Rritet sërish kredia e keqe në tremujorin e parë

0
117

sportelKreditë që bizneset apo individët nuk kthejnë në afatin e duhur kanë shënuar sërish rritje në tremujorin e parë të vitit 2014, pas një reduktimi në muajt e fundit të vitit të kaluar.

Sipas statistikave tremujore të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë, totali i kredisë me probleme ndaj kredisë gjithsej ishte 24.08% në fund të tremujorit të parë 2014, nga 23.22% në dhjetor 2013.

Me ritme më të shpejta janë rritur huatë nënstandarde, që u zgjeruan me 1 pikë përqindjeje në raport me fundin 2013-s. Kreditë nënstandarde janë kategoria e parë, kur një hua fillon e klasifikohet si problematike, pasi ka kaluar 90 ditë vonesë, çka tregon se pesha e huave të konsideruara të mira (standarde dhe ato në ndjekje, deri në 3 muaj vonesë) po vijon të ulet. Dhe, në të vërtetë, sipas statistikave, niveli i huasë standarde (deri në 30 ditë vonesë) zbriti në 67.4% në fund të marsit, nga 68.8% që u mbyll viti 2013. Nga ana tjetër, huatë në ndjekje (deri në 90 ditë vonesë) u rritën në 8.46%, nga 7.99 në fund të dhjetorit, duke rritur probabilitetin që të kalojnë në të këqija.

Huatë e humbura kanë vijuar rritjen, ndonëse me ritme më të ngadalta nga sa u konstatua gjatë vitit të kaluar. Në fund të marsit, pesha e huave të humbura ishte 11.98%, nga 11.45% në dhjetor.

Bankat presin që në tremujorin e dytë të ndikojë pozitivisht në uljen e treguesit të huasë me probleme, kthimi i detyrimeve të prapambetura nga shteti te biznesi, teksa këta të fundit një pjesë të parave që do të marrin do ta përdorin për të shlyer huat e papaguara ndaj bankave.

Kredia me probleme është rritur me shpejtësi pas vitit 2008, kur ishte rreth 6% e totalit, duke arritur sot në nivelet më të larta të rajonit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency