Vrasja në burg/ Torturat, gardianët improvizuan një kamxhik 50 cm

0
150

Anxhela Tato

 

 

Aktakuza, kova me ujë të ftohtë në trup Ilia Karelit për t’ia bërë sa më të dhimbshme plagët

 Dhuna, nga thyerjet e kockave iu dëmtuan disa organe jetike, lanë shenjë në indet e buta të trupit

 

 

ilia-karelit-15-shenja-dhune-video_hdGardianët i hidhnin kova me ujë të ftohtë në trup Karelit për t’ia bërë sa më të dhimbshme plagët e torturave. Këto detaje bëhen publike nga dosja hetimore e prokurorisë greke, e cila ka përfshirë si bashkautorë në këtë ngjarje 15 efektivë të burgut. Sipas aktakuzës, rojet e burgut të Nigritas që përmenden me emrat e tyre, gjithsej 15 në numër, kanë torturuar për më shume se dy orë sistematikisht dhe vazhdimisht 42-vjeçarin shqiptar, në mënyrë që ta ndëshkonin atë për vrasjen e kolegut të tyre, Jorgos Tsironis në burgun e Malandrinos. “Rojet nën akuzë, 12 gjithsej, dy oficerë policie të gradave të ndryshme dhe një roje i jashtëm i burgut, i hidhnin Karelit kova me ujë të ftohtë në mënyrë që dhimbjet të ishin më të mëdha. Ndërsa e godisnin në pjesë të ndryshme të trupit, në kurriz, në këmbë, kryesisht në shputa, në gjoks, në bark dhe në kokë”, – shkruhet në një pjesë të aktakuzës.

 

Tortura

 Të gjitha këto tortura kryheshin në dhomën e pritjes ne burgun e Nigritas, e quajtur në gjuhën e rojeve si “frigoriferi”, në të cilën është çuar Kareli menjëherë pas transferimit deri sa të përgatitej qelia e tij. Si rezultat i këtyre torturave janë shkaktuar thyerje të shumta kockash, disa prej të cilave kanë hyrë në organe dhe kanë lënë shenja në indet e buta të trupit, si dhe thyerje të kafazit të kraharorit që ka sjellë hemorragji të indeve rreth zemrës, duke penguar funksionimin e saj gjatë frymëmarrjes dhe lëvizjes së trupit. Rreth orës 6:38 të pasdites së datës 27 mars ata e kanë çuar Karelin e dërmuar në qelin e tij, ku ka mbetur vetëm, i lagur deri në palcë, pa u çuar për t’u vizituar tek mjeku dhe gjatë pesë orëve në vazhdim thuhet se ka humbur jetën. Sipas aktakuzës gjuajtja në gjoks bashkë me torturat e tjera ishin të mjaftueshme për të sjellë vdekjen. Bashkë me aktakuzën janë publikuar edhe disa fotografi nga dhoma, ku është torturuar deri në vdekje i burgosuri shqiptar. Midis të tjerash në to duket qartë gjaku i tij në mure, në çarçafë dhe në dyshek. Sipas mediave, fotografitë që përmban dosja e akuzës janë bërë nga vetë nëpunësit e burgut që shanin, pështynin dhe gjuanin Karelin dhe dy prej tyre kanë shërbyer në forcat speciale të ushtrisë greke. Në një nga fotot duket qelia ku u masakrua Kareli, ndërsa në fotot e tjera dallohen njollat e gjakut në mur. Ndërkaq, për një moment shfaqet mbulesa e gjakosur, me të cilën u mbështoll 42 vjeçari, ndërsa më tej duken rrobat që kishte veshur Kareli kur u gjet pa jetë. Para dhunës makabre, gardianët e kanë pështyrë dhe ofenduar Karelin, derisa i dhanë goditjet fatale. Në një tjetër fotografi dallohet edhe pjata e gjellës që kishte kërkuar shqiptari një natë para se të ndërronte jetë. Ai është rrahur me grushte, shqelma dhe gardianët improvizuan një kamxhik me gjatësi rreth 50 cm.

 

Malësi e Madhe/ Tentoi të shuante sherrin, vritet me thikë 18-vjeçari, plagoset kushëriri

Ndërhyn për të shuar konfliktit, humb jetën nga goditjet me thikë 18-vjeçari. Ndërsa vijon të jetë e rëndë gjendja shëndetësore e kushëririt të viktimës, i cili ka qenë shënjestra e sulmit me thikë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe. Nga dëshmitarët mësohet se konflikti ka nisur mes Marjan Leprit dhe Mirash Kaçajt, duke degraduar në konfrontim fizik. Autori ka nxjerrë thikën dhe në këto momente është futur mes të dyja palëve Kristjan Kaçaj, i cili është goditur disa herë më thikë në kraharor, gjoks dhe stomak. Pas sulmit ndaj 18-vjeçarit Lepri i është sulur shënjestrës së tij, të cilin e ka lënë të plagosur rëndë në tokë. Kanë qenë dëshmitarët, të cilët i kanë ardhur në ndihmë dy djemve duke njoftuar forcat e policisë. Një ambulancë ka marrë dy të plagosurit duke i transportuar për në spital. Ndonëse ndihmës së dhënë nga mjekët plagët e goditjeve ishin shumë të thella dhe kishin prekur organet jetike, duke i shkaktuar hemorragji të brendshme viktimës. Brenda pak minutave 18-vjeçari Kristjan Kaçaj ka ndërruar jetë, ndërsa trupi i tij është dërguar në morg për ekspertizën mjeko-ligjore. Nga ana tjetër i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale 14-vjeçari Mirash Kaçaj, i cili është në rrezik për jetën. Nga dëshmitë dhe këqyrja e vendit të ngjarjes forcat e policisë kanë arritur që të identifikojnë autorin e krimit Marjan Lepri, i cili është shpallur në kërkim. Blutë kanë ngritur postblloqe në të gjithë zonën duke ushtruar kontrolle, pasi dyshojnë se autori nuk ka arritur dot të shkojë larg dhe mund të jetë fshehur tek të afërm ose miq. Pista e hetimeve është ajo e konfliktit të çastit mes dy djemve, por nuk përjashtohet as mundësia që debati të jetë i lidhur me ndonjë borxh ose çështje femrash. Ende nuk është konfirmuar motivi i krimit, ndërsa në komisariat janë marrë në pyetje dëshmitarët, të cilët kanë dhënë detaje duke përshkruar skenën e krimit. Pritet që në polici do të shoqërohen edhe familjarë të tre djemve, të cilët do të pyetën nëse kanë qenë në dijeni të konfliktit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency