Plani operacional/Mungojnë fotot e mbërritjes dhe hyrjes së pilotit në Rinas

0
258

Anxhela Tato

rinasZbardhet kronologjia dhe itinerari i avionit që do të trafikonte drogë, fluturimi i regjistruar në Aviacionin Civil

 Policia u vu në dijeni në orën 14:11, u ndërtua plani për kapjen e trafikantëve dhe sekuestrimin e drogës

 Presionet dhe akuzat për skandalin e trafikut të drogës “detyrojnë” policinë që të zbulojë operacionin e detajuar, i cili pavarësisht publikimit të itinerarit të plotë, ka një sërë pikëpyetjesh. Ajo çka bie në sy në buletinin e prezantuar nga blutë është mungesa e fotove që të tregojnë momentin e mbërritjes dhe të futjes së pilotit italian në Rinas. Një pikë tjetër është mosprania e fotove që i është bërë lëndës narkotike të gjetur në automjetin e shqiptarit Saimir Bajrami. Është vetëm fotoja e makinës dhe e tetë çantave me lëndë narkotike. Këto mungesa krijojnë sërish një ndjesi dyshimi për sa i përket aksionit dhe punës së kryer nga blutë. Ditën e djeshme, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka dhënë me orare të sakta të gjithë itinerarin e avionit italian nga nisja në Rinas dhe deri tek ulja në zonën e Divjakës, ku dyshohet se do të bëhej takimi mes pilotit italian Giorgio Riformato dhe trafikantit Saimir Bajrami dhe shkëmbimi i drogës e i parave. Detajet e hollësishme të operacioni prej gati 4 orësh deri në arrestimin e dy të akuzuarve kryepolici Didi i deklaroi në takimin që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit në ambientet e Akademisë së Arteve. Pasditen e 10 majit, në orën 14:11 minuta, Policia e Shtetit është vënë në dijeni për avionin që po ulej në zonën e Divjakës dhe nga ky moment është ndërtuar operacioni që u finalizua me kapjen e dy personave të dyshuar si trafikantë, sekuestrimin e një avioni dhe një sasie të konsiderueshme drogë në plazhin e Divjakës. Aktualisht për ngjarjen janë në burg është piloti italian Giorgio Riformato dhe shqiptari Saimir Bajrami, të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim.

 

Kronologjia

 

Më 8 maj

Ora 10:16 avioni GRMP tip PA 32 ulet në aeroportin “Nënë Tereza”, avioni është nisur nga Korfuzi me destinacion Tiranën, për qëllim turistik. Leja e fluturimit nr. 193, lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Më 10 maj

Ora 13:26 minuta avioni niset nga Rinasi me destinacion Pescara, Itali.

Ora 13:50 avioni në kuotën 756 metra lartësi vazhdon drejt fluturimin drejt pikës gogël në pikën bitam, kthehet majtas pa marrë leje, Kulla pyet pilotin për kthesën, ai kërkon leje për fluturim turistik mbi bregdet dhe i jepet leje.

Ora 13:52 në kuotën 220 m lartësi zbret pa leje, i kërkohet sqarim për lartësinë e ulët dhe impaktin me terrenin.

Ora 13:56 Avioni ngrihet në lartësinë 364 m, por humbet nga monitorimi i radarit, avioni vazhdon të qëndrojë në frekuencë me radion.

Ora 13: 59 avioni minuta humbet komunikimin me radion.

Ora 14:11 Shefi i komisariatit Lushnjë informohet se një avion i vogël po ulet në Divjakë, ai informon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe ministrin e Brendshëm, që urdhërojnë nisjen e operacionit.

Ora 14:13 efektivët nisen drejt vendngjarjes, marrin detyrë për bllokimin e zonës.

Ora 14:18 sipas procedurave të emergjencës nis kordinimi i të gjithë strukturave

Ora 14:20 efektivat e policisë mbërrijnë në vendngjarje dhe konfirmojnë avionin dhe pilotin 2 m larg jashtë tij me dy çanta në duar, avioni kishte mbetur në rënë i bllokuar

Ora 14:21 Qendra e Kontrollit të Raportimin, informojnë shefin e shtabit

Ora 14:23 koordinatori ushtarak njofton Postën e Kontrollit të Raportimit në Greqi, në Itali dhe Spanjë.

Ora 14:33 patrulla e dytë në aksin Divjakë-plazh identifikon 2 automjete të ndaluara buzë rrugës, “Mitsubishin” që po ngarkohej me rimorkio për tu tërhequr nga “Range Rover” dhe një shtetas drejt pyllit me një çantë të zezë. Policia bllokoi dy makinat të dyshuara me ngarkesë lënde narkotike dhe u vu në ndjekje të tij.

Ora 14:35 nga Drejtoria e Përgjithshme u nis zoti Faskaj dhe zoti Selfollari.

Ora 14:50 u identifikua pronari i makinës, kontaktohet me palën italiane verifikohen gjeneralitetet e pilotit italian.

Ora 15:30 shefi i komisariatit Lushnjë njofton prokuroren e rrethit Merita Selimi.

Ora 15:35 mbërrijnë në vendngjarje forcat e nisura nga Tiranë dhe Fieri, fillon operacioni i kërkimit. Julian Hoxha identifikohet pronar i automjetit që ja kishte dhënë Saimir Bajramit, i cili kishte mbërritur në Shqipëri dy ditë më parë.

Ora 16:22 është njoftuar Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Ora 16:26 jepen informacione nga pala italiane për pilotin dhe precedentët penal të tij.

Ora 16:50 u gjetën 8 çanta që dyshohen si lëndë narkotike, doreza, u sekuestruan .

 

Pyetje

Dyshime nëse emri i pilotit italian figuronte në sistemin TIMS?

Prokuroria

Nuk është e nevojshme që emri i Giorgio Riformatos të jetë në sistemin TIMS, pasi ai është pilot. Edhe në rastin se emri i tij nuk figuron, mjafton të jetë i regjistruar në regjistrin e pilotëve. Nga hetimet rezulton se emri i Riformatos është në regjistrin e pilotëve.

Pyetje

Efektivë policie fotografohen në vendngjarje duke nxjerrë disa çanta të zeza nga avioni dhe duke i transportuar me automjete. Aludime se në çanta ka drogë.

Policia

Çantat që shihen në foto i përkasin pilotit. Në këto çanta, të dorëzuara në Prokurori, janë sendet personale të italianit. Për sa u përket dy efektivëve njëri është i Lushnjës, i caktuar për të ruajtur vendngjarjen, ndërsa tjetri ekspert krimesh.

Pyetje

Dyshime rreth avionit, nëse ishte i regjistruar dhe itinerarin që kishte ndjekur.

Prokuroria

Avioni është i regjistruar dhe konfirmohet leja për të udhëtuar nga bregdeti. Nga përgjigjet e Aviacionit Civil për hyrje-daljet, çdo gjë është në zbatim të rregullave.

 

Shërbimi Ajror/ Të regjistruara dhe sipas rregullave lëvizjet e avionit më 10 maj

 Shërbimi i Lundrimit Ajror i Republikës së Shqipërisë, Albcontrol, në një deklaratë për shtyp ka reaguar lidhur me komentet e bëra deri më tani për avionin e bllokuar në Divjakë. Sipër këtij shërbimi, “po bëhet dezinformim nga njerëz që përhapin panik për qëllime partiake”. Në reagimin e “Albcontrol” thuhet se ky shërbim nuk jep leje fluturimi, por kryen shërbimin e lundrimit ajror. “Shërbimi i Lundrimit Ajror i Republikës së Shqipërisë, përmes kësaj deklarate për shtyp kërkon të informojë publikun e gjerë, i cili po dezinformohet në bazë ditore nga njerëz që nuk njohin argumentin specifik të lundrimit ajror, ose përhapin informacion të rremë me synim krijimin e kaosit informativ, për qëllime personale dhe partiake. “Albcontrol” nuk jep leje fluturimi. “Albcontrol” kryen shërbimin e lundrimit ajror, ose si në rastet e avionëve VFR (Visual Flight Rules – Avion që Pilotohet me Shikim), shërbimin e informimit të trafikut ajror, në bazë të lejes së fluturimit (clearance), lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil”, – thuhet në njoftim. “Albcontrol” bën me dije se ky shërbim ka regjistruar operimet e datës 10 maj, dhe thekson se hapat e ndjekur janë konform ligjeve. “Albcontrol” nuk administron shkresa, por të dhëna elektronike që ruhen në sisteme moderne pa kufizim kohor, ndaj sigurojmë këdo, se sistemet tona përmbajnë të dhëna mbi të gjithë avionët që janë pajisur me leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe i është ofruar shërbimi i lundrimit ajror. Në sistemet tona gjenden të regjistruara të gjitha operimet e datës 10 maj, por edhe të të gjithë ditëve, muajve e viteve të mëparshëm. “Albcontrol” është agjenci e sigurisë së lartë që funksionon bazuar mbi kodin e aviacionit, Konventën e Çikagos, rregulloret e Eurocontrol dhe mbi të gjitha operon në bazë të dokumentit 4444 të ICAO (International Civil Aviation Organisation), instanca më e lartë rregullatore e aviacionit civil ndërkombëtar. Kontrollorët e trafikut ajror në “Albcontrol”, kryejnë me përgjegjësi të lartë detyrën e tyre, të kornizuar plotësisht nga manualet dhe procedurat e operimit, të cilat janë ndjekur me përpikmëri, dhe në rastin e avionit me shenjëthirrje I-GRMP, me leje fluturimi numër 193, lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Ky avion i përket tipit PA32, fluturon sipas rregullave VFR (Visual Flight Rules), pra jo me instrumente navigacional, por me shikim të lirë, totalisht në përgjegjësinë e pilotit. Kontrollori i trafikut ajror duke përjashtuar zonën mbi aerodromin e Rinasit, ku ofrohet shërbimi i kontrollit navigacional, i ofron vetëm informacionin navigacional fluturimeve VFR, pasi fluturojnë në lartësi më të ulëta se juridiksioni ynë. Deklarojmë me përgjegjshmëri të plotë se të gjitha hapat që janë ndjekur nga kontrollorët e trafikut ajror në “Albcontrol”, janë konform ligjeve, rregullave dhe procedurave të aviacionit civil në fuqi”, – thuhet në reagim.

 

Hetimet/ Ekspertë të Guardia Di Finanza në vendngjarje, fotografi avionit nga jashtë

 Ekspertë të Guardia Di Finanza përfshihen në hetimet për avionin e rrëzuar në pyllin e Divjakës, që tentoi të trafikonte një sasi të madhe lëndë narkotike drejt Italisë. Mëngjesin e së mërkurës dy efektivë të Guardia Di Finanza kanë shkuar në plazhin e Divjakës dhe kanë fotografuar avion në fjalë. Mësohet se ekspertët italianë avionin e kanë fotografuar vetëm nga larg, pasi nuk janë lejuar të të hyjnë në perimetrin e rrethuar nga policia dhe aq më tepër të fotografojnë avionin nga brenda. Mjeti fluturues që drejtohej nga italiani, Giorgio Riformato, i arrestuar për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, prej datës 10 maj ndodhet në plazhin e Divjakës, ku dhe ngeci pas një defekti. Ndërkaq, ditën e djeshme Gjykata e Krimeve të Rënda rezervoi masën arrest me burg, për pilotin Italian, Giorgio Rifomarto, si dhe për bashkëpunëtorin e tij shqiptar Saimir Bajrami, i cili po transportonte drejt avionit me mjetin e tij sasinë e 460 kg kanabis sativa.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency