Akuzat e batutat mes Berishës, Ramës, Islamit, Metës e Topallit

0
155

Florenc Drizari

kuvendi djeKomisioni hetimor/ Berisha: S’shkel më në Parlament, nëse s’faktoj lidhjet e Ramës me krimin

 Kryeministri Rama, Berishës: Nuk merrem më me ty

Seanca e djeshme plenare u përfshi në debate të ashpra dhe shkëmbime akuzash mes ish-kryeministrit Berisha dhe kreut të qeverisë, Edi Rama, lidhur me ngritjen e komisionit hetimor për drogën si dhe implikimet e mundshme me krimin. Ish-kryeministri Berisha deklaroi për herë të parë nga foltorja e Kuvendit se nëse nuk fakton lidhjet e Kryeministrit Rama me krimin, ai nuk do të jetë më pjesë e Parlamentit, ndërsa në replikë më të, kreu i ekzekutivit tha se ndaj tij janë ngritur tri komisione hetimore dhe asgjë nuk është faktuar. Berisha deklaroi publikisht se disponon biseda të Ramës me persona të inkriminuar, një pjesë e tyre të ndaluar nga drejtësia shqiptare, dhe nëse mazhoranca ngre komisionin e kërkuar nga opozita për hetimin e këtyre akuzave, përfshirë këtu edhe ato për drogën, ai tha se do t’i publikojë provat dhe do t’i dorëzojë në Prokurori.

 

Berisha

“Doni t’i bëj publike të gjitha bisedat e tij (Ramës)? Janë me kilometra e kilometra dhe i disponoj ato. Nëse nuk ka frikë, le të ngrejë komisionin dhe t’ia paraqes të gjitha komisionit. Biseda me intemët e tij serial killer… ta mban? S’ta mban. Ja ku është Kushtetuta. Nëse unë nuk të faktoj lidhet, atëherë unë mbaj përgjegjësi para shqiptarëve. Prandaj jam ky që jam këtu, sepse kam thënë të vërtetat dhe do të vazhdoj t’i them ato, pavarësisht kujt i dhemb dhe kujt i djeg. Ja ku e keni frikacakun që ka frikë nga komisioni hetimor”, – deklaroi Berisha. Nga ana e tij, Kryeministri Rama, duke folur për tri komisionet e ngritura ndaj tij, tha se provat që pretendon se disponon Berisha, t’i dorëzojë në Prokurori.

“Çfarë do të bësh ti më shumë në një komision hetimor që çohesh e akuzon. Jo zotëri. E ke Prokurorinë në dispozicion, janë gati. Shko në Prokurori dhe bëhu një herë burrë dhe pranoje që s’ke asnjë provë për ato që flet dhe arsyeja që i sulmon kundërshtarët e ty në këtë mënyrë dhe arsyeja pse e ke bërë politikën shqiptare një kanal llumi e di se cila është? Se je në gjendje t’i bësh vetë ato që i akuzon të tjerët”, – deklaroi Rama. Pas disa replikave të njëpasnjëshme të shkëmbyera me ish-kryeministrin Berisha, Rama tha se nuk do të merrej më me atë në Kuvend nëse provat nuk do të dërgohen në organin e akuzës.

“Sot solemnisht jap fjalën këtu që në këtë sallë unë nuk merrem më me ty dhe ne do të mbajmë vendimin që ty do të lëmë të flasësh sa të duash, sepse shqiptarët nuk duhet ta harrojnë se kush je ti. Ne do të respektojmë nevojën e njerëzve se kush i mbajti peng gjithë këto vite”, – deklaroi Rama. Në fjalën e tij Berisha denoncoi qëndrimin e qeverisë ndaj dy grevave të urisë të ngritura prej disa ditësh, një për rikthimet në punë pranë Kryeministrisë dhe greva tjetër përballë godinës parlamentare nga ish-të përndjekurit politikë, duke thënë se nuk ka asnjë reagim dhe iniciativë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që protestojnë për të drejtat e tyre.

 

Debatet Berisha-Rama për drogën dhe Enverin

Berisha: Kjo drogë bën që llumi i llumit të kapë të gjitha nivelet e përfaqësimit të këtij vendi. Kjo drogë do të bëjë damkosje e Shqipërisë si kombi i kanabisit, prandaj ky kërkon t’u mbyllë gojën njerëzve. S’e mbyll dot gojën kurrë ti mor. Ku të përfillim ty ne as të fusim fare në defter.
Rama: Një komision për çështjen e trafikut të drogës hetimor ky Parlament e ka ngritur…
Berisha: Antikushtetues!
Rama: Provo (Berishës) një akuzë të vetme dhe unë ta kam thënë se çfarë bëj. Kur nuk e ke kurajën t’i dalësh ballë për ballë shqiptarëve dhe t’u thuash që kjo është prova që kam, por nuk e provon dot. Kjo është fatkeqësia e madhe e asaj partie që ka ngel në dorën tënde dhe të Kaçit…

Rama: Çoje kokën dhe më shih në sy këtu! Çoje kokën! Se e ke edhe këtë zakon ti që kur t’i thonë të vërtetat nuk i sheh në sy, se je mësuar t’u flasësh tyre që të gjithë hutohen kur flet ti.
Berisha shkruan tek I-PAD-i i tij.
Rama: Çoje kokën e më shih në sy këtu. Një sfidë kemi ne këtu në sallë që kur budallai të hedhë gurin, ne të mos shkojmë pas gurit. Kaq dhe ne nuk shkojmë pas gurit, por kemi detyrën që ta respektojmë praninë tuaj këtu edhe kur të flisni jashtë çdo rregulloreje këtu. Sa të keni Kaçin dhe Saliun këtu nuk do ta kapni ndonjëherë veten.
Berisha: Latini thotë “sytë pasqyrë e shpirtit”. Po kush tha që do të prish humorin e tij duke parë një shpirt të zi me dy sy asnjeri. Ndaj dhe një mijë herë që do të shoh, por sot nuk ishe siç ishe herën e kaluar që bëje lëvizje vertikale dhe horizontale të pakontrolluara, tipike të diktuara nga overdoza. Pra, thirrja jote për të fituar vëmendje është një zë në shkretëtirë.
Rama: Shko e provo një provë dhe unë e kam thënë se çfarë do bëj unë. Po të kërkoj një gjë më të thjeshtë. Bashkë me Kastriotin…
Berisha: Doni t’i bëj publike të gjitha bisedat e tij (Ramës)? Janë me kilometra e kilometra dhe i disponoj ato. Nëse nuk ka frikë, le të ngrejë komisionin dhe t’ia paraqes të gjitha komisionit. Biseda me intemët e tij serial killer… ta mban? S’ta mban. Ja ku është Kushtetuta. Nëse unë nuk të faktoj lidhet, atëherë unë mbaj përgjegjësi para shqiptarëve. Prandaj jam ky që jam këtu, sepse kam thënë të vërtetat dhe do të vazhdoj t’i them ato, pavarësisht kujt i dhemb dhe kujt i djeg. Ja ku e keni frikacakun që ka frikë nga komisioni hetimor.
Berisha publikon videon e Metës për Ramën, debate me Kryeparlamentarin

Berisha: Meqenëse i tha Kastriotit se çfarë ka thënë RD-ja, unë nuk po i them se çfarë ka thënë gazeta e Ilirit për Ramën apo e Ramës për Ilirin, por po i paraqes këtu se çfarë ka thënë Iliri për Ramën.
(Berisha tregon videon nga “Youtube” të Metës për Ramën para zgjedhjeve me I-PAD dhe e vendos në mikrofonin e foltores së Kuvendit). A dëgjohet? Zoti Meta, ju lutem!
Meta: Thoni po të doni që nuk është njeri i kohës. Të lutem zoti Berisha, se nuk e parashikon rregullorja këtë lloj demonstrimi.
Berisha: Ju lutem, kamerat ju vjen zëri apo jo, se tek ju e kam hallin e jo tek këta?
Meta: Ore lëre zërin tim, por po mbaron koha këtu. Po merri ato e bëji spote e mos i lodh njerëzit tani.
Berisha: E vërteta ju ofendon, e vërteta ju dhunon.
Meta: Nuk jam dakord me ato që tha Doktori se e vërteta është vetë Doktori se ai as dhunon, as ofendon.
Berisha: Zoti Meta, kur ai lexoi RD-në, ti nuk e ndërpreve, tani unë po jam ty live se çfarë ke thënë ti për atë.
Meta: Po ta japësh dakord, por shko e gjej ndonjë TV ta japësh, se këtu jemi në Parlament.
Berisha: Nuk po jap Dritan Priftin, por po të jap ty.
Meta: Po këtu jemi në Parlament.
Berisha: Jemi në Parlament, salla e të vërtetave është Parlamenti.
Meta: Këtu jemi në Parlament dhe nuk kam asnjë merak për të vërtetat. I vetmi problem është se kur të vërtetat vihen në gojën tënde, deformohen, ky është i vetmi problem.
Berisha: Edhe qymyri pësoi deformim, e di mirë ti. Kaq ishte për t’u dëshmuar (mbyll I-PAD-in). Ramës: Ta mban? Krijo komision parlamentar dhe nëse unë para shqiptarëve nuk nxjerr në dritën e diellit lidhjet e tua për atë çfarë të akuzoj, unë nuk shkel më në këtë Parlament. Kjo është e tëra!
Meta: Jo këtë nuk e pranojmë. Po ikët ju, do iki dhe unë nga Parlamenti pastaj.
Berisha: E di si je ti apo jo?
Meta: Ky është betim që nuk pranohet.

 

 Për ish-të përndjekurit/ Rama: Respektoj grevën, por asgjë më shumë

 Kryeministri: Të dalë kryetari i grevës që nuk ka bërë asnjë ditë burg, pastaj dialogu

 Greva e një grupi ish-të përndjekurish politikë ndezi debate edhe në seancën e djeshme plenare. Pas akuzave të opozitës ndaj krerëve të mazhorancës se nuk po bëjnë asgjë për të dëgjuar kërkesat e ish-të përndjekurve, reagoi edhe Kryeministri Rama, i cili tha se respekton të drejtën e tyre për të hyrë në greve urie dhe se ka ngarkuar ministrin për Çështjet Sociale dhe Rininë, Erion Velinë, për të hyrë në bisedime. Sipas Ramës, nëse nuk dorëhiqet koordinatori i grevës, Fatmir Hoxha, nuk ka bisedime më, për faktin se, sipas Kryeministrit, kreu i grevistëve nuk ka bërë asnjë ditë burg dhe ka privatizuar godinën e ish-të përndjekurve.

 

Rama

“Maksimumi që mund të bëjmë për atë grevë është thjesht dhe vetëm që ta respektojmë si grevë, por më shumë s’kemi çfarë të bëjmë. Do kisha shumë dëshirë të bënim menjëherë. E kam ngarkuar ministrin e Çështjeve Sociale edhe me ata që janë në grevë që të fillojë dialogun, por përpara se të fillojë dialogu, duhet të dalë kryetari i grevës që nuk ka bërë asnjë ditë burg. Të dalë dhe të vazhdojë dialogu”, – deklaroi Rama.

Kreu i ekzekutivit deklaroi se do të dëmshpërblehen të gjithë ata ish-të përndjekur, për shkak të viteve të burgut apo persekutimit shumë shpejt me këstin e tyre të parë. Sipas tij, numri i tyre arrin në 1 mijë persona. Ndërkohë, sipas tij është bërë e mundur dhënia e dëmshpërblimit për 1 mijë ish-të përndjekur të tjerë.

“Çdo i përndjekur që beson tek këta (PD) dhe të dëgjojë këta, dua të them se në 4 muaj, 1 ish-të përndjekur morën këstin që nuk e kishin marrë për 8 vite. Vetë kryetari i të përndjekurve e mori këstin e parë tani. Ata që nuk kanë marrë këstin e parë, që janë rreth 1 mijë të përndjekur, do të marrin dëmshpërblimin. Nuk e mbaj dot, pasi ju shikoja tek flisnit për Enverit, njërin e keni mes jush. Kur flisni matuni mirë”, – tha gjatë fjalës së tij Rama.

Më herët në Parlament deputeti i opozitës Eduard Halimi bëri përgjegjës Kryeministrin për fillimin e grevës së urisë nga ish-të përndjekurit politikë.

“Ai është fajtori i grevës së ish-të përndjekurve, pasi u premtoi shumë gjera, por ata tashmë ndihen të tradhtuar dhe kanë plotësisht të drejtë të protestojnë. Ai është përgjegjës, por nëse mendon se do ti mbyllësh gojën deputetëve të opozitës, e ke ti përgjegjësin. Nëse mendon se do kërcënosh grevistët, qoftë dhe një fije floku, fajin e ke ti dhe do dënohesh”, – tha Halimi. Sipas deputetit Halimi, kjo është një sjellje që po e çon në fund të ringut opozitën, dhe qytetarët një rrugë pa krye.

 

Rama për sherrin e deputetëve

“Jam absolutisht i keqardhur edhe për atë që ka ndodhur dhe tërësisht i bindur se të gjithë ata që ishin të përfshirë, duhet të mos ishin këtu sot në këtë sallë, për një ndëshkim në formën e përbashkët tonë që kjo histori të mos vazhdojë kështu”.

 

Rama, Islamit: Spiun kur ishte student në Francë 

Deputeti: E kam nxjerrë nga Kryeministria, se ka ardhur me brekë

Islami: ky është Kryeministri më qesharak, më injorant, më mediokër, që kanë 28 vendet kandidat… ky adhuron Enverin, është tipik enverist i gardistëve të Mao Ce Dunit. Ky është një komunist pervers! Interesi i tij është që të bëhet oligark, si Putini.
Rama: Sikur të ngjallej Enveri kë do mbante mend nga ne të tre?
Islami: Shko e bëj testin e drogës!
Rama: Po të ishte Enveri tani këtu, kë do njihte nga ne të tre? Do njihte sekretarin e vet të Partisë, do njihte edhe profesorin e vet që e bëri Kryetar Parlamenti. Mua Enveri nuk do më njihte.
Islami: Shko e bëj testin, je i zverdhur e po dridhesh.
Rama, Islamit: E kishte Ramizi, humbi. E kishte Fatosi, humbi. Më ngeli dhe mua, humba dhe unë. E morët ju tani, mbajeni dhe aty rrini.
Islami: Nga kompleksi i inferioritetit çfarë do të them unë, i djeg shumë. Madje sapo filloj të flas unë i fillon turbullosja dhe nuk di çfarë thotë. Nuk di çfarë thotë se ky që nga momenti që jemi njohur, unë e kam nxjerrë jashtë nga Kryeministria sepse ka ardhur me brekë dhe i thash ik e vish pantallona dhe se harron këtë gjë.

Mua më je lutur, o Kaç o Kaç, o burrë, o burrë, aman o burrë më trego se si bëhet sistemi që të heq qafe Ilir Metën dhe pastaj ke porositur ti ata që të bëjnë koalicion me plehrat dhe kishe parasysh Ilir Metën dhe unë i kërkoj që të distancohet të paktën e mos ta quaj pjesë të këtij koalicioni.
Rama: Ndër shumë gjëra të tjera në RD është thënë se Kastrioti ia paska qenë edhe pas spiun gjatë kohës që ka qenë me studime në Francë, ka qenë rezident i policisë ish-komuniste dhe ka nisur informacione të bollshme ndaj shokëve të tij.

 

Strazimiri zbardh sherrin me deputetët: Isha / i përgatitur, e vetmja shenjë, bërryli i Finos

 Dy ditë pas sherrit të ndodhur mes deputetëve jashtë ambienteve të Komisionit të Ligjeve në Kryesinë e Kuvendit, reagoi edhe deputeti i opozitës Gent Strazimiri, i cili ishte i përfshirë direkt në këtë konflikt. Strazimiri tha se gjithçka ishte inskenuar nga Kryeministri dhe se ishte i përgatitur për skenarin në fjalë, ku ai u godit nga deputetët socialistë. Në këtë konflikt u përfshinë deputetët Strazimiri nga opozita, Qefalia, Prenga dhe Bejko nga mazhoranca. Për herë të parë Strazimiri tha se e vetmja shenjë që kishte nga konflikti fizik mes tij dhe deputetëve socialistë ishte goditja e deputetit Fino me bërryl. “Më kanë gjetur të përgatitur. Kamerat shpresoj që janë fokusuar në fytyrën time, e vetmja shenjë është bërryli i Bashkim Finos që në një brerje ndërgjegjeje u fut të ndante sherrin, asnjë dëmtim tjetër. Burrë që të më shtrijë në tokë mua apo secilin nga kolegët (e opozitës), nuk ka lindur akoma. Për më tepër të jetë ky shoqe. Kam marrë lëvdata të tilla që a nuk munde me ia ça fytyrën, i kam thënë jo. Kam një shprehje nga familja ime që nuk i ndyej duart”, – deklaroi Strazimiri nga foltorja e Kuvendit. Dy ditë më parë Byroja e Kuvendit vendosi masa disiplinore për katër deputetët e lartpërmendur, ndërkohë që dje ata ishin në sallën e seancave plenare.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency