Trafiku me avion/ Gjurmët papilare në natriban çojnë në pranga paketuesin e drogës

0
153

Anxhela Tato

avioni i ngecur ne plazh divjake drogaAurel Pupe rrëzon dëshminë e Saimir Bajramit, marijuana u ble dhe u përgatit për transport në Lushnjë

 I arrestuari Pupe nuk jep emrat e bashkëpunëtorëve, Prokuroria zbulon gjurmë të tjerë, priten arrestime

 Zbulohet personi që paketoi lëndën narkotike të destinuar për t’u trafikuar nga Giorgio Riformato në Itali. Arrestimi i të riut rrëzoi versionin e dëshmisë së dhënë nga korrieri Saimir Bajrami, i cili pretendonte se marijuana ishte blerë në Krujë, kur në të vërtetë droga është ngarkuar në disa depo magazinash në Lushnjë. Kanë qenë disa gjurmë gishtash të lëna në natribanin me të cilën ishte paketuar marijuana, që çuan hetuesit drejt një personi në Lushnjë të quajtur Aurel Pupe. Pas marrjes në pyetje dhe krahasimit të shenjave të gishtave, ky person pranoi që ka paketuar lëndën narkotike me natriban. Por ai ka heshtur për bashkëpunëtorët e tij. Aurel Pupe nuk ka dhënë emra të tjerë, me të cilët ka shitur lëndën narkotike, por në natriban prokuroria ka mund te veçojë gjurmë të tjera gishtash dhe pritet të ketë arrestime të tjera. Mësohet se 24-vjeçari Pupe nga lagjja “20 Tetori” i Lushnjës, pas arrestimit ka pranuar se është njëri nga paketuesit e drogës, që i është shitur më pas Saimir Bajramit. Arrestimi i Pupës dhe rrëfimi i tij, për hetuesit vë në dyshim deklarimet e Saimir Bajramit, pasi pretendoi se drogën e kishte blerë në Krujë. Ndërkohë, bazuar në gjurmët e gishtave të gjetur në pakot me drogë të sekuestruara pranë avionit, rezultojnë se paketuesit janë banorë të zonës së Myzeqesë. Hetuesit thanë se po punohet për të zbardhur lidhjet e Bajramit me personat e tjerë në Shqipëri, pasi sipas sistemit TIMS të policisë, ai rezulton se brenda këtij viti ka hyrë tre herë në Shqipëri.

 

Arrestimi

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e arrestit me burg për akuzën e trafikut të drogës të mbetur në tentativë ndaj paketuesit Aurel Pupe. Prokuroria e Përgjithshme konfirmon në rrugë jo zyrtare se për të dyshuarin ka prova që e inkriminojnë drejtpërdrejt së paku gjatë procesit të paketimit të ngarkesës së drogës. Madje shoqërimi e më pas ndalimi i tij është bërë në bazë të një përgjigjeje të kthyer nga Laboratori i Kriminalistikës, ku sipas akt-ekspertimit të policisë shkencore, në pakot e mbështjella me natriban, 3 nga 11 gjurmët papilare të evidentuara në vendngjarje, i përkasin 24-vjeçarit nga Lushnja. Por ndërsa arrestimi i të riut nga Lushnja gjatë këtyre pesë ditëve është mbajtur sekret si nga policia ashtu edhe nga Prokuroria, e njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë masës së sigurisë të shpallur nga Gjykata. Pupe mësohet të ketë deklaruar se ka marrë pjesë në paketimin e drogës, por nuk ka hedhur dritë mbi njohjet e tij me dy të akuzuarit e tjerë. Ajo që dihet jozyrtarisht është se tashmë në kërkim për shkak të gjurmëve papilare janë edhe disa shtetas të tjerë nga qyteti i Lushnjës, identiteti i të cilëve nuk mund të bëhet i ditur derisa Policia e Shtetit të finalizojë arrestimin e tyre tashmë që rezultojnë që nga data 20 maj si të kërkuar. Këto arrestime hedhin dyshime mbi deklarimet e të arrestuarit Saimir Bajrami, i cili kishte pohuar se drogën e kishte blerë në Krujë. Ndërkohë, piloti italian Giorgo Rifomato e ka lënë avokatin kryesisht që i siguroi shteti shqiptar, duke gjetur një mbrojtës të zgjedhur vetë. Avokati Ramazan Topuzi iu drejtua Apelit me kërkesën për lirimin e tij, sepse siç u shpreh fakti nuk provohet se ekziston dhe se piloti italian nuk e njeh Saimir Bajramin. “Për ne nuk qëndron fakti penal. Nuk ka fakti penal. Ai është një aksident ajror dhe ne do të hedhim poshtë akuzën e prokurorëve si të pabazuar në prova. Nuk është klandestin, ka ndodhur, ka parë Rivierën dhe është rrëzuar në Divjakë”, – thotë Ramazan Topuzi, avokat i Giorgo Riformatos. Ndërkohë që, avokati i Bajramit pohoi se ka ankimuar masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit të mbështetur në shpjegimin se arrestimi i klientit të tij nuk është kryer në kushtet e flagrancës, por edhe sepse në dëshmi ka kontradikta.

 

 Prokurori i Antimafias së Leçes/ “Nëse ka prova për transport droge me avion, do zgjeroj hetimet”

 Interesimit të mediave shqiptare për më shumë informacione në lidhje me çështjen e Divjakës, ku një avion me pilot italian tentoi të trafikonte drogë, iu përgjigj dje zv.prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Francesko Mandoi. Ai u shpreh se nuk kishte pasur informacione për këtë çështje dhe për avionë të tjerë që bëjnë trafik droge. Ai sqaroi se e ka marrë vesh ngjarjen dy ditë më parë, ndërsa premtoi se do t’i shtyjë hetimet më tej nëse prokurori i Milanos, i vërteton se ka pasur raste të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali. “Në Milano ka mundësi të dinë që ka më shumë fluturime. Për ngjarjen e Divjakës u informuam dy ditë më parë, mund të marrë vesh që po hetohet edhe për avionë të tillë. Nëse prokurori më thotë që ka pasur raste të tilla, unë do ta çoj përpara çështjen. Problemi është që ne duhet të kemi informacion më të detajuar”, – komentoi Mandoi. Prokurori i Antimafias më tej ka thënë se nuk ka asnjë informacion as për pilotin italian Giorgio Riformato. “Nuk e njoh pilotin italian, nuk e di kush është”. Ai sqaroi më tej se edhe nëse ka pasur shkëmbim informacionesh kjo është bërë mes policisë shqiptare dhe asaj italiane. Në lidhje me sekuestrimin e aseteve kriminale, Mandoi tha: “Në këtë drejtim legjislacioni është i përshtatshëm, i duhuri. Informacionet që janë sjellë nga Italia janë shqyrtuar nga drejtësia shqiptare, janë aplikuar ashtu siç e parashikon ligji, gjëja më e rëndësishme që duhet të bëhet, është që të vijnë informacione sa më të detajuara dhe rëndësishme”. Ndërsa më herët, zv.prokurori i Antimafias së Italisë Francesko Mandoi ishte i pranishëm në takimin e prokurorëve të përgjithshëm të rajonit, ku apeloi për më shumë bashkëpunim mes prokurorive të vendeve te rajonit, por edhe më gjerë, me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar. “Të ketë bashkëpunim me drejtësinë. Lufta ndaj krimit të organizuar kërkon një drejtësi të organizuar, por edhe mund të zgjidhet. Duhet të impenjohemi më shumë, të luftojmë korrupsionin dhe pastrimin të parave”, – tha ai.

 

Takimi/ Prova për trafik droge, Tahiri thërret kryeprokurorin, shefin e SHISH-it dhe të Policisë

 Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri takoi kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika, kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi. Mësohet se takimi është kërkuar nga ministri Tahiri, ku nuk jepen detaje për temat e diskutimit. Nga burimet jozyrtare, thuhet se në takim është diskutuar në lidhje me trafikun e drogës me avion nga Shqipëria drejt Italisë. Ndërkohë, një ditë më parë, kryeprokurori Llalla tha se kemi prova se trafikantët kanë përdorur aerodromin e Gjadrit për të trafikuar drogë. Ndërsa edhe prokurori i Antimafias italiane të zonës së Leçes, Cataldo Motta, u shpreh se kohët e fundit është rritur trafiku i drogës nga Shqipëria në Itali.

 

Berat/ Sherri për traktorin, plagosin babë e bir

 Babë e bir janë plagosur me thikë nga dy fqinjët e tyre pas një konflikti pronësie. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, në fshatin Bilçë të rrethit të Beratit. Feçor dhe Stiljano Kërkuta, përkatësisht 52 dhe 18 vjeç, pas një konflikti me fqinjët e tyre për kalimin e një traktori në tokën që ata kanë në pronësi, kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin. Më pas debati ka degjeneruar në sharje e ofendime deri në momenti që vëllezërit Alban dhe Arti Hasani kanë nxjerrë thikat dhe kanë qëlluar disa herë në trup at e bir, më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Menjëherë është njoftuar policia,e cila ka bërë edhe arrestimin e 2 vëllezërve, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Të plagosurit, Feçor dhe Stiliano Këkruta janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Beratit. Babë e bir pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore ndodhen jashtë rrezikut për jetën edhe pse kanë marrë të dy më shumë se 2 goditje më thikë në trup.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency