Masa në Gjykatë/ Edison Kajtazi: Aureli qëlloi i pari, pastaj e qëllova unë

0
133

Sonila Mesareja

 

Gjykata lë në burg 32-vjeçarin, pranon krimin dhe shpjegon versionin e tij të ngjarjes. Në burg edhe 5 bashkëpunëtorët

edison kajtazi “Qëlloi i pari dhe pastaj e qëllova edhe unë”. Ka pranuar që është autori i krimit dhe është munduar të justifikojë veprimin e tij, i cili shkaktoi vdekjen e biznesmenit Aurel Zerga. Deklarimi është bërë dje në sallën e gjyqit, gjatë seancës së caktimit të masës së sigurisë për Edison Kajtazin, i akuzuar për veprën penale të vrasjes. Para togave të zeza, 32-vjeçari ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke shpjeguar edhe momentin e plagosjes së Agron Goxhajt. Kajtazi u vetëdorëzua 2 ditë pas ngjarjes, ndërsa paraditen e djeshme është njohur zyrtarisht me akuzat në gjykatë. Pasi prokurori ka lexuar rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes dhe i akuzuari ka dhënë pretendimet e tij, gjyqtari Juljan Haxhiu ka caktuar masën “Arrest me burg” për Edison Kajtazin, duke i lënë kohë organit të akuzës për hetimin e ngjarjes dhe saktësimin e pozicionit të secilit të arrestuar për këtë vrasje.

 

Seanca

Gjykata e Tiranës ka zhvilluar dje seancën e masës së sigurisë për Edison Kajtazin, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Aurel Zerga, vrarë në 26 prill në zonën e “Ali Demit”, në kryeqytet. Kajtazi është njohur dje me akuzat që rëndojnë ndaj tij, si ajo e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje. Pasi ka dëgjuar dinamikën e ngjarjes nga prokurori Adriatik Cami, gjyqtari i ka dhënë mundësinë të shprehë versionin e tij 32-vjeçarit Kajtazi. Sipas burimeve pranë Gjykatës, mësohet se 32-vjeçari të jetë shprehur se ka dëgjuar para se të qëllonte një të shtënë nga arma e viktimës, nga ku u plagos edhe Agron Goxhaj në dorë. Ka qenë ky momenti kur ka nxjerrë dhe ai armën, sipas dëshmisë së Kajtazit, duke qëlluar në drejtim të 36-vjeçarit Zerga, në kushtet e vetëmbrojtjes. Pas dëgjimit të palës mbrojtëse dhe prokurorisë, gjykata ka vendosur të lërë në burg 32-vjeçarin nën akuzën e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.

 

Bashkëpunëtorët

Gjykata e Tiranës ka zhvilluar tri ditë më parë seancën e caktimit të masave të arrestit për pesë të akuzuarit si të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Aurel Zerga, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 26 prillit. Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, një nga një, të akuzuarit janë njohur me akuzat në sallën e gjyqit, si dhe me rrethanat e ngjarjes të lexuara nga prokurori Cami. I pari ka hyrë në sallën e gjyqit Agron Goxhaj, i cili ka mbetur i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit mes dy grupeve. Madje, dje në sallë ai ka hyrë me krahun e fashuar, gjë që ishte tërësisht e dukshme. Mësohet se si Goxhaj, ashtu dhe pesë të akuzuarit e tjerë, Artan Hasani, Enton Ibrahimi, Alket Halitaj dhe Andi Veshi, ky i fundit i akuzuar vetëm për veprën penale “përkrahje të autorit të krimit”, kanë mohuar akuzën. Ata kanë deklaruar se kanë qenë të rastësishëm në këtë ngjarje, por që nuk kanë asnjë lidhje me të. Sipas burimeve nga gjykata, ata kanë fajësuar Kajtazin për kryerjen e krimit. Prokurori i kërkoi gjykatës mbajtjen në burg të pesë të akuzuarve, me argumentin se përbëjnë rrezikshmëri shoqërore, ndërsa akuzohen për kryerjen e një krimi. Avokatët kanë pretenduar pafajësinë e klientëve, duke kërkuar lirimin e tyre. Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtari Julian Haxhiu ka caktuar masën “Arrest me burg” për pesë të akuzuarit.

 

Motivi

Shkak i ngjarjes dyshohet se ka qenë mosshlyerja e një borxhi për blerje apartamenti. Policia e Tiranës në bashkëpunim Drejtorinë e Policisë të Qarkut Durrës dhe forcat speciale RENEA për ngjarjen arrestuan në Durrës shtetasit Agron Goxhaj, Artan Hasani, Enton Ibrahimin, Alket Halitaj, si dhe ndaloi shtetasin Andi Veshi për veprën penale të “Përkrahje të autorit të krimit”. Një ditë pas arrestimit të 5 shtetasve, u vetëdorëzua në polici edhe Edison Kajtazi, i cili në dëshminë e tij ka pranuar autorësinë e vrasjes duke deklaruar se gjithçka ka ndodhur në zënkë e sipër mes tij dhe Zergës dhe se ai nuk ka pasur qëllim ta vrasë por ishin takuar për të zgjidhur një mosmarrëveshje borxhi.

 

Vendimi/ Dënohet 10 muaj burg për përndjekje të ish-të dashurës

Kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore me një vajzë nga Mulleti dhe në momentin që kjo e fundit mëson se ishte i martuar dhe më fëmijë, vendos ta lërë. Por, këtu ka filluar edhe përndjekja ndaj saj nga ana e të pandehurit, e cila ka shkuar deri në kërcënime ndaj saj dhe familjarëve. Kjo i ka detyruar familjarisht t’i drejtohen policisë për ndihmë dhe ndaj Edmir Lishës të nisë hetimi dhe më pas gjykimi për veprën penale të “Përndjekjes”. Sipas gjykatës, e dëmtuara E. H., para 2 vitesh është njohur dhe dashuruar me të pandehurin Lisha, me të cilin ka pasur lidhje dashurore. Në fillim të lidhjes i është prezantuar të dashurës me identitet tjetër, Edmir Elezi, por që gjithçka u zbulua kur motra e këtij të fundit takoi vajzën dhe i tha se ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë të mitur. E dëmtuara ka këmbëngulur për të mësuar të vërtetën nga Lisha dhe ky e ka pranuar, por i ka thënë se do të ndante gruan dhe do martohej me të. Vajza i ka dhënë fund lidhjes dhe në këtë moment kanë nisur kërcënimet. Edhe pse e dëmtuara i ka kërkuar të pandehurit të largohet nga ajo, pasi ajo nuk dëshironte ta vazhdonte lidhjen, i pandehuri ka vazhduar ta kërkojë të dëmtuarën në telefonin e saj celular dhe duke mos marrë përgjigje nga ana e saj, ai gjithashtu ka shkuar në banesën e saj, në gjendje të dehur, duke sharë, ofenduar dhe kërcënuar kërkuesen dhe familjarët e saj se do të vriste të dëmtuarën Emanuela, nuk pyeste për asnjë njeri, për shkak të refuzimit të saj për të mos vazhduar lidhjen e tyre. Nga refuzimi i të dëmtuarës Emanuela, i pandehuri Edmir Lisha ka marre në telefon babain e kallëzueses ku i është drejtuar me fjalët: «Përse nuk hap telefonin ajo k…». Si rezultat i kësaj telefonate dhe kërcënimeve, shqetësimeve të shumta nga i pandehuri në drejtim të të dëmtuarës dhe familjarëve të saj, kanë detyruar kallëzuesen të lërë takim me të pandehurin, pas Pallatit të Kulturës, në qendër të Tiranës, me qëllim për t’u sqaruar. Pasi janë takuar, i pandehuri dhe e dëmtuara janë ulur në një stol dhe menjëherë kallëzuesja i është drejtuar të pandehurit me fjalët: “pse më persekuton, po më detyron të vras veten me këto që më bën ti…. duke i kërkuar të largohej nga ajo dhe ta linte të qetë”. Këto fjalë nuk i kanë pëlqyer të pandehurit Lisha, i cili e ka kapur me duar të dëmtuarën duke e shtrënguar në fyt dhe e ka goditur në pjesët e ndryshme të trupit, duke i sjellë dëmtime fizike. I pandehuri Edmir Lisha, pas dhunës fizike dhe psikike që ka ushtruar ndaj të dëmtuarës, i është drejtuar me fjalët “…merr policinë po deshe, unë nuk pyes…” E dëmtuara ka telefonuar policinë, të cilët kanë vënë në pranga Lishën.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency