Dystandardizimi i ligjeve

0
150

Brikena Bogdo

brikena bogdo “I kam duart e pista, por paratë i kam të pastra”, – tregonte për punën e tij një nga zanatçinjtë e Tiranës. Më duart plot kallo, ku në të çarat e duarve, tashmë kishte depërtuar thellë e ndotura e përditshmërisë, thjeshtë, me qetësi dhe fytyrë të buzëqeshur, tregonte se nëse nuk rridhte, të paktën i pikonte. Vërtet nuk mund të bëhej pasanik, por bukën e mbijetesës e kishte siguruar, sidomos në këtë periudhë krizash. “Sa thjesht më ke shprehur një filozofi kaq të thellë”, – i thashë dhe kujtova “duart e pastra, që kalojnë miliona lekë të pista”.

Sapo Prokuroria e Përgjithshme ka marrë mbështetjen pa ekuivoke, nga të gjitha forcat politike, në luftën antikorrupsion, vihet në mijëra pikëpyetje puna e saj dhe tagri i ILDKP-së. “Nuk mundet gjyqtari Gjin Gjoni, të ngarkohet me akuza që nuk i ka për tagër ILDKP-ja”, – hedh akuzën Prokuroria e Përgjithshme. ILDKP-ja duhet vetëm të akuzojë për mosdeklarim pasurie, sipas prokurorisë. Në këtë mënyrë, ra poshtë një nga akuzat kryesore ndaj gjyqtarit Gjoni, pikërisht ajo e korrupsionit.

Deklarimi i pasurisë dhe korrupsioni detyrimisht janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën. Një nga mjetet më të fuqishme, në luftën antikorrupsion, është konsideruar pikërisht hartimi i deklarimit të pasurisë. Ka qenë një nisëm shumë e vështirë për t’u arritur, përpara disa viteve dhe shumë e debatuar, pasi u vëzhgua si një armë shumë e rëndësishme antikorrupsion. Ta shkëpusësh nga akuza për korrupsion, zyrtarin që nuk ka bërë deklarimin, apo e ka bërë të rremë, do të thotë ta zhveshësh nga thelbi, këtë nisëm të konsideruar shumë të fuqishme, në një luftë tepër delikate, që na ka lënë jashtë dyerve të Evropës, atë kundër korrupsionit.

Duke anashkaluar thelbin, korrupsionin, i gjithë procesi fillon dhe deformohet. Ndërkohë dystandardizohet qëndrimi ndaj funksionarëve të korruptuar, njëri gjobitet, tjetri dërgohet për proedim penal. Prandaj, është shumë e rëndësishme që korrupsioni të mos dystandardizohet, të ketë vetëm një emër, korrupsion, Mosdeklarim i pasurisë, apo deklarim i rremë i saj, është korrupsion. Korrupsion pasiv, apo korrupsion aktiv, është korrupsion. Korrupsion i lartë apo korrupsion i ulët, është korrupsion. Si të mos deklarosh 200 mijë, si ta deklarosh, në mënyrë të rreme 2 milionë apo të bësh deklarata të rreme, ty dyja nënkuptojnë korrupsion dhe është e dënueshme. Zyrtari që nuk deklaron pasurinë, qoftë edhe në shifra minimale, duhet të ndëshkohet, ndërkohë që shohim, që askush nuk e prek. Pasi i hiqet thelbi i funksionimit të saj, (siç ndodhi në rastin e Gjonit, ku u zhvesh akuza ndaj tij për korrupsion), kalohet pra, në dystandardizimin e kërkimit të dënimit, çka reflekton dhe në dystandardizimin e qëndrimit ndaj çështjes.

Me arsyetimin e një mosdeklarimi pra i një minikorrupsioni, që merituaka vetëm një gjobë, i mbetet e drejta, të qëndrojë në pozicionin e zv.ministrit, një funksionari të shtetit? Për njërin funksionar kërkohet, të vazhdojë punën, ndërsa për tjetrin, ministri Naço do të kërkojë largimin nga posti. Kjo është forma antiligjore e implementimit të ligjit, apo dystandardizimi i ligjeve, që ndodh tepër rëndom në shtetin tonë.

Një zyrtar i huaj, vetëm para pak ditëesh, po më pyeste se si e vlerësoja kontrollin e aseteve, si nisëm dhe a besoja vërtet se, tashmë gjyqtarët po atakohen. I thashë shpresoj, të mos jetë selektive e politike, dhe të vazhdojë si nismë. Kjo pyetje, në vetvete, tregon pritshmërinë që ka faktori ndërkombëtar, në gjuetinë ndaj gjyqtarëve të korruptuar. Por, shikon që “çështja Gjoni”, po shfryhet, që në fillesë, në prokurori. Sheh që në fillesë përplasje, të krijuara artificialisht mes institucioneve, për kompetenca. Ndërkohë, përballemi me problemet e ligjeve shqiptare të cilët, jo vetëm nuk luftojnë korrupsionin, por i japin hapësira të korruptuarit apo deriçka, ku të fshihet dhe askush të mos ndëshkohet. Shohim ligje të paqarta, të pasakta, me vakuume ligjore. Edhe në këtë rast, nëse do të kërkonim të dinim, ka përplasje kompetencash institucionale, tejkalim kompetencash, apo dystandardizim në qëndrimin e këtij institucioni, po të shfletojmë ligjin, në mënyrë që të gjejmë një përgjigje, ky do të ishte një mision i pamundur.

I shpjegoja zyrtarit të huaj, që në Shqipëri, një nga problemet kryesore të gjyqësorit janë pikërisht ligjet, të kopjuara pjesë-pjesë, dhe të implementuara keq. “I duhet ky ambiguitet” u shpreh ai. Me sa duket, kishte arritur në mënyrë tepër inteligjente, të depërtonte në psikën e politikës shqiptare, e reflektuar më së shumti në gjyqësor, apo në mentalitetin e këtij kombi, që e shpreh në mençurinë e tij “ujku mjegull do”.

Shohim që është një nisëm për purifikimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët e korruptuar por, që rrugës, falë gabimeve procedurale, ligjeve ta paqarta, apo përplasjeve institucionale, gjyqtari del i pafajshëm. Që në fillesë, shumë akuza ndaj Gjonit ranë. Për njërën akuzë, ligji ishte i amnistuar, për një akuzë tjetër ligji, ishte i parashkruar në aksh vit. Në fund të procesit, do të kemi edhe një herë, një zyrtar të paprekur. Do të mbetemi përsëri tek “judges untouched” (gjyqtarë të paprekshëm), siç i quajti në artikullin e tij të bujshëm, Joshua Rezenberg përpara një muaji. Kur ia shpreha konceptin e gjyqtarëve të paprekshëm në Shqipëri, zyrtarit të huaj, ai u shpreh se, kështu mendonte edhe ai përpara disa muajve, por nismat e fundit, mbase do të sillnin një ndryshim të këtij koncepti.

Por, kur shikon se si po shfryhet, nga dita në ditë, akuza ndaj Gjonit e kupton që do të ketë fatin e shumë çështjeve të bujshëm, si “çështja Prifti vs. Metës”, që kalojnë në filtrin e gjyqësorit, duke e mpakur edhe çështjen më korruptive, që e shohin të gjithë shqiptarët, ditën me diell, në një hiç gjyqësor. Në shkrimin e tij, Joshua Rozenberg shprehet se, janë gjyqtarët që kontrollojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që korrupsioni të mbetet endemik.

Pse politika nuk e zgjidh korrupsionin në gjyqësor? Në fakt një propozim nga disa specialistë anglezë ishte që, të sillnin në Shqipëri një prokuror special, me një grup të specializuar, në mënyrë që të dërgonin gjyqtarët e korruptuar, përpara drejtësisë. Kryeministri i vendit nuk pranoi t’i përgjigjet kërkesës drejtpërsëdrejti, por zgjodhi një formë shumë filozofike për të shprehur tezën e tij, të prevalimit të sistemit, mbi individin.

Ndërkohë anglezët, që e shohin korrupsionin tonë, në gjyqësor, si një rrezik kanosës drejtpërdrejti, në rrugët e tyre, japin forma konkrete antikorrupsion, të cilat trajtohen shpërfillshëm nga politikanët qendrorë. Në tryeza dhe biseda boshe shprehen për reformimin e tij, por kur duhet të marrin vendime konkrete dhe hapa konkrete, gjithçka përfundon në diskutime fiktive. Politika ndalon prokurorët specialë anglezë, politika shqiptare pengoi ngritjen e Gjykatës Administrative, që shihej si një hap i rëndësishëm në luftën antikorrupsion.

Kemi një KLD, të përfolur si të paaftë për të kontrolluar gjyqtarët, që është thelbi i mbarëvajtjes. Është përgjegjës për trajnimin e tyre, promovimin, disiplinimin, dhe përjashtimin e gjyqtarëve. Sigurisht, problematikat e gjyqësorit janë të thella. “ka një perceptim në publikun shqiptar, e këtë e pranon edhe sistemi juridik, që ka probleme kronike me korrupsionin, brenda sistemit juridik shqiptar”, – është shprehur ambasadori britanik në Shqipëri, z. Cannon.

Faktori i brendshëm, tashmë e ka të qartë, që nuk realizohet asnjë reformë në gjyqësor, pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Dhe interesi tashmë është shndërruar në dypalësh. Ky faktor ndërkombëtar ka një interes të drejtpërdrejtë, pasi problematikat shqiptare po reflektohen edhe në vendet e tyre. Ambasadori Cannon shpjegon: “Një shtet i dobët ligjor, në polici, në sistemin e drejtësisë, në investigimin e krimit, ka një efekt direkt, në Angli. Duke forcuar institucionet kemi shpresë, të luftohen trafikantët e drogës, apo trafikantë të ndryshëm, të cilët kanë efekt të drejtpërdrejtë, në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar”.

Më 10 maj, në ditën e drejtësisë, u mblodhën përsëri të gjithë faktorët dhe aktorët, për të diskutuar. E ndoqa me vëmendje, me shpresën se do të dëgjoja diçka më konkrete, në këtë ditë të rëndësishme, por kuptova që, ende jemi tek fjalët dhe jo aksionet konkrete, duke zbehur shpresat për një reformim të thellë dhe real të sistemit.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency