“Peticioni i Elbasanit”/ Intervista, Rama i përgjigjet Blushit: S’kam kohë të fishkëllej. Pse nuk bëhen zgjedhje në PS  

0
151

Intervistoi: Eduart Zaloshnja

Korrupsioni/ Rama e kalon “topin” tek Llalla: Ka një mal me dosje, presim rezultate nga kryeprokurori. Kryeministri: Nuk do të ketë më universitete private në Shqipëri me qëllim fitimi

 

Blushi-ramaKryeministri dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu përgjigj dje kritikave të deputetit socialist Ben Blushi lidhur me mos zhvillimin e zgjedhjeve në forcën kryesore politike për kryetarin e saj si edhe për mosmbledhjen e asnjë forumi prej kohësh. I ftuar në emision “Debat +” në “Vizion Plus”, Rama po ashtu iu përgjigj edhe akuzave të Blushit lidhur me peticionin e bazës socialist të Elbasanit. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë komentoi mundësitë e marrjes së statusit kandidat, zhvillimet në vend sa i përket rendit dhe shëndetësisë, si edhe komentoi situatën e korrupsionit në vend.

 

 

Çfarë do të behet me Lotarinë Kombëtare?

Zotimet tona do vendosen në llogarinë e publikut mbas katër vitesh. Zhbërja e koncesioneve që janë defektoze nuk është një fjalë goje, por është një proces që merren në konsideratë një sërë faktorësh, ku kryesor është që publiku të fitojë e jo të humbasë. Ne kemi anuluar një numër të konsiderueshëm koncesionesh, ato që kanë qenë më lehtësishëm të anulueshëm. Jemi në një proces revokimi vetëm në fushën e minerareve të 122 lejeve të dhëna, janë 30 koncesione të natyrave të ndryshme që po trajtohen nga ministria e energjisë. Ndërkohë janë disa koncesione më të mëdha që janë në proces verifikimi dhe ne do të bëjmë më të mirën dhe do t’u qëndrojmë zotimeve tona.

Po në lidhje me lojërat e fatit, ju bëtë një fushatë të madhe në mbylljen e lojërave të fatit, por ajo që po ndodh në terren është që kompanitë kryesore tani e kanë fushën e lirë dhe kanë krijuar një situatë oligopol?

Kjo s’është e vërtetë. Ne gjetëm përballë nesh një industri të krimit, 80% e këtij sektori ishte jashtë binarëve të ligjit dhe jashtë kanaleve të kontributeve të shtetit. Ne kurrë nuk kemi thënë që do t’i mbyllim menjëherë. Kemi thënë që do përgatisim një ligj, dhe ai është në përfundim, me angazhimin që në një afat të mirëpërcaktuar brenda këtij mandati, besoj se do jetë janari 2016 nuk do të ketë më asnjë lloj leje dhe licence për të vazhduar këtë veprimtari kështu siç është.

Po në lidhje me oligopolin e karburanteve?

Kur folëm për rritje të çmimit të karburantit me futjen e një takse prej vetëm 10 lekë dhe sot jemi në kushtet kur çmimi i naftës është më i ulët.

Kam 13 vjet që ndjek problemin e çmimeve të karburanteve. Ky është një kartel i mirëfilltë?

Në vetëm 6 muaj e kemi vendosur këtë sektor në kushte të reja, ka ende shumë për të bërë, por sot mund të themi se në sektorin e naftës jemi përballë një situate të re, ku janë përcaktuar piketat e një rruge të re.

Pse nuk bëhen publikë emrat e kompanive, pse mos ta dimë që kjo pikë karburanti ka abuzuar?

Nuk e di ku e keni ndeshur këtë praktikë në Evropë, që përveçse të paguajnë gjobën t’i bësh rezil duke i publikuar emrin. Kompanitë janë në të drejtën e tyre të bëjnë gabime dhe në momentin që paguajnë për këto gabime, kanë të drejtë të vazhdojnë. Kjo nuk është një praktikë demokratike dhe këtë nuk e bën asnjë vend në botë.

Ka qenë kali i betejës për opozitë situata e rendit, opozita ka pretenduar se ka qenë shumë keq?

Deri më sot kritikët më të zjarrtë jemi ne vetë, fatkeqësisht. Flas për kritikë me sy në ballë dhe jo për ata të verbër. Ne hëpërhë nuk mund të krahasohemi me asgjë tjetër vetëm me atë që ishte dhe në fund të mandatit duhet të krahasohemi me standardet e së paku të rajonit. Ministri i Brendshëm është një ndër njerëzit më të angazhuar që unë njoh.

Po që mesazhi u dërgua nga ju?

Këto janë pastaj përralla me mbret lakuriq.

Mediat e huaja kanë dhënë lajme për lumë droge që vjen nga Shqipëria, ndërsa sot është publikuar shkresa e SHISH-it ndaj ministres..?

Ju e lexuat shkresën?

Po e lexova.

Po si ju duk informacioni apo dyshime?

Me gjithë respektin për ju si Kryeministër, ku pyetjen e bëj unë. Ju si Kryeministër keni të dhëna që bëhet transport droge me avion?

Nuk ka asnjë fakt apo provë të vetme. SHISH është një sistem i ngritur mbi dyshimin dhe ky u përcillet organeve të tjera. Po nga dyshim tek faktet dhe provat ka një hendek shumë të madh. S’ka asnjë të dhënë që mund të flitet për një gjë të tillë.

Po sa i përket shëndetësisë, sondazhi tregon se ka kuotën më të lartë negative…

Është çështje aspiratash këndvështrimesh, sepse nëse votuesi shprehet për një sektor nuk shprehet për një tjetër. Ka pakënaqësinë më të madhe shëndetësia këtu nuk ka gjë për t’u habitur. Sektori i shëndetësisë është sektori më i goditur nga keqqeverisja e kaluar. Ne nuk rimbursojmë ilaçin më të shtrenjtë, ne japim alternativa. Ne rimbursojmë 100% vetëm ilaçin më të lirë. Nëse do ta bënim për ilaçet e shtrenjta, do të duhet të shpenzonim shumë para për pak ilaçe e të linim mënjanë ilaçet.

Arsimi ka kuotën më të ulët në sondazh. Ligji i arsimit të lartë, po shkohet drejt një modeli anglosakson. Mos po ndihmohet sektori privat në kurriz të sektorit publik?

Unë besoj se në arsim po bëjmë reformën që nuk është bërë për kaq vite. Nuk do ketë më universitete private në Shqipëri me qëllim fitimi, do të ketë vetëm publike. Ndërsa Ministria ka bërë gati draftin për të hapur një diskutim javën e ardhshme para se të kthehet në ligj.

Për energjetikën sondazhi ka vlerësime. Por debati është për ndryshimin e fashës 300 kw/orë. Do mbulohet gropa përmes ndryshimit të çmimit apo…?

Prirja jonë është të mbushim gropën përmes faturimit dhe të mbushim gropën përmes pagesës së atyre që shpenzojnë energji. Energjia është problem ynë më i madh dhe parashikohet një reformë e madhe.

Si do ndryshojë pagesa e energjisë elektrike?

Sot kemi bërë një përmirësim të ndjeshëm për faturimin, por ende të pamjaftueshëm. Po bëjmë një inovacion në të gjithë skemën e sistemit. Rritja e çmimit për konsumatorin familjar nuk është në rend të punës sonë.

Çdo partner ndërkombëtar ka kërkuar gjetjen e gjuhës së përbashkët me opozitën. Pse nuk e gjetët gjuhën e përbashkët me opozitën?

Hë pra, pse s’e gjetëm! Ne kemi bërë një ndryshim shumë të madh në sjelljen e mazhorancës ndaj opozitës. Kur ishim në opozitë, kemi kërkuar dialog, negociata dhe asnjëherë Kryeministri i kaluar që më drejtohej mua. Sot kanë ndryshuar rolet, i drejtohet shumica pakicës. Jam unë që i jam drejtuar opozitës, edhe unë personalisht ndaj kreut të forcës më të madhe të opozitës. Por ata njësoj, si në mazhorancë ashtu edhe në opozitë, ka pasur gjithnjë një përgjigje: kushte.

Do bëni një përpjekje të fundit për të përfshirë opozitën…?

Ne mund të bëjmë vetëm një gjë, që të ikim ne dhe të vinë ata aty ku ishin, por këtë nuk e bëjmë atë. Ne kemi një ditë për t’u marrë me këta, që është dita e enjte. Ditët e tjera detyra e tyre është që të bëjnë opozitën, ndërsa ne të kemi punën. Ne jemi votuar për të udhëhequr. Ne nuk mund të presim, sepse nuk mund të themi nesër se nuk deshën ata.

Por reforma territoriale bëhet një herë në 50 vjet…

Nuk është një reformë që bëhet një herë në 50 vjet. Kjo reformë është një shërim i madh për vendin tonë. P.sh. në landin e Bratenburgut bëhej me 50+1 dhe kjo bëhej nga ekspertët dhe bëhej mbi kriteret objektive, kosto dhe eficencë. Siç e kuptoj unë se ku është katandisur sot pushteti vendor, e di mirë edhe ish-kryeministri.

Opozita thotë se është germa dhe fryma që kërkon Kushtetuta?

Konsensusi në Kushtetutë është 84 vota. Ne kemi zhbllokuar komisionin, por kur ata vijnë, jemi të hapur.

Do bëni tentativa…?

E vetmja tentativë, që nuk na lejohet, është që të çohemi ne e të vinë ata.

Kancelarja Merkel tha se me këtë drejtësi nuk ka BE…

Nëse duam ta bëjmë më të shkurtër hyrjen në BE, që ka një afat deri në 10 vjet, duam reformën në drejtësi.

Për të ndryshuar sistemin e drejtësisë, për të ndryshuar njerëzit që janë ju duhet…?

Unë e kam thënë që kur nuk kam qenë në këtë informacion: nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por sistemi korrupton njerëzit. Reformat e qëndrueshme janë reformat e sistemit.

Reforma në drejtësi do ta bëni me votat që keni apo do kërkoni konsensusin e opozitës?

Ne do kërkojmë konsensusin e opozitës për çdo gjë, por ne do të bëjmë reformë për gjëra jetike për të cilat jemi votuar.

P. sh. do ndryshojë mënyra se si do funksionojë Prokuroria apo…

Unë jam i qartë që kjo qeveri është e para që është një skuadër, nuk është një njeri. Ne funksionojmë si skuadër, reformat nuk i diktoj unë, ato i bëjmë me ekipe, me ekspertë, me grupe interesi. Shumë shpejt do t’i ftojmë të gjithë në tavolinë, ekspertët, gjykatësit, edhe opozitën, por një gjë është e sigurtë: që ne nuk çohemi nga tavolina pa e bërë reformën.

Edhe pa opozitën?

Sigurisht që do ta bëjmë edhe pa opozitën.

Ambasadori holandez tha sot se duhen shembuj të luftës kundër korrupsionit që të bindemi se ky vend e ka seriozisht?

Mund të them, për sa më takon, se jam i bindur se në tryezën e prokurorit të Përgjithshëm janë rastet e nevojshme për të dhënë një shembull për luftën kundër korrupsionit, nga niveli më i lartë deri tek më i ulëti.

Ju keni shpresë që brenda qershorit do ketë?

Shpresa vdes e fundit, por unë dua të besoj se Prokuroria do t’ia dalë fjalëve me vepra.

Në fund kalojmë në pyetjet që lidhen me familjen socialiste?

Për familjen socialiste diskutohet vetëm kur je anëtar i PS-së. Këtë e kam thënë me kohë dhe nuk e ndryshoj sot në këtë emision.

Zoti kryetar i PS-së, kam një sondazh të PS-së, ku i bëra pyetjet nëse i ka mënjanuar Edi Rama senatorët socialistë. Një nga këto figura, edhe Ben Blushi, i cili deklaroi: “PS nuk mbledh asnjë forum prej 8 muajsh, Edi Rama është pa mandat”. Si i përgjigjeni sondazhit dhe Blushit?

Së pari, unë do ta nënshkruaj si tekstin tim atë që nxorët për të shoqëruar edhe zërin në çfarë ka shprehur Pandeli Majko. Jam 100% i të njëjtit mendim. Unë kam një këndvështrim të thjeshtë që nuk është personal, por është bazuar në atë eksperiencën e Tony Blair-it. Kam qenë unë që e kam futur parimin ‘një anëtar – një votë’ dhe në asnjë parti, kur partia fiton zgjedhjet, nuk hyn në zgjedhjet të brendshme për liderin e partisë, që në statutin tonë është Kryeministër. Partia kthen kokën aty ku duhet ta mbajë, partia në pushtet është qeveria dhe grupi parlamentar. Ky është rregulli.

Është përcaktuar në statut?

Ajo që di unë të them është që partitë që zgjidhen me ‘një anëtar – një votë’, liderin e kanë Kryeministër dhe për sa kohë është Kryeministër, nuk ka sens që të hyjë në zgjedhje në parti për kreun e saj. Unë nuk bëj polemika në televizor me asnjë nga pjesëtarët e kolegët e PS-së. Nuk e kam përgjigjen për Benin, sepse nuk po shpikim asgjë të re, ne do ndjekim atë rrugë ato që i jemi referuar.
Blushi ka bërë një akuzë, ku për letrën e socialistëve të Elbasanit, thotë se “Edi Rama fishkëlleu e ata kërcyen”

Unë nuk u fishkëllej njerëzve dhe nuk kam asnjë sekondë të merrem me fishkëllima.

Po për socialistët e thjeshtë që kërkojnë punë?

Përgjegjësia jonë është që të qeverisim Shqipërinë e të jemi të drejtë me të gjithë, si me militantët tanë ashtu edhe me ata që s’na kanë votuar. Një pjesë e atyre njerëzve që vinë aty kanë halle me sistemin gjyqësor dhe nuk ka asgjë për të fshehur që njerëzit edhe kur kërkojnë një zgjidhje për një punë që drejtohen tek ata, se mendojnë se do t’ia zgjidhin. Por ne do krijojmë kushtet për të hapur vende të reja pune dhe të ndryshojmë mendësinë se shteti është punëdhënësi më i madh.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency