FMN bllokoi uljen e TVSH-së, qeveria zhgënjeu bizneset

0
159

Ervin Kaduku

 

– Faktorë që do të mundësonin zhvillimin e të gjithë sektorëve, janë procedurat e lehtësuara në doganë, në administratën tatimore apo edhe në organet lokale. Në këtë drejtim, qeveria nuk ka asnjë pengesë ndërkombëtare që të mund të justifikojë një mungesë të gatishmërisë

Edi-Rama-mbledhje-qeverie-KM Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar bëri që një prej kërkesave kryesore nga sipërmarrësit e fasonit, por edhe të sektorëve të tjerë të ekonomisë, si turizmi, ulja e TVSH-së, të mos merrej parasysh. Por, pavarësisht nga kjo, bizneset po përpiqen të gjejnë forma të tjera për të lehtësuar barrën e taksave, që u imponua nga ajo marrëveshje. Kjo nënkupton kërkesën për forma të tjera të kompensimit apo mbështetje të tjera që do ta kompensonin këtë taksë. Në hartimin e një pakete të re fiskale, në fakt, të paktën me fjalë, qeveria ka lënë hapur një mundësi hapur për sipërmarrësit, që ishin këmbëngulës në kërkesat e tyre dhe argumentuan se paketa po ulte konkurrueshmërinë e tyre krahasuar me rajonin. Premtimin për tolerancë e mori sektori i fasonit, ndërsa mundësitë e mbështetjes duken të mëdha edhe për turizmin. Dhe mundësia mbetet e hapur për të gjitha sipërmarrjet, veçanërisht pasi u pranua zyrtarisht se për miratimin e paketës së re fiskale nuk pati kohë për konsultime të mjaftueshme me biznesin.

 

Kërkesat

Kërkesat që kanë filluar të formësohen, bazohen në një gërshetim të kërkesave të parashtruara nga biznesi në fund të vitit të kaluar (të cilat nuk u morën parasysh) me disa propozime të kohëve të fundit. Dy janë drejtimet ku synojnë propozimet e shoqatat e sipërmarrjes: Së pari, në uljen e ngarkesës fiskale, për sektorë dhe industri që kanë nevojë për t’u stimuluar, dhe së dyti, në përmirësimin e procedurave tatimore dhe doganore, për të ulur nivelin e burokracisë dhe të korrupsionit të administratës së shërbimit. Sektori i turizmit do të kërkohet të stimulohet përmes Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në masën 10%, duke ditur që vendet e rajonit e kanë deri në 8%. Kërkesa ka shumë gjasa të mos merret parasysh, për sa kohë nuk u konsiderua ajo e fasonit, e cila sugjeronte një tatim fitimi prej 7.5%. Por, ashtu siç ndodhi me fasonin, shpresa është për një mbështetje që kompenson koston e TVSH-së, krahas lehtësive të tjera.

Miratimi i paketës mbështetëse për sektorin e fasonit ka hapur shpresën edhe për industri të tjera. Përfaqësuesit e biznesit po angazhohen të formulojnë qartë e në një zë kërkesat ndaj qeverisë për të mbështetur turizmin dhe peshkimin.

Paketa e mbështetjes nuk ka pse të bëhet vetëm për industrinë e fasonit dhe kërkesa për incentiva në të gjithë sektorët pritet të ndiqet nga të tjera biznese dhe shoqata të tyre. Ndërkohë, nuk ka asnjë shenjë nga qeveria për të ofruar lehtësi për sektorët e tjerë, pas paketës shtrënguese fiskale të aplikuar në janar dhe pas marrëveshjes së nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila nënkupton pak tolerancë në shërbim të konsolidimit fiskal.

Por, paketa e mbështetjes së fasonit po shërben si frymëzim për sipërmarrjet e sektorëve të tjerë, për të qëndisur mirë kërkesat e tyre ndaj qeverisë, me qëllim që të jenë bindës, siç ndodhi në rastin e fasonit.

Përfaqësuesit e biznesit e shikojnë paketën e lehtësive në regjimin e përpunimit aktiv si një rezultat i meritës së sipërmarrjeve më shumë se “dhuratë” të qeverisë. Luan Bregasi, president i “Biznes Albana”, thotë se paketa e fasonit është përpjekja më serioze që ka bërë biznesi. “Ka nevojë që edhe sektorë të tjerë të grupohen, për të prezantuar propozime, incentiva të nevojshme në shërbim të rritjes së punësimit”, – thotë Bregasi. Sipas tij, mund të kishte një paketë shumë të mirë për turizmin. Turizmi është një prioritet i qeverisë dhe nuk ka një politikë e një vëmendje të kujdesshme për të zgjidhur problemet që ka ky sektor eksporti, i cili sjell valutë të huaj në vend.

Sipas Bregasit do të duhej të zhvillohej edhe industria e peshkut. “‘Biznes Albania’ është duke menduar që për këta dy sektorë të bëjë propozimet e veta në formën e paketave zhvilluese stimuluese”, – u shpreh Bregasi. Pasuria ujore vlerësohet të jetë shumë e madhe dhe nuk duhet të humbasë për shkak të mungesës së politikave e vëmendjes.

Koordinimi i sipërmarrësve për të bërë një listë të qartë kërkesash ndaj qeverisë ka filluar të duket si çelësi e suksesit nga sipërmarrësit, të cilët e pranojnë se deri më sot, mosmarrëveshjet apo mesazhet e paqarta të transmetuara në organet qeveritare mund të kenë penguar ofrimin e mbështetjes që vetë sektorët kërkonin.

Kryetari i Dhomës së Fasonistëve, Gjergji Gjika, shprehet se paketa e vërtetë është vendosja e dialogut të një grup-biznesi.

Por duhet pranuar, që një gjë është të marrësh premtimet e të vendosen normat e mbështetjes, e tjetër është aplikimi i tyre. Sipas Gjikës, pjesa kryesore e paketës ka të bëjë me mirinterpretimin e ligjeve. “Ka jo pak ligje që janë shumë mirë të shkruar, por problemi është tek interpretimi dhe ironia e fatit është që lehtësitë e fasonit do të aplikohen nga ata që deri dje këtë praktikë e kanë ndjekur gabim”, – thotë Gjika.

 

Zgjidhjet

Faktorë që do të mundësonin zhvillimin e të gjithë sektorëve, janë procedurat e lehtësuara në doganë, në administratën tatimore apo edhe në organet lokale. E në këtë drejtim, qeveria duket se nuk ka asnjë pengesë ndërkombëtare që të mund të justifikojë një mungesë të mundshme të gatishmërisë.

Sipërmarrësit e kanë theksuar vazhdimisht se procedurat dhe marrëdhëniet me administratën tatimore kanë rënduar shpesh edhe më shumë se vetë taksat.

E këtij mendimi është Dhoma Amerikane e Tregtisë, ndërsa edhe vetë shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, ka pranuar në intervistat në media elektronike, se për sipërmarrjet në Shqipëri, më shumë se taksat kanë rëndësi raportet: biznes-administratë tatimore apo doganore.

Sipas tij, “nëse e krahason me shumë vende të tjera të botës, në Shqipëri, norma e taksës nuk ka pse të jetë ndër çështjet më të rëndësishme për sa u përket përparësive. Çështjet më të rëndësishme janë të tjera, si pasiguritë në politikën e taksave, apo bezdisjet e bizneseve nga zyrtarët e taksave”. Pikërisht në këtë aspekt, sipas tij, është e nevojshme që Shqipëria të përmirësojë mjedisin e biznesit.

Përfaqësuesit e biznesit thonë se në fushën e administrimit do të kërkojnë edhe një herë, rregullimin e së drejtës që kanë organet tatimore për të kontrolluar, si dhe të drejtën për t’u ankimuar nga ana e biznesit. E para nënkupton krijimin e grupeve të përbashkëta të kontrollit nga administrata, në mënyrë që sipërmarrjet të mos inspektohen disa herë nga grupe të ndryshme inspektorësh. Për sa i përket së drejtës së biznesit për t’u ankimuar, ata parashikojnë që të mund ta bëjnë këtë pa depozituar më parë garanci bankare ose pagesa kesh në bankë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency