Vendimi/ Moskompensimi i pronës nga qeveria, Strasburgu ndëshkon Shqipërinë me 8 milionë euro

0
220

Gëzim Saliu

 

Vendimet e Gjykatës duhet të ekzekutohen brenda një afati 3-mujor, përfitojnë 10 familje

 Strasburgu i lë kohë Shqipërisë për 60 çështje, në Gjykatë janë 379 padi kundër shtetit

 

 

gjykata e StrasburgutGjykata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Strasburg penalizon shtetin shqiptar me një vlerë mbi 8 milionë euro. Në faqen e saj zyrtare, Gjykata ka zbardhur dje 10 vendime me palë shtetasit shqiptarë kundër Shqipërisë, ku qeveria është gjetur me shkelje për moskompensimin e pronave të dhëna me vendim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas vendimeve të hedhura në faqen e Gjykatës së Strasburgut, bëhet fjalë për kthimin dhe kompensimin e pronave për familjet Karagjozi, Koço, Shehu, Dvorani, Sallabanda, Gogo, Tartari, Okaj dhe Budina, të cilët i janë drejtuar ndër vite Gjykatës Evropiane, duke paditur shtetin shqiptar. Brenda 3 muajsh, qeveria shqiptare është detyruar t‘i ekzekutojë këto vendime, duke i kompensuar 8 kryefamiljarët, të cilëve për 17 vite nuk i është kompensuar prona, pasi ndryshe me kalimin e kohës shtohen penalitetet kundër shtetit.

 

Vendimi

Sipas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhjetë familje shqiptare duhet të dëmshpërblehen për çështjen e pronave në vlerën e përgjithshme me 8 milionë euro nga shteti shqiptar. Avokati për çështjet e Strasburgut, Sokol Puto, i cili përfaqëson disa nga këto familje, bëri të ditur dje procedurat që do të ndjekë pala fituese, duke theksuar: “Ankuesit duhet t’i drejtohen Avokaturës së Shtetit dhe Ministrisë së Financave për të ndjekur procedurën për ekzekutimin e vendimit dhe procedura që ndiqet në të tilla raste është një vendim i qeverisë për çështjet konkrete dhe ekzekutimi i të tilla vendimeve përgjithësisht bëhet nga fondi rezervë i qeverisë”. Ndërkohë, sa i përket kohës që ka në dispozicion qeveria shqiptare për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut, avokati pohon se ky afat nuk duhet të lejojë më shumë se tre muaj. “Vendimet e Gjykatës në rastin konkret duhet të ekzekutohen brenda një afati 3-mujor nga zbardhja e tyre, përndryshe, nëse ky afat kalohet, nisin të llogariten edhe penalitete të tjera ose interesa”, – nënvizoi Puto. Më tej ai bën të ditur se në Strasburg deri në fund të vitit 2012 janë depozituar 379 ankime, shumica prej tyre për moskompensimin e pronave nga shteti shqiptar. Puto sqaroi se Gjykata i ka dhënë kohë qeverisë shqiptare, që brenda disa muajve t’u ofrojë një zgjidhje 60 çështjeve, të cilat kanë të njëjtin objekt, kompensimin e pronës, në të kundërt do të penalizohet me vendim Gjykate, i cili është i detyrueshëm për t’u ekzekutuar. “Shpresoj se qeveria do të gjejë një alternativë për këtë problem, që në të kundërtën do të ketë penalitete të papërballueshme financiare për shtetin shqiptar”, – tha ai. Deri më tani janë dhënë 16 vendime kundër Shqipërisë, me vlerë mbi 9 mln euro, ku të gjitha këto penalitete që qeveria do t’u paguajë qytetarëve që fitojnë çështjet në Gjykatën e Strasburgut, paguhen nga fondi rezervë i qeverisë. Këshilli i Ministrave ka miratuar në fund të marsit ekzekutimin e 4 vendimeve të Gjykatës së Strasburgut në favor të katër pronarëve shqiptarë, ku këta të fundit kishin fituar çështjet e ngritura kundër shtetit shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në vendimin e saj, Gjykata detyron shtetin shqiptar t’u kthejë familjeve pronat e njohura me ligj, ashtu si dhe dëmshpërblimin për kostot financiare që u janë shkaktuar këtyre familjeve gjatë zvarritjes në vite të çështjeve të tyre.

 

 

Tryeza e IDM-së për sigurinë/ Meidani: Reforma për sektorin e sigurisë duhet të bëhet mbi parimet e shtetit ligjor

Në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim me temë “Monitorimi dhe vlerësimi i qeverisjes së sektorit të sigurisë në Shqipëri”, ish-presidenti i vendit, Rexhep Meidani, vlerësoi faktin se monitorimi i këtij sektori është një kontribut me vlera, jo vetëm kombëtar. Në këtë kontekst, ai vlerësoi rolin e monitorimit të institucioneve të sigurisë, duke theksuar: “Reformat e sigurisë janë një proces që të sigurojë që institucionet e sigurisë të ofrojnë siguri të efektshme për vendin dhe qytetarët, të veprojnë sipas parimit të shtetit ligjor në mbështetje të parimi të mirëqeverisjes, në respekt të të drejtave të njeriut, si dhe të japë llogari para institucioneve të zgjedhura”. Sipas Meidanit, reforma në Shqipëri në sektorin e sigurisë kanë qenë një pjesë e rëndësishme e demokratizimit të vendit, pasi, theksoi ai, pavarësisht nga ngarkesat e politizimet e konflikteve në rajon, kanë bërë përparime dhe çoi në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Megjithatë, reforma në sektorin e sigurisë është një proces i vazhdueshëm, pasi duhet të përshtatemi ndaj sfidave të reja të sigurisë dhe në të njëjtën kohë të mbështesim parimet e qeverisjes demokratike”. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e IDM-së, Elona Dhambo, shtoi faktin se në axhendën e kësaj tryeze ishte edhe përfaqësimi gjinor dhe se ky kapitull përqendrohet në dy komponentë kryesorë, aksesi që kanë gratë në punë dhe mundësia e zhvillimit të karrierës. “Dy kanë qenë vitet e monitorimit, ai i 2012-ës dhe ky i sotmi 2014 dhe shihet që pjesëmarrja e grave, sidomos në forcat e armatosura janë sporadike, ndonëse pjesëmarrja e grave në total ka përmirësime, sërish mbetemi në nivele të ulëta përfaqësimi dhe në të njëjtën situatë janë dhe pjesëmarrja e minoriteteve”.

 

 

Finalja më 16 maj/ Konkurs ndërkombëtar për logon dhe sloganin e promovimit të Shqipërisë

Qeveria njoftoi dje çeljen e konkursit ndërkombëtar për logon, sloganin dhe strategjinë e re të promovimit të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar. Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, nëpërmjet një deklarate nga Kryeministria, bëri të ditur se kjo nismë është iniciuar nga tri ministri, ajo e drejtuar prej saj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes si edhe Ministria e Jashtme. Sipas saj, konkursi përbën një nismë madhore për promovimin e identitetit dhe një imazhi të ri të Shqipërisë në tregun botëror, çka lindi si nevojë për t’iu përshtatur realitetit dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të rritur numrin e turistëve të huaj sidomos, por edhe të investimeve të huaja në vendin tonë. Gjermeni gjithashtu njoftoi se konkursi do të zhvillohet në dy faza dhe do të finalizohet më datë 16 maj, kur një juri ndërkombëtare do të përzgjedhë mes konkurrentëve logon dhe sloganin në një aktivitet të hapur.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency