Gjakmarrja, një realitet – poetikisht e bukur

0
219

Arjan Peters

flutura acka 2E lidhur me Holandën, si rruga që ndjek pas Tiranës, shkrimtarja më aktive jo vetëm në letërsi, por edhe në shoqërinë shqiptare, Flutura Açka botohet në gjuhën holandeze. Bëhet fjalë për romanin “Kryqi i harresës”, hedhur në qarkullim në shqip në vitin 2004, përkthehet në holandisht nga përkthyesi Roel Schuyt, i cili njihet si përkthyes nga gjuha shqipe dhe me vepra e pjesë nga shkrimtarë të tjerë shqiptarë. Më poshtë sjellim kritikën në gazetën “De Volkskrant”, duke e konsideruar veprën “një thurje e bukur mes poezisë dhe realitetit me sfond gjakmarrjen…”

Në prag të ndërrimit të mileniumeve, për shkak të motit të keq, një fluturim nga Budapesti në Amsterdam mbyllet. Dy shqiptarë që kanë nisur udhëtimin nga Tirana, nisin një bisedë në hollin e aeroportit transit. Ajo është shkrimtare dhe po shkon tek i dashuri i saj në Holandë. Ai, Gjergji, është student dhe po udhëton për tek e dashura e tij holandeze.

Gjatë natës së ftohtë të dhjetorit, të cilën, për shkak të rrethanave, duhet ta kalojnë në Budapest, studenti i tregon shkrimtares se çfarë i ka ndodhur: Ai i rrëfen se është i detyruar të ndihmojë të vëllanë, i cili është përfshirë rastësisht në një gjakmarrje të ngatërruar.

Shkrimtarja roman ka disa ngjashmëri me shkrimtaren e librit, Flutura Açkën (1966), e cila në jetën reale ecejaket mes Utrehtit dhe Tiranës, ku ajo, së bashku me partnerin e saj, Richard van den Brink, drejton shtëpinë botuese “Skanderbeg Books”.

Deri sot ajo ka botuar pesë romane. I dyti “Kryqi i harresës” (“Kruis van vergetelheid”, 2004), i përkthyer kohët e fundit nga shqipja prej Roel Schuyt, i konfirmon lexuesit holandez dhjetë vjet pas botimit të tij në origjinal, atë që lexuesi në Shqipëri e di prej kohësh: Atë, se mjeshtri i vjetër, Ismail Kadare (1936), nuk është i vetmi autor i njohur prej këtij vendi jo shumë të populluar, vendi me borë, male të errëta, raki dhe mistere të lashta.

Edhe gjakmarrje. Një nga temat për të cilën edhe Kadare ka shkruar, por ai parapëlqen një formë të fshehtë të saj në rrëfimin e historisë. Flutura Açka është më e hapur.

Akoma edhe tani, pas aq shekujsh nga koha kur njerëzit që i popullojnë këto male, hartuan kanunin e tyre – sistemin e zakoneve dhe normave që rregullonte edhe gjakmarrjen, njëherësh edhe duke i ruajtur ato – mund të ndodhë të zihesh në kurthin e tij.

E parë nga larg, siç bën në krye edhe shkrimtarja e “Kruis van vergetelheid” (Kryqi i harresës), duket romantike që autorit të krimit i lejohet të marrë pjesë në funeralin e viktimës së tij, edhe madje pritet me mirënjohje nga familja e viktimës.

Por pas kësaj, ai duhet të nxitojë, sepse familjes në zi i duhet të vendosë për marrjen e hakut ndaj viktimës – gjë që mund të zgjasë ndonjëherë dhjetëvjeçarë të tërë.

Jo, realiteti nuk është aq piktoresk, i ankohet Gjergji shkrimtares. Vëllai i tij është thjesht dëshmitar i një vrasjeje në mes të ditës dhe vetëm sepse rastisi të ishte aty, tani është i detyruar prej familjeve që janë në hasmëri mes tyre, që të mbajë anë. Si mund të dilet nga ky cikël fatkeqësish,vrasje dhe kundërvrasje, një cikël që në këtë rrëfim nisi 60 vjet në parë për shkak të një fyerje mes paraardhësve të tyre?

Më shumë se nga zakonet e lashta që përshkruhen në të, magjia e këtij libri vjen nga stili i Açkës, me përfytyrime dhe skena të gjalla, që ndonjëherë kanë elementë të sagave të vjetra: “Ai iu afrua xhamave të hollit, prej ku një qiell i plumbtë, na e bënte beft zymtinë, si një rrobe e harruar në kushedi ç’kënd dhe që na ishte shfaqur para syve një tjetër stinë, kur nuk na duhej”.

Me një kontrast të bukur me këtë botë, shkrimtarja përshkruan edhe të dashurën holandeze të Gjergjit, Anjan, një gazetare radioje, e cila pas një kohe qëndrimi në Romë, po përpiqet të natyralizohet sërish me jetën e atdheut të saj: Ndërsa po ecën me biçikletë në qendër të Amsterdamit, ajo ndien zërin e një burri që e thërret, por jo për t’i shprehur admirim për pamjen e saj, por për t’i thënë Anjas se po i jepte biçikletës në rrugën e këmbësorëve. Zbrit nga biçikleta, zonjushë.

Në këtë roman, poezia dhe realiteti thuren mrekullisht. Vetë Açka na e tregon se si një tjetër qasje mund të hapë perspektiva të reja për shekullin e ri: Përmes lëvizjes së lirë mes kohëve dhe kulturave, ajo [Açka] na ndihmon të shohim se ndarja nga traditat e ngurta është e mundshme.

Përkthyer nga shqipja në holandisht nga Roel Schuyt

 

 Pasionet shqiptare në “tregun” holandisht

E lidhur me Holandën, si rruga që ndjek pas Tiranës, shkrimtarja më aktive jo vetëm në letërsi, por edhe në shoqërinë shqiptare, Flutura Açka, botohet në gjuhën holandeze. Bëhet fjalë për romanin “Kryqi i harresës”, hedhur në qarkullim në shqip në vitin 2004, përkthehet në holandisht nga përkthyesi Roel Schuyt, i cili njihet si përkthyer nga gjuha shqipe dhe me vepra e pjesë nga shkrimtarë të tjerë shqiptarë, si: Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Xhevahir Spahiu, Helena Kadare, Eqrem Basha e Ardian Klosi.

Pak ditë pas botimit të “Kruis van vergetelheid” (Kryqi i harresës), njëra prej dy gazetave më të rëndësishme holandeze, “De Volkskrant”, në suplementin e saj letrar të datës 31 maj 2014, boton një vështrim kritik për këtë roman të njërit prej kritikëve më me zë, që drejtojnë sot opinionin letrar në Holandë, ku e vlerëson romanin e autores shqiptare.

Për shkak të një fluturimi ajror të mbyllur, një shkrimtare e re gjendet në mes të një historie tronditëse që ngjet mes Shqipërisë dhe Holandës. Rikthimi i një gjaku gjashtëdhjetëvjeçar, një fëmijë dëshmitar dhe peng i tij, një djalë i ri me dilemat e emigrimit, një dashuri e fuqishme, por e dyzuar, një tjetër burrë fatkeq nën hije paranojash, një e huaj në udhëkryqet shqiptare, një familje, një qytet e më gjerë në “grackën” e Kanunit të Lekë Dukagjinit, si njerëz me fatin e varur te befasia – plazmojnë bashkë jetën në një libër të vetëm. Fatalitet, rikthimi përmbysës i së shkuarës, kërcënimi nga barbaria, shpresë diabolike, marrëzi dashurore, seks, udhëtime të prera, besë, mosbesim, gjak që përzien personazhe të tëra, dy botë që përplasen herë pa u pajtuar, herë duke u tretur në një. Autorja sjell në këtë roman një kryq harrese, me qëllimin për të trokitur dhe zgjuar kujtesën kolektive shqiptare.

Flutura Açka njihet si poeteshë, prozatore, publiciste e botuese. Ajo ka lindur në qytetin e Elbasanit në vitin 1966. Është diplomuar për Statistikë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës më 1988 e më vonë për Gjuhë-Letërsi më 2001 në Universitetin e Elbasanit. Në fillim të viteve ‘90, punoi si gazetare dhe më pas administratore dhe redaktore e botimeve në shtëpinë botuese “Onufri”. Në vitin 2001, themeloi shtëpinë e saj botuese “Skanderbeg Books” me qendër në Tiranë, dega e botimeve në holandisht e së cilës drejtohet nga botuesi me përvojë Richard van den Brink.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency