen, i evidentuar në shumë shtete të Evropës dhe në botë, po haset edhe në Shqipëri. “Si rezultat i shumë faktorëve, jetëgjatësia po rritet me një trend mesatar me mbi 1 muaj në vit. Ndërkohë që, është fakt, që jetëgjatësia te gratë është më e lartë se jetëgjatësia te burrat. Aktualisht, në Shqipëri koha mesatare e gëzimit të pensionit për të dyja gjinitë është 21.4 vjet, 19.2 vjet për meshkujt dhe 24.2 vjet për femrat. Pra, koha e gëzimit të pensionit për femrat është 5 vjet më e lartë se e burrave, për dy arsye kryesore: jetëgjatësia më e madhe e femrave se meshkujt si dhe dalja në pension pleqërie më herët se ata. Duke marrë në konsideratë traditën e vendit tonë, zhvillimet e tregut të punës, nivelin e papunësisë të grave afër moshës së pensionit, problemet sociale etj, është menduar që mosha e daljes në pension për gratë të rritet me tre vjet, pra nga 60 në 63 vjeç, duke harmonizuar të gjitha kërkesat dhe detyrimet”, – thuhet në relacion. Për të shmangur efektet sociale dhe rritur pranueshmërinë është përcaktuar që kjo rritje moshe të bëhet në mënyrë graduale, duke u rritur me vetëm 2 muaj në vit dhe efektin e plotë do ta ketë në vitin 2032 ose pas 18 vjetësh. Në vitin 2032 do të dalin në pensin, në moshën 63 vjeç, femrat e lindura në vitin 1969. Rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë do të ndikojë natyrisht në uljen e shpenzimeve për pension dhe, nga ana tjetër, do të shmangë diskriminimin e deritanishëm, do të plotësojë rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe do të harmonizojë këtë me vendet e tjera të rajonit dhe Evropës. Gjithashtu, kontribuimi më i madh, i shoqëruar edhe me disa “privilegje” të tjera, që skema ofron për gratë, do të japin një pension më të lartë se sot për gratë në pension.

 

Pensioni

Duke filluar nga viti i ardhshëm, çdo individ, pavarësisht nga historiku i vjetërsisë në punë, në marrëdhënie me shtetin, me ish-kooperativat apo me kontribute të derdhura nga viti 1994 dhe në vazhdim, do të ketë të drejtë të marrë një pension që varet nga shuma e pensionit social, shuma e kontributeve të paguara dhe gjatësia e periudhës së sigurimit. Një masë e tillë eliminon dy formulat, heq barrierën administrative të ndarjes së pensioneve fshat-qytet, në varësi të gjysmës së periudhës së sigurimit, sjell detyrimin dhe të drejtën për të paguar kontribute edhe për një pension më të lartë, krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis masës së kontributit dhe masës së pensionit, si dhe reflekton një formulë që, realisht, heq dallimin pension fshati-pension qyteti. Heqja e pensionit maksimal dhe forcimi i lidhjes mes kontributeve dhe përfitimeve mund ta bëjë skemën e re më tërheqëse për qytetarët, duke i nxitur ata që të bëhen pjesë e skemës dhe të kontribuojnë në bazë të pagës reale, çka do të sillte një rritje të menjëhershme të të ardhurave. Por, edhe pa këto përmirësime, rritja e pagës minimale kontributive dhe indeksimi i pagës maksimale kontributive, me indeksin e rritjes së pagës minimale, sjell një rritje të mjaftueshme të të ardhurave për të përballuar rritjen e përfitimeve. Vlen të theksohet se, si pasojë e njësimit të kontributeve të skemës rurale me normën më të lartë të kontributeve të skemës urbane, ekziston mundësia që një pjesë e kontribuuesve në skemën rurale mund të mos kontribuojnë më fare. Gjithsesi, ndërkohë që vendi vazhdon të urbanizohet, numri i kontribuuesve ruralë do të vazhdojë të ulet dhe moskontribuimi do të ketë shumë pak ndikim mbi balancën financiare të skemës së propozuar në këtë projektligj. Individët që do të zgjedhin të mos kontribuojnë do të kenë më shumë të ardhura gjatë viteve të punës, dhe kur të plaken, do të përfitojnë pensionin social.

 

“Festa e Muzikës”/ Sot Dita e Muzikës në Tiranë

Bashkia e Tiranës, Ambasada e Francës dhe Aleanca Franceze e Tiranës do të organizojnë sot një sërë aktivitetesh të mbushur më koncerte të organizuara në të gjithë qytetin dhe shumë parada muzikore. Shumë skena do të instalohen në lagje të ndryshme të qytetit dhe të hapura për të gjithë muzikantët. Axhenda e aktiviteteve është lançuar në një konferencë të përbashkët shtypi mes nënkryetarit të Bashkisë, ambasadores franceze dhe ambasadorit të Greqisë në Tiranë.“Jam shumë e lumtur që ndodhem këtu përkrah zv.kryetarit të Bashkisë dhe ambasadorit të Greqisë në Tiranë, për të folur për “Festën e Muzikës” që do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri e pikërisht në Tiranë. Festa e Muzikës është një iniciativë franceze, që u krijua në Francë, në 21 qershor 1982, me iniciativë të ministrit të atëhershëm të Kulturës, Jack Lang. Që prej asaj kohe Festa e Muzikës është bërë një eveniment ndërkombëtar, festohet në shumë vende të botës, duke u bërë në këtë mënyrë festa më e madhe e muzikës në botë. Nëse them “më e madhja”, kjo sepse në një ditë të vetme në të gjithë botën, në një ditë të vetme, në të gjithë botën, miliona njerëz marrin pjesë në këtë festë ndërkombëtare”, – tha ambasadorja franceze Christine Moro.“Është kënaqësi për Bashkinë e Tiranës që për herë të parë në historinë e saj t’i bashkëngjitet festimeve të një dite shumë të veçantë, siç do të jetë dita e nesërme, Festa e Muzikës, në Tiranë. Çfarë do të thotë kjo për Tiranën? Përveç faktit që ka domethënien e një dite të gëzueshme dhe me shumë aktivitete për të gjithë qytetarët e Tiranës nesër, do të thotë që mbi të gjitha, nën shpirtin e festës, shpirtin e të bërit muzikë, ta përcjellim gjithandej, jo vetëm në rrugët kryesore të Tiranës, por në çdo shesh, në çdo vend ku të gjithë ata që luajnë muzikë, në nivelin profesional apo edhe në nivelin amator do të jenë të ftuar të performojnë, të luajnë pjesët e tyre të dashura në mjedise të hapura, për ta ndarë këtë gëzim, këtë kulturë, për të ndarë muzikën me të gjithë qytetarët e Tiranës”, – tha nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency