Prokuroria reagon/ Kërkon sërish “Arrest me burg” për “Ben Qimen”, Gjykata pranon kërkesën

0
369

Sonila Mesareja

 

 

Prokuroria reagon/ Kërkon sërish “Arrest me burg” për “Ben Qimen”, Gjykata pranon kërkesën

 Pak ditë më parë, Apeli ndryshoi masën nga “Burg pa afat” në “Burg me afat 30 ditë”, sot rrezikohej lirimi i Arben Isufajt

 

ben_qimjaVendimi i disa ditëve më parë nga Apeli e ka bërë Prokurorinë të reagojë menjëherë, madje të bëjë të mundur edhe sigurimin e dokumenteve të ekstradimit të Arben Isufajt, i njohur me nofkën “Ben Qimja” brenda një kohe rekord. Duke pasur dokumentacionin e palës italiane, e cila kërkon arrestimin me qëllim ekstradimi të biznesmenit Isufaj, Prokuroria ka kërkuar dje zgjatjen e aftit për qëndrimin në burg të 45-vjeçarit, duke kërkuar nga Gjykata e Tiranës caktimin e masës “Arrest me burg”. Kërkesa është marrë në shqyrtim dje nga gjyqtarja Fatime Deçolli, ndërsa pas afro 1 orë e gjysmë debatesh të ashpra juridike mes prokurorit dhe avokatit të të arrestuarit, Gjykata pranoi kërkesën duke lënë në burg pa afat “Ben Qimen”. Ky vendim i parapriu lirimit të mundshëm të Arben Isufajt sot nga burgu, pas vendimit të së premtes të dhënë nga një treshe e Gjykatës së Apelit, e cila ndryshoi masën nga “Arrest me burg” në “Burg me afat 30 ditë”, afat që përfundonte ditën e sotme dhe biznesmeni në këtë mënyrë përfitonte lirinë. Menjëherë ka reaguar organi i akuzës, i cili siguroi dokumentacionin dhe bënë të mundur që 45-vjeçari të qëndronte akoma pas hekurave në pritje të shqyrtimit të kërkesës së ekstradimit.

 

Seanca

Mesditën e djeshme, për afro një orë e gjysmë, gjyqtarja Fatime Deçolli ka qenë përpara një debati të ashpër juridik mes prokurorit që kërkonte caktimin e masës “Arrest me burg” për Arben Isufajn dhe kundërshtimit të avokatit të tij, Ardian Visha, i cili nuk e pranonte këtë kërkesë të përfaqësuesit të akuzës. Prokurori ka argumentuar se kërkesa për ekstradim të Isufajt ka mbërritur nga Italia dhe për këtë kërkonte lënien në burg pa afat të tij deri në shqyrtimin e kësaj kërkese. Ndërkohë që, avokati Visha kundërshtoi jo vetëm arrestimin e klientit të tij, duke e quajtur atë të paligjshëm, por edhe caktimin e një mase të tillë nga Gjykata e Tiranës, të cilën ai nuk e quajti kompetente për sa kohë arrestimi i Isufajt është bërë në Fier. Ndërkaq ai përmendi edhe vendimin e një shkalle më të lartë gjyqësori të marrë ditën e premte, ndërsa pretendoi se Prokuroria nuk kishte një kërkesë ekstradimi. Pasi ka dëgjuar argumentet e palëve, gjyqtarja Deçolli vendosi të pranonte kërkesën e Prokurorisë, duke lënë në burg të arrestuarin Arben Isufaj, duke i paraprirë një lirimi të mundshëm të tij ditën e sotme, kur përfundonte edhe masa 30-ditore e vendosur pak ditë më parë nga Gjykata e Apelit. Pas seancës së djeshme, një vendim të mundshëm për ekstradimin ose jo drejt Italisë, biznesmeni i njohur si “Ben Qimja” do ta presë në qeli.

 

Arrestimi

Biznesmeni fierak Arben Isufaj u arrestua mbrëmjen e 9 marsit të këtij viti në qytetin e Fierit dhe më pas u soll nën masa të rrepta sigurie për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Arrestimi i tij u bë mbi bazën e një urdhër-arresti të firmosur nga drejtësia italiane, ku kërkohet për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike”, akuza për të cilat rrezikon të dënohet me 30 vite burg. Dy ditë më vonë, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj të njohurit si Ben Qimja, në pritje të një kërkese për ekstradim. Më datën 4 prill, Gjykata e Apelit Tiranë e ndryshoi këtë vendim, duke caktuar ndaj Isufajt masën e sigurisë arrest me burg për 30 ditë, duke i hapur rrugë lirimit të biznesmenit nga paraburgimi. Vendimi i Apelit detyroi prokurorinë të veprojë në mënyrë urgjente dhe t’i dorëzojë gjykatës për ekstradimin e “Ben Qimes”.

 

 

 

Tiranë/I njihet vendimi grek për mospagim taksash, Ilir Kupa dënohet 8 muaj burg

Gjykata e Tiranës i ka njohur dje një nga vendimet greke Ilir Kupës, një prej të arratisurve nga burgu i Trikallasë dhe i arrestuar pak muaj më parë në Tiranë. Ndonëse ai e ka kundërshtuar këtë vendim, me argumentin se kur është dënuar për mospagim taksash ka qenë në burg, Gjykata e kryeqytetit e ka njohur këtë vendim penal të huaj, nga i cili Kupës iu ulën vetëm 2 muaj burg, pra nga 10 muaj që ishte dënuar nga gjyqësori grek, përfundimisht u dënua dje me 8 muaj burg. Kupa ishte gjobitur me 10 milionë lekë për mospagim taksash. Masa me gjobë Ilir Kupës në shtetin grek i ishte konvertuar me 10 muaj burg. Lidhur me këtë dënimin mbrojtja nuk ka qenë dakord, ndërsa vetë Kupa ka deklaruar: “Kur më dënuan unë isha në burg, nuk kisha si t’i shlyeja këto gjoba”. Ndërsa avokati i tij u shpreh se vendimi i Gjykatës bie ndesh me Kushtetutën shqiptare, prandaj edhe dënimi i shtetit grek nuk duhet të njihet nga drejtësia shqiptare. Ilir Kupa bashkë me një grup shqiptarësh, u arratisën nga burgu i Trikallasë, në mars të 2013-ës. Ai u arrestua nga policia e kryeqytetit mëngjesin e 25 janarit 2014, në afërsi të Kthesës së Kasharit. Ndërkaq, Fatos Sulaj, një tjetër i arratisur nga Trikallaja, u arrestua pak ditë më parë në Tiranë dhe ndodhet në qelitë e paraburgimit.

 

Shkodër/ Vrau vjehrrin e motrës, Ermir Gjergji dënohet 14 vjet e 8 muaj

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka dënuar me 14 vite e 8 muaj burg Ermir Gjergjin, i cili akuzohet për vrasjen e 67-vjeçarit Zef Ejlli në fshatin Gur i Zi, më 23 tetor të 2013-ës. Në një seancë që u zhvillua me dyer të mbyllura, mësohet se përpara trupit gjykues, 29-vjeçari Gjergji ka pranuar krimin e bërë ndërsa ka kërkuar mëshirë për vrasjen dhe duke shprehur pendesë për çfarë ka bërë. Në pretencën e lexuar para trupës gjykues, përfaqësuesi i organit të akuzës ka kërkuar shpalljen fajtor të Ermir Gjergjit dhe dënimin e tij me 28 vite burgim për veprën penale të “Vrasjes me paramendim për hakmarrje” dhe dënimin me 7 vite burg për “Armëmbajtje pa leje”. Togat e zeza e dënuan me 22 vite burg 29-vjeçarin, por duke qenë se Gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar, Gjergjit i është ulur 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 14 vite e 8 muaj burg. Zanafilla e këtij krimi ka të bëjë me të motrën e autorit që ishte e martuar me djalin e viktimës ndërsa çifti ndodhet në Amerikë dhe ka dy fëmijë. Sipas pretendimeve te familjes Gjergji, Albina Gjergji dhunohej nga bashkëshorti i saj, djali i viktimës. Kjo situatë ishte bërë e padurueshme për vëllain e Albinës, ndërsa kishte kërkuar disa herë nga familja Ejlli që të zgjidhin këtë problem, ndërsa mbrëmjen e 23 tetorit të 2013- ës ka marrë vendimin fatal, duke ekzekutuar 67-vjeçarin Zef Ejlli, babain e dhëndrit të tij. Ermir Gjergji do të vuajë dënimin në burgun e Shën Kollit.

 

 

Tiranë/ Çështja “Gjika”, ekspertja: Vendimi i 2004-ës, lejonte ndërtimet

 Prokuroria ka paraqitur dje prova të reja për lejet e ndërtimit në Vlorë. Gjatë shqyrtimit të çështjes “Gjika” në Gjykatën Penale të Tiranës, u paraqitën provat e reja, si dhe u paraqit dëshmitari Mezan Mezani, i njohur edhe si kallëzuesi i kësaj çështjeje. Sipas Prokurorisë, tri firmat që kanë kryer ndërtimet, më përpara, kanë fituar lejen e ndërtimit dhe më pas janë regjistruar në QKR si biznese. Provat e paraqitura nga Prokuroria u pranuan nga Gjykata Penale e Tiranës. Më pas dëshmoi Mezan Mezani, i cili në dëshminë e tij tha: “Bashkia dhe INUK-u nuk mori parasysh kallëzimet e mia. U detyrova dhe kallëzova në prokurori”. Sipas Mezanit, ndërtuesit i kanë hyrë në pronën e tij, duke ndërtuar pallatet e paligjshme. Gjithashtu, dëshmoi edhe Odise Zoto, i cili nuk mbante mend nëse është diskutuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak rreth lejeve të dhëna për ndërtimin e pallateve në zona ku nuk lejohej. Ndërsa ekspertja urbaniste i cilësoi ndërtimet e paligjshme, pasi nuk kishin respektuar katet e ndërtimit. Ekspertja ka deklaruar se seancën e kaluar nuk ishte në dijeni të vendimit të marrë në vitin 2004, i cili ishte marrë pjesërisht mbi kolonat e vendimit të vitit 2002, për të cilin ajo u shpreh herën e kaluar dhe deklaroi se nuk lejoheshin ndërtime. Sipas ekspertes, bazuar në vendimin e vitit 2004, në zonën e portit ishte vendosur të lejoheshin ndërtime, por deri në 5 kate dhe pallati i ndërtuar rezultonte të ishte me një kat më shumë. Pas dëshmisë së ekspertes, seanca u shty për pyetjen e të tjerë dëshmitarëve në seancën e radhës. Vetë kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, nuk ishte në Gjykatë, pasi ndodhej në aktivitetin e zhvilluar në Vlorë për prezantimin e prefektes së re.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency