Florenc Drizari
Deputeti i LSI-së, Luan Rama: Në qoftë se do të bëjmë dhe Kryeministrin komandant të Përgjithshëm, atëherë unë jam dakord ta kalojmë kështu siç është
Projektligji i qeverisë “Për autoritetet dhe pushtetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” ka vënë përballë ekzekutivit edhe LSI-në, ndërkohë që më herët ky draft është kundërshtuar edhe nga opozita. Një ditë më parë, Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim draftin në fjalë, ndërkohë që pas largimit të opozitës nga Komisioni, përfaqësues të LSI-së debatuan me zyrtarët e Ministrisë lidhur me heqjen e kompetencave ndaj Presidentit të Republikës. Deputeti i LSI-së, Luan Rama, në debate me zv.ministrin e Mbrojtjes Dritan Hila, tha se projektligji sjell zhbalancim të autoriteteve dhe se kompetencat nuk i janë dhënë Bujar Nishanit si individ, por institucionit që ai përfaqëson. Ai shkoi më tej duke ironizuar edhe me marrjen e kompetencave nga Kryeministri me ligjin e ri.
Luan Rama
“Janë një bllok kompetencash që ligji ia jep, jo Presidentit dhe jo Bujar Nishanit, se nuk ia ka dhënë as Rexhep Mejdanit kur ka qenë President, por ia ka dhënë komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në qoftë se do të bëjmë një zhbalancim të autoriteteve dhe do të bëjmë dhe Kryeministrin komandant të Përgjithshëm, atëherë unë jam dakord ta kalojmë kështu siç është”, – u shpreh Luan Rama. Qëndrimi i deputetit të LSI-së vjen pas debateve të nxehta që zhvilloi edhe dy ditë më parë me përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes ku u diskutua ligji për gradat. Në atë mbledhje Rama kërkoi referencat ligjore se ku Ministria është bazuar nga vendet anëtare të NATO-s për strukturën e gradave në ushtri.
Ndërkaq, në përgjigjen e tij ndaj deputetit të LSI-së, zv.ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, argumentoi se kreut të shtetit nuk i janë hequr kompetencat bazë si dhe ato të dekretimit për gradat e larta, por ndryshimet, sipas tij, janë bërë për lehtësira veprimi.
“Për sa u përket kompetencave të Presidentit, dua të theksoj se nuk i janë hequr kompetencat madhore. Ai jep gradën e gjeneralit, me firmën e tij jepen gradat madhore. Është kompetencë kushtetuese e Presidentit për të dekretuar komandantët e forcave ajrore, tokësore dhe detare. Gjithashtu dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Është bërë vetëm një lehtësim për arsye operacionaliteti për sa i takon emërimit të gjeneralëve në detyra të ndryshme”, – theksoi Dritan Hila. Komisioni i Sigurisë dhe ai i Ligjeve miratuan në parim draftin “Për autoritetet dhe pushtetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ndërsa javën e ardhshme ligji pritet të shqyrtohet nen për nen në komisionet parlamentare. Zv.ministri i Mbrojtjes, Hila, tha gjithashtu se ligji aktual është miratuar në vitin 2000 dhe pas 14 vitesh, ku ka ndodhur edhe anëtarësimi në NATO, ndodhemi përballë realiteteve të reja politike dhe ushtarake që kanë sjellë si domosdoshmëri dhe nevojën për ndryshimin në legjislacion që mbulon fushën e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Relatori i projektligjit, Pirro Lutaj, tha se drafti është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke mos cenuar në asnjë pikë kompetencat e ndonjë institucioni tjetër përfshi edhe ato të Presidentit të Republikës.
Çfarë kompetencash merr Kryeministri ndaj Presidentit në ligjin për FA-në
Referuar relacionit të qeverisë, ndër ndryshimet që kanë pësuar kompetencat e Presidentit, në këtë draft, janë kalimi te Kryeministri i së drejtës së miratimit të strukturës organizative dhe planit të përhapjes dhe vendosjes të FA-ve. Ky ndryshim argumentohet se është bërë duke pasur parasysh se si përcaktimi i strukturës së FA-ve, ashtu dhe përcaktimi i planit të përhapjes, që ka të bëjë me administrimin e pronave të FA-ve, janë më tepër çështje të ekzekutivit sesa të Presidencës. De facto dhe de jure thuhet në draftin shoqërues të ligjit, buxhetin e shtetit, punonjësit e administratës shtetërore (ku përfshihen dhe Forcat e Armatosura) si dhe pronat e shtetit i menaxhon Këshilli i Ministrave drejtpërdrejt, si dhe nëpërmjet ministrive apo strukturave të veçanta në varësi të tij. E thënë ndryshe, duke qenë se planifikimi i një strukture dhe i një plani përhapjeje kërkon të mbahen parasysh elemente të tilla si numri limit i punonjësve buxhetorë, shpenzimet financiare që kërkohen si dhe pronat e asetet e ndryshme në dispozicion, është menduar se zgjidhja më e drejtë dhe efektive është kalimi i kësaj kompetence te Kryeministri. “Po ashtu, delegimi i autoritetit operacional të njësive ushtarake te komandat aleate, me të cilat forcat tona kryejnë operacione të përbashkëta, është kaluar 4 te ministri i Mbrojtjes. Një kompetencë e tillë faktikisht ka qenë e dyzuar, pasi paraqitej e njëjtë si te Presidenti, ashtu dhe te ministri i Mbrojtjes. Realisht, kjo kompetencë është ushtruar nga ministri i Mbrojtjes, pasi miratimi i këtyre procedurave te Presidenti kërkonte afate të gjata kohore, të cilat bëheshin pengesë reale për zhvillimin e këtyre misioneve. Ndër ndryshimet e sjella vlen të theksohen edhe kompetencat e Presidentit në raport me emërimet, shkarkimet etj., të ushtarakëve me grada madhore (gjeneralët). Aktualisht, çdo gjë që ka të bëjë me sistemin e karrierës së gjeneralëve është prerogativë e Presidentit, pra që nga gradimi, emërimi, lirimi nga detyra e deri te nxjerrja në rezervë ose lirim. Në këtë mënyrë, karriera e oficerëve me grada madhore në FA ishte “monopol” i Presidentit të Republikës”, – argumenton relacioni i qeverisë.
Projekti “Sensor”/ Haxhinasto: Synojmë ngritjen e Qendrës Kombëtare për Monitorimin e Trafikut
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto gjatë një seminari të zhvilluar ditën e mërkurë për sigurinë rrugore, tha se çështja e sigurisë në rrugë tashmë është një nga prioritetet kryesore të kësaj qeverie. Haxhinasto informoi se është miratuar një plan masash me rreth 60 ndërhyrje të ndryshme, ndërhyrje ligjore e organizative, investime me qëllim që të arrijmë një objektiv që ka të bëjë me uljen brenda vitit të parë të qeverisjes me 20% të numrit të aksidenteve rrugore.
“Ky plan masash parashikon para së gjithash përmirësime ligjore për sa i takon rregullimit të sjelljes në rrugë, parashikon vendosjen e disa standarteve në rrugë por gjithashtu parashikon edhe rregullime të tjera për sa i takon cilësisë së automjeteve, cilësisë së përgatitjes së drejtuesve të automjeteve si dhe angazhimin përveç Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe Policisë së Shtetit, edhe të institucioneve të tjera që kontribuojnë për sigurinë rrugore”, – tha Haxhinasto.
Angazhimi në realizimin e këtij plani u shpreh ai, është shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e investimeve direkte në rrugët e Shqipërisë. “Qëllimi është pra që të kemi rrugë cilësore dhe rrugë që ofrojnë shërbime cilësore. Arritja e këtij qëllimi përfshin një sërë faktorësh që nga planifikuesit, realizuesit e veprave të rrugëve, dhe nga ata që e mirëmbajnë cilësinë e rrugëve sipas standardit që duhet”, – u shpreh ministri.
Këto elementë, sipas tij, janë duke marrë një rëndësi të veçantë pasi duhet të bëjmë shumë më tepër për të arritur atë standart me 5 yje që na u prezantua këtu. Sigurisht që për të arritur deri atje, që ti bëjmë rrugët tona me 5 yje, vijoi Haxhinasto, së pari duhet t’i përfundojmë ato dhe t’i përfundojmë sipas kërkesave teknike, sipas standartit teknik që ato kanë me të gjithë elemente, ato inxhinierik, të sigurisë dhe sinjalistikës.