Reforma në drejtësi/ Alibeaj: Pse synohet “shkrirja” e KLD-së aktuale. Ja ku bie ndesh drafti me Kushtetutën  

0
101

Intervistoi: Gëzim Saliu

alibeaj“PS kërkon të bëjë vetëm një reformë horizontale elektorale, një rikonfigurim elektoral të zonave zgjedhore”

 “Kanë marrë “kazmën” të përmbysin nga themelet Presidencën, duke ia “krasitur” kompetencat. Gjeneza e narkotrafikut e ka burimin te aleanca me krimin në zgjedhjet e 23 qershorit”

 Ish-ministri i Drejtësisë, koordinatori i PD-së për degën e Vlorës, Enkelejd Alibeaj, analizon në një intervistë për “Standard” projektligjin e qeverisë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë si edhe deklaratat e deritanishme të përfaqësuesve të lartë të mazhorancës për reformën në sistemin e drejtësisë. Po ashtu, ai jep komentin e tij lidhur me zhvillimet e fundit politike, siç është rasti i avionit në Divjakë, situata e trafikut të drogës si edhe reforma administrative territoriale, të nisur tashmë nga qeveria, për të cilën thotë se as më shumë e as më pak mazhoranca po shkruan përmes saj në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Ndërkaq, Alibeaj jep mendimin e tij edhe për situatën aktuale brenda Partisë Demokratike, ku analizon si procesin e zgjedhjes së strukturave të reja, ashtu edhe analizën e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit.

 

Prej disa muajsh opozita ka ngritur në Parlament shqetësimin e saj për rritjen e kriminalitetit në vend si edhe trafikun e drogës. Rasti më i fundit me avionin e rrëzuar në Divjakë si edhe sasia rekord prej 5.6 tonë e marijuanës e sekuestruar në Gjermani janë cilësuar nga PD-ja si fakte të pakundërshtueshme për përfshirjen e qeverisë në këtë trafik. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë çështje?

Ajo çfarë po ndodh në këta rreth 8 muajt e fundit, pasi pushteti ka rënë në duart e së majtës, lidhur me situatën e kriminalitetit është një përshkallëzim i frikshëm, i cili nuk premton asgjë të bardhë për të ardhmen. Situata kriminale fillimisht njohu një “bum” të vërtetë tritoli pas tetorit të vitit të kaluar, i cili vazhdon vrullshëm ende. Plot 50 raste kriminale janë verifikuar me përdorim tritoli. Paralelisht me zhvillimin e kësaj spiraleje të panjohur më parë, në përmasa dhe në guxim kriminal, u zhvillua në mënyrë të mynxyrshme edhe trafiku i lëndëve narkotike. Kultivimi i bimëve narkotike ka qenë edhe më parë një fenomen i njohur, porse ka ngelur deri në këto nivele me tentativa sporadike dhe individuale për trafikim. Në këta 8 muaj tashmë është kaluar pa asnjë skrupull në një organizmin strukturor të perfeksionuar kriminal të përmasave ndërkombëtare. Provohet përditë fenomeni i trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ky lloj kriminaliteti është treguesi më energjik i faktit se krimi tani jo vetëm është strukturuar si organizëm mafioz, që njihet si forma më e lartë e veprimtarisë kriminale. Veç kësaj gjallërimi i vrullshëm i këtij organizmi mafioz të narkotrafikut vërtetohet vetëm në kushtet kur segmente të caktuara shtetërore jo vetëm e tolerojnë, por e mbështesin fuqimisht atë, e madje janë edhe pjesë aktive e kësaj veprimtarie.

Ajo çfarë dëshmon qartazi këto përmasa katastrofike të kriminalitetit është fakti se segmentet kriminale të narkotrafikut lehtësisht hyjnë në territorin shqiptar, deri dhe me avionë, të pashqetësuar nga askush, porse edhe përshkojnë kufijtë shqiptarë nga brenda jashtë me lehtësirat më të mëdha derisa droga shqiptare arrin deri në Selanik, në Fiumiçino apo deri dhe në Bavari. Kontrolli i kufijve shqiptarë, i cili kohë më parë ishte edhe krenaria e shtetit shqiptar (kujtoni këtu se lëvizja pa viza e shqiptarëve u arrit falë kontrollit të plotë të kufirit), tashmë duket se ka rënë pre e segmenteve kriminale. Policia e Shtetit është goditur dhe plagosur rëndë prej shkarkimeve dhe goditjeve që i janë bërë pjesës drejtuese dhe profesionale të saj që me ardhjen në pushtet të së majtës. Ajo tashmë është e tulatur, e dekurajuar, e asfiksuar. Profesionalizmi që duhej të mbizotëronte në radhët e saj, tashmë është zëvendësuar dhunshëm me politizimin qeveritar dhe klientelizimin politik. E duket që gjeneza e këtij transformimi të strukturave të Policisë së Shtetit dhe për pasojë edhe i mësymjes agresive që ka marrë narkotrafiku dhe kriminaliteti në përgjithësi e ka burimin që prej aleancës parapolitike që e majta politike bëri me radhët e krimit në zgjedhjet e vitit të kaluar. Tashmë të gjitha skalionet kriminale që u angazhuan elektoralisht në zgjedhje, aplikimi i dhunës, shtrirja e fenomenit të blerjes së votës, synimi për ta rrëmbyer me çdo kusht pushtetin, po japin efektet e tyre, po kërkojnë shpërblimin kriminal. Sipas rastit, herë duke u angazhuar personalisht në strukturat shtetërore, herë duke ekzekutuar këtë aktivitet kriminal, duke gjetur lidhje dhe mbështetjen në qeverisjen politike. Tashmë në këtë situatë duket qartë se po inkurajohet krimi me synimin për të vazhduar spiralen e bashkëpunimit me krimin për të marrë pushtet politik, që ky i fundit pasi merr qeverisjen të krijojë hapësirë për krimin e që ky i fundit të mbështesë pushtetin politik në zgjedhjet e radhës me paranë kriminale të grumbulluar ndërkohe. Kjo është kapja e shtetit prej krimit, dhe ky fenomen po vërtetohet në mënyrë ogurzezë përgjatë kësaj kohe.

 

Si do ta komentonit qëndrimin e mazhorancës për çështjen e trafikut të drogës?

“Puna e opozitës është fjala dhe fjala e mazhorancës është puna”. Këto janë fjalë të thëna plot mallëngjim të Kryeministrit me rastin e paraqitjes së programit qeveritar në Kuvend, në shtator të vitit të kaluar. Ajo çfarë kjo mazhorancë po bën është thjesht fjalë dhe sulm kundër opozitës dhe aspak punë. Aspak punë për t’i vënë fre trafikut dhe krimit, kriminelet e tritolit kapen kur trokasin vetë në dyert e komisariateve të policisë dhe narkotrafikantët e ajrit dhe tokës kapen nëse ngecin në rërë apo u prishet makina. Kjo mazhorancë është dorëzuar përpara luftës kundër krimit. Çfarëdo alarmi, sinjali, informacioni që i vjen prej medias, qytetarëve, opozitës, institucioneve të pavarura, mazhoranca i shpërfill dhe iu kundërvihet sikur të ishin këta të fundit shkaktarët e kësaj situate. Ministrat e qeverisë nuk i binden Kuvendit, kur kërkohet interpelancë, Kryeministri tallet me këtë situatë, duke u bërë qesharak me papërgjegjshmërinë politike të tij, e bërë tashmë emblematike, mazhoranca parlamentare refuzon të hedhë dritë mbi dimensionet reale të këtij fenomeni kriminal, duke refuzuar ngritjen e komisionit hetimor. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm edhe në rastet e dështimeve spektatolare të tyre, nuk pranojnë gjendjen, mohojnë të vërtetën, fshehin gjurmët dhe nuk angazhohen për ta korrigjuar atë. Ndonjëherë në mënyrë amatoreske nxitojnë të qëmtojnë suksese imagjinare, të cilat në mënyrë më groteske përgënjeshtrohen aty për aty. Thjesht kjo mazhorancë sodit situatën dhe duket tërësisht e shpartalluar dhe e çorganizuar. Në rastin më të mirë për të, kjo është paaftësi për të qeverisur vendin. Në rastin më të keq, janë pjesëtarë, shkaktarë dhe inkurajues të gjendjes.

 

Duke mbetur tek e majta, a mund të na jepni një vlerësim tuajin për 9 muajt e parë të qeverisë “Rama”?

Dështim i plotë në qeverisje. Mashtrim masiv ndaj shqiptarëve për premtimet elektorale. Papërgjegjshmëri totale politike. Tashmë duket sarkastike të pyesësh për çështje të performancës së qeverisjes. Ka muaj të tërë që nuk bëhet fjalë për shëndetësi falas. Ka muaj të tërë që thuhet paturpësisht se legalizimet jo vetëm nuk janë falas, porse do kushtojnë më shumë dhe për më pak tokë të kaluar në pronësi. Prej shumë kohësh nuk thuhet asgjë për reformën e pensioneve. Dhe tashmë duket qartazi se qeveritarët janë shumë të bezdisur po t’u kujtosh 300 mijë vendet e reja të punës, ndërkohë që papunësia, sipas të dhënave të vetë INSTAT-it “të tyre”, rezulton që të jetë rritur. Ka shumë kohë që çmimet e konsumit vetëm ngrihen dhe jeta bëhet më e shtrenjtë dhe e vështirë. Euforia e fundvitit të kaluar për mbledhje masive të ardhurash tashmë është zëvendësuar nga harresa dhe pesimizmi. U morën qindra milionë euro hua duke e rritur borxhin publik dhe ndërkohë nuk shihet asgjëkund në Shqipëri të bëhet ndonjë punë a investim. Të përndjekurve politikë u janë dhënë vetëm grimca thërrimesh, duke i tallur në mënyrë therëse. Procesi i kthimit të pronave as që bëhet fjalë të ekzistojë më. Ndërkohë që, ushtarët krenarë të Ushtrisë Shqiptare, një vend i NATO-s, komandohen të pastrojnë plehrat buzë rrugës apo në ranishtat e plazheve. Për shumë kohë shqiptarët vazhdojnë të ndihen gjithnjë e më të pasigurtë për jetën dhe pasurinë e tyre, ndërkohë që shohin në intervista fytyrën herë të zverdhur e herë të nxirë të ministrit të Brendshëm, i cili kumton dështimet fantazmagorike të tij, por asnjëherë të skuqur nga turpi i dështimit. Prej kaq kohësh dëgjohet vetëm sulmi që bën Kryeministri dhe mazhoranca ndaj SHISH-it, ndaj Presidentit, ndaj KLD-së, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorit të Përgjithshëm. U bë kohë tashmë që mazhoranca e uzurpoi me “puç parlamentar” ILDKP-në dhe sapo ka përgatitur një gjë të ngjashme për anëtarët e KLD-së me ligjin e sapolançuar nga skuta të errëta të Kryeministrisë. Kryeministri nuk harron në çdo dalje publike, pas çdo dështimi spektakolar të tijin, të kërcënojë prokurorin e Përgjithshëm. Prej fillimit kanë marrë “kazmën” të përmbysin nga themelet Presidencën, duke ia “krasitur” të gjitha kompetencat dhe kohët e fundit po artikulojnë pa frikë edhe dëshirën e shkarkimit të tij. E gjithë kjo është një panoramë e trishtë qeverisëse, e cila ka brengosur të gjithë shqiptarët pa dallim.

 

Mazhoranca ka folur për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, ku ndërkohë ka bërë të ditur përmes përfaqësuesve të lartë të saj se do ta ndërmarrë atë, edhe nëse opozita nuk bëhet pjesë e procesit?

Ka 9 muaj që kanë artikuluar çështjen e reformës në drejtësi. Madje, prej kaq kohësh kanë thënë se për këtë reformë i janë drejtuar Komisionit të Venecias. Nëse e kanë bërë këtë, kjo është për t’u përshëndetur, sepse së paku e kuptojnë që janë të paaftë për të artikuluar linja ideologjike dhe politike të reformës në drejtësi. Deri më tani, pra pas 9 muajsh, nuk kanë shkruar asnjë rresht ligji dhe as që bëhet fjalë që të mund të hartojnë strategjinë e drejtësisë siç e premtuan në fillim të qeverisjes. Shpesh e kanë thënë që do ta bëjnë këtë reformë edhe me pjesëmarrjen e opozitës, megjithëse nuk kanë pse e thonë këtë gjë, përderisa votat në Kuvend, të vjedhura apo të tradhtuara, i kanë. Së paku duhet ta kursejnë këtë hipokrizi të pështirë politike. Akti i vetëm i vërtetë që ka lidhje me reformën në drejtësi deri më tash është ai i njoftuar para 2 ditësh që ka të bëjë me projektligjin ndryshues të ligjit të KLD-së. Nga 9 nenet që ka ky projektligj, 8 prej tyre janë përsëritje e ligjeve të tjera ose të rregulloreve të KLD-së dhe vetëm një nen është ai që sjell risi. Edhe kjo është në kundërshtim të hapur e flagrant me Kushtetutën. Është neni 2, i cili parashikon shkarkimin e anëtarëve të KLD-së, qoftë gjyqtarët e qoftë ata të zgjedhur nga Kuvendi. Pra, e gjithë reforma e drejtësisë deri tani sintetizohet vetëm tek “pushkatimi kolektiv” i KLD-së. Dhe e gjithë kjo është shkruar duke as mos e pyetur dhe as mos e pritur mendimin e Komisionit të Venecias!!!

 

Po sa i përket reformës administrative, për të cilën qeveria bëri publike disa ditë më parë edhe skemat alternative të ndarjes territoriale, a do të kishte pasoja, sipas jush, një reformë e miratuar vetëm me votat e mazhorancës?

Kjo nuk është reformë territoriale. Nëse do të ishte e tillë, atëherë duhej të emërtohej në mënyrë të sinqertë si reformë e decentralizimit nga pushteti qendror tek pushteti vendor. Pra, të ishte një reformë vertikale pushteti. PS kërkon të bëjë vetëm një reformë horizontale elektorale. Ajo çfarë po bën PS është një rikonfigurim elektoral i zonave zgjedhore, qoftë për pushtetin lokal e qoftë për atë qendror. Po e bën këtë rikonfigurim, duke u kujdesur të krijojë zona zgjedhore, brenda të cilave të ruhet predominanca e elektoratit historik të majtë ndaj atij të djathtë. Nëse do të ishte reformë decentralizimi, preokupimi kryesor nuk do të ishte vendosja e kufijve apo rrudhja e numrit të bashkive/komunave, por duhet të ishte se sa nga kompetencat e pushtetit qendror duhet t’i kalonin pushtetit vendor. Aktualisht raporti i dozës së pushtetit që mban pushteti qendror përkundër atij vendor është 90:10. Pra, një reformë decentralizmi duhet të diskutonte tanimë nëse duhet p.sh. që sektori i shëndetësisë, i arsimit, mbledhjes së tatim-taksave, administrimit të territorit dhe pasurive shtetërore, rendit, etj., t’i kalonin pushtetit vendor apo jo dhe në ç’masë? Në varësi të këtij kalimi, përcaktohet edhe masa e koncentrimit të numrit të bashkive/komunave, ndërkohë që gjithçka po zhvillohet mbrapsht. Me këtë reformë as më shumë e as më pak mazhoranca po shkruan në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

 

Proceset e hapura të analizës dhe zgjedhjeve në PD, baza e ofertës së re politike

“Kemi rritje të numrit të anëtarësisë krahasuar me numrin historik të këtyre 20 vjetëve . I befasuar nga shpejtësia me të cilën Basha krijoi profilin dhe identitetin e vet politik”

 

Partia Demokratike është aktualisht në fazën e zgjedhjeve brenda saj, ku fillimisht ka nisur analizën e humbjes elektorale të 23 qershorit si edhe procesin e anëtarësimeve. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë zhvillim?

Jam i përfshirë në thellësi të këtij procesi. Besoj se jo vetëm në degën e PD-së Vlorë, të cilën e mbuloj, por edhe në degët e tjera të PD-së simptomat e procesit janë të njëjta. Dy janë fenomenet kryesore që kanë karakterizuar atë. Rritje e numrit të anëtarësisë krahasuar me numrin historik të këtyre 20 vjetëve dhe dëshirë dhe entuziazëm i lartë i angazhimit të të rinjve pranë PD-së. Përkundër njëfarë droje që shumë skeptikë shprehën në fillim të këtij procesi, për shkak të rënies nga qeverisja, rezultoi një dëshirë e rritur në pjesëmarrje, ndoshta kjo edhe si një shenjë vetëqortimi e anëtarësisë për atë çka nuk u bë mirë gjatë qeverisjes së PD-së. Kjo lëvizje është tharmi i duhur që i duhet një lëvizjeje opozitare. Ashtu si Anteu i lashtë, PD po merr forcë për t’u ringritur prej bazës së saj. Procesi i anëtarësimeve dhe ai që po pason, pra i zgjedhjes së strukturave të reja, ngërthen jo vetëm dëshirën për t’u ringritur, porse po bëhet në një ushtrim serioz demokracie siç është zgjedhja transparente, e garantuar, e hapur dhe plotësisht e lirë. Një proces i tillë domosdoshmërisht do të bëjë të mundur të krijojë një buqetë të re drejtuese të PD-së, e cila do të gëzojë besimin dhe mbështetjen e plotë të anëtarësisë dhe nga ana tjetër do të jenë plotësisht të përgjegjshëm për ngarkesën e madhe politike që do të kenë. Është ky mekanizëm, ky proces, ai që do të garantojë me sukses të plotë pikërisht forcimin e solidaritetit brenda partiak dhe vlerësimin e kontributeve në një strukturë kolektive moderne siç është një parti politike që synon pushtetin. Tashmë pika kritike është tejkaluar. Kuotat politike dhe mbështetja në publik e PD-së po njohin vetëm rritje dhe kjo vetëm në më pak se 1 vit nga dalja në opozitë.

 

Sa dhe si, sipas jush, do të ndikojë tek PD analiza dhe zgjedhjet e reja në kuadër të përgatitjes për betejën e ardhshme elektorale me mazhorancën e majtë?

Nëse ka pasur një defekt përgjatë kohës së qenies në qeverisje të PD-së, ka qenë pikërisht mungesa e periodicitetit të analizave brendapartiake. Të qenët në qeverisje është një angazhim, i cili nga njëra anë duket se kalon në plan të dytë organizmin dhe hierarkinë partiake dhe nga ana tjetër potenciali i konsumimit publik për shkak të veprimtarisë administrative është i lartë. Është tashmë një ligjësi e pashmangshme që nëse nga një betejë elektorale del i humbur, kërkohet një ridimensionim i ri, jo vetëm i platformës ideologjike por edhe i vitrinës njerëzore dhe strukturave drejtuese në çdo nivel. Kërkohet pra një oferte e re politike. Një operacion i tillë i sinqerte, i plotë, i mirëkuptuar dhe efektiv mund të bëhet vetëm në kushtet kur koshienca kolektive e bazës së një partie në mënyrë të maturuar e kërkon këtë – dhe baza e PD e kërkon në mënyrë të ethshme – dhe nëse problematikave apo defekteve të së djeshmes qeverisëse iu qëndron përballë edhe duke bërë mea culpa-n e rastit, nëpërmjet proceseve të hapura të analizë-zgjedhjeve. Vetëm në këtë mënyrë në sytë e gjithë publikut, pra trupës elektorale mund të rifitohet simpatia dhe mbështetja elektorale dhe politike. PD është e vendosur ta bëjë dhe po e bën në mënyrë të pjekur dhe të emancipuar. Është kjo garancia me të cilën fitohet moraliteti politik i cili është instrumenti i vetëm që garanton suksesin në betejat elektorale.

 

Si e vlerësoni mënyrën e drejtimit të Partisë Demokratike nga kryetari Basha në këta muaj?

Jam deri edhe i befasuar nga shpejtësia me të cilën kryetari i PD-së ka arritur tashmë të krijojë një profil dhe një identitet të vetin politik. Një profil që ka kapitalizuar vlerat më të mira të së shkuarës dhe nevojën e përthithjes së stilit modern të politikës. Ka arritur me sukses të zhgënjejë qoftë dashakeqësit provokativë që i uronin të ishte një model pa identitet (e për këtë arsye ta sulmonin) dhe qoftë dashamirësit skeptikë që i uronin të rikrijonte një impuls të ri politik. Ka qëndruar stoik ndaj vlerave më të mira të së shkuarës dhe është i hapur për korrigjim në të ardhmen të defekteve. Po shndërron gradualisht dhe në mënyrë të natyrshme vetë stilin e vjetër të të bërit politikë, duke futur mondanitetin, elegancën, gjuhën e qetë dhe të matur, duke rrokur si kuaj beteje në politikë çështje kardinale që preokupojnë shtetin dhe shoqërinë. Dhe e gjithë kjo, në situatën ndoshta më të vështirë për të, e cila nuk ka për t’iu prezantuar ndonjëherë më vonë. Ka treguar urtësi, maturi, vendosmëri dhe përgjegjshmëri, duke demonstruar njohje të shpirtit të ushtrisë së demokratëve dhe virtyte të larta të formatit të politikanit të mirinformuar.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency