Dëshmia e të miturit/ Nuk e vrava unë Koçekun, autori më tha: Pranoje e se marr unë gjakun tënd

0
268

Sonila Mesareja

altin koceku Seanca e masës merr tjetër kthesë, ndryshon dëshmia e të akuzuarit Alban Lulashi. Denoncohet si autor një person në kërkim

 Nuk e priste askush që seanca e masës së arrestit për të miturin e akuzuar për vrasjen e Altin Koçekut të merrte atë kthesë që mori, madje dhe të kishte një pohim aq të papritur. “Krimin e mora përsipër se ma kërkoi Palush Demaj. Ai më tha: Ti merr përsipër autorësinë se je i mitur, unë të marr gjakun”, – ka deklaruar para gjyqtarit të gatshëm 17-vjeçari Lulashi. Më pas ai ka dhënë edhe shpjegime të tjera, duke rrëfyer mbi personin me të cilin kishte konflikte, pse nisën, si ndodhi ngjarja dhe deklaratën se 24-vjeçari Koçeku është vrarë gabimisht në momentin që u qëllua drejt makinës me xhama të zinj. Pas leximit të dinamikës së ngjarjes nga prokurori, rrëfimit të papritur të të miturit dhe kërkesës së avokatit për një masë më të lehtë, gjykata la në burg 17-vjeçarin, i cili u shoqërua për në qelitë e paraburgimit të burgut të Shën Kollit.

 

Seanca

Gjykata e Korçës zhvilloi seancën e caktimit të masës së arrestit për 17-vjeçarin Alban Lulashi. Prokurori Lazër Shytani ka lexuar dinamikën e ngjarjes së ndodhur në 15 maj në fshatin Hot i Ri, ku për pasojë mbeti i vrarë 24-vjeçari Altin Koçeku, ndërsa janë shpallur në kërkim disa persona të akuzuar si bashkëpunëtorë të autorit të dyshuar, Lulashi. Por, ndryshe nga sa ka deklaruar në polici, i mituri ka surprizuar gjykatën dhe prokurorinë me dëshminë e tij. Albana Lulashi tha para togave të zeza se nuk kishte qëlluar ai me automatik në drejtim të automjetit Tip Benz, por kishte qëlluar shoku i tij Palush Demaj, i cili është shpallur në kërkim nga policia. “Krimin, tha ai, e mora përsipër pasi ma kërkoi Demaj, duke më thënë: “Ti merr autorësinë pasi je i mitur, unë të marr gjakun”, – ka rrëfyer 17-vjeçari. Më pas, ai ka deklaruar se vrasja e 15 majit ka ndodhur aksidentalisht, pasi objektiv ishte dikush tjetër jo Koçeku. Sipas tij, konflikti ka qenë mes tij dhe shtetasit I.D edhe ky i shpallur në kërkim nga policia. “Shtetasi I. D. më ka kërcënuar në telefon dhe për këtë gjë unë kam lajmëruar të afërmit e mi dhe shokët. Pas kërcënimit në telefon, ai më ka kërkuar të takohemi dhe e kemi lënë në fshatin Hot takimin. Aty shtetasi I. D. ka qëlluar në ajër për të trembur shokët e mi, Palush Demaj dhe Alfred Rrasën. Në kundërpërgjigje shoku im Palush Demaj ka marrë automatikun poshtë banakut të lokalit ku punonte dhe ka qëlluar në drejtim të makinës “Benz”. Për shkak të xhamave të zinj, nuk e kemi ditur se brenda saj ndodhej 24-vjeçari Altin Koçeku, që mbeti i vrarë nga një plumb që e goditi në kokë. Menjëherë pasi Demaj qëlloi në drejtim të makinës, u larguam të gjithë, ku ne fshehëm edhe armën e krimit në zonën e Zallit të Kirit”. Pasi përfundoi rrëfimin i mituri, prokurori kërkoi të vlerësohej si i ligjshëm arrestimi dhe të lihej në burg 17-vjeçari. Ndërkohë që ka reaguar edhe avokati i tij Rroksan Sheldija, i cili kërkoi caktimin e masës “Arrest shtëpie” për klientin e tij, me argumentin se ai është i mitur dhe ka kryer çdo veprim në kushte vetë mbrojtje, por kjo nuk u pranua nga trupa gjykuese e kryesuar nga Arber Çela.

 

Dosja “Gjika”/ Anëtarët e KRRT-së, Vlorë: Ishim pro dhënies së lejes së ndërtimit

 Në Gjykatën e Tiranës ka vijuar si çdo të hënë çështja gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, dhe vartësve të tij. Dje kanë dëshmuar dy vartës të Gjikës, drejtorja Juridike e Bashkisë dhe një anëtar i KRRT-së, së Vlorës, përkatësisht Anila Cukani dhe Ardian Musta. E pyetur lidhur me lejet e ndërtimit për të cilat akuzohen të pandehurit, drejtoresha juridike deklaroi para trupës gjykuese se asnjë leje nuk ka kaluar pa miratimin e Këshillit Teknik. “Jam drejtoreshë juridike pranë Bashkisë së Vlorës që nga muaji prill i vitit 2010 deri tani. Detyra ime në Bashkinë e Vlorës më bën edhe anëtare të KRRT të këtij qyteti. Jap vetëm mendimin tim në lidhje me problemet juridike, që lindin gjatë mbledhjeve të KRRT-së. Nuk ka patur ndonjëherë raste, kur janë miratuar leje ndërtimi pa miratimin e anëtarëve të KRRT-së”, – dëshmoi Anila Cukani. Në përfundim të dëshmisë së saj, ndërsa radhën e kishte dëshmitari Musta, ajo që ra në sy dhe që u filmua nga kameramanët, ishte komunikimi i Gjikës me vartësen e tij Anila Cukani nëpërmjet mesazheve. Cukani komunikoi me numrin 0682000510. Mesazhi i parë është nga ky numër dhe e pyet Cukanin se si shkoi seance. Ndërsa përgjigja është pyetje-përgjigje si në prokurori. Gjika i shkruan përsëri duke i thënë se e hoqi qafe. Cukani ia kthen me buzëqeshje duke i thënë se ty nuk s’po të heq qafe. Ndërsa komunikimi mbyllet duke thënë se nuk është pyetur nga avokatët dhe tani ishte radhë Ardian Mustës për t’u pyetur. “Gjika: Hë si vajte? Anila: Pyetjet dhe përgjigjet sipas atyre në prokurori! Normale! Nuk u hapën më tej! Gjika: Ja e hoqe qafe. Po avokatët të pyetën? Anila: Po ty s’po të heq qafe : ) ! . Av jo!” mbyllet komunikimi nnë Viber. Pas saj radhën për të dëshmuar e ka pasur anëtari i KRRT-së Vlorë, Ardian Nusta, i cili pranoi se ka qenë i pranishëm në shqyrtimin e dosjes së Gëzim Fetës, ndërsa shton se ka votuar pro lejes për ndërtimin në truallin e tij. “Dosja e Gëzim Fetës, pronarit të truallit nuk ka patur probleme, në parim kam qenë dakord. Edhe për dosjen e miratimit të sheshit të ndërtimit në pronësi të Mustafa Tartarit kam qenë pro. Nuk e kam marrë ndonjëherë parasysh, nëse materiali nuk ka kaluar në Këshillin Teknik. Çdo propozim i anëtarëve të KRRT shqyrtohet automatikisht, s’ka nevojë të kalojë në Këshillin Teknik. Leja e ndërtimit në zonën e ‘Tri racave’ është sipas ligjit, nuk cenohet zona e gjelbër prej 1270 m2” tha ai. Këto ishin dëshmitë e vetme, pasi dje ishte njoftuar për të dëshmuar edhe noterja Arjana Bino, e cila nuk u paraqit dhe do të thirret sërish seancën e ardhshme. Në mungesë të dëshmitarëve të tjerë, seanca u shty për më 2 qershor, ndërsa pritet të thirren për të dëshmuar 4 persona. Edhe dje, ashtu si disa seanca më parë, nuk ka qenë i pranishëm kryebashkiaku Gjika.

Berat/ Abuzimi me detyrën, Gjykata lë në burg gjeneralin Syrja Gjoka

 Gjykata e Berati ka njohur dje me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” komandantin e Brigadës Logjistike në Forcat e Armatosura, me gradë “Gjeneral brigade” Syrja Gjoka, si dhe masën e arrestit “Burg pa afat” e marrë për të në mungesë për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Pala mbrojtëse mësohet të ketë kërkuar që gjykata të vendoste një masë më të lehtë sigurie duke e konsideruar Gjokën si të parrezikshëm për drejtësinë dhe zhvillimin e hetimeve. Por, organi i akuzës, i përfaqësuar nga prokurori Tasim Puci, i kërkoi gjykatës lënien në fuqi të vendimit të mëparshëm. Pasi ka dëgjuar palët, gjykata e Beratit vendosi të cilësoi si të ligjshëm arrestimin dhe i komunikoi atij akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Komandanti i bazës logjistike në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë, u arrestua mëngjesin e 16 majit në banesën e tij dhe menjëherë udhëtoi drejt qytetit të Beratit, ku tashmë do të jetë prokuroria që do të vijoj hetimet e kësaj çështje. Nga hetimi rezultoi se gjatë kohës që ka ushtruar funksionin e komandantit të repartit ushtarak 3200 në Kuçovë në kundërshtim me ligjin dhe pa miratimin e strukturave eprore ka nxjerrë urdhrin për shkatërrimin e të paktën 7 objekteve në pronësi të FA. Sipas një vlerësimi paraprak të bërë nga Ministria e Mbrojtjes, kërkuar nga prokuroria për nevojat e hetimit, rezulton se dëmi financiar nga këto veprime të kundërligjshme është në vlerën e afërsisht 6 milionë lekëve të reja.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency