Bujqësia, humbasin 40-50% e prodhimit

0
127

 Ervin Kaduku

 

–   Ndërkohë që ushqimet shtrenjtohen në treg, rezulton që humbasin nga 40 deri në 50 për qind e produkteve bujqësore “Made in Albania”. Qeveria përgatit paketën e re të masave të ndihmës ekonomike për sektorin

 

treg fruta perimeshSipas Ruzhdi Konit, sipërmarrës i kompanisë tregtare “Agro-Koni”, niveli i humbjeve të prodhimeve bujqësore, që nga vjelja e tyre deri në tregtim luhatet mes 30-40% të totalit të sasisë, në varësi të produktit bujqësor. Niveli më i madh i humbjeve shënohet te prodhimet e freskëta të destinuara për eksport si domatja apo trangulli. Deri në mbërritjen në supermarketet e huaja, sasia mund të përgjysmohet.

Në tregun vendas, humbjet më të mëdha ndodhin nga prodhimi deri në mbërritjen në treg, pavarësisht se infrastruktura e tregtisë është përmirësuar, dhe prodhimet bujqësore vlerësohet të mbërrijnë më shpejt në treg.

Një nivel shumë më të ulët humbjesh vlerësohet të ketë ai tregtimit të prodhimeve ushqimore në rrjetet e supermarketeve.

Sipas përfaqësuesve të këtyre rrjeteve në vend, “sasia që nuk përfundon te konsumatori është 1-2% e totalit të sasisë që qarkullon në një muaj”.

Për një vend ende në zhvillim si Shqipëria, humbjet vlerësohet të mbeten të larta, për shkak të infrastrukturës tregtare ende të pakonsoliduar. Blerësit tregohen më të kujdesshëm kur flitet për të çuar dëm prodhimet. E ndërsa vendet në zhvillim vuajnë për humbjet nga prodhuesi te tregtari, vendet e zhvilluara sipas agjencive ndërkombëtare, vuajnë “në gjysmën tjetër të rrugës mes tregtisë e konsumit”.

 

Bota

Konsumatorët në vendet e pasura janë të nxitur në përgjithësi të blejnë më shumë ushqime nga sa u nevojitet. Blerjet i nxit një promovim i tillë si “Blej tre, paguaj dy”, ndërsa paketimet e tepërta të gatshme për konsum janë diçka tjetër. Restorantet shpesh ofrojnë çmim fiks për bufetë që organizojnë, që i nxit klientët të mbushin pjatat.

Duke bërë një vlerësim të përgjithshëm, raporti i fundit i FAO-s thotë se konsumatorët kanë dështuar në planifikimin e duhur të blerjeve të tyre ushqimore. Ndaj, shpesh ata e hedhin ushqimin, para datës së skadimit. Edukimi në shkollë dhe nismat politike janë dy pika të mundshme fillimi për të ndryshuar qëndrimin e konsumatorit. Konsumatorët e vendeve të pasura duhet të kuptojnë se hedhja e panevojshme e ushqimit është e papranueshme. Ata duhet të bëhen të vetëdijshëm se për shkak të disponueshmërisë së kufizuar të burimeve natyrore, është më e efektshme të zvogëlohen humbjet e ushqimit se sa të rritet prodhimi për të ushqyer një popullsi në rritje. Një raport i veçantë për paketimin ushqimor për vendet në zhvillim vë në dukje se paketimi është një faktor kyç për të shmangur humbjet në pothuajse çdo fazë të zinxhirit ushqimor.

Sipas FAO-s, në vendet në zhvillim, humbjet pas të korrave mund të arrijnë deri në 40% të prodhimit

 

Prezantohet strategjia e ndihmës

Qeveria shqiptare ka prezantuar dje strategjinë sipas së cilës do të identifikojë dhe regjistrojë prodhuesin duke e shndërruar bujqësinë shqiptare nga 90 përqind informale që është sot në tërësisht formale”.
Gjatë një takimi me fermerët mbi skemën e subvencioneve në bujqësi, ku ishte i pranishëm edhe zv.kryeministri Niko Peleshi, ministri Panariti tha se “mbështetja dhe pagesat tona direkte për fermerët janë të orientuara me një masë të madhe drejt rimbursimit të çmimit për prodhimet që dorëzohen në qendrat e autorizuara të grumbullimit dhe përpunimit të produkteve”.
“Për këtë arsye ne me këto skema të mbështjes financiare të bujqësisë kemi rastin për të katalizuar kthesën historike, vendimtare të bujqësisë tonë . Ne po shndërrojmë çdo ditë, çdo muaj bujqësinë e mbijetesës në bujqësinë e tregut, eksportit dhe të vlerës së shtuar”, – tha Panariti.
Ministri Panariti nënvizoi se “këtë vit kemi rritur 60 për qind masën e investimeve të drejtpërdrejta në bujqësi. Këto fonde do të shkojnë për ndërtimin e asaj që i mungon më shumë bujqësisë tonë. Ju dhe ne me këto para jemi të vendosur të inkurajojmë e të investojmë në ndërtimin e serave, pikat e grumbullimit, të ruajtjes dhe shitjes së prodhimit”.

“Ne nuk do të hezitojmë në asnjë çast për të paguar fermerët për futjen dhe zbatimin e teknologjive të përparuara dhe që garantojnë rendimente të larta, sepse jemi të bindur se pa maksimalizuar prodhimin bimorë e shtazorë nuk mund të jemi konkurrues në tregje”, – nënvizoi ministri Panariti.
Ai shprehu bindjen se shërbimi më i madh që ne mund t’i bëjmë fermerit është t’ia tërheqim dhe t’ia blejmë prodhimin e tij nga serat, stallat dhe këtë do ta bëjmë duke e ndihmuar dhe stuimuluar atë që ta dorëzojë në pikat e grumbullimit dhe të magazinimit.

“Atje prodhimi do të grumbullohet, klasifikohet dhe vetëm atje, përvec shitjes së garantuar të produktit të tij do të marrë në trajtën e pagesës të drejtpërdrejta një pjesë të mundit dhe sakrificave të tij”, – përfundoi ministri Panariti

 

 

Niveli i “shpërdorimit” dhe i dëmtimit të ushqimeve në Shqipëri

 

30-40% për fruta-perime, nga prodhimi te tregu

 

Deri në 50% për fruta-perimet nga prodhimi tek eksporti

 

2% humbjet në supermarkete të prodhimeve ushqimore

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency