Gjykata lë në burg “mjekun popullor”: Jeni me kancer, ju shëroj unë me katër terapi  

0
135

Sonila Mesareja

gj.t Një vajzë nga Kukësi denoncoi Lipen, i kishte thënë se ishte me kancer. Vajza, pas dy vizitave të tjera në klinika private, kupton mashtrimin dhe i drejtohet policisë

 Kishte ngritur një skemë mashtrimi për të fituar para, në kurriz të gjendjes shëndetësore të njerëzve. Përmes disa analizave false të bëra në një klinikë private me të cilën ishte lidhur, “mjeku popullor” Avniavdyl Lipe trondiste personat që i paraqiteshin për konsultim, duke u thënë se kishin kancer dhe se vetëm ai mund të përgatiste kurën e duhur për t’u shëruar. Për çdo pacient ai merrte shumën 100 mijë lekë të reja, ndërsa u desh denoncimi i një vajze nga Kukësi që Lipe të binte në duart e policisë. Gjykata e Tiranës e ka lënë në burg “mjekun” mashtrues, i cili përpiqej të përfitonte para duke luajtur me shëndetin e njerëzve, të cilëve u deklaronte se vuanin nga sëmundje të rënda, por që ai me terapitë e tij mund t’i shëronte. Nga policia u bë me dije se në skemën e tij të mashtrimit kanë rënë 115 persona, të cilëve u është deklaruar, pas bërjes së analizave në klinikën private ku i rekomandonte, se ishin me kancer.

 

Akuza

Pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, dje Gjykata vendosi masën “Arrest me burg” për shtetasin Avniavdyl Lipe, akuzuar për veprën penale “Mashtrim”. Nga veprimet hetimore, rezulton se ky shtetas e prezantonte veten si mjek popullor që shëron kancerin dhe dyshohet se ka mashtruar disa njerëz, në këmbim të shumës 100 mijë lekë të reja për person. Sipas akuzës, më 16 maj, në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë është paraqitur shtetasja A. R., e cila ka bërë kallëzimin penal ndaj shtetasit Avniavdyl Lipe, i cili duke u prezantuar si mjek popullor, i ka përgatitur dhe i ka dhënë asaj një kurë kundër tumorit. Në kallëzimin e saj kjo shtetase ka deklaruar se ajo kishte një periudhë kohe që kishte probleme shëndetësore, nisur nga ky fakt ajo ka bërë një vizitë tek mjeku gjinekolog në qytetin e Kukësit, aty ku ajo banon. Gjate vizitës së bërë tek mjeku, ai ka konstatuar që ajo kishte një problem në organet e riprodhimit dhe për këtë i ka rekomanduar që të përdorte mjekim. Ajo e merakosur ka vendosur që të vizitohej edhe në Tiranë, pasi mjekët janë më të specializuar. Gjatë vizitës së bërë në klinikën private “G….” është konfirmuar e njëjta diagnozë dhe kurohej me të njëjtat ilaçe.

 

Njohja me “mjekun popullor”

Kallëzuesja, pasi ka bërë vizitën edhe në Tiranë dhe iu rikonfirmua diagnoza e mjekut të Kukësit, ka shkuar tek shtëpia e motrës, e cila i ka thënë që kishte folur me një mikeshën e saj, për t’u vizituar edhe tek një mjek tjetër me emrin Avni, me të cilin mikesha kishte folur dhe po i priste në një kafe pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ajo ka shkuar në kafe bashkë me motrën e saj, ku janë takuar me mikeshën dhe doktor Avniun, të cilit i ka treguar ekot e bëra dhe shqetësimet që kishte. Pasi ka parë përgjigjet e ekos, doktor Avniu i dha një rekomandim për të bërë një analizë gjaku tek një laborator privat. Pasi ka bërë analizën, së bashku me motrën janë takuar me Avniun, i cili pasi ka parë përgjigjen e analizës i ka thënë: “Doli ajo që unë dyshoja, sentimenti është i rritur si pasojë e një mikrobi që ajo ka prej 10 vjetësh në gjak”. Nga fjalët e doktorit, kallëzuesja është tronditur shumë, por ai i thotë: “Mos u shqetëso, sepse ke ardhur tek njeriu i duhur i cili do të shërojë me anën e një terapie që zgjat katër seanca”. Gjatë bisedës, doktori i arrestuar i ka thënë: “Mos u shqetëso, sepse nuk do të kesh rënie flokësh dhe jetën e ke të garantuar me 2000%, si dhe shuma e lekëve që duhet të paguash është 100.000 lekë të reja gjithsej”. Vajza e tronditur nga situata e paraqitur nga mjeku është vizituar edhe në dy klinika të tjera private, të cilat nuk i nxorën në pah problemet që i kishte nxjerrë doktor Avniu. Pas konsultimeve të bëra dhe me njerëzit e shtëpisë, ajo ka krijuar bindjen se Avniu ishte një mashtrues që përfitonte para me fatkeqësinë e të tjerëve nisur nga fakti që nuk të çonte fare në klinikë, por bisedat i bënte në kafe. Nga biseda që kanë bërë, Avniu i thotë që ajo ka kancer femër dhe shpëtimin e ka vetëm tek ai (Avniu), sepse po të shkojë nëpër spitale, shëndeti i saj do të rrezikohej. Shuma e lekëve që duhej të paguante ishte 25.000 lekë të reja për seancë, të cilat do t’ia jepte pasi ai të përgatiste terapinë për të, e cila do të kryhej në ambiente shtëpie.

 

Kallëzimi

Paraditen e së shtunës së kaluar, “mjeku popullor” Avniu e ka marrë në telefon vajzën në Kukësi, duke i thënë që terapinë e kishte gati, sepse e kishte përgatitur për një paciente tjetër, e cila nuk ishte paraqitur, prandaj i tha që të takoheshin tek i njëjti lokal si gjithmonë. Kallëzuesja deklaroi për policinë se veprimet e këtij mashtruesi kanë ndikuar shumë negativisht në gjendjen e saj psikologjike, prandaj edhe kishte vendosur që të bëjë kallëzim penal ndaj tij. Policia bëri arrestimin në flagrancë të “mjekut popullor” Avniavdyl Lipe më 17 maj, duke u akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit”. Para hetuesve, mësohet se Lipe nuk ka pranuar të japë shpjegime në lidhje me veprën.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency