Trafiku i drogës/ Saimir Bajrami ndërroi mbiemër, i dënuar në Itali me 6 vjet burg

0
144

Anxhela Tato

bajramiSistemi TIMS, korrieri Bajrami është futur tri herë në Shqipëri, datat 11, 14 prill dhe 7 maj

 Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon për ekspertizë teknike celularin dhe iPad-in e pilotit italian

 Korrieri i drogës, Saimir Bajrami, rezulton të jetë futur tri herë në Shqipëri brenda këtij viti, ndërsa ka ndryshuar mbiemrin nga Bega në Bajrami, sepse është i skeduar në Itali për trafik droge. Nga të dhënat e sistemit TIMS, të cilat janë kërkuar zyrtarisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është konstatuar se Bajrami ka zgjedhur linjën e udhëtimit nga Sllovenia, nga aeroporti i Lubjanës dhe hyrjet janë në datat 11, 14 prill dhe 7 maj. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, është provuar se Saimir Bajrami ka ndryshuar mbiemrin vite më parë, pas vuajtjes se një dënimi prej 6 vitesh burg në Itali, i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Të gjithë familjarët e tij figurojnë në sistem me mbiemrin Bega, ndërsa vetëm Saimiri e ka ndryshuar në Bajrami. Nga ana tjetër, prokurorët kanë kërkuar zbardhjen e tabulateve telefonike hyrëse dhe dalëse të telefonave, që ka pasur në përdorim Bajrami, si dhe është dërguar për ekspertizë kompjuteri i pilotit italian Giorgio Riformato.

 

Hetimet

Nga verifikim i sistemit TIMS bëhet me dije se piloti italian Giorgo Riformato nuk është i regjistruar në ndonjë sistem apo bazë të dhënash të policisë në Shqipëri. Një gjë e tillë shpjegohet falë legjislacionit, i cili sanksionon se për pilotët nuk është i nevojshëm regjistrimi në sistemin TIMS. Burime pranë Autoritetit të Aviacionit Civil thonë se, referuar manualit të ICTS dhe rregullores së policisë, vetëm pilotët e linjave të rregullta zyrtare nuk regjistrohen, ndërsa ata të avionëve Charter dhe sportivë e kanë të detyruar kontrollin fizik dhe regjistrimin në sistem. Përveç kësaj, të njëjtat burime sqarojnë se piloti duhet të regjistrohet edhe nga sektori i sigurisë së aeroportit, në mënyrë manuale, në një regjistër, për të provuar, identitetin e personit, që ka hyrë në territorin e brendshëm të aeroportit. Edhe në këto regjistra, sipas prokurorisë, emri i tij nuk figuron. Kjo ka bërë, që ekspertët të zgjerojnë hetimet, pasi pilotit italian i është bërë kontrolli fizik, por nuk rezulton i regjistruar. Në pamjet filmike të kontrollit fizik të Riformatos, të shpërndara nga Ministria e Brendshme, duket qartë, se piloti italian kontrollohet fizikisht, por ajo që bie në sy, është fakti, se ai kalon nga dera e personelit. Edhe ky kalim, sipas specialistëve, është i lejuar vetëm për personelin e aeroportit. Hetuesit thanë, se është kërkuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Alb-kontrolli, t’u vihen në dispozicion të gjitha praktikat dhe hyrjet në Shqipëri përgjatë këtij viti të avionëve Charter dhe sportivë. Kjo bëhet, për të verifikuar, nëse kompania, që drejtohej nga Riformato, ka bërë hyrë edhe herë të tjera në territorin shqiptar.

 

Ekspertiza

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për akt-ekspertim dy pajisjet e komunikimit të sekuestruara pilotit Riformato, përkatësisht një telefon dhe një iPad. Në pritje të përgjigjes së akt-ekspertimit, burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se do të vendoset dhe për procesin e pyetjeve që do të bëhen ndaj pilotit, pasi ky i fundit deri në këto momente mban qëndrim mohues për akuzën si dhe deklaron se nuk e njeh shqiptarin Saimir Bajrami, i cili ka deklaruar se rreth 460 kilogramë drogë do t’ia jepte pilotit për ta transportuar me avion drejt Italisë. Po të njëjtat burime thanë se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzën ndaj pilotit italian, si pamje filmike dhe dëshmi, por si provë kryesore pritet të përdoren kontaktet telefonike, mesazhet dhe email-et që ai ka shkëmbyer me Bajramin, por edhe persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës nga ajri me avion. Riformato u arrestua më 10 maj në plazhin e Divjakës pas rrëzimit të avionit të tij tip “Piper”, ku veç pilotit, u arrestua dhe Saimir Bajrami, i kapur me 460 kilogramë drogë në makinë, në pyllin e Divjakës. Ai ka pranuar akuzën si dhe ka dhënë detaje në lidhje me trafikun e drogës.

 

 Zv.ministrja e Brendshme/ “Në prill u sekuestrua 375% më shumë drogë sesa në vitin e kaluar”

Zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, në një dalje për shtyp tha se gjatë muajit prill të këtij viti është kapur 375% më shumë drogë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Gjebrea theksoi se kjo është arritur falë rikthimit në krye të detyrës të policisë. Sipas saj, opozita e la vendin në një situatë në rritje të narkotrafikut, ndërsa tani kërkon të hedhë baltë, sipas saj, ndaj punës së policisë. Gjebrea ndër të tjera theksoi se është rritur edhe bashkëpunimi me prokurorinë dhe partnerët ndërkombëtarë çka është treguar sipas saj edhe nga deklaratat e tyre. “Çdo ditë e më tepër policia forcon bashkëpunimin për goditje e trafikut të drogës. Rezultatet janë tregues i qartë se policia e shtetit është rikthyer në krye detyrës, dhe jo si më parë kur ata që drejtuan shtetin lejuan mbjelljen e drogës dhe sot hedhin baltë mbi punën e policisë. Vetëm gjatë prillit janë kapur 375% më shumë drogë se një vit më parë në të njëjtën periudhë. Policia është e vendosur të mos stepet nga sulmet dhe presionet e opozitës përkundrazi angazhimi maksimal synon që të forcohen masat për parandalimin e trafikut dhe mbjelljes e kultivimit të drogës. Për këtë arsye vazhdon bashkëpunimi me prokurorinë dhe me partnerët strategjikë çka tregohet edhe nga ata vetë dhe përfaqësuesit e tyre, për ta larguar nga harta e drogës”, – tha Gjebrea.

 

Baza e eksplozivit/ Sekuestrohet 150 kg C4, po iu shitej 2 grupeve kriminale, në pranga 4 persona

Shkatërrohet baza e prodhimit dhe shitjes së lëndëve eksplozive. Ndërsa nga ana e forcave të policisë është bërë e mundur sekuestrimi i një sasie prej 150 kilogramësh C4 në zonën “Sadik Petrela”. Ngatë dhënat e para mësohet se katër të arrestuarit kanë qenë nën hetim nga komisariati numër 2 dhe forcat e Antiterrorit në një periudhë 6-mujore. Ka dyshime se lënda plasëse do i shitej dy bandave, të cilat do ta përdornin për qëllime kriminale. Aksioni u krye mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:30 të darkës, kur lënda eksplozive ishte duke u shitur. Momentalisht në pranga akne rënë katër persona, ndërsa emri i tyre nuk bëhet me dije për arsye hetimore. Sipas informacioneve, si fillim u sekuestruan 11 kg lëndë eksplozive e llojit C4. Ndërkohë, policia ka mundur të sekuestrojë gjatë aksionit edhe 150 kg C4. Ndërsa140 kg janë sekuestruar në një banesë tek “Oxhaku” dhe 10 kg C4 janë bllokuar në një makinë. Ndërkohë, janë ndaluar katër persona në një banese private dhe priten arrestime të tjera. Nuk jepen detaje të mëtejshme rreth ngjarjes, pasi hetimet e policisë vijojnë. Sipas ministrisë, operacioni ishte i koordinuar me strukturat e Antiterrorit  dhe Policisë së Tiranës. Grupi kriminal ishte nën mbikëqyrje prej 6 muajsh. Është sekuestruar një sasi e konsiderueshme C4, detonatorë dhe pajisje të tjera që shërbenin për minat me telekomandë. “ Bëhet fjalë për një sasi të madhe C4, e cila është sekuestruar. Ende nuk mund të japim të dhëna të sakta, sepse janë duke vijuar kërkimet edhe për dy persona të tjerë. Në fund të këtij operacioni do të kemi detaje”, – janë shprehur burime nga Ministria e Brendshme. Eksplozivi, gjithnjë sipas të dhënave paraprake, ishte destinacion për dy grupe kriminale, por ende nuk bëhet me dije se kush do të ishin shënjestrat. Kjo është ndër sasitë më të mëdha të lëndëve plasëse të sekuestruara në kryeqytet, ndërsa policia po vijon kërkimet për kapjen e dy personave të tjerë. Ndërkohë, vijon operacioni në disa zona të tjera të Tiranës, kontrolli i banesave, ndaj për këtë fakt, nuk jepen emrat e të ndaluarve. Pritet që të finalizohet ky operacion. Mendohet se kjo sasi do të përdorej nga grupe kriminale.

 

Kavajë/ Vidhte barnat e të sëmurëve dhe i shiste, pranga fizioterapistit

 Një infermier 53-vjeçar, i quajtur Ylli Sinani, është arrestuar dje në spitalin e qytetit të Kavajës për vjedhjen e barnave të të sëmurëve. Seksioni i Krimit Ekonomik në Komisariatin e Kavajës ka zhvilluar një operacion të koduar “Fizioterapisti”, duke bërë arrestimin në flagrancë të Ylli Islam Sinanit, banor i Kavajës, i punësuar infermier fizioterapist. Burimet zyrtare nga ky komisariat thanë se ky person ka abuzuar në vazhdimësi me detyrën duke vjedhur dhe kontrabanduar në Spitalin e Kavajës nje sasi të konsiderueshme barnash spitalore për përdorim spitalor si dhe barna të tjera pa pullë që tregtoheshin nga disa farmaci në Kavajë.

 

 Aksioni/ Sot asgjësohen 1780 kg kanabis në Bërzhitë

 Ditën e sotme do të bëhet i mundur asgjësimi i 1780 kg kanabis sativa, si edhe sasi të tjera të drogave të forta. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme, me anë të një deklarate për mediat. Asgjësimi do të kryhet pranë Bërzhitës, me urdhër të prokurorit të Rrethit Gjirokastër, në zbatimin të 55 vendimeve të formës së prerë. Rreth orës 11:00, do të nisë nga efektivët e policisë edhe asgjësimi i lëndës narkotike, në rrugën nacionale Tiranë – Elbasan, te kryqëzimi, pa kaluar Urën e Peshkatarit. Në aktivitet do të marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency