Rregullat e reja/ Mbyllen minierat, si do të jepen lejet e shfrytëzimit

0
178

 Ervin Kaduku

tuneli-miniera-e-bulqizes –   Galeritë që mbyllen, kushtet e reja që kërkohen për hapjen e objekteve të reja

–   Qeveria këtë vit ka alokuar një fond për mbylljen e disa minierave të vjetra e të braktisura ndër vite

–   Ministria nuk ka shifra konkrete të nxjerrjes së mineraleve dhe për çdo të dhënë bazohet tek arkivi i doganave për eksportet

 Shfrytëzimi i pasurive natyrore përmes industrive nxjerrëse nuk ka dhënë impaktin e duhur në ekonominë e vendit për shkak të politikave jotransparente në dhënien e lejeve të shfrytëzimit nga ana e shtetit dhe shkallës së lartë të informalitetit.

Krahas rritjes së kontrollit, për të luftuar kaosin e krijuar në miniera, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri prezantoi të mërkurën projektligjin e ri për minierat, ku u shpreh se qeveria shqiptare e sheh me përparësi këtë sektor.

Ministri Gjiknuri tha se ligji aktual ka nevojë për ndryshime e rregullime. “Sektori minerar do trajtohet me përparësi, pasi është një sektor që ka vuajtur nga fenomenet ilegale, ku ka ende subjekte të palicencuara që vazhdojnë të punojnë. “Këto subjekte do ndalohen me ligj”, – tha ai.

Gjatë diskutimit të draftit me palët e interesit, ministri Damian Gjiknuri u shpreh se, ndryshimet synojnë dhënien fund të informalitetit, sidomos në zonat më problematike të vendit, ku edhe numri i subjekteve shfrytëzuese ka qenë i lartë. Ministri u shpreh edhe për sa i përket detyrimeve të pashlyera të biznesit me marrjen e lejeve të shfrytëzimit. Kjo problematikë ndër vite i ka kushtuar buxhetit të shtetit miliona dollarë dëme.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse ndërhyrjet në ligjin minerar do të detyrojnë subjektet që kapitalin e përfituar nga burimet e nëntokës shqiptare do të duhet të riinvestojnë brenda vendit. Fakt është që abuzimi në këtë sektor është tepër i lartë, qeveria nuk ka shifra konkrete të nxjerrjes së mineraleve dhe për çdo të dhënë bazohet tek arkiva e doganave për eksportet.

Madje të dhënat mungojnë edhe për sa u përket subjekteve që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare, pasi një pjesë e mirë e tyre punojnë të palicencuar ose si nënkontraktorë ose duke u mbështetur tek ligji i më të fortit.

Gjiknuri u shpreh se me ligjin e ri do të përcaktohen qartë zonat minerare për dhënien e lejeve të shfrytëzimit të minierave, si dhe do të ketë edhe rregullime për nënkontraktorët.

“S’mund të ketë më një ekspert apo inxhinier me 20 apo 30 leje”. Ligji i ri, tha ai, parashikon disa kërkesa për personel të kualifikuar teknik gjatë kohëzgjatjes së lejes minerare.
Sipas tij, do të mbyllen minierat e vjetra të braktisura. “Subjektet duhet të marrin masa, s’mund të ketë më galeri në Bulqizë”, – shtoi ai.

Ai bëri të ditur se qeveria këtë vit ka alokuar një fond për mbylljen e disa minierave të vjetra e të braktisura ndër vite. Kreu i Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë u ndal edhe tek rehabilitimi i mjedisit në zonat përreth minierave.
Ministri informoi se po vazhdohet edhe me shpalljen e garave të reja në sektorin minerar. “Jemi të vetëdijshëm, – u shpreh ai, – që është një sektor që ka potenciale të mëdha dhe shumë njerëz i mbajnë shpresat tek ky sektor. Kemi bërë ndërhyrje që kanë të bëjnë me garancitë financiare për investimin. Ky amendim parashikon çlirimin e subjekteve nga garancitë pas përfundimit të periudhës së investimit”, – tha Gjiknuri.

“Problemet, – theksoi Gjinkuri, – i kemi me fenomenet ilegale, ku mungesa e kontrollit mbi territorin ka bërë që subjekte të palicencuara punojnë dhe kjo kthehet në një barrë për ato subjekte të cilat janë licencuar dhe me të drejtë kërkojë nga shteti zbatimin e ligjit për t’i ndaluar ato”. Kjo, sipas tij, sjell edhe humbje e mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit.
Siç u shpreh ministri, minierat në Shqipëri kanë të ardhme dhe kanë filluar të vijnë edhe kompani serioze të mëdha, por ajo që ka penguar rritjen e këtij sektori ka qenë informaliteti.

 

Ndryshimet kryesore të ligjit

 Ndryshimet e propozuara në bazë të këtij projekt ligji konsistojnë përgjithësisht si më poshtë:
1. Ndryshime lidhur me saktësimin e disa përkufizimeve si dhe përfshirjen e një përkufizimi shtesë që lidhet me ndryshime të mundshme në koordinatat e sipërfaqes së një zone minerare të licencuar, me qëllim vazhdimësinë e veprimtarisë minerare në këto zona.
2. Saktësimin e kritereve të përcaktimit të zonave minerare për lejet e kërkim zbulimit, të cilat do të jenë objekt i procedurave konkurruese.
3. Përfshirjen e mundësisë së dhënies së lejeve për karrierat minerare, jo vetëm kur ekziston një interes i komunitetit lokal, por edhe kur ka një interes kombëtar.
4. Formalizimin e nënkontraktimit, fenomen i cili aktualisht ekziston, duke përcaktuar kushte të sakta për nënkontraktimin e shërbimeve të ndryshme të veprimtarisë minerare.
5. Saktësimin e konceptit të servitutit ligjor dhe detyrimin e zotëruesve të lejeve minerare që të shmangin përdorimin e galerive të nëntokës që janë ndërtuar apo shfrytëzohen nga subjekte të tjera dhe të realizojnë ndërtimin e galerive sipas planeve të investimit.
6. Përcaktimin e organit ku drejtohen ankimet administrative dhe saktësimin e afateve kohore në procedurën e revokimit të lejeve minerare.
7. Ndryshime për sa i përket periodicitetit të paraqitjes së garancive financiare për realizimin e planit të investimeve.
8. Kushtet e revokimit të lejeve minerare kur ka mbivendosje me leje të dhëna më parë.

Servitutet

Ndryshimet e propozuara në këtë parashikim, pra ndryshimi i nenit 35 dhe 36, synojnë që të saktësojnë konceptin e servitutit ligjor në pronën fqinje me zonën minerare, duke përcaktuar se servituti ligjor i detyrueshëm është i aplikueshëm vetëm për të drejtën e kalimit në sipërfaqen në pronën fqinje me zonën minerare. Referuar parashikimit aktual, mjaft zotërues të lejeve minerare, në kundërshtim të hapur me planin e investimeve, pas përfitimit të lejeve minerare, kanë kërkuar servitutin e detyrueshëm mbi galeritë nëntokësore të hapura apo të zotëruara nga subjekte të tjera minerare. Në këtë kuptim, në emër të servitutit të detyrueshëm ligjor, këta subjekte kanë kërkuar investimin e gjykatave dhe në bazë të vendimeve gjyqësore kanë fituar të drejtën për të përdorur galeritë nëntokësore të ndërtuara nga subjekte të tjera për të arritur trupin minerar në zonën minerare të caktuar. Kjo procedurë është ndjekur nga zotëruesit e lejeve minerare për të ulur kostot e tyre edhe pse është detyrim ligjor i tyre që të marrin masat dhe të realizojnë investimet e duhura në mënyrë që të realizojnë shfrytëzimin efektiv të zonës minerare.
Si rezultat i kësaj situate, mjaft subjekte minerare, edhe pse gjatë procedurës konkurruese kanë marrë përsipër realizimin e investimeve, tashmë aksesojnë trupin minerar nëpërmjet galerive nëntokësore të ndërtuara apo të zotëruara nga subjektet e tjera. Kjo situatë sjell një mungesë kontrolli të veprimtarisë së këtyre subjekteve, të cilat shpesh si rezultat i aksesit që kanë në galeritë e subjekteve të tjera, mund të cenojnë rregullat e sigurimit teknik apo shfrytëzojnë edhe zona për të cilat nuk janë licencuar, por që i përkasin zotëruesit të galerisë nëntokësore. Njohja e kësaj të drejte nëpërmjet vendimeve gjyqësore ka bëre që çdo subjekt, pavarësisht kapacitetit financiar, teknik e profesional, të jetë zotërues i lejeve minerare edhe pse minimalisht nuk ka kapacitetin që të ndërtojë galerinë për të shfrytëzuar zonën minerare. Është edhe në interes të shtetit që në zona të caktuara që gjenden burime minerare, subjektet e licencuara të marrin masa që të krijojnë të gjithë infrastrukturën e nevojshme në mënyrë që të bëhet shfrytëzimi efiçent i kësaj zone.

Nënkontraktorët
Ndryshimet e propozuara në këtë parashikim të projektligjit, që konsistojnë në shtimin e nenit 17/1, kanë të bëjnë me rregullimin e formalizimin e marrëdhënieve të nënkontraktimit ndërmjet zotëruesve të lejes minerare dhe subjekteve të treta. Edhe pse dispozitat e ligjit që rregullojnë veprimtarinë minerare, aktualisht nuk referojnë në parashikime konkrete për sa i përket marrëdhënies së nënkontraktimit, nga verifikimi i situatës aktuale rezulton se mjaft aktivitete të veprimtarisë minerare duke përfshirë edhe shfrytëzimin, janë dhënë me nënkontraktim tek subjekte të tjera. Sa më sipër, në funksion të qëllimit të kontrollit e respektimit të kushteve të sigurisë teknike, del si nevojë formalizimi i kësaj situate të krijuar ndër vite e në këtë kuptim propozohet që të përfshihet si parashikim në ligj, e drejta e nënkontraktimit dhe kushtet kryesore të miratimit të saj. Kriteret e detajuara të mënyrës së krijimit dhe miratimit të kësaj marrëdhënie nënkontraktimi, kushtet që duhet të plotësojë nën kontraktori, do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Në marrëveshjet koncesionare, të cilat janë miratuar me akte ligjore dhe nënligjore, parashikohet e drejta e koncesionarëve për të dhënë me nënkontraktim shërbime të ndryshme. Në këtë kuptim, me përfshirjen e këtij kushti në ligjin minerar çmojmë se subjektet e lejeve minerare, subjektet koncesionare dhe subjektet që kanë fituar të drejta minerare në bazë të këtij ligji, do të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe njëkohësisht do të bëhet i mundur disiplinimi i këtyre aktiviteteve.

Të tjera
Neni 25. Ndryshimi i propozuar në nenin 47 ka të bëjë me përfshirjen në kushtet e revokimit të lejeve minerare, edhe të kushtit kur leja ka mbivendosje me një leje minerare të dhënë më parë.
Është shtuar pika 2 duke përcaktuar të ndara kategoritë e zonave minerare, që i nënshtrohen procedurës konkurruese për lejet e kërkim-zbulimit, nga kategoritë e zonave minerare për lejet e shfrytëzimit.
Për shkak të specifikës së aktivitetit, subjektet që marrin pjese në procedura konkurruese apo jo konkurruese, duhet të zotërojnë një kapacitet teknik të caktuar, duke përfshirë edhe personelin përkatës që do të angazhohet në këtë veprimtari. Në bazë të këtij kushti, që përfaqëson një detyrim për zotëruesit e lejeve minerare, këtyre të fundit u kërkohet që të disponojnë personel të kualifikuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së lejes minerare dhe jo vetëm gjatë procedurës konkurruese. Kjo kërkesë synon jo vetëm që të realizohet me efektivitet veprimtaria minerare, por njëkohësisht të merren edhe masat që të shmangen aksidentet e të respektohen kushtet për sigurinë në punë.
Neni 14. Ndryshimet e propozuara në këtë parashikim të projektligjit kanë të bëjnë me përcaktimin e afateve kohore të aplikimit për shtyrjen e afatit të një leje minerare të kërkim-zbulim-shfrytëzimit, e cila jepet për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara. Në rast se kjo e drejtë nuk është ushtruar brenda afateve të përcaktuara në ligj, atëherë bie në prekluzivitet (dekadencë) dhe zotëruesi i lejes minerare nuk mund ta depozitojë aplikimin për shtyrje të afatit të lejes.
Ndryshimi i nenit 29, ka të bëjë shfuqizimin e kushteve dhe kërkesave të tepërta ndaj subjekteve pjesëmarrës në procedurat konkurruese të dhënies së lejeve minerare. Konkretisht propozohet shfuqizimi i germës (ë) të nenit 29, që ka të bëjë me kushtin e përcaktuar ndaj subjekteve që marrin pjesë në procedura për përfitimin e lejeve minerare, për të paraqitur dokumentin që pasqyron shprehjen e mendimit të njësive të qeverisjes vendore për lejet që përfshijnë kërkim-zbulimin dhe shfrytëzimin. Ky kusht është konsideruar i tepërt duke qenë se mendimi i organeve të qeverisjes vendore merret që në momentin e miratimit të planit vjetor minerar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency