Nga e-mail-et tek telefonatat/ Negociatat PS-PD për rezolutën e përbashkët të Strasburgut

0
109

Gëzim Saliu

 

Drafti i demokratëve, mazhoranca kundër propozimeve për nëpunësin, ILDKP-në dhe AMA-n

 

 

bumci, kukan, ballaDy forcat kryesore politike rinisin negociatat mes tyre për hartimin e rezolutës së munguar në takimin e marsit në Strasburg me eurodeputetët e PE-së, ku sërish ekzistojnë disa çështje që ndajnë palët. Pas ndërprerjes së komunikimit mes tyre, PS dhe PD kanë nisur fundjavën e kaluar negociatat, ku bashkëkryetari socialist i Komitetit të Stabilizim-Asocimit, Taulant Balla, ka komunikuar përmes e-mail-it si edhe telefonatave me përfaqësuesit demokratë. Nga ana e saj, mësohet se PD nuk ka ngurruar të ripërfshihet në negociata me socialistët, duke vënë në plan të parë objektivin e bërë publik nga kreu i demokratëve Basha, për zero kushte ndaj procesit të integrimit. Në dy ditët e fundjavës, demokratët përmes nënkryetarit të Komisionit të Stabilizim-Asocimit, Aldo Bumçi, si edhe deputetëve Majlinda Bregu dhe Eduart Halimi kanë shkëmbyer e-mail-e, telefonata deri edhe në takime me palën tjetër për të synuar konsensusin e deklaratës së përbashkët.

 

Negociatat

Ditën e djeshme, Partia Demokratike, pas negociatave me palën tjetër, ka nisur draftin e saj të përpunuar të rezolutës në adresën e e-mail-it të përfaqësuesit socialist Taulant Balla. Në pikat e rezolutës së opozitës, mësohet se krahas disa ndryshimeve për çështje të cilat kanë marrë rrjedhë të ndryshme, nuk ka lëvizur propozimet për ruajtjen dhe nxitjen e integritetit dhe pavarësinë e institucioneve kryesore të tilla si Autoriteti Audio-vizual i Medias dhe Inspektori i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë si edhe për zhbllokimin e emërimeve të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë apo edhe për plotësimin e KQZ-së. Nga ana tjetër mazhoranca duket se është larg pranimit të këtyre propozimeve, duke bërë që deklarata e përbashkët në formë rezolute për të mbështetur integrimin e vendit të jetë ende e pamundur. Lidhur me këtë çështje, Kryeparlamentari Meta tha dje se rezultati konkret nuk varet nga mazhoranca qeverisëse. “Jam informuar në mënyrë të vazhdueshme sidomos nga kryetari i këtij komisioni për përpjekjet dhe tolerancën maksimale që ka treguar në raport me opozitën në emër të mazhorancës aktuale në mënyrë që kjo deklaratë e përbashkët të mbyllet me konsensus, rezultati konkret nuk varet nga mazhoranca”. Por nga ana e saj, opozita nënvizon rëndësinë e propozimeve të saj duke theksuar se mazhoranca mund të ketë të drejtën e saj të komentojë e saj për secilin nga pikat e draftit të PD-së. Në takimin e marsit në Strasburg, palët nuk arritën për herë të parë në takime të tilla me Parlamentin Evropian që të miratonin një dokument final, duke marrë edhe kritika të ashpra nga europarlamentarët, sidomos nga kreu i delegacionit të PE-së, Eduard Kukan, që e konsideroi absurd një situatë të tillë. Për këtë dështim, palët fajësuan njëra-tjetrën, ku akuzave të mazhorancës për bllokim, opozita iu përgjigj duke theksuar se deklarata e përbashkët dështoi,për shkak të kundërshtimit të amendamenteve konkrete të opozitës, ku zbatimi i tyre sipas saj do të kishte impakt direkt tek qytetarët dhe institucionet. Ndërkohë ditën e djeshme Parlamenti Evropian është shpërndarë pasi ky institucion ka hyrë në fushatë zgjedhore, arsye kjo që duhet të kishte ndikuar tek palët për të bërë të mundur dërgimin e deklaratës së përbashkët përpara këtij procesi.

 

 

Delegacioni i Jashtëm në Kosovë/Dade me Jahjagën: Shqipëria, ndihmë Kosovës, shkëmbim përvojash për kriteret e NATO-s e BE-së

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Arta Dade, gjatë takimit të djeshëm në Prishtinë me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerësoi përparimin e arritur në këtë shtet. Duke u shprehur në emër të delegacionit të Komisionit të politikës së Jashtme që e shoqëronte, Dade shprehu përkushtimin e qeverisë së Shqipërisë për të ndihmuar institucionet e Kosovës në procesin e reformave drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veriatlantike. Sipas njoftimit të Presidencës kosovare, Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, duke theksuar nevojën e zgjerimit dhe thellimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët. Presidentja Jahjaga tha: “Kosova ka shënuar përparime të theksuara në konsolidimin e shtetësisë, në krijimin e shtetit ligjor dhe gjithëpërfshirës, si dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit, përfshirë edhe përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet me Republikën e Serbisë”. Më tej, Jahjaga theksoi se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike, duke i vlerësuar si të rëndësishme marrëdhëniet kontraktuale edhe me NATO-n, përmes Partneritetit për Paqe. “Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën, përmes shkëmbimit të përvojave, në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, – deklaroi presidentja e Kosovës.

 

 

Çmimi i energjisë /Guxholli: Marrëveshja me FMN-në parashikon rritje në qershor

Qytetarët shqiptarë nuk do t’i shpëtojnë rritjes së çmimit të energjisë. Kështu bëri të ditur dje ish-këshilltarja e Kryeministrit Berisha, ekspertja e ekonomisë Suzana Guxholli, duke theksuar se në marrëveshjen e qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar thuhet qartë se në qershor do të punohet për çuarjen e çmimit të energjisë elektrike në nivelin e rajonit dhe çmimit ndërkombëtar. Në gjykimin e Xhukës kjo do të rëndojë më së shumti mbi shtresën e varfër dhe mbi shtresën me të ardhura më të pakta, pasi një tjetër propozim është dhe heqja e fashës mbrojtëse 300 kw. “Po të lexosh programin dhe marrëveshjen që ka bërë qeveria me FMN thuhet qartë se në qershor do të punohet për çuarjen e çmimit të energjisë elektrike në nivelin e rajonit dhe çmimit ndërkombëtar. Jemi të dytët në rajon për çmimin më të ulët të energjisë, por të gjitha janë relative, nuk mund të rrisësh çmimin e energjisë pa u siguruar që këta njerëz kanë mjetet dhe mundësi për ta paguar. Pasi përtej taksave që u ke rritur, ti u shton dhe godet shtresën e varfër pasi një propozim tjetër është dhe heqja e fashës mbrojtëse 300 kë/ qe paguhet me çmim 7,4 dhe mbi këtë paguhet gati 12 lekë. Heqja e kësaj shtrese do thotë se të gjithë do paguajnë njëlloj më shtrenjte energjinë”, tha ajo në intervistën për “Ora News”. Po ashtu Guxholli foli dhe për reformën në pensione, ku bëri me dije dhe pasojat që rrjedhin prej saj: “Dua t’ua bëj të qartë shqiptarëve se cilat janë pasojat e kësaj reforme: Rritja e moshës së pensioneve, rritja e kontributit dhe akoma nuk është thënë sa do jenë nivelet e pensioneve”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency