Pas Administratives/ Buxheti i Bashkisë, Gjykata e Apelit rrëzon vendimin e këshilltarëve të majtë

0
121

Sonila Mesareja

gj.apelit Gjykata detyron Këshillin Bashkiak të firmosë zhbllokimin e buxhetit. Argumenti: Vendimi i paligjshëm, buxhetin duhet ta përgatisë ekzekutivi dhe jo këshilli

 Me një vendim të Gjykatës së Apelit, më në fund u hapet drita jeshile investimeve publike në kryeqytet, të bllokuara prej disa muajsh nga një vendim i prefektit të Tiranës, por edhe një buxhet i dytë i votuar vetëm me votat e këshilltarëve të majtë. Pas vendimit të mëparshëm të Gjykatës Administrative, dje Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e këshilltarëve të majtë të votuar në muajin prill vetëm me votat e këshilltarëve të majtë, duke lënë në fuqi buxhetin e miratuar më herët me unanimitet votash. Me vendimin e djeshëm, gjyqësori detyron Këshillin Bashkiak të firmosë zhbllokimin e buxhetit që u miratua në shkurt, duke hedhur poshtë edhe pretendimet e prefektit të Tiranës, z. Sadi Vorpsi. Këshilltarët e majtë votuan në prill një buxhet të pjesshëm, pas kthimit që i bëri prefekti, i cili miratonte buxhetin pa pjesën e shpronësimeve publike për bulevardin apo dhe investime të tjera të Bashkisë së Tiranës. Pas firmosjes pjesërisht të buxhetit nga prefekti Vorpsi, të njëjtën linjë këmbëngulën edhe këshilltarët e majtë bashkiakë në mbledhjen e datës 30 prill të këtij viti, duke votuar një buxhet të pjesshëm të bashkisë edhe pse dy muaj përpara kësaj date e kishin votuar atë të plotë.

 

Vendimi

E para ka qenë Gjykata Administrative ajo që ka rrëzuar pretendimet e prefektit Vorpsi për rikonfirmim të buxhetit të firmosur prej tij dhe më pas atë të firmosur prej këshilltarëve të majtë të Këshillit Bashkiak. Më pas, ky vendim u dërgua edhe në Apel, i cili dje, forcës së kartonit të tyre i është kundërpërgjigjur duke ia rrëzuar këtë vendim dhe duke lënë në fuqi atë të datës 26 shkurt të vitit 2014. Sipas verdiktit të Gjykatës, ky vendim është i paligjshëm, pasi buxhetin duhet ta përgatisë ekzekutivi dhe jo Këshilli. Është hera e dytë që gjyqësori rrëzon pretendimet e të majtëve në Këshillin Bashkiak. Pas këtij vendimi, Bashkisë së Tiranës i hapet rruga e investimeve publike si për bulevardin, ashtu dhe për problemin e shpronësimeve për varrezat publike apo investime të tjera publike në kryeqytet.

 

Takimi/ Trafiku i qenieve njerëzore, Arvizu: Gjyqësori, hallkë e dobët, nuk dënon trafikun

 “Gjyqësori shqiptar është një hallkë e dobët dhe nuk po dënon trafikun. Vetëm në një vit dy të dënuar, ndërsa numri i të arrestuarve është i madh”. Kjo deklaratë e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu, është bërë në workshop-in rajonal ballkanik për trafikimin e qenieve njerëzore. Sipas ambasadorit amerikan, nëse trafikantët apo kriminelët nuk marrin dënimin e merituar, atëherë çdo përpjekje e qeverisë për të luftuar këtë dukuri do të ishte e kotë. Arvizu e cilësoi si të patolerueshme situatën e dënimeve ndaj këtij krimi, ku vetëm dy dënime janë dhënë në 2013, pavarësisht nga arrestimet e shumta. “Mbeten ende sfida domethënëse pavarësisht nga përparimi i prekshëm. Disa prej aspekteve më të rëndësishme të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore janë hetime të thelluara dhe ndjekja penale e suksesshme që rezulton në dënime kuptimplota. Fatkeqësisht, në 2013 këtu në Shqipëri pati vetëm dy dënime për trafikimin njerëzor, me arrestime të shumta të trafikimit të qenieve njerëzore për 2013 dhe fillim vitin e 2014. Është tejet e rëndësishme, është jetike që këto arrestime të përkthehen në një numër më të lartë dënimesh, e në mënyrë që të ndodhë kjo, qeveria duhet të bëjë punën e saj, por gjithashtu prokurorët dhe gjykatësit duhet të jenë pjesë e kësaj përpjekje në mënyrë që të arrihet progresi i mirëfilltë. Nuk mund ta theksoj sa duhet, qeveria mund të bëjë të gjithë përpjekjet e saj që janë të munduar, sigurisht nuk është e përsosur, por ajo mund të realizojë të gjithë përpjekjet e saj, por këtu në Shqipëri pa këtë hallkë që është shumë e rëndësishme, këtë hallkë të dobët që është gjyqësori këto gjëra nuk mund të arrihen”, – tha ambasadori. Në seminar merrnin pjesë prokurorë dhe përfaqësues të drejtësisë të disa vendeve të Ballkanit dhe Italisë, si dhe zv.kryeministri Niko Peleshi. Numri dy i qeverisë tha se vendimet e dhëna nga gjyqësori janë të pajustifikueshme dhe shtoi se qeveria do të bëjë përpjekje të reformimit të sistemit të drejtësisë. “Prania juaj në këtë aktivitet është treguesi i asaj që dimë të gjithë, që krimi dhe trafiqet nuk njohin kufij dhe se bashkëpunimi mes vendeve tona është domosdoshmëri nëse duam të fitojmë luftën ndaj aktiviteteve kriminale që u ka kushtuar shumë vendeve tona”, – u shpreh Peleshi. Ndërsa, zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, dha garancinë se lufta ndaj trafikut të qenieve njerëzore është prioritet për institucionin që drejton.

 

Gjermani/ Ministri Naço, takime me homologun dhe krerë të drejtësisë gjermane

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, ndodhet në një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, ku po zhvillon disa takime të nivelit të lartë me përfaqësues të qeverisë dhe të sistemit të drejtësisë gjermane. Ecuria e reformave të nisura në sistemin e drejtësisë dhe impakti i tyre përkundrejt proceseve integruese të vendit, kanë qenë disa nga çështjet kryesore të shtruara për diskutim gjatë takimeve të zhvilluara. Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve ka qenë në qendër të diskutimit mes z. Naço dhe ministrit të Drejtësisë së Republikës Federale të Gjermanisë, z. Heiko Maas. Gjatë këtij takimi, ministri Naço e ka konsideruar partneritetin dhe asistencën gjermane të një rëndësie të madhe, duke vlerësuar se përmbushja e reformave dhe sfidave për integrim përbëjnë një qëllim madhor, i cili kërkon shumë përkushtim nga të gjithë aktorët. Ndërsa ka bërë një ekspoze të hapave të ndërmarrë deri më tani nga Ministria e Drejtësisë, ministri Naço është ndaluar veçanërisht në përpjekjet e bëra nga ana e qeverisë shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit. “Sistemi i drejtësisë simbolizon sistemin e vlerave të Bashkimit Evropian. Sa më fort të punoni në këtë drejtim aq më pranë BE-së do të jeni”, – u shpreh ministri Maas, duke theksuar se zbatueshmëria e ligjeve është shumë e rëndësishme për anëtarësimin e vendit tonë. Në këtë kuadër, kreu i drejtësisë shqiptare u shpreh se marrja e statusit do të thotë më shumë punë dhe më shumë përgjegjshmëri për gjithë klasën politike në tërësi. Në takimin me prokurorin e Përgjithshëm të Berlinit, z. Ralph Rother, z. Naço u ndal në nevojën për ekspertizën gjermane ndërsa theksoi se sistemi gjyqësor në Gjermani është një model që duhet ndjekur. “Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizën tonë për reformat tuaja”, – është shprehur z. Rother, ndërsa ka garantuar krijimin e mundësive për nisjen e një bashkëpunimi në rrafshin e shkëmbimit të eksperiencës dhe trajnimeve në fushat me interes të përbashkët. Axhenda e ndjekur nga qeveria shqiptare mbi reformat në sistemin e drejtësisë është përshëndetur dhe ka marrë mbështetje edhe nga znj. Monika Nöhre, kryetare e Gjykatës së Lartë të Berlinit, ndërkohë që ministri Naço, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, është pritur në një takim edhe nga sekretari parlamentar i Drejtësisë, z. Christian Lange.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency