Legjende komuniste dhe kuislinge e 28 mijëve

0
290

Nga Dr. Vasfi Baruti

Dokumenti/Zbulohet burimi se nga u referua shifra e sajuar e 28 mijë dëshmorëve, rezultat që vazhdoi nga diktatura dhe ende sot. Botohet sot për herë të parë nga gazeta kuislinge shifra e servirur, jo e saktë së cilës iu referuar edhe diktatori ndërsa të dhënat flasin për një numër shumë herë më të pakët se ajo e regjimit komunist

 

 

75a86e6a-8a23-4132-934a-2dfd58d340d4---0-E pabesueshme, amá e vërtetë e pamëshirë!     

Askush tjetër, veçse shpirti i të rënëve për Atdhe gëzojnë privilegjin të nderohen nga të gjithë brezat përjetësisht dhe janë vetëm ata, të rënë për atdheut, që s’i kanë borç kujt, por të gjithë e në jetë të jetëve do t’u jenë borçli atyre. Dinjiteti i një kombi shihet si në pasqyrë në nderimin e vërtetë të të rënëve për atdhe. Vendit im s’mund t’i gjendet e ngjashmja për qëndrimin sa komik, aq tragjik e poshtërues ndaj të rënëve për atdhe- me vendime të komisionit qeveritar epror (1946) të rënët në Luftë janë 1140, apo formalisht të pranuar me vendime të pushtetit lokal janë 5000, kurse 23.000 të tjerë janë vetëm numra-numra e jo shpirtra dhe “nderimi” me grushtin lart në çdo 5 maj e 29 nëntor bëhet për 28.000! Edhe Prof. Arben Puto numëron me mijëra e mijëra dëshmorë, në polemikë me Stefanin! Subjekti politik Kuqe Zi publikisht e me ngulm i kërkon Qeverisë Rama të bëjë transparencë për 28.000 dëshmorët e Luftës e emrat e tyre. Legjenda komuniste dhe legjenda e qeverisë kuislinge kolaboracioniste e njëzetetetë mijëve të rënë në luftë!

28 mijë të rënë për atdhe! Një numër i legjenduar dhe vërtet legjendat janë legjenda, por amá kanë një thelb të vërtetë, pse në këtë botë asgjë s’del nga hiçi. Ȅshtë thënë se e para është fjala por dyfjalshi “njzetetet mijë” kur është thënë a shkruar për të parën herë, nga kush, kur? Hysni Kapo, kryetar i delegacionit në Konferencën e Dëmshpërblimeve në Paris (dhjetor 1945) deklaroi 28.000 të rënë në luftën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë, është deklarata e parë zyrtare qeveritare shqiptare dhe asnjherë më parë nga PKSH-ja, organet e saj të Luftës dhe Qeveria e dalë nga Lufta nuk është deklaruar numri i të rënëve në luftë për çlirimin e vendit. Dhe i dyti Enver Hoxha, që dy javë para se të shkonte në Konferencën e Paqes n Paris kishte në tavolinën e tij të punës 59 vendime të komisionit qendror (e kishte krijuar vetë) që nëmëronin 1141 dëshmorë të Luftës. Deri kur bëhej deklarata në Paris nga Kapo vetëm dy ishin informacionet për të rënët në Luftë: gazeta Luftëtari e 10 korrikut 1945, organ i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, publikonte se “gjatë Luftës pati 12.000 të vrarë” dhe e njëjta gazetë, në 1 dhjetor të po atij viti, bënte një korrigjim që më shumë se përgjysmonte të rënët në luftë: “… në luftë janë 5082 të vrarë .” E ku u gjet numri 28.000 të rënë për çlirimin e atdheut, i raportuar në Paris nga Kapo dhe Hoxha? Ka një e vetëm një të vërtetë të pamëshirë: “statistika” e qeverisë kuislinge të Ibrahim Biçakçiu.

Më 18 të tetorit 1944 avionët e fuqive Aleate bombardojnë Hotel Dajtin dhe tre qytetarë mbeten pa jetë e mjaft të tjerë të plagosur. Me këtë rast gazeta Bashkimi i Kombit, organ i qeverisë kuislinge naziste të Ibrahim Biçakçiu, botonte një artikull i cili godiste rastin, por bënte edhe një refleksion, të pabesueshëm, por të vërtetë: “A janë pak NJIZETETETË MIJË viktimat (të vrarë në luftë v.b) që kena deri më sot e duhet me dhanë e të tjera, për me u duk të mirë e të bindun karshi të huajve (misionit anglo-amerikan, v.b). Mjaft ma o Shqiptarë. Boll gjak asht derdhë…” (Figura 1) Dhe si për t’i vënë vulën numrit të shqiptarëve të vrarë, “atyre” 28 mijëve, e njëjta gazete në numrin e ditës tjetër, të 21 tetorit, ve “pikat” mbi i: “… Sipas një statistike, që kur shkeli Italia në vendin tonë, më 7 prill 1939 e gjer më sot, janë vrarë në veprime luftarake kundër okupatorit ose për pasojë e luftës, njëzetetet mijë shqiptarë. Kjo statistikë zyrtare përfshin viktimat që njihen për vdekje e që kanë dijeni autoritetet, por edhe një numër viktimash për të cilat nuk ka dijeni qeveria. Njëzetetet mijë shqiptarë kanë derdhur gjakun e tyre në luftë kundër okupatorit Italian.” Po të vrarët nga pushtuesi gjerman? Vijon argumenti idiot: “Gjermënt nuk kanë vrarë asnjë shqiptar, gjermanët janë të mirë, ata i duan të mirën Shqipërisë…”. Mesa shihet, “statistika” është e motivuar për një raport “patriot” me sipërfaqen e vendit, kur “patriotët” të “vinë” në pushtet, e arsye tjetër s’më vjen në mendje, madje këtë motiv, një lapidar për çdo kilometër katrore e kanë ligjëruar dhe komunistët në vitet e pushtetit të tyre, e hedhur në kartë e në krijime letrare e publicistika të kohës!

Kam kërkuar aq shumë në arkiva, në botime e median e kohës për të mos arritur në këtë përfundim të trishtueshëm: statistika kuislinge bëhet burimi i vetëm “statistikor” për numrin e të rënëve në luftë kundër nazifashizmit. Ȅshtë një konstatim i dhimbshëm, por s’mund të bëj dot lojë me të vërtetën e veteveten, e vërteta është neveritëse. Legjenda komuniste e njëzetetet mijëve ka për amësi statistikën maskareshë kuislinge që citohet më parë tre herë, më 19 e 21 të tetorit 1944. E di që partizanët e mendimit ndryshe, mes syre e lider të partive politike të majta, do të rebelohen e shajnë, por do të bëjnë më mirë të sjellin një fakt, apo gjysmë fakti apo gjysmën e kësaj gjysme për njëzetetet mijët- amá burimi të jetë cituar më 1945 a 1946! Për fatkeq dosjet voluminoze me dokumente arkivore për dëshmorët sjellin fakte e argumente të pamohueshme të të vërtetës historike.

Komisioni i Qeverisë Hoxha (1946)

Në janar 1946 me porosi të Kryeministrit Hoxha krijohet Komisioni i lartë qeveritar për shqyrtimin e dokumenteve dhe caktimin e shpërblimeve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të Luftës dhe patriotëve të Rilindjes Kombëtare, kurse në mars me urdhër të Kryeministrit komisioni riformatohej me një përbërje të re (të mëparshmit ankoheshin se kishin shumë detyra shtetërore) me këta persona: Arif Gjyli, i deleguar i Kuvendit Popullor, Pertef Pumo, i deleguar i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, Spiro Shalsi, i deleguar i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, Cin Çapeli i Ministrisë së Financave. Komisioni ngriti komisione në fshatra, qytete, nënprefektura, prefektura.

Mbështetja ligjore e komisionit ishte Ligji nr. 109, dt. 29.8.1945, i cili në nenin 2 përcakton kriteret për dhënien e statusit Dëshmor i Luftës: “Neni 2. Konsiderohen dëshmorë të Luftës NÇL të gjithë elementet e Lëvizjes NÇL deri më 9 maj 1945 që dhanë jetën brenda apo jashtë Shqipërisë. a. Në luftë kundër okupatorit në radhët e Ushtrisë NÇL. b. Nga plagët ose sëmundjet e ndryshme të marra gjatë kohës që qe në radhët e Ushtrisë NÇL. c. Gjatë veprimtarisë së tyre çlirimtare në mbrapavijat e armikut direkt në luftë me atë ose gjatë torturave dhe internimeve brenda ose jashë vendit.”

Puna intensive e komisioneve qendrore në rrethe, qarke e prefektura konkretizohej edhe me plotësimin e dy tabelave të mëdha: njëra për dëshmorët e Luftës dhe tjetra për invalidët e Luftës. Tabela është e këtij formati: emri, mbiemri, atësia, mëmësia, datëlindja, mënyra e vrasjes ose vdekjes, data e vrasjes/vdekjes dhe vendi, vendvarrimi, reparti partizan ku ka bërë pjesë, nëprefektura, katundi, profesioni në jetën civile, relegjioni, gjendja ekonomike, i martuar apo beqar etj. Krijimi dhe shtrirja e gjërë e kudo e komisioneve për evidentimin e dëshmorëve dhe premtimi për dhënien e shpërblimeve për familjet e dëshmorëve e bënte punën e komisoneve në bazë më të lehtë për të evidentuar sa më sakt të gjithë dëshmorët e Luftës dhe mundësia për harresa e pasaktësi ishte shumë e vogël, ose thuajse e pamundur.

Mbledhjet e Komisionit filluan më 20 shkurt dhe përfunduan më  26 korrik 1946. Nga studimi i 59 vendimeve të Komisionit numrohen 1141 dëshmorë. Numri i invalidëve të Luftës ishte shumë më i vogël se sa është sot, kurse dëshmorët e Rindjes nëmëroheshin me gishtat e njërës dorë. Komisioni qendor në përfundim të punës për saktësimin e dëshmorëve dhe identitetet tabelore konstatoi se puna e tyre kishte pasaktësi në dhënien e statusit Dëshmor i Luftës që vinin nga kufizime e paqartësi të Ligjit nr. 109, dt. 29.8.1945,  sepse, veç të tjerash, pika b e nenit 2 u jep të drejtën e të qenit dëshmor atyre që ndërruan jetë nga “sëmundjet e ndryshme të marra gjatë kohës që kanë qënë në radhët e Ushtrisë NÇL” (që nuk dihet si është e vërteta) por që nuk kishin rënë në luftë me armikun, me përfundimin se numri i dëshmorëve është më i vogël se 1141, i nxjerrë nga vendimet e Komisionit epror qeveritar.

Komisioni epror qeveritar shihet se ishte tepër objektiv në punën e tij për dhënien e statusit dëshmor i Luftës, që veç të tjerash shihet në dy konstatime të mia: i pari, edhe pse deklarata e delegacionit shqiptar në Paris për 28000 të rënë në Luftë ishte publikuar në shtypin shqiptar, tek Komisioni nuk ndikoi asfare një publikim i tillë. I dyti, Komisioni guxoi të shenjojë e komentojë kufizimin e pikës b të nenit 2 të Ligjit nr. 109, dt. 29.8.1945 dhe t’i adresojë eprorëve një udhëzim, por edhe një projekt-ligj për kapërcimin e mangësive të ligjit përkatës, pra Komisioni nuk shkoi andej nga frynte era e 28 mijëve.

Dëshmorët, në historikët e brigadave partizane (1985)

Komandantë, komisarë e kuadro të ish-brigadave partizane dhe historianë të historisë së Luftës shkruan historikët e brigadave partizane për  Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985), që u konsiderua “vepra” më e madhe shkencore e kohës, dhe nga zëri “Brigadë partizane” të Fjalorit selektojmë dëshmorët e secilës brigadë dhe shumatorja e të gjithëve na jep 2191 dëshmorë, kurse numri i partizanëve të 27 brigadave është 20.951 dhese numri i dëshmorëve dhe i partizanëve jepen me shumë tepëri, por edhe aq sa jepen janë me diferencë shumë të madhe me ç’ka jepen në letërsia politike e partisë e botime të tjera. Është e qartë se censurës politike qendrore nuk i shkoi mendja për të bërë shumatoren e dëshmorëve dhe partizanëve se përndryshe do të bëheshin marifete për të lexuar 28.000 dëshmorë dhe 70.000 partizanë në luftë kundër armiqve pushtues nazifashistë. Kalemxhinjtë bashkëpunëtorë të Akademisë së Shkencave në Fjalori Enciklopedik Shqiptar, i botuar në tre vëllime më 2009, numrin e dëshmorëve e kanë rritur apriori me 200 kurse numrin e partizanë me 8000 për të zbutur diferencat!

Libri Dëshmorët e Atdheut (2012)

Në 100 vjetori i Pavarësisë Ministria e Mbrojtjes publikoi librin Dëshmorët e Atdheut, me autorë Kolonel Prof. Dr. Zaho Golemi, Nënkolonel Prof. Dr. Bernard Zotaj e Alida Vrioni. Libri hapet me një parathënie të ndierë për dëshmorët nga Ministri i Mbrojtjes, Z. Arben Imami. Është i pari dhe i vetmi botim që bashkon në një të rënët e një shekulli, nga shpallja e Pavarësisë e deri në njëqind vjetori i saj. Struktura e librit ndjek ndarjen administrative- në 12 qarke të vendit dhe për çdo qark dëshmorët grupohen në tre kohë: të rënë para 7 prillit ’39, të rënë nga 7 prilli deri në 9 maj 45 dhe të rënë në regjimin diktatorial. Në parathënien e librit shprehet qartë se libri është një database e të gjithë vendimeve për statusin e dëshmorëve, me identitetet kryesore për secilin, dhe është e kuptueshme se libri përmban vendime për statusin e dëshmorëve të frontit të majtë antifashist. Libri Dëshmorët e Atdheut i jep fund komenteve për legjendën e njëzetetetë mijëve dhe mbyll çdo shteg për debate e politizime partiake sepse në të pasqyrohen të gjitha- të gjitha vendimet e organeve të pushtetit për statusin e dëshmorëve për çdo rreth e qark. Në libër lihet të kuptohet qartë se vendimet për statusin e dëshmorëv janë të organeve të pushtetit lokal dhe nuk kanë kaluar në filtrin e Komisionit qëndror, por kjo është gjetja më e mirë për të evituar përplasjet politike të mundëshme, dhe siç do të shihet në vijim në një shumicë të madhe vendimeve për statusin Dëshmor i Atdheut u mungon objektiviteti e vërtetësia e tyre, që mesa duket nuk do të korrigjohen asnjëherë. Një tablo selektive për statusin Dëshmor i Atdheut për çdo qark jepet në Figura 2

 

Figura 2.  Dëshmorët sipas qarkeve të vendit

Qarket Para 7 prillit ‘39 7 prill – 9 maj ‘45 Gjatë diktaturës
Berat            74           585         170
Dibër          113           254           90
Elbasan            11           496           91
Fier            67           189         130
Gjirokastër          119           617         109
Korçë          109         1310         170
Kukës          540           230         110
Lexhë          108           133         132
Shkodër          127           156         115
Tiranë            17           480         152
Vlorë          272         1410         113
       Shuma 1606 5027 1356

 

Të rënët për një shekull me statusin Dëshmor i Atdheut janë 7.989 dhe afër 63 % e tyre (5027) janë të rënë për atdhe nga 7 prilli ’39 deri 9 maj ’45, siç e përcakton Ligji Nr. 109, i cituar më parë, kurse 1606 dhe 1356 respektivisht janë nga fillimi i shekullit të kaluar deri më 7 prill ’39 dhe për dhjetëvjeçarët e diktaturës së proletariatit. Shpërndarja e të rënëve është me diferenca të ndjeshme, që janë në vartësi me madhësinë e qarkeve por e me traditën e arsye të tjera. Informacioni që ofron   database e librit për statusin e çdo dëshmori, sipas qarkeve, ashiqare ofron një  tablo me subjektivitet e pavërtetësi të pushtetshme.

S’lipst lupë me fokus të madh, por nga një vështrim i parë menjëherë të vrasin sytë aq shumë faqe në vijimësi me data të njëjta të qindra vendimeve me statusin Dëshmor i Atdheut, që përkojnë me tre jubile të mëdhenj: 25 vjetori i Çlirimit të atdheut (1969), 30 vjetori i Partisë Komuniste (1971) dhe 60 vjetori i Pavarësisë (1972) dhe dosjet e 9 datave të tre jubileve janë përplot me 2.817 vendime të reja me statusin Dëshmor i Atdheut dhe që u jepen të rënëve për herë të parë 20 apo 28 vjet nga “rënia” në luftë! Dhe me lehtësi vërehen tre vektorë kapriçiosë, sepse një kqyrje e kujdesshme do të nxirrte në releiv plot marroke.

Janë 595 shpirtra atë botë, në qarket Berat, Dibër e Tiranë, të marra së bashku, në pritje prej 28 vjet dhe lumturohen teksa erdhi jubileu i 60 vjetorit të Pavarësisë: 233 shpirtra nga qarku i Beratit në 16 të atij shkurti viti jubilar fituan statusin e të rënit për atdhe, po ashtu nga qarku i Dibrës më 30 qërshor statusin e fituan 168, kurse në qarkun e Tiranës më 20 të qeshorit statusin e fituan 194 shpirtra, të gjithë të identifikuar me emra e identitete të tjera. Në 25 vjetorin e çlirimit në tre ditë të nëntorit 1969 fituan statusin e dëshmorëve 604 emra në qarket Korçë, Kukës e Shkodër: në qarkun e Korçës statusi i datës 14 nëntor ka 36% të shumës së dëshmorëve të qarkut, ai i datës 13 nëntor në qarkun e Kuksit ka 58% të shumës së dëshmorëve të qarkut, dhe  statusi i dhënë më 3 nëntor për qarkun e Shkodrës është sa 61% e shumës së dëshmorëve të qarkut. Në jubileun e 30 e 35 vjetorit të Partisë Komuniste: në tre ditë të jubileut fituan statusin e dëshmorit 586 shpirtra të të rënëve në Luftë: kështu, në qarkun e Fierit më 25 të atij tetori viti jubilar fitoi statusin 65% e shumës totale të dëshmorëve të qarkut, kurse më 19 qershor ’76 dhe 2 nëntor ’71 e fitoi statusin 74% (463) e shumës së dëshmorëve të qarkut!

Nga korriku i vitit 1946, kur u përcaktua dhe u dha për herë të parë Statusi Dëshmor i Atdheut, nga Komisioni epror i Qeverisë Hoxha Statusin Dëshmor i Atdheut e fituan 1140 të rënë  e të mosrënë në Luftën për çlirim, kurse libri Dëshmorët e Atdheut numëron 5.027 dëshmorë me të gjitha identitetet e tyre, dhe çka është e pabesueshme këtu? Merren të mirëqënë 5.027 dëshmorë të Luftës, por është fare e pabesueshme sepse ky numër është 24% e numrit të partizanëve (21000, me tepëri), siç saktësohet në historikët e brigadave partizane në Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985), është e pamundur që ¼ e partizanëve të kenë rënë në luftë, nga njohja ime e historive të brigadave, apo është aq e besueshme sa fantastet e 28.000 dëshmorëve në 70.000 partizanë, pra 40% e partizanëve mbetën të rënë në luftë!

Pas Komisionit qeveritar të vitit 1946, me një shtrirje gati 60 vjet “zbulohen” tre herë më shumë (3886) të rënë në luftë nga ç’vendosi ai Komisioni dhe e pabesueshmja merr përmasa groteske kur vetëm në tre ditë të tre viteve jubilarë (1969, 1971, 1972) “zbulohen” 2817 dëshmorë “të panjohur” më parë, kurse 1069 të tjerë mbeten të “zbulohen” ndërvite: nga 1947 deri 2012! Dhënia e statusit Dëshmorë të Atdheut bëhej me fushata, njësoj si fushatat socialiste bujqësore: “Korr, shi, grumbullo, dorëzoi shtetit”! Pas këtij parashtrimi vjen pyetja e natyrshme: Cila mund të ketë qënë baza ligjore për gjithë këto mijëra vendime me dhënie statusi dëshmor në dhjetra vite pas Komisionit qeveritar të vitit 1946? Nga vendimet e pushtetit lokal komisioni i vitit 1946 refuzoi vetëm rreth një dyzinë syresh, prandaj s’ka argument se mijëra dëshmorët e “zbuluar” ishin ata të refuzuarit e ish-Komisionit qeveritar.

Diagnostikimin e të vërtetës së mijëra dëshmorëve të shpallur pas vitit 1946 e kemi në refleksionin guximtar e të vendosur që Komisioni qeveritar (1946) ia dërgonte Qeverisë: “Në legjislacionin tonë që është në fuqi nuk është përcaktuar mirë se çfarë kondita duhet të ketë një person për t’u quajur dëshmor ose ivalid i Luftës NÇL. Nuk është përcaktuar kriter i shëndoshë se cili është dëshmor dhe invalid i Luftës dhe cili është viktimë e Luftës dhe e terrorit që përdori okupatori. Po marrim një shembull, një person që ka ndihmuar Lëvizjen NÇL materialisht dhe moralisht dhe që ka zhvilluar një farë aktiviteti dhe ligjet tona lënë mundësinë për ta konsideruar dëshmor ose invalid, ndërsa me projektin tonë të ri është e përcaktuar mirë se mund të konsiderohen dëshmorë dhe invalid vetëm ata që duke qënë në rreshtat partizane në Ushtrinë NÇL janë vrarë, kanë vdekur ose janë sëmurë në shërbim. Në ligjin tonë mendojmë që të mbrohen vetëm ata që nga data 7 prill 39 deri 9 maj 45 humbën aftësitë ose u vranë duke qënë në luftë kundër okupatorit ose duke kryer një shërbim të urdhëruar nga organet drejtuese të Lëvizjes NÇL. Në legjislacionin tonë të vjetër nuk dilte mirë cili duhet quajtur dëshmor ose invalid i Luftës kurse në projektin e ri kjo theksohet mirë. Bashkëngjitur ju dërgojmë projekt-ligjin për mbrojtjen e dëshmorëve dhe të invalidëve të Luftës dhe relacionin.” (AQSH, Fondi 490, Dosja 788, 1946). Projekt-Ligji i ri për statusin e dëshmorëve konstatohet se nuk shkoi për t’u diskutuar në Kuvendin Popullor e Ligji nr. 109 bashkë me paragrafin e shkronjës b, të cituar më parë, mbeti i pandryshuar. Por kishte e një praktikë që emërtesën “partizan” e merrje e me dy-tre deklarata nga ish-partizanë, apo dhe sëmundjen e ndarjes nga jeta e kishe “marrë” në luftë! Sikur projekt-ligji i Komisionit qeveritar të ishte miratuar, natyrisht që nuk do të kishim këtë inflacion të frikshëm me statuse dëshmorë, apo ndoshta nuk është miratuar për t’i hapur rrugë asaj çka kërkohej e dëshirohej.

Kjo e gjitha është gjysma e të vërtetës së dëshmorëve të frontit të majtë dhe gjysma tjetër e të vërtetës janë të rënët e frontit të djathtë, paçka si ishin motivuar, por tek e fundit dhanë jetën për atdhe, Shqipërinë etnike, por edhe të masakruarit shqiptarë Çamë janë në fondin e të rënëve për atdhe. Një rivlerësim i të rënëve për atdhe, pa dalime të majtë apo të djathë apo Çamë, do të ishte një vlerë e shtuar demokratike e shoqërisë e politikës në këtë 70 vjetor të Çlirimit të vendit, ku njëherësh një pushtues iku e një tjerë pushtues erdhi, ai komunist, edhe më i egër se ai nazist, por kjo nuk e zbeh kremtimin e jubileut, amá jo bardhë e zi, por me ngjyra grixho, me ngjyra që ka patur vërtet Lufta.

 

Dita e Dëshmorëve me tre 9-ta e dy 9-ta simbole komuniste!

5 Maji! Me simbol përfaqësues Qemal Stafën dhe e majta e mbron fort me argumentin: Komunisti më idealist dhe përfaqson më mirë ëndërrat e partizanëve! Qemal S.  hodhi parrullën leniniste: Gjithë pushtetin komunistët dhe likujdimi i nacionalistëve. Koço Tashko në raportin që i dërgonte Kominternit për themelimin e Partisë Komuniste linte edhe këto rreshta për shokun e tij Qemal S.: “Sikurse më tha një shok i KQ të Rinisë dhe i KQ të Partisë, shoku më aktiv, njëkohësisht më sektar tek i cili bazohet shoku Miladin: “Nuk na duhen më këta nacionalistët se këta nesër do të jenë armiqtë tanë.” (AQSH, Fondi 14, dosja 5, 1942) Parrulla e Qemalit gjithë pushtetin komunistët është po ajo parrulla e Leninit: Gjithë pushtetin sovjetëve dhe asokohe të ishte komunist leninist ishte nder!

Kryeministri Rama deklaroi se 9 Maji do të jetë dita e dëshmorëve. Me dy 9-ta të forta: 9 Maj dita e fitores mbi fashizmin dhe 9 Maj dita e Europës. Historiani Prof. Dr. Paskal Milo i pakënaqur me ditën e re të Dëshmorëve të shpallur nga Kryeministri, por çudit edhe një nxënës të nëntëvjeçares për ditën e fitores mbi fashizmin (apo ia do politika e majtë): “9 maji është dita botërore e fitores kundër fashizmit.” (Intervistë, Panorama 26 maj 2014). Kujtesë për profesorin: Feld-Marshalli gjerman Vilhelm Keitel nënëshkroi kapitullimin e Vermahtit gjerman më 8 maj në ora 22.45 (sipas orës europiane dhe e njëjta orë ishte në të gjitha vendet e europiane) dhe atë çast në Bashkimin Sovjetik ora shenjonte 01.45 e 9 majit, kurse Tirana zyrtare akrepat e orës i shtyu tre orë përpara, i bëri një me orën e Stalinit, e po ashtu në ora 9.00 e mëngjesit të atij 9 maji vendit i shtohej një ditëfestë e madhe: “… Me rastin e festës së madhe të popujve liridashës Kryesia e Këshillit Antifashist NÇL vendosi: Dita 9 Maj shpallet festë Kombëtare. (Gazeta Zyrtare nr. 11, 21 maj 1945) dhe u kremtua e kujtua për pesë dekada e për çdo 9 maj ka redaksionale apo shkrime në faqe të gazetave të majta, edhe në 9 majin që kaloi! 9 Maji kremtohet vetëm në Rusi e në Sërbi e askund tjetër. Blloku Perëndimor, gjithë vendet antifashiste ditën e fitores kundër fashizmit e kujtojnë dhe nderojnë më 8 maj, kur edhe u nënëshkrua akti i kapitullimit të Vermahit gjerman.

9 Maji, dita e Dëshmorëve, me tre nënta: 9 maj, dita e fitores mbi fashizmin; 9 maji, dita e Europës; dhe  9 maji shqiptar “Festa kombëtare e fitores mbi fashizmin”; 9 maji, dita e re e dëshmorëve mes dy 9-tave simbole komuniste: 9 maji, dita e fitores mbi fashizmin dhe 9 maji festa shqiptare e fitores mbi fashizmin. Dhe s’na ndahen që s’na ndahen simbolet komuniste! “Dita e të Rënëve” është gjithëpërfshirëse për të rënët në shekuj për atdhe, në rreth 300 kryengritje të mëdha nga lashtësia deri në lufta e fundit, kurse dita e dëshmorëve është shumë kufizuese.

 

 

Dicitura: Figura 1, 28 mijë “e rënë” në Bashkimin e Kombit, 1944.

Gazeta e qeverise kuislinge

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency