Atentati/ Plumb në kokë ish-drejtorit të CEZ, Viktor Skeja

0
161

 Anxhela Tato

Viktor Skeja vrasja 5 Makina me targa kosovare i kishte zënë pritë viktimës, dyshimet se autorët janë vrasës me pagesë

Dëshmitarja: Dëgjova të shtëna, dola jashtë dhe pashë makinën me xhama të thyer, brenda një njeri i gjakosur

Masakrohet me breshëri automatiku ish-drejtori i CEZ për Laç, Viktor Skeja. Pas një atentati të dështuar në muajin shtator të vitit të kaluar, autorët kanë riprovuar, këtë herë duke e mbajtur nën vëzhgim çdo lëvizje të viktimës. Ishte ora 14:30 minuta kur Viktor Skeja po parkonte anës rrugës në lagjen “Riza Cerrova” dhe në ato momente i është afruar me shpejtësi një automjet me targa kosovare, nga i cili është hapur zjarr. Por ka mjaftuar vetëm një plumb në kokë për t’i marrë jetën 47-vjeçarit. Të alarmuar nga të shtënat banorë të zonës kanë dalë me shpejtësi ku kanë parë një makinë me xhama të thyer dhe trupin e një personi të gjakosur. Forcat të shumat policie kanë mbërritur në vendngjarje, duke nisur nga hetimet për zbardhjen e detajeve të krimit të rëndë. Sipas dyshimeve të bluve autorët e krimit mund të jenë dy persona, por momentalisht nuk ka ende të dhëna për identikitin e tyre. Nga banorë dhe dëshmitarë okularë është bërë me dije se ka qenë një makinë “Golf 3” me ngjyrë të zezë dhe targa kosovare, në pritje të viktimës. Por nuk ka qenë e mundur që të shikonin sesa persona ishin brenda apo fytyrën e autorit të krimit. Të tmerruar nga skena disa prej dëshmitarëve kanë tentuar që të largohen. Policia ka marrë në pyetje banues të zonës përreth dhe disa familje në afërsi të vendit ku ishte parkuar makina e viktimës. Por askush prej tyre nuk ka arritur që të shikojë autorët e krimit. Kjo është hera e dytë që viktima vihet nën shënjestër, dhe dyshimet janë se autorët e krimit mund të jenë vrasës me pagesë.

 

Ngjarja

Sipas informacioneve nga blutë e Tiranës, autorët dyshohet të kenë ndjekur itinerarin e lëvizjeve të Viktor Skejës dhe kanë pritur momentin kur ish-kreu i Cez-Shpërndarje në Laç është futur në makinën e tij të parkuar në një nga rrugicat e rrugës “Riza Cerova”. Dy persona mendohet të jenë përfshirë në këtë atentat. Një person ka drejtuar automjetin tip “Golf 3” me ngjyrë të zezë, ndërsa personi që dyshohet se ka kryer atentatit mendohet të jetë ulur mbrapa, në vendin e pasagjerit, ka ulur xhamin dhe ka qëlluar me breshëri automatiku ndaj Skejës, i cili ndodhej i vetëm në makinë. Plumbat kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 47-vjeçarit. Mësohet se Skeja është qëlluar me 10 plumba, një prej të cilëve e ka goditur në kokë dhe të tjerët në organet jetësore. Janë thyer jo vetëm xhamat e automjetit të Skejës, por dy nga plumbat kanë goditur dhe murin rrethues të një banese që ndodhej ngjitur me automjetin e parkuar. Trupi i pajetë i Skejës është nxjerrë nga makina rreth orës 16:30 dhe është transportuar me autoambulancën për t’u transportuar drejt morgut të kryeqytetit. Në vendngjarje ka mbërritur dhe kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa. Pak pas vrasjes në vendngjarje mbërritën dhe të afërm të Skejës. Ka qenë nipi dhe xhaxhai i Skejës, të cilët kanë pasur dhe një konfrontim me policinë, pasi kanë tentuar të hyjnë brenda rrethimit të vendit ku ndodhi krimi.

 

Policia

Dyshimet e bluve janë se krimi është kryer nga vrasës me pagesë. Sipas mekanizmit të ngjarjes makina me targa kosovare ka qenë nën vëzhgim të çdo lëvizjeve të viktimës, duke e survejuar. Vrasësit i kishin zënë pritë 47-vjeçarit dhe në momentin që ai po parkonte i janë afruar duke e qëlluar me breshëri. Ndonëse në mes të drekës në një lagje shumë të banuar dhe populluar, e rrethuar nga lokale dhe dyqane, autorët kanë vepruar me gjakftohtësi duke mos u trembur nga dëshmitarë okularë. Sipas policisë viktima është qëlluar 10 herë duke u lënë i vdekur në vend. Ndërsa automjeti është larguar me shpejtësi, ende nuk janë gjetur gjurmë në vendngjarje që të çojnë në idetifikimin  e tyre. Janë thjesht dyshime të pakonfirmuara për dy persona si autorë të krimit. Policia është përqendruar tek konfliktet e hershme të viktimës. Për blutë viktima është i skeduar për trafik lëndësh narkotike, çka mund të jetë motivi i krimit. Por ende nuk ka prova të sakta që të verifikojnë dyshimet e policisë. Në vendin e ngjarjes janë mbledhur 10 gëzhoja, të cilat janë dërguar për ekzaminim në laboratorin shkencor. Trupi i pajetë i 47-vjeçarit ndodhet në morg, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Për blutë kjo ngjarje është një atentat mafioz i planifikuar, duke e lidhur edhe me incidentin e ndodhur në shtator të vitit të kaluar, ku fatmirësisht viktima ia hodhi me ca plagë të lehta. Por as për atë ngjarje nga an e bluve nuk pati persona të identifikuar si autorë të krimit.

 

Dëshmitarë

Banorë të zonës kanë njoftuar policinë për krimin e rëndë, ndërsa akne dashur t’i vijnë në ndihmë viktimës. Por ka qenë e kotë, pasi 47-vjeçari kishte humbur jetën në vend. Një prej banoreve të zonës tregon se në momenti kur ka dëgjuar të shtënat ishte duke parë televizor. Në fillim ka menduar se ishin fishekzjarr, por intensiteti sa vinte dhe shtohej. “Ishte vakt dreke dhe ishte qetësi, pasi kjo zonë nuk është shumë e zhurmshme dhe është rrugicë që lidh dy rrugë. Si pleqëri që jam isha ulur para televizorit dhe po më vinte gjumë, kur kam dëgjuar të shtënat. Unë mendova se ishin fishekzjarr, pasi nuk arrij dot t’i dalloj. Ishin shumë afër shtëpisë dhe nuk pushonin. Pak çaste kaluan kur pashë në televizor që ishte varë një person në rrugën time. Dola jashtë e trembur dhe aty ishte makina, xhama të thyer. Më vonë erdhi edhe policia dhe nuk u afrova. Është shumë e frikshme se në çfarë vendi jetojmë ne, ke frikë të lëvizësh në rrugë”, – shprehet e moshuara. Trupi i pajetë i viktimës është parë nga një banore e zonës. Ajo rrëfen se pas krismave ka dalë e tmerruar nga banesa. “Isha shtrirë dhe u dëgjua një zhurmë aq e fortë sa mendova se ishte tërmet. U tremba madje dhe u ngrita me vrap, sa alarmova edhe bashkëshortin tim. Dëgjova sërish këtë zhurmë dhe dola me vrap jashtë. Pashë makinën e parkuar, xhama të thyer dhe kur u afrova ishte një burrë i gjakosur. Doja që t’i jepja ndihmë, por më ndaloi bashkëshorti. Më tha që të mos e prekja, pasi do të vinte policia dhe nuk duhet ta lëvizja. Ne nuk e njohim viktimë dhe as nuk e dimë se kush është, ai nuk është banor i zonës.

 

Vendimi i Gjykatës/ Dod Gjoka akuzë  Viktor Skejës për falsifikim dokumentesh, konflikti për 9200 m2

Zbardhet vendimi i vitit 20122 i Gjykatës së Lartë ku përmendte emri i Viktor Skejës, si person i akuzuar për falsifikim dokumentesh për përfitimin e 9200 metër tokë. Paditësi ishte Dod Gjoka, i cili kërkonte rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Kurbinit për vijimin e hetimeve ndaj padisë kundër Skejës. Dodo Gjoka pretendonte se ai dhe Skeja kishin arritur të përfitonin të njëjtën sipërfaqe tokë në saj të ligjit 7501, por sipas tij dokumentet e Skejës ishin false. Në këtë vendim të Gjykatës së Lartë thuhet se Skeja ka ndryshuar gjeneralitetet në Armand Gjeta. “Ankuesi Dod Gjoka është banor i Rrethit të Kurbinit. Në periudhën 18.03.1990-26.12.1992 ankuesi ka qenë i punësuar si punëtor bujqësie në ish-Ndërmarrjen Bujqësore Gjorëm. Mbas shpërbërjes së ndërmarrjes bujqësore pasuria e saj ka kaluar në proces privatizimi, ku ndër të tjera dhe toka bujqësore që ai posedonte. Nga ky proces ka përfituar edhe ankuesi Dod Gjoka, të cilit në bazë të ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, i është dhënë në përdorim një sipërfaqe toke bujqësore prej 9200 m2 (nëntë mijë e dyqind), me vend-ndodhje të ngastrës në bllokun nr.78, ngastra me nr.58. Ankuesi rezulton që të jetë pajisur nga komisioni i ndarjes së tokës i Bashkisë Laç me aktin e marrjes së tokës në përdorim me nr.136 regjistri, me datë lëshimi muajin janar të vitit 1995. Ai e ka poseduar këtë sipërfaqe toke bujqësore në bazë të aktit të përdorimit. Me daljen e ligjit nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” dhe akteve të tjera nënligjore, i cili i njihte të drejtën ish-punëtorëve të ndërmarrjeve bujqësore të cilët kishin marrë tokë në përdorim t’a kalonin në pronësi pa kundërshpërblim, Dod Gjoka ka paraqitur kërkesë së bashku me dokumentacionin përkatës për t’i kaluar në pronësi sipërfaqja tokë arë 9200 m2, të cilën e kishte në përdorim. Komisioni i ndarjes së tokës ka refuzuar ta pajisë me aktin e marrjes në pronësi, mbasi këtë sipërfaqe toke i’a kishte kaluar me parë në pronësi shtetasit Armand Gjeta. Ky shtetas disponon aktin e marrjes së tokës në përdorim, ashtu si edhe ankuesi Dod Gjoka me të njëjtin nr.regjistri, nr.137 regj, të lëshuar në muajin janar 1995, sipas të cilit ka përfituar të njëjtën sipërfaqe toke në përdorim prej 9200 m2 me nr.parcele 78-58”, – thuhet në vendimin e gjykatës.

 

Vendimi

Kolegji Penal vlerëson se prokurori ka dështuar në respektimin e këtij parimi në rastin e hetimit të kallëzimit të ankuesit Dod Gjoka duke mos verifikuar nëpërmjet provave të gjitha pretendimet e ngritura dhe të rrethanave të faktit të cilat provohen prej tyre. Nga përmbajtja e kallëzimit si dhe provat që mbështesin pretendimin e tij rezulton se për të njëjtën sipërfaqe toke me të njëjtën vend-ndodhje sipas numrit të parcelës, Komisioni t’i ketë kaluar të drejtën e përdorimit të dy personave; kallëzuesit dhe të kallëzuarit, në mënyrë të pavarur. Pavarësisht se prokurori e ka argumentuar si konflikt civil duke i quajtur si të rregullt dhe të lëshuar nga komisioni i ndarjes së tokës të dy aktet e marrjes së tokës në pronësi, ky konkluzion nuk është nxjerrë në bazë të një hetimi të plotë dhe të anashkalimit të disa fakteve të cilat provojnë ekzistencën e dyshimit se fitimi i pronësisë nga ana e të kallëzuarit Armand Gjeta është bërë në bazë të dokumenteve të falsifikuara. I kallëzuari Armand Gjeta rezulton të jetë pajisur me aktin e marrjes së tokës në përdorim në muajin janar të vitit 1995. Ndërkohë akti i marrjes së tokës në pronësi i është dhënë atij në muajin mars 1996. Sipas akteve të gjendjes civile rezulton se në kohën e lëshimit të këtyre akteve i kallëzuari ka pasur gjeneralitetet Viktor Skeja. Me vendimin nr.11, datë 25.02.1997 të Këshillit të Bashkisë Laç i kallëzuari ka ndryshuar emrin nga “Viktor” në “Armand”, dhe me vendimin nr.15, datë 20.05.1997 ka ndryshuar mbiemrin familjarisht nga “Skeja” në “Gjeta”. Pra në kohën kur ka përfituar të drejtat e pronësisë shtetasi Armand Gjeta nuk kishte si t’i lëshohej dokumenti me këto gjeneralitete për shkak se ato i përkasin një periudhe të mëvonshme, ç’ka të lë të dyshosh se si akti i marrjes së tokës në përdorim ashtu edhe akti i marrjes së tokës në pronësi janë të falsifikuar.Edhe mbas prishjes së vendimit, prokurori i ngarkuar me hetimin e çështjes përsëri mbas dy muajsh, me vendimin e datës 24.06.2008, pa kryer asnjë prej veprimeve të urdhëruara nga gjykata dhe drejtuesi i prokurorisë, përsëri pa ndonjë shkak të ligjshëm ka vendosur pushimin e gjykimit. Ky fakt e ka detyruar ankuesin Dod Gjoka t’a kundërshtojë vendimin e pushimit në gjykatë dhe ta detyrojë prokurorinë të vazhdojë hetimin.

 

Durrës/ Arrest me burg ish-grevistit Asllan Patrioti, nën akuzë për mashtrim

Gjykata e Durrësit vendosi dje masën e sigurisë burg pa afat për Asllan Patriotin, koordinatori i grevës së ish-të përndjekurve politikë në tetor të vitit 20112, i akuzuar për veprën penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Në seancën gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme në orën 10:00, në ngarkim të Patriotit, gjyqtarja Shpëtime Pitaku vendosi masën e sigurisë arrest me burg pa afat ndaj tij. Asllan Patrioti u arrestua më 29 maj të këtij viti, me akuzën se mashtronte qytetarët se do t’i dërgonte jashtë shtetit kundrejt shumave 2-5 mijë euro. Ai u premtonte qytetarëve se do t’i përfshinte në skemën e të pastrehëve duke u siguruar atyre dërgimin drejt SHBA-së dhe Kanadasë. Arrestimi i tij erdhi pas denoncimeve të bëra në polici nga qytetarët. Kjo nuk është hera e parë që ish-koordinatori i grevës së 2012 të të përndjekurve politikë akuzohet për mashtrim. Më 17 tetor 2012, tre ditë pas përfundimit të grevës së ish-të përndjekurve, policia arrestoi Patriotin pas sipas policisë Patrioti i kishte marrë një shumë parash një shtetasi italian, Massimiliano Niçolini, me pretendimin se i kishte gjetur makinën e tij të vjedhur.

 

Fushë-Krujë/ Zjarr makinës së tregtarit, shkak konkurrenca

Konkurrenca mes tregtarëve duket se është shkaku kryesor për djegien e një makine mbrëmjen e së shtunës në Fushë-Krujë. Mjeti tip Ford “Fiesta” me targa AA 654 HH ishte në pronësi të tregtarit të fruta perimeve Shtjefën Kaci, i cili është banues i Fushë-Krujës. Zjarrvënia duket e qëllimshme dhe dyshohet se shkak për të është bërë konkurrenca. Policia e Krujës nuk ka shoqëruar asnjë person për këtë ngjarje, por priten hetime për të zbardhur shkaqet e vërteta të kësaj ngjarje.

 

Policia e Shtetit/ Alban Ahmeti emërohet në krye të forcave operacionale

Alban Ahmeti është emëruar ditën e djeshme Drejtor i Posaçëm Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, duke zëvendësuar kështu ish-drejtorin e liruar nga puna në këtë pozicion pak ditë më parë, Albert Patajn. Ahmeti, i cili deri më tani ishte shef i Komisariatit nr.4 në kryeqytet, do të zërë vendin e Albert Pataj, ndërsa në krye të komisariatit nr.4 është emëruar Eduard Meshini. Lëvizjet në policinë e shtetit janë bërë nga Drejtori i Përgjithshëm, Artan Didi i cili ka firmosur këto lëvizje. Emërimi i Ahmetit, vjen pak ditë pas lëvizjeve të bëra në kupolën drejtuese të policisë së shtetit të cilat çuan në lirimin nga detyra të Drejtorit të Posaçëm të Forcave Operacionale Albert Pataj, i cili është nxjerrë në dispozicion në pritje të emërimit në një vend tjetër. Po ashtu edhe Sokol Çela nga drejtor i Policisë së Kufirit në Vlorë është emëruar Drejtor i Kufirit dhe Migracionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërkohë sipas policisë largimi i Patajt nga detyra që mbante është bërë me motivacionin: “Performancë të ulët të tij dhe strukturës që ai drejton” lëvizje këto të cilësuara normale në strukturën e Policisë së Shtetit me qëllim rritjen e perfomancës së uniformave blu.

 

Tiranë/ Makina përplaset me motorin, 2 të plagosur

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e djeshme tek ish ekspozita në kryeqytet. Mësohet se aksidenti është shkaktuar pasi një motor ka goditur një automjet. Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur 2 persona, të cilët ishin në motor. Bëhet fjalë për drejtuesin e motorit, N.C 20 vjeç, A.Sh 21 vjeç. Mësohet se drejtuesi i motorit paraqitet në gjendje kritike për jetën. Sipas informacioneve, mësohet se automjeti i përfshirë në aksident është me targat AA073CJ, ndërsa motori me targën CAD472. Ndërkohë, policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Shkodër/ Bie në greminë 100 metër, humb jetën turisti çek

Ka qenë duke soditur natyrën e virgjër të Thethit, por ka rrëshqitur e  ka rënë në greminë e për pasojë ka humbur edhe jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së dielës në fshatin e Ndërlysës në komunën e Shalës kur turisti çek, 44-vjeçari David Polach i shoqëruar edhe nga 3 turistë të tjerë çek kanë qenë duke shkuar pranë Syrit të Kaltër me motoçikleta, për ta vizituar atë. Ndërsa ka qenë duke lëvizur pranë një shtegu 44-vjeçarit Polach i ka rrëshqitur motoçikleta dhe ka rënë në greminë në një thellësi prej 70-100 metrash. Edhe pse shokët e tij të ndihmuar edhe nga banorë të zonës janë përpjekur për t’i ardhur në ndihmë, përpjekja e tyre ka qënë e kotë për shkak të terrenit mjaft të thyer, ndërsa 44 vjeçari ka humbur jetën menjëherë. Është dashur ndërhyrja e forcave të policisë së Shkodrës si dhe mbërritja e një helikopteri nga Tirana për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë të turistit çek pas afro 1 ore e gjysmë. Ndërkohë trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës. 44-vjecari Polach gjendej në Theth prej 3 ditësh së bashku me 3 miqtë e tij çek, ndërsa kishte zgjedhur të dielën për të vizituar Syrin e Kaltër. Mirëpo mungesa e vëmendjes dhe lagështira kanë bërë që 44-vjecari të rrëshqasë e për pasojë të humb edhe jetën.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency