Botimi i Çabejit/ Pas gjysmë shekulli del “Meshari” i tretë

0
266

Kastriot Marku

meshari i ccabej“Meshari” i Gjon Buzukut (1955), botim kritik punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e parë: Hyrje dhe transliterim. 300 f. Pjesa e dytë: Faksimile dhe transkribim fonetik. 406 f. Botim anastatik sipas atij të vitit 1968. Botimet “Çabej”, Tiranë, 2013

 Në vitin 2013 u realizua ribotimi i tretë anastatik i veprës “Meshari” i Gjon Buzukut, 45 vjet pas botimit të parë të realizuar në vitin 1968 dhe 23 vjet pas botimit të dytë në Kosovë (“Rilindja”, Prishtinë, 1987). Botimi i parë i kësaj vepre u bë nën kujdesin e gjuhëtarit të mirënjohur Eqrem Çabej, i cili, kishte nisur të merrej me këtë vepër që nga fillimi i viteve ‘30 (shih: Elemente të gjuhës e të literaturës shqipe, Tiranë, 1936), por në mënyrë të qëllimtë thellësore u mor gjatë viteve ‘50, e që studiuesit të mirënjohur të gjuhës shqipe i kushtoi dhjetë vjet punë dhe përpjekje, kohë e gjatë kjo gjurmimesh mbi gjuhën e vetë veprës, mbi tekstet fetare të ngjashme me atë të librit të Gjon Buzukut, si dhe me tekstet referenciale në gjuhët e tjera që ishin marrë me këtë qerthull studimor, një përpjekje kjo e cila zgjati edhe më tej për rreth dhjetë vjet të tjera derisa u botua në vitin 1968. Edhe pse i përfunduar në vitin 1958, për shkak të problemeve në gjetjen e një shtypshkronje, “Meshari” u botua dhjetë vjet më pas, vetëm mbasi u gjet një shtypshkronjë në Rumani, e cila mundësoi botimin e veprës me karakteret grafike të posaçme sipas kërkesave të përgatitësit të saj. Mirëpo botimi u realizua për fat të keq, pikërisht në një kohë kur në vendin komunist sapo ishte zyrtarizuar ndalimi i fesë dhe pothuajse të njëjtin fat me klerikët katolikë do të kishte edhe libri i Buzukut, i cili në pjesën më të madhe të 4000 kopjeve të tirazhit të botimit, do të “burgosej” në bodrumet e magazinave të Institutit të Gjuhësisë, ku shumica e këtyre kopjeve dolën jashtë përdorimit, për shkak të braktisjes dhe kushteve të lagështa dhe mungesës së dritës dhe vetëm ndonjë kopje tek-tuk do të përdorej si dhuratë në raste kortezie. Një pjesë e kopjeve të mbetura që i patën shpëtuar disi kalbjes, pas viteve ‘90 përfunduan në shitje të lirë trotuareve të kryeqytetit shqiptar.

Vepra është e konceptuar në dy vëllime. Volumi i hapet me parathënien që mban autorësinë nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë dhe zë faqet 5-6. Më pas vijohet me një hyrje të prof. Çabejt, një studim i gjerë ky monografik prej 100 faqesh, i ndarë në pesë nënndarje, në të cilin bien në sy njohuritë e thella prej eruditi në fushën e historisë mesjetare, veçanërisht asaj kishtare, si dhe gjuhësisë historike dhe filologjisë. Me këtë botim kritik, Çabej çeli hullinë e praktikës ekdotike, tashmë të kthyer në traditë në filologjinë e teksteve shqipe, e cila dalëngadalë me studiuesit Rexhep Ismajli, Matteo Mandalà, Francesco Altimari, Anila Omari, Bardhyl Demiraj, Gëzim Gurga, do të bëhej shkollë.

Në pjesën e parë: Historia e librit dhe lënda e tij (f. 7-17), autori tregon udhën që ka kryer i vetmi ekzemplar i këtij libri, që prej gjetjes së tij së pari në Kolegjin e Propagandës Fide në Romë prej arqipeshkvit të Shkupit, Gjon Nikollë Kazazit nga Gjakova, vënien në dijeni të këtij të fundit të rektorit themelues të Seminarit të Palermos Atë Gjergj Guzetës, zhvendosjen e librit nga Kolegji i Propagandës në koleksionin e librave orientale të kardinalit Stefan Borgia e më pas në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit nën sinjaturën R (açolta) G (enerale) Liturgia, III. 194. Përmendet puna e gjatë dhe e mundimshme e Peshkopit të Arbëreshëve të Sicilisë Imzot Pal Schiròit, i cili vdiq pa e parë punën e tij e tij filologjike për botimin e librit, e cila i bie të jetë e para punë e njëmendtë filologjike për tekstet tona të vjetra dhe që me sa duket duhet kohë të presë të dalë në dritë, për të vijuar me realizimin e tre fotokopjeve të librit në vitin 1929 nga Atë Justin Rrota, i cili botoi copa të zgjedhura e të komentuara të tekstit të shoqëruara me studime përkatëse. Më tej përshkruhet fizikisht libri, duke vënë në pah mungesat e frontespicit dhe të 16 fletëve të para, ngatërresat në numërimin e faqeve për të vijuar më tej me përmbajtjen e librit duke i grupuar copat biblike të përfshira në trajtën e një regesti/indeksi tregues sipas tekstit integral të Biblës, ndarë sipas Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së re (f. 9-13). Autori e shikon tekstin e veprës nga veshja tipografike e saj dhe përmes këtij vështrimi vë në pah largime, kryesisht gabime e të meta, mungesa dhe shtesa, të cilat pjesërisht rrjedhin nga dorëshkrimi vetë dhe pjesërisht nga procesi i shtypjes së librit gjatë radhitjes, si pasoje e të cilit radhitësi/radhitësit me sa duket i kanë lexuar keq karakteret e dorëshkrimit, për të cilat enkas vetë Gjon Buzuku ankohet në pasthënien me të cilën ka përmbyllur veprën. Vendshtypja është një tjetër shteg hulumtimi, i cili bazuar në karakteret tipografike të përdorura me sa duket më së shumti e çon autorin të mendojë se libri u shtyp në Venedik.

Në pjesën e dytë me titull: Personaliteti i autorit në dritën e veprës (f. 17-25), Çabej, sikurse shihet qartë nga titulli, merret me rindërtimin e biografisë së Gjon Buzukut dhe të vetë librit të tij të emëruar si “Meshari”, që në njëfarë mënyre për fat, e rindërtojmë kësisoj bazuar në pasthënien e librit. Koha e hartimit a po e shtypjes së librit, lokalizimi i emrit familjar të autorit, qenia e tij si famullitar i thjeshtë i bashkësisë katolike shqiptare me origjinë nga trevat e Shqipërisë së Veriut, gjuha shkrimore e tekstit, një gegërishte kjo veriore me disa veçori dialektore të toskërishtes dhe të arbëreshëve, kryesisht të Lekë Matrangës, shqyrtohen kujdesshëm dhe bazuar në sa thamë më sipër Çabeji thekson se “…ka indice gjuhësore që dëshmojnë se ai është një bir i malësisë së Krajës, Ljarjes e Shestanit në jugperëndim të liqenit të Shkodrës, një famullitar i dalë prej dioqezës së Tivarit a mbase të Ulqinit. Gjuha e tij, me gjithë se e ngritur me vetëdijë në një shkallë mbidialektore, përmban elemente që i përkasin asaj ane të Shqipërisë veriore. Më anë tjetër vihen re në librin e tij disa tipare që flasin qartë për një komponente verilindore e lindore në gjuhë” (f. 22). Në pjesën e fundore të kësaj pjese hiqet një vështrim i thukët i gjendjes politiko-kishtare në kohën në të cilën u botua “Meshari” duke e vënë në theksim të veçantë mbajtjen e Kuvendit të Trentos, i cili shënoi zyrtarisht periudhën e përtëritjes katolike si reagim ndaj reformës, kohë në të cilën në viset shqiptare dhe ato ballkanike kishin vërshuar pushtuesit osmanë. Sipas Çabejit, këto rrethana, shto këtu edhe qenien e popullsisë katolike-shqiptare në kufijtë periferikë kufitarë me popullsinë ortodokse-sllave, marrëdhënia me të cilën nuk ishte se në këtë kohë ka qenë fort dashamirëse, kanë bërë të mundur që autori i botimit të këtij teksti liturgjik, të ketë marrë shtysën nga ndonjë ipeshkvi ose arqipeshkvi e Shqipërisë së Epërme, nga kërkesa për t’i lehtësuar sa më shumë punën klerit katolik shqiptar të këtyre anëve, në ushtrimin e shërbimeve fetare, përshtatur, me sa duket, për përdorim në mjedise rregulltarësh dhe për këtë arsye një nismë e tillë nuk është çudi që sipas të gjitha gjasave të kishte mbështetjen e ndonjë autoriteti kishtar, “i cili direkt ose indirekt ngarkoi këtë famullitar shqiptar me hartimin e një vepre të këtij lloji, të ketë qenë udhëhequr në këtë punë nga vullneti i prerë për të ngritur në Shqipëri gjuhën e vendit në rangun e një gjuhe liturgjike” (f. 23-24). Janë të gjitha këto arsye të përmendura më sipër, të cilat përligjin thuajse plotësisht një nismë të tillë të Buzukut dhe të eprorëve të tij, për të vendosur gjuhën e vendit në liturgji, proces që më pas u vijua nga Pjetër Budi, Pjetër Bogdani e Gjon Nikollë Kazazi. Pra “Qëllimi i pandërmjemë i autorit tonë qe pajisja e kishës katolike shqiptare me një libër që të përmbushte nevojat e përditshme fetare” (f. 23). Fakti se ka ardhur deri në ditët tona një kopje e vetme e këtij libri, të bën të mendosh se reformimi i librave liturgjikë me Konçilin e Trentos, e pa ndoshta si të vjetruar këtë botim, e për rrjedhojë ai mbeti mënjanë përdorimit zyrtar të autorizuar. Njëkohësisht këqyrja e kujdesshme e librit të bën të mendosh se formimi arsimor i autorit të jetë bërë ndër françeskanë, sikurse vihen re gjithashtu ndikime të jashtme të botës romane, veneciane e deri diku edhe sllave, në kontekstin shqiptar dhe në atë me ata fqinj, dalmat e boshnjak, marrëdhënie të cilat nuk prekin aspak veprën e cila është e rrënjosur në kulturën amtare shqiptare.

Në pjesën e tretë: Vepra si përkthim (f. 25-45), ftillohet studimi i tekstit të veprës në vështrimin gjuhësor. Çabej, jo vetëm që ia njeh Buzukut vështirësitë dhe rrethanat objektive në të cilat ai e hartoi veprën, por i njeh gjithashtu të tjera vështirësi të sferës abstrakte mendore të lidhura kryesisht me gjuhën e literaturës kishtare dhe termat gjegjës në shqip; vështirësinë e përshtatjes ndërdialektore si dhe vështirësinë që paraqet teknika përkthimore apo edhe të tjera vështirësi të mundshme subjektive si mosnjohja sa duhet e latinishtes, njohja e kufizuar e terminologjisë liturgjike për shkak të formimit jo fort të mirë të klerit të asaj kohe etj. Megjithatë, vihet në dukje se tek Buzuku shfaqet “…një zotësi jo e zakonshme në përpunimin e një lënde mjaft të vështirë; një individualitet i fortë e një pavarësi mendore, që shihen te vullneti i dukshëm për të sjellë disa ndryshime në tekst, me qëllime të caktuara në përshtatje me vendin e me rrethin për të cilin po bëhej përkthimi, kryesisht në drejtim të një qartësie më të madhe; një zotërim i gjuhës amtare dhe i mundësive të saj të shprehjes, që e vuri në gjendje këtë shkrimtar të zgjedhë fjalë e ndërtime e të japë shqip një libër feje, i cili në shumicën e pjesëve nuk bie poshtë nga origjinali; një shkathtësi e veçantë, me të cilën a ka ditur t’u bëjë lak shumë ferrave të tekstit bazë… Ka në këtë vepër vende me një bukuri stilistike e gjuhësore të rrallë. Anasjelltas ka vise, ku përkthimi nuk arrin të japë as kuptimin e tekstit” (f. 26). Çabeji vë në dukje se Buzuku “…në pjesët biblike qëndron përgjithësisht në një nivel më të lartë, ndërsa në lutje e uratë paraqitet më i dobët” (f. 26). Kjo ka ardhur, sipas studiuesit, se kur autori është mbështetur në tekstin e Biblës, përkthimi ka qenë më i sigurt për shkak të karakterit rrëfimtar që mbart ky tekst, ndërsa kur është fjala për lutje dhe uratë, për arsye të kondensimit të përmbajtjeve dhe terminologjisë abstrakte, përkthimi nuk ka arritur të përcjellë gjithaq këtë besnikëri. Gjithsesi ai arrin në përfundimin se “…autori i kësaj vepre nuk është mbështetur më një origjinal të vetëm. Ai ka punuar përmbi një tekst model në tri gjuhë, ose mbi tri modele të ndryshme: latinisht, italisht e serbokroatisht” (f. 28), herë duke ndjekur njërin model e herë duke i kombinuar ata, kryesisht me sa duket për të tejkaluar vështirësitë e përkthimit, por pa e cenuar tekstin e përkthimit. Vërehen një seri tiparesh kryesisht gjuhësore që janë specifike e që dëshmojnë disa largime prej tekstit latin, të shpërfaqura si gabime me karakter gramatikor (ngatërrim rasash, numrash, gjinish, në përemra edhe veta, në folje ngatërrim kohësh, vetash e numrash), ndërtime sintaktike të gabuara, marrje të drejtpërdrejta të fjalëve nga teksti latin ose nga ai italian, përkthime fjalësh dhe ndërtimesh nga modelet gjuhësore të përmendura, ndikime në alfabet e grafi, ndërsa arsyetimi që Buzuku të ketë përdoruar modelin sllav serbo-kroat shihet tek disa mungesa fjalësh apo edhe shtesa të bëra, gjë që ka bërë që përkthimi të dalë ose më i shkurtë, ose më i gjatë, largime këto të cilat janë shkaktuar, ose nga paaftësia e autorit të për gjetur zgjidhjet e duhura, ose nga ngutja përgjatë kësaj pune, ose ngaqë është gjendur ngushtë nga mungesa e përvojave të tilla në shqip, sidomos të leksikut të sferës abstrakte mendore, veçanërisht të terminologjisë kishtare dhe asaj të kulturës, prandaj atij i është dashur të realizojnë një përkthim jo gjithaq besnik, të saktë, e për rrjedhojë një përkthim përafrues. Teksti i kësaj vepre ka trajtën e gjuhës së predikut në meshë, por gjithashtu mbërrin të jetë me vlerën e një dokumenti historik dhe se “autori i saj jo vetëm nga pikëpamja e kohës, po përgjithësisht dhe e nivelit zë kryet e vendit në literaturën shqiptare të vjetrën; e në fushën e prozës poetike edhe për më vonë është vështirë t’i vihet ndonjë tjetër përkrah” (f. 45).

Në pjesën e katërt: Karakteret e shtypit dhe grafia (f. 45-60), merren në shqyrtim lëkundjet në shkrim të të njëjtave trajta të fjalëve, parregullsitë në paraqitjet grafike dhe inkonsekuencat në ortografi (të shënuarit e të njëjtave fonema me shenja grafike të ndryshme), çfarë dëshmon një ndikim të alfabetit latin-italian, të plotësuar aty-këtu me germa të përshtatura nga alfabeti cirilik sllav, çfarë nënkupton më së shumti një nismë individuale të autorit për shkak të nevojës se sa të ndikimit të tij kulturor.

Në pjesën e fundit: Transliterimi e transkribimi fonetik (f. 60-100), Çabej ka sqaruar të gjithë procesin e punës së kryer duke nisur me transliterimin, i cili nuk paraqitet thjesht si kopjim dhe riprodhim mekanik i tekstit të fotografuar me karakteret e alfabetit të sotëm, por qëndron ndërmjet tij dhe transkribimit fonetik. Transliterimi i qëndron besnik grafisë se tekstit origjinal. Në pjesën tjetër të vëllimit të parë nga faqja 105 deri tek faqja 299 është dhënë transliterimi i tekstit duke e riprodhuar në mënyrë besnike tekstin e origjinalit, pa ndërhyrë askund në të edhe përkundër gabimeve të tij. Gabimet e shtypit dhe të metat e tjera që paraqet grafia e tekstit janë dhënë në shënimet në fundfaqe. Duke qenë se edicioni do të përmbante tre format e botimit: faksimilen e origjinalit të riprodhuar në fototipi, transliterimin, i cili paraqet një lloj përpunimi të fototipisë dhe transkriptimin fonetik, një përpunim i mëtejmë i transliterimit, për të siguruar kështu një përdorim shkencor sa më të drejtë si dhe një lexim sa më të lehtë të tij, i cili përfshinte edhe shënime të kritikës së tekstit, në volumin II është dhënë faksimilja dhe në faqen përballë saj transkribimi fonetik. Në transkribimin dhe interpretimin fonetik janë ndrequr në tekst nga studiuesi vetëm ato gabime që janë dukshëm si të tilla, duke na dhënë kështu një ide shumë të qartë të karakterit fonetik të tekstit në projeksionin historik të tij në kohë, përmes caktimit të vlerës fonetike të shenjave të grafisë, të riprodhuara këto fonetikisht (edhe pse nuk është i ngulët e njësoj i vlefshëm për të gjitha rastet), në mënyrën më të mirë të mundshme të besueshme, sikurse autori vetë i ka shqiptuar ose ka dashur t’i shqiptojë në shqipen e shekullit XVI. Në fund të hyrjes (f. 100-101), autori ka vënë një bibliografi e pasur me burime referenciale që ai ka përdorur. Ribotimi i librit të Gjon Buzukut përbën një ngjarje të rëndësishme për studiuesit e shkrimeve të vjetra dhe të historisë së shkrimit shqip, por njëkohësisht edhe për vetë historinë e librit shqip. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse Meshari i Gjon Buzukut përbën një libër me rëndësi për historinë e shkrimit shqip si dhe për çdo studiues të teksteve të vjetra shqipe, lidhur me historinë e letërsisë sonë të shkruar. Historia e librit dhe përmbajtja e tij parashtronte një vështirësi jo të vogël për vetë përgatitësin e botimit kritik në fjalë, ndaj botimi filologjik i këtij libri ishte një arritje e madhe e filologjisë shqiptare, botim i cili parapriu një udhë të sigurtë në vijimin e kësaj pune me tekste dhe autorë të tjerë duke shërbyer kështu si një manual i vyer që iu bë dijes së filologjisë së tekstit. Përveç rrethanave politike dhe kishtare të kohës kur u botua kjo vepër, jetës dhe veprimtarisë së Gjon Buzukut, në pikëpamje të përmbajtjes tekstologjike, paraqitja në një formë të cunguar ka qenë realisht një pengesë objektive që e ka vështirësuar studiuesin në arritjen e përfundimeve konkrete lidhur me historinë e librit, vendin e përgatitjes dhe të hartimit, teksteve dhe autorëve kishtarë që mund të kenë shërbyer si modele apo tipografia që u përdor për botimin e tij etj., por të gjitha këto falë intuitës dhe përgatitjes filologjike të prof. Çabejit janë zvogëluar aq shumë dhe tejkaluar me sukses, sa kanë tejkaluar të gjithë kufijtë e pritshmërisë së mundshme. Studimi i tij në hyrje të vëllimit të parë, përbën një sprovë të mirëfilltë shumëdisiplinare, si hyrje e arsyetuar në historinë e letërsisë së shkruar shqiptare, e cila bashkëlidh njëherazi teologun, filologun dhe studiuesin e historisë së gjuhës shqipe, dialektologjisë historike, letërsisë së shkruar etj., ndërkohë që tërësia e shënimeve shpjeguese të pranishme në këtë botim kritik-filologjik dyvëllimësh, e në veçanti në pjesën e dytë të tij, përmbush plotësisht qëllimin, tekstin dhe kontekstin e një botimi integral si të tillë. Ribotimi i këtij libri nga botimet “Çabej” risjell në bibliotekën albanologjike një monument të gjuhës dhe letërsisë shqipe, përmes dorës së një prej personaliteteve më në shej të albanistikës. Vargu i gjatë i studiuesve që janë marrë me këtë vepër duke nisur nga Pal Schiroi, Atë Justin Rrota, Mario Roques, Namik Resuli, Filip Fishta, Gaetano Petrotta, Norbert Jokli, Eqrem Çabej, Giuseppe Valentini, Martin Camaj, Kolë Ashta, Dhimitër Shuteriqi, Injac Zamputi, Selman Riza, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Vili Kamsi, Jaho Brahaj, Wielfrit Fiedler, Rexhep Ismajli, Zeqirja Neziri, Bardhyl Demiraj, Matteo Mandalà dhe tash së fundi Lucia Nadin dhe Anton Berisha kanë bërë që kjo vepër të zërë vendin e merituar në kulturën e librit shqip, në të cilën kryet e vendit e zë Eqrem Çabej.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency