Kosova në prag të ndryshimit të qeverisjes

0
156

Dr. Enver Bytyçi

zgjedhjet ne kosove 2 Nesër Kosova shkon në zgjedhjet parlamentare të parakohshme. Është një ditë e shënuar në historinë e shtetit më të ri në Evropë. Jo se bëhen zgjedhje parlamentare, porse ato do të sjellin ndryshimin e kërkuar ndër disa vite radhazi. Sondazhet e shumta e të gjithëllojshme kanë shënuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e themeluar nga lideri historik i shqiptarëve kudo që ndodhen, Ibrahim Rugova. Them për të gjithë shqiptarët, sepse doktrina dhe filozofia e Rugovës do të sjellë ndryshimin e madh edhe në Shqipëri, Maqedoni, Luginën e Preshevës e te shqiptarët e Malit të Zi. Vetëm me filozofinë e urtësisë së atij burri mund të bashkohet kombi në qëllimin e tij për të konkurruar me dinjitet në mesin e kombeve të tjera në rajon e në Evropë.

Prandaj dhe Lidhja Demokratike, e themeluar prej burrit të madh që e lindi shekulli, vetëm kjo parti që në kohën e Rugovës regjistroi 700 mijë anëtarë, vetëm kjo parti që u themelua si partia më e madhe në ish-Jugosllavi, vetëm kjo parti, nëse do t´i qëndrojë besnike liderit të saj historik, mund ta çojë Kosovën e bekuar prej Zotit në destinacionin që ajo meriton, në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Prandaj është koha për ndryshim, prandaj dhe është koha për një kthesë të re historike në atdheun e shqiptarëve dhe banorëve të tjerë të Kosovës, i cili ka vuajtur aq shumë për liri dhe një jetë demokratike.

Lidhja Demokratike e Kosovës është dhe duhet të jetë fituese e zgjedhjeve të së dielës. Por ajo nuk do të mundë të korrë suksesin e Ibrahim Rugovës. Prandaj për qeverisjen e re do t´i duhen aleatë. Edhe aleatët ia ka përcaktuar lideri historik, Ibrahim Rugova. Të gjithë ata që kanë në programin e tyre rugovizmin, parimin e lirisë e të barazisë, parimin e dialogut, tolerancës, transparencës e të demokracisë liberale, të gjithë ata që besojnë në vlerat e një shoqërie të bazuar në modelin amerikan dhe evropian të zhvillimit dhe që i përmbahen me besnikëri në praktikë këtij modeli, janë e duhet të jenë aleatë të natyrshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por nuk mund të jenë aleatë të Lidhjes Demokratike të inkriminuarit, të korruptuarit, ata që shtetin e kanë konsideruar ose e konsiderojnë si lopë, që vetëm duhet mjelë. Nuk duhet të jenë aleatë të Lidhjes Demokratike të Rugovës ata që besojnë te metodat revolucionare të zhvillimit, ata që nuk respektojnë demokracinë dhe rrugën evolucioniste të këtij zhvillimi, ata që injorojnë historinë dhe trashëgiminë e pasur të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta shpërblejë besimin e qytetarëve të këtij vendi, duhet ta pranojë përgjegjësinë për t´u shërbyer qytetarëve dhe jo për t´i shndërruar qytetarët në shërbëtorë të saj. Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të dëshmojë se është e aftë ta çojë vendin në NATO e në BE – më parë sesa në OKB. Preokupimi i parë i saj duhet të jetë liberalizimi i vizave, zhvillimi ekonomik, rritja e investimeve. E të gjitha këto ajo do t´i realizojë vetëm nëse nuk pajtohet si paraardhësit e saj në qeverisje, me korrupsionin; vetëm nëse ajo bën shtet ligjor; vetëm nëse vë balancën e nevojshme midis pushteteve, vetëm nëse respekton lirinë e qytetarëve të saj dhe kështu bëhet modeli i qeverisjes në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të gjitha shanset janë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe aleatët e saj në qeverisje do të bëjnë kthesën e domosdoshme në zhvillimin e Kosovës dhe forcimin e shtetit të saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency