Kontenierë nga Ekuadori në Mal të ZI/ Zbulohen 250 kg kokainë në kontejner bananesh, destinacion Shqipëria

0
237

 Anxhela Tato

 kokaina e kapur ne BariPolicia: Droga jashtëzakonisht e pastër, e ndarë në 223 pako, me vlerë financiare 12.5 mln euro

 Drejtori i Autoritetit të Doganave, Vladan Jokoviç: Marrës i kontejnerit është kompania shqiptare “Rrapo”

 “Hakmarrja” e Malit të Zi për kapjen e anijes me cigare zbulon kontejnerin e bananeve me 250 kilogramë kokainë të pastër. Lajmi është bërë me dije nga gazeta gjermane “Bild”, e cila ka publikuar e para trafikun e drogës me destinacion Shqipërinë. Siç është cilësuar edhe nga prokurori i Antimafias së Leçes, vendi ynë, falë pozitës së favorshme gjeografike, vijon të jetë porta hyrëse e drogës për shtetet e Evropës Perëndimore. Ka dyshime që ngarkesa me kokainë do të kalonte transit në Shqipëri për t’u trafikuar më pas në rrugë tokësore në drejtim të shteteve, si Itali, Gjermani apo Greqi, pikat kryesore ku shpërndahet droga. Nga të dhënat e para mësohet se ka qenë një përgjim ambiental dhe sinjalizime se në një anije që vinte nga Ekuadori gjendej një sasi mjaft e madhe droge, ndërsa nuk dihet ende numri i personave të proceduar si dhe itinerari i rrjetit të trafikut. Nga ana e forcave të policisë janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje anëtarë të ekuipazhit të anijes, e cila do të shkarkohej nga një firmë shqiptare “Rrapo Company”. Ka dyshime se policia malazeze mund të jetë në dijeni të personave të përfshirë në këtë trafik, duke qenë se operacioni i djeshëm nuk ka qenë i rastësishëm, por aktualisht asnjë informacion nuk ka rrjedhur nga blutë, për arsye hetimore.

 

Sekuestrimi

Në portin Bar të Malit të Zi është sekuestruar dje një sasi rekord kokaine që kishte si destinacion Shqipërinë. Bëhet fjalë për 250 kilogramë kokainë e cilësisë së lartë, që do vinte në Shqipëri, e fshehur në kutitë e bananeve. Policia malazeze e Portit në Bar bën me dije se ka konfiskuar dje sasinë e drogës, të fshehur në kutitë e bananeve që vinin nga Ekuadori. Droga është gjetur në një nga tre kontejnerët që sillte banane nga Ekuadori drejt Shqipërisë. Duke përdorur një skaner, oficerët e Policisë Doganore kanë zbuluar kokainën. Mësohet se droga ishte e ndarë në 223 pako. Vlera e llogaritur e shitjes së drogës arrin deri në 12.5 milionë euro. Edhe gazeta gjermane “Bild” shkruan për sasinë më të madhe të drogës të kapur ndonjëherë në Malin e Zi. Të njëjtat burime saktësojnë se bëhet fjalë për substancë “jashtëzakonisht të pastër”. Për sasinë më të madhe të kokainës së pastër, të kapur në historinë e Malit të Zi, siç shkruajnë mediat malazeze, ka folur edhe drejtori i Autoritetit të Doganave, Vladan Jokoviç, i cili u shpreh se kontejneri është dërguar nga kompania “Vimticorp SA” nga Ekuadori, ndërsa marrësi ishte kompania shqiptare “Rrapo”, shkruan “Vejesti”. Sipas tij, droga u zbulua në një kontroll rutinë nga zyrtarët e departamentit të luftës kundër kontrabandës. Sipas regjistrit zyrtar të Shqipërisë, “Rrapo” është një kompani e regjistruar në mars të vitit 2013 nga Nazike Rrapaj. Kompania u krijua për të importuar fruta dhe, sipas regjistrit, kjo ishte dërgesa e saj të parë. Ajo që dihet është se bananet kishin si destinacion Shqipërinë, ndërsa ende nuk saktësohet se ku do të shpërndahej kokaina e pastër, pasi të mbërrinte në Shqipëri.

 

Ekstrakti i kompanisë

“Rrapo Company” është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar pranë QKR-së më datë 20 mars të vitit 2013. Kompania është themeluar më 18 mars dhe selinë e saj qendrore e ka në Fier, në fshatin Vajkan, Komuna Mbrostar. Me një kapital bazë të deklaruar prej 1 milion lekësh, objekti i kësaj shoqërie është import-eksporti me shumicë dhe me pakicë i fruta-perimeve, produkteve ushqimore; prodhimi dhe shitja e tyre. Përfaqësuesi ligjor i firmës është Dritan Rrapaj, ndërsa ortake është Nazike Rrapaj. Statusi i kësaj firme është aktiv, çka do të thotë se vazhdon të veprojë dhe të ushtrojë import-eksport frutash. Por në numrin e kontaktit nuk përgjigjet askush, pasi rezulton të mos jetë më aktiv.

 

Reagimi

Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se anija nuk ka pasur si destinacion vendin tonë, ndërsa në lidhje me drogën ende nuk ka të dhënë të saktë nëse një pjesë e saj ishte e destinuar për në Shqipëri. Ministria e Brendshme sqaron se nga momenti i publikimit të lajmit kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e policisë malazeze, por ende nuk ka ndonjë njoftim apo konfirmim zyrtar se 250 kilogramë kokainë do të transportohej në drejtim të brigjeve tona. Por, edhe nëse droga do të kishte destinacion vendin tonë, burime nga Ministria garantojnë forcën e zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimin me aleatët në luftën kundër krimit të organizuar,e cila vijon të jetë nj ndër prioritet e këtij institucioni.

 

Trafiku me avion/ Paketuesi Klevjol Ahmeti: Akuza, e pavërtetë, nuk i njoh personat e arrestuar

 I dyshuar si paketuesi i dytë i drogës, mohon përfshirjen në trafikun e drogës me avion. Rreth mesditës, 23-vjeçari Klevjol Ahmeti ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është marrë në pyetje nga prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore. Për gati dy orë resht, pa iu përkulur pyetjeve, Ahmeti ka refuzuar çdo lloj lidhjeje apo njohjeje me të arrestuarit e tjerë. Ndonëse gjurmët e tij figurojnë në natribanin e drogës, Klevjoli kundërshtonte me forcë që të kishte lidhje në këtë çështje. Ai është shprehur se nuk e kupton për çfarë arsyeje është arrestuar, pasi kjo akuzë është gënjeshtër. “Nuk kam asnjë lidhje me këta persona. Unë nuk i njoh dhe nuk e di kush janë. Çdo gjë e kam dëgjuar nga media dhe unë nuk jam paketues drogë”, – është përgjigjur 23-vjeçari. Ndërsa prokurori po përpiqet që të gjejë një formë për të bindur të riun të flasë. Nga burime saktësohet se gjurmët e Klevjolit janë gjetur në pakon e drogës dhe i janë dërguar laboratorit shkencor për ekspertizë. Nga analizat shkencore rezultoi se këto shenja gishtash i përkasin një personi të skeduar më parë nga policia, 23-vjeçari Klevjol Ahmeti. Vetëm pas konfirmim të këtyre informacioneve nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Renda është lëshuar urdhri i arrestit, bazuar në vendimin gjykatës. Arrestimi i 23-vjeçarit është bërë pas 10 ditësh. Prokuroria është shumë e rezervuar për sa i përket identitetit të tre personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

 

Hetimet

Fillimisht u prangosën piloti italian Giorgio Riformato, më pas ideatori dhe organizatori Saimir Bajrami, ndërsa pas hetimeve dhe ekspertimeve të gjurmëve në pakot e hashashit u arrestua në datën 27 maj edhe Aurel Pupe, po nga Lushnja. Prokuroria ka zbuluar se lënda narkotike që do të ngarkohej në avionin Piper është marrë në qytetin e Lushnjës, dhe jo në Fushë-Krujë, ku pretendonte Bajrami, i cili tha se nuk mbante mend emrat e personave të tjerë. Pretendimi i tij u verifikua nga hetuesit, të cilët zbuluan të tjera fakte, ndërsa arrestimet e bashkëpunëtorëve nuk kanë munguar. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë se Ahmeti është një nga paketuesit e kësaj lënde narkotike, bashkë me Aurel Pupen dhe disa persona të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia. Mësohet se Klevjol Ahmeti ka pasur precedentë kriminalë në të kaluarën, ku është akuzuar në vitin 2008 për përdhunimin e një 13-vjeçareje në Lushnjë. Duket se gabimi apo pakujdesia e pilotit italian, Giorgio Riformato, i cili u ul në rërën e bregdetit të Divjakës për të marrë një ngarkesë lënde narkotike gati gjysmë tonësh me qëllim trafikimin e saj përtej Adriatikut, po zbulon një pas një pjesëtarët e një organizate që kujdesej për çdo proces të këtij trafiku. Hetuesit pohojnë se hetimet kanë avancuar tek personat që siguruan lëndën narkotike. Deri më tani është arrestuar piloti, organizatori dhe dy paketuesit, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe transportuesit apo blerësit në fshatin Lazarat. Nga burime të organit të akuzës është mësuar se pas sekuestrimit të lëndës narkotike është bërë këqyrja e letrës natriban me të cilën ishin mbështjellë. Aty ekspertët kriminalistikë kanë konstatuar disa lloje gjurmë gishtat, të cilat i kanë përcjellë në laborator për krahasim.

 

Ersekë/ Konflikti i pronësisë, plagoset me thikë çifti

 Një çift bashkëshortësh në Ersekë janë plagosur, pasi u goditën me thikë nga një 29-vjeçar. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti pronësie. Mësohet se bashkëshortët Bedullaj kanë një kioskë shumë pranë banesës së autorit të plagosjes, Albert Nezo, i cili u ka kërkuar të largoheshin nga zona. Çifti Bedullaj nuk ka pranuar zhvendosjen e kioskës dhe kjo ka çuar në një konflikt të ashpër, që ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve të ftohta. Mësohet se 29-vjeçari Nezo, i cili është arrestuar nga policia, ka goditur më thikë disa herë në krahë 45-vjeçarin F. Bedullaj, ndërsa ka mbetur e plagosur edhe bashkëshortja e tij, Manjola Bedullaj, e cila ka ndërhyrë për t’i ndarë. Të plagosurit janë dërguar në spital, prej ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

 

Policia/ Shkelën lejet e qëndrimit, riatdhesohen 48 shqiptarë

 Riatdhesohen 48 shqiptarë, pasi shkelën lejet e qëndrimit 3-mujore. Në aeroportin e Rinasit zbritën dje 48 shtetas shqiptarë, 44 meshkuj dhe 4 femra, të cilët ishin me qëndrim të parregullt në hapësirën Shengen. 31 prej tyre u kthyen nga Franca, 9 nga Belgjika dhe 8 nga Finlanda. Operacioni për kthimin e këtyre shtetasve u zhvillua nga eskorta e Departamentit të Kufirit e Migracionit e trajnuar së fundmi nga agjencia evropiane FRONTEX me standardet evropiane të eskortimit. Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Sigurinë Publike, Altin Qato, i pranishëm në aeroportin e Rinasit gjatë ditës së sotme, u kërkoi shtetasve shqiptarë që të mos shkelin rregullat e qëndrimit në hapësirën Shengen, si dhe të mos abuzojnë me liberalizimin e vizave, duke kërkuar azil në këto shtete. Ndërkohë, oficeri ndërlidhës i Policisë Franceze në Shqipëri, z. Jean Louis Jaquinet, evidentoi bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet policisë shqiptare me autoritet franceze dhe agjencinë evropiane FRONTEX dhe vullnetin e përbashkët për të kthyer të gjithë shtetasit, që qëndrojnë në mënyrë të parregullt në hapësirën Shengen sidomos ata që janë përsëritës. Njëherazi theksoi faktin se të gjithë këta shtetas duhet ta kuptojnë, që ne nuk do ta tolerojmë këtë situatë qëndrimi, që një minoritet shumë i vogël shtetasish, shkelin rregullat e qëndrimit në hapësirën Shengen dhe prishin imazhin e Shqipërisë, ata do të dëbohen. Për të gjithë të kthyerit do të vijojnë procesi i intervistimit nga ana e Policisë së Kufirit dhe Migracionit. Personat e riatdhesuar nuk respektuan rregullat e vizave Shengen. Ndërkohë, në fund të muajit mars, janë depërtuar 47 shtetas shqiptarë, me qëndrim të parregullt në Britaninë e Madhe.

 

Fier/ Grabitën menaxherin e qendrës tregtare, 2 persona në pranga

 Policia e Fierit vuri në pranga dy persona dhe shpalli në kërkim një tjetër, pasi dyshohen si autorë të grabitjes së 30 milionë lekëve në një qendër tregtare të qytetit të Fierit. Burime nga policia bëjnë të ditur se në pranga kanë rënë shtetasit Amarildo Biqmeti dhe Ermal Shkambi, ndërsa Çelnik Kapaj është shpallur në kërkim. Sipas policisë, pak ditë më parë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë grabitur menaxherëve të qendrës tregtare të gjitha paratë që po transportonin për në bankë. Menjëherë pas ngjarjes policia ka sekuestruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, që kompania ka vendosur, si në ambientet e brendshme, edhe në ato të jashtme të godinës, duke bërë të mundur edhe identifikimin e autorëve. Sipas hetuesve të çështjes, grabitësit kishin qenë edhe herë të tjera në këtë qendër tregtare, ku kishin marrë informacionin e duhur se në cilën orë kryhej transporti i shumës së lekëve të xhiros ditore.

 

Lezhë/ Shkarkimi nga detyra i Mark Brahimajt, merret në pyetje Petrit Gjoni

 Prokuroria e Lezhës mori në pyetje Petrit Gjonin. Drejtori i Bordit të Kullimit për dy orë u është përgjigjur pyetjeve të hetuesve rreth vendimit për largim nga puna të të ndjerit Mark Brahimaj, i cili i dha fund jetës tragjikisht. Gjoni ka paraqitur procedurat e ndjekura prej tij, pas emërimit në krye të Bordit të Kullimit në Lezhë, për shkarkimin e Brahimajt dhe emërimin në vend të tij të një personi tjetër. I akuzuar nga familja e viktimës për vendim të padrejtë dhe me pasojë vetëvrasjen, Gjoni ka dorëzuar në Prokurori edhe një kopje të praktikës së ndjekur. Prokuroria e Lezhës është treguar e rezervuar në lidhje me dëshminë e Gjonit, por hetuesit thanë se krahas hetimit për “Shkaktim të vetëvrasjes”, po kryhen verifikimet për të parë nëse Gjoni ka “shpërdoruar detyrën”. Pak ditë më parë u mor në pyetje bashkëshortja e 50-vjeçarit të vetëvrarë dhe të afërmit e tij. Ata treguar se i ndjeri, pas largimit nga detyra kishte shfaqur shqetësime. Në disa raste ai ndihej i pavlerë për shkak të largimit nga puna pa motiv. Bashkëshortja u tha hetuesve se kohët e fundit bëhej shumë nervozë dhe kërcënonte se do të vriste drejtorin ose vetën. Në pyetje do të merren edhe kolegët e Brahimajt, me të cilët ai kishte 25 vite që punonte pranë hidrovorit të Tales në Lezhë. Sipas akuzës, 50-vjeçari nga Shënkolli i dha fund jetës me çifte, sepse gjendja e tij psikologjike ishte e rënduar pas vendimit të lirimit nga detyra. Hetuesit thanë se dosja është regjistruar për akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes” të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, që parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vjet burg.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency