Tronditet Gjermania nga droga shqiptare/ Zbulohet kamioni nga Shqipëria, 370 pako marijuanë fshehur në blloqe betoni

0
135

Marrë nga “Abendzeitung Munchen”

 Përktheu: Anxhela Tato

droga ne blloqe 5.6 tonë marijuanë, e kontrabanduar në blloqe betoni

 Shkatërrohet rrjeti i trafikut të drogës, në krye 2 vëllezër shqiptarë, me precedentë penalë

 Marijuana ishte mbjellë në blloqe betoni, itinerari i trafikut Shqipëri-Holandë-Itali-Gjermani

 Në pamje të parë çdo gjë dukej si një transport normal i gurëve natyrorë graniti, por pas dyshimeve të punonjësve të doganës, e vërteta doli në pah vetë, kur u zbulua se blloqet e granitit në të vërtetë ishin kuba betoni të lirë. Për të vijuar më tej, me përmbajtjen e vendeve të fshehta që ishte ndërtuar brenda betonit, e thënë ndryshe ky zbulim ishte “bombë” për policinë.

Nurnberg – Lënda narkotike ishte paketuar në blloqe betoni, të cilat transportoheshin sikur të ishin gurë natyrorë graniti. Hetuesit e policisë së Bajernit dhe të Sachsen-Anhalt arritën që pas gjashtë muajsh investigimi të shkatërronin një rrjet ndërkombëtar të mirorganizuar të trafikut të drogës. Tetë prej të prangosurve si anëtarë të bandës, mes moshave 30-49 vjeç, janë të dyshuar se kanë arritur të kontrabandojnë këto vitet e fundit një sasi rekord lënde narkotike prej 5.6 tonësh marijuanë, e sekuestruar nga policia, – pjesë e njoftimit të Policisë së Nurembergut. Shtatë prej të arrestuarve ndodhen në qelitë e paraburgimit në pritje të përfundimit të hetimeve. Ndërkohë që një i dyshuar i nëntë si anëtar i rrjetit, me origjinë nga zona e poshtme e Bajernit, përfundoi në rrjetën e policisë austriake. Kreu i operacionit të Antitrafikut i Drejtorisë së Myhniut, Jurgen Thiel, e cilësoi këtë operacion si zbulimin më të madh të drogës për Bajernin në këto 20 vitet e fundit. Lënda narkotike është trafikuar nga banda shqiptar me destinacion final Gjermaninë. Sipas shefit të krimeve të policisë bavareze, Hans Shmit, lënda narkotike ka kaluar në Holandë, Itali e më pas Gjermani. Sasia e drogës korrespondon me tërë drogën e sekuestruar vitin e kaluar nëpër plantacioni të paligjshme kanabisi. Ndërsa nëse do të flasim për vleftën financiare të drogës, referuar tregut të zi ajo është përafërsisht 50 milionë euro.

 

Hetimet

Sipas hetimeve të policisë, ka rezultuar se banda kryesohej nga dy vëllezër shqiptarë të skeduar për precedentë penalë, të cilët jetonin në zonën e sipërme të Sachsen-Anhalt. Sipas udhëzimeve të dy vëllezërve shqiptarë, marijauna ishte mbjellë në Shqipëri nëpër blloqe betoni, duke iu përshtatur kështu mënyrës së trafikimit. Pra, lënda narkotike ishte e ngjeshur në brendësi të blloqeve të betonit, të cilat më pas ishin mbyllur nga të dyja anët dhe hedhur për të fshehur gjurmët. Në fund fare blloqet e betonit u përpunuan në formë të tillë që të ngjasonin si gurë natyralë graniti, të gatshëm për transport, – tha Thiel. Vitet e aktivitetit të bandës kriminale kanë qenë gjatë gjithë kohës në qendër të vëmendjes së policisë, e cila pas disa muajve të ndjekjeve, përgjimeve telefonike dhe operacionesh, arriti t’i prangosë gjatë një takimi në një fabrikë në jug të Hall, ku pati përplasje mes policisë dhe kriminelëve. Përveç dy krerëve të bandës, vëllezërit 44 dhe 49 vjeç, në pranga kanë rënë edhe pesë bashkëpunëtorë të bandës.

 

Operacioni

Të dyshuarit u kapën teksa po tentonin që të shkarkonin 150 kilogramë marijaunë nga kamioni me qëllim fshehjen dhe shkarkimin e saj në një fabrikë. Gjatë rrjedhës së këtij hetimi janë arrestuar të dyshuar të tjerë. Ka qenë një gjurmë shumë e rastësishme që çoi në zbulimin e lëndës narkotike. Një kontroll rutinë më datë 30 shtator të 2013 në një rrugë dytësore në Erlagën pati një raportim nga disa punonjës për një kamion me targa shqiptare që kishte ndaluar. Një qen i antidrogës u afrua tek kamioni, ku filloi të nuhaste një bllok prej 17 tonësh, të mbështjellë me letër, duke bërë që nga ana e punonjësve të policisë të urdhëroj një kontroll. Nga ekspertiza që iu bë blloqeve u zbulua rreth 374 pako marijuane të fshehur me peshë rreth 645 kilogramë. Sipas kreut të Antitrafikut të Drejtorisë së Policisë së Sachsen-Anhalt, Sven Caroli, dy vëllezërit shqiptarë kanë qenë prej vitesh në qendër të hetimeve dhe kërkimeve të policisë. Për një kohë shumë të gjatë nga ana e bluve nuk ka pasur prova që të vërtetonin aktivitetin kriminal në shkallë të gjerë për trafikun e drogës. Pavarësisht masës së dënimit prej 2 vjetësh burgim, dy vëllezërit shqiptar kanë arritur gjithmonë t’i shpëtojnë policisë, por këtë herë kanë rënë në grackë, – u shpreh Caroli.

 

Avioni me drogë/ Shkarkohet nga detyra shefi i Antitrafikut të Policisë së Shtetit

Shkarkohet nga detyra si shef i Antitrafikut në Policinë e Shtetit, Sokol Selfollari. Ditën e djeshme është konfirmuar lajmi se Selfollari është transferuar në një sektor tjetër, duke u hequr nga drejtoria e trafikut të drogës. Ndërsa ka pasur vetëm heshtje për këtë lajm, i cili u tentua t’i mbahej i fshehur medias. Vendimi i pushimit nga detyra dhe transferimit në një pozicion tjetër është marrë vetëm pak ditë pas daljes së tij para mediave ku dha sqarimet për çantat dhe efektivët. Skandali i avionit të drogës mesa duet iu faturua Selfollarit, të cilin tashmë e kanë larguar në një pozicion tjetër. Por ende nuk ka një sqarim publik dhe të plotë për arsyen pse Selfollarin e larguan nga detyra, duke lënë dyshimi se shkaku është avioni me drogë. Më datë 12 maj para mediave Selfollari deklaroi se çantat në foto i përkasin pilotit italian, të sekuestruara në prokurori. Sipas Selfollarit në vendin e ngjarjes nuk ka pasur makina të tjera dhe makina me targa Elbasani që duket në foto, është e një efektivi policie. Por shefi i sektorit antidrogë në deklaratën e tij nuk sqaroi se përse çantat u tërhoqën nga dy policët e Divjakës dhe pa praninë e grupit hetimor. “Çantat e shfaqura në foto janë çantat e pilotit të aeroplanit, shtetasit Italian Giorgio Riformato, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës dhe ndodhen aktualisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Makina me targa EL 7117 B, është makina e punonjësit të policisë të Stacionit Divjakë, Arben Sina, i cili u ngarkua me shërbim në vendin, ku u gjend aeroplani. Personi i dytë është specialist i krimeve në Divjakë, Sheme Kaja”, – pjesë e deklaratës.

 

Prokuroria/ Merr në pyetje Erion Piperon, operatori që i dha lejen e devijimit pilotit

Prokuroria e Krimeve të Rënda merr në pyetje për rreth 4 orë Erion Piperon, operator i kullës së kontrollit, dhe personi që miratoi kërkesën e pilotit italian Giorgio Riformato për devijimin e itinerarit te fluturimit. Para grupit hetimor, mësohet se Pipero ka shpjeguar me detaje të gjitha veprimet dhe procedurat e ndjekura, dhe kontaktet me pilotin italian, duke dorëzuar gjithashtu edhe disa materiale shkresore për praktikën e ndjekur. Pipero, mësohet se i ka thënë grupit hetimor, se për të gjitha veprimet e kryera, ka njoftuar dhe marre miratimin nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Sipas akuzës, Pipero, ka treguar se plani i fluturimit, bazuar në manualet e aviacionit, parashikohet minimalisht tre orë para fluturimit. Ai ka thënë, se në rastet e avionëve sportiv, që drejtohen me shikim të lirë nga piloti, mundet që të ndryshohet korridori ajror, nëse në zonën nga do të kalojë avioni nuk ka një tjetër fluturim të parashikuar. Sipas Piperos, piloti italian ka kërkuar të dalë nga korridori ajror i planifikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil për 30 minuta, për të soditur bregdetin shqiptar. Edhe për këtë kërkesë, Pipero, ka pretenduar se i ka njoftuar eprorët e tij, të cilët kanë miratuar kërkesën, duke komunikuar vazhdimisht për lartësinë e fluturimit.

 

Banda shqiptare

Mega-operacioni i policisë së Bajernit bëri të mundur shkatërrimin e rrjetit të trafikut të marijuanës, me në krye dy vëllezër shqiptarë, të cilët vetëm brenda pak viteve kishin arritur të kontrabandonin 5.6 tonë. Lajmi është bërë me dije nga media gjermane, në të cilat shkruhet se banda ka qenë nën vëzhgim prej vitesh nga policia, por zbulimi dhe arrestimi është bërë krejt rastësisht. Një kontroll rutinë në një zonë çoi në gjetjen e kamionit me targa shqiptare, që po shkarkonte blloqe betoni me lëndë narkotike në një fabrikë. Ky ka qenë episodi që zbuloi anëtarët e dyshuar të bandës, duke bërë të mundur arrestimin e vëllezërve shqiptarë. Operacionin dhe aksionin e plotë të policisë është përkthyer nga e përditshmja bavareze “Abendzeitung”, e cila sqaron itinerarin e drogës, mënyrën sesi u zbulua banda dhe drogën. Interesante sipas policisë është fakti që marijuana mbillej nëpër blloqe betoni, ku ngjeshej dhe lihej të thahej. Më pas blloqet e betonin sharroheshin që të dukeshin si gurë graniti të gatshëm për transportim. Nga aksioni i fundit u zbulua rreth 374 pako me peshë 645 kilogramë. Dy vëllezërit shqiptar kishin emigruar në Gjermani që në vitet 90, duke mos shkëputur lidhjet me bashkëpunëtorët e tyre. Pavarësisht se ishin personazhe të skeduara për blutë, ata vijonin transportin e granitit, që në të vërtetë ishte marijaunë e ngjeshur në beton. Dyshohet se banda ka dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët janë kujdesur për mbjelljen e drogës, ngarkimin në kamion dhe përgatitjen për transport. Shtetasit shqiptarë kishin arritur të krijonin një grup të mirorganizuar me një stil krejt të veçantë për trafik droge. Por situata ishte pikasur nga policia, pas dyshimeve të shpeshta për granitin që në të vërtetë ishte beton i presuar. Siç shkruhet edhe në artikullin e botuar në gazetën Abenzeitung, shqiptarët këtë herë ranë në grackë.

 

Ministria e Brendshme: Gjermania nisi hetimet në 2013, u sekuestruan 800 kg marijuanë

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Brendshme në lidhje me operacionin e antidrogës. Në një njoftim për shtyp burime nga ministria kanë sqaruar se nga ana e palës gjermane është dërguar procesverbal për aksionin e shkatërrimit të bandës. Procedimi ka nisur që ën vitin 2013, kur u bë e mundur kapja e një sasie prej 800 kilogramësh lëne narkotike kanabis. Ky ka qenë sinjalizimi i policisë gjermane, të cilët kanë njoftuar shtetin shqiptar për vijimësinë e hetimeve. Nga ministria vjen konfirmimi se lënda narkotike prej 5.6 tonësh është kontrabanduar gjatë gjithë këtyre viteve nga dy vëllezërit shqiptarë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency