Takimi treorësh/ Basha me ambasadorët e BE-së: Opozita mbështet pa kushte marrjen e statusit

0
128

Gëzim Saliu

Basha me gazetaretDiskutimi i Bashës me ambasadorët për aktualitetin politik, nga droga tek antikushtetutshmëria

 “Statusi, stacion i mbyllur me sukses, sfida është hapja e negociatave për anëtarësim në BE”

 Opozita mbështet pa kushte marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në BE të Shqipërisë. Ky ishte qëndrimi që bëri të ditur dje kryetari i Partisë Demokratike dhe opozitës, Lulzim Basha, në drekën e zhvilluar me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë, duke theksuar se Shqipëria dhe shqiptarët e kanë merituar këtë me përmbushjen e kritereve, falë reformave të ndërmarra në vite. Në takimin që zgjati për rreth tri orë, mes kryeopozitarit Basha dhe ambasadorëve të BE-së, nuk ka munguar edhe diskutimi për aktualitetin politik në vend, ku mësohet nga burime pranë selisë blu se në qendër të vëmendjes ishte çështja e trafikut të drogës si edhe veprimet e fundit të mazhorancës në tërësi të cilësuar nga opozita si shkelje të ligjit e Kushtetutës. Sipas burimeve, mësohet se kreu demokrat ka theksuar në takim se mospranimi i kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për emërimet në administratë është një shkelje e pastër e Kushtetutës nga ana e mazhorancës qeverisëse. Dreka e ambasadoreve të BE-së me shefin e opozitës u zhvillua menjëherë pas një takimi që ata patën me ministrin Tahiri, ku ky i fundit u prezantoi strategjinë antidrogë të qeverisë.

 

Basha pas takimit

Pas përfundimit të takimit me ambasadorët e BE-së në Tiranë, kreu i PD-së në një deklaratë për mediat deklaroi se në kuadër të afrimit të datës kur pritet të jepet vendimi i Këshillit Evropian për çështjen e statusit kandidat, opozita ka intensifikuar veprimtarinë e saj për mbështetjen e këtij procesi. “Me drekën e punës me të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë, pata rastin së bashku me bashkëpunëtorët e mi, të kërkoj mbështetje totale për miratimin e statusit kandidat për Shqipërinë në mbledhjen e qershorit. Në thelb, mesazhi që iu përcoll vendeve anëtare përmes të dërguarve të tyre në Tiranë, ishte se opozita shqiptare mbështet pa kushte marrjen e statusit kandidat. Opozita konsideron se Shqipëria dhe shqiptarët e kanë merituar këtë, me përmbushjen e kritereve apo reformave të ndërmarra në vite, se ky është një stacion dhe një etapë e përmbushur me sukses dhe se sfida e vërtetë e vendit menjëherë pas një vendimi pozitiv që shpresojmë, besojmë dhe e urojmë të jetë, është hapja e negociatave për anëtarësim”, – theksoi Basha. Nga ana tjetër, ai bëri të ditur se pjesë e takimit me ambasadorët ishin edhe një sërë çështjesh të tjera të aktualitetit politik në vend, duke vënë në dukje parametrat kryesorë të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale. I pyetur nëse ka një tërheqje të opozitës nga kauza e trafikut të drogës, kryedemokrati theksoi: “E ke fjalën që nga 24 orët e fundit kur pati konferencë për shtyp për këtë çështje. Absolutisht kauza e trafikut të drogës është një kauzë e çdo shqiptari që e do vendin e tij. Kërcënimi i trafikut të drogës i ngritur në sistem është një kërcënim për çdo shqiptar të majtë apo të djathtë, për mënyrën tonë të jetës, moralin, virtytet, stimujt e konkurrencës së ndershme, ekonominë, për demokracinë, shtetin ligjor, policinë, kapjen dhe blerjen e zgjedhjeve. Të gjitha këto janë rreziqe imediate për individin shqiptar, familjen shqiptare, demokracinë shqiptare, ndaj nuk mund të mos jenë kauzë e opozitës çdo ditë dhe çdo orë”.

 

 Memorandumi për simbolet e diktaturës/ PLL, ambasadorëve: Rehabilitimi i figurës së Hoxhës, kundër vlerave të demokracisë

Partia Lëvizja e Legalitetit u ka dërguar ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së të akredituar në Shqipëri, institucioneve evropiane dhe ambasadorit të SHBA-së një memorandum ku shpreh shqetësimin për prirjen, sipas saj, të një pjese të politikës shqiptare për rehabilitimin e simboleve të komunizmit dhe diktatorit Hoxha. Në këtë memorandum, PLL shpreh mbështetjen e marrjes së statusit nga Shqipëria, duke theksuar se ky hap drejt Evropës do të jetë një mjet më shumë për parandalimin e çdo lloj rehabilitimi të diktaturës komuniste dhe figurës së Hoxhës. “Ne besojmë fuqimisht se orvatjet për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha nuk janë vetëm një ofendim ndaj mijëra shqiptarëve që u persekutuan e u vranë përgjatë epokës komuniste apo dhjetëra mijëra të tjerëve që kaluan vite të tëra në burgje a kampe përqendrimi. Ne jemi të bindur se këto synime për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha ofendojnë vlerat e lirisë, paqes, demokracisë dhe orientimit perëndimor, që u ishin ndaluar shqiptarëve gjatë shumë viteve”, – thuhej në memorandum. Sipas PLL-së, është në interesin e përbashkët vëmendja ndaj rreziqeve të rishfaqjes së simbolikave të diktaturës komuniste dhe parandalimi i çdo lloj rehabilitimi të diktaturës. “Shpresojmë se Ju do t’i kushtoni vëmendje parësore kësaj letre dhe që do të merrni masat e nevojshme për të përkrahur edhe më tej Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugëtimin tonë të vështirë drejt lirisë, demokracisë, paqes, zhvillimit dhe konsolidimit të institucioneve e vlerave”.

 

Deklarata e ministrit/ Shehu, Tahirit: Lufta me drogën kërkon ballafaqim me ligjin

Ish-deputeti demokrat, koordinatori aktual për zgjedhjet e PD-së në Tiranë, Tritan Shehu, reagoi dje pas deklaratës së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili tha se “për luftën me drogën nuk do ketë zgjidhje armësh, por zgjidhje evropiane”. Sipas Shehut, në luftën me drogën duhet një zgjidhje sipas ligjit. “Në Evropë, në qoftë se flasim për BE, mbizotëron ligji. Pra në luftë me drogën duhet një zgjidhje konform ligjit. Përdorimi i forcës dhe të niveleve të saj parashikohet në ligj. Dhe kur shkelet ligji kjo duhet përdorur”, – shkruante Shehu në rrjetin social “Facebook”. Duke theksuar se lufta me drogën kërkon ballafaqim me ligjin, koordinatori i PD-së për zgjedhjet në Tiranë theksoi se në këtë kuadër nevojitet sensibilizim, edukim, si edhe hartimi e zbatim i një strategjie kombëtare. “Trafikantët, kultivuesit, grupet kriminale, të implikuarit, duhet të ballafaqohen me ligjin në një shtet ligjor. Lufta me drogën, këtë të keqe të madhe, kërkon ballafaqim me ligjin. Kjo është detyra kryesore e Ministrisë së Brendshme, Policisë, Prokurorisë, etj. Kërkon dhe sensibilizim, edukim, shkollën, familjen, shoqërinë, punësim, media, zhvillim ekonomik, “inteligjencë” etj. Kërkon rehabilitim mjekësor, social etj. Pra lidhet më tej me të gjithë qeverisjen e shoqërinë, në një strategji kombëtare. Por gjithsesi kush duhet të realizojë detyrat e sektorit e të përgjigjet për ato”, – pohoi ish-deputeti Tritan Shehu.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency