Skandali / Dorëzohet raporti në prokurori, Ilia Karelit i mungonte zemra

0
144

Sonila Mesareja

Riekspertimi mjeko-ligjor në Tiranë: Mungonin edhe inde të ndryshme të trupit. Prokuroria të komunikojë me palën greke

 

fotoShokuese dhe në të njëjtën kohë një skandal. Ilia Karelit, 42 vjeç, i njohur në Shqipëri me emrin Kudret Kume, i mungon zemra dhe disa inde të ndryshme të trupit. Ky është përfundimi i riekspertimit mjeko-ligjor të bërë me kërkesë të Prokurorisë së Fierit nga Mjekësia Ligjore në Tiranë. Raporti iu dorëzua organit të akuzës në Fier, ndërsa i kërkohet të nisë komunikimi zyrtar me palën greke për të hedhur dritë mbi këtë skandal të pa raportuar. Ky përfundim i Mjekësisë Ligjore konfirmoi dyshimet e familjarëve të Kudret Kumes, të cilët hodhën dyshime se djalit të tyre i mungonte zemra, pasi kanë vërejtur shenja në atë pjesë të trupit. Për këtë dyshim dhe për mosbesim total të ekspertizës greke, ata kërkuan nga drejtësia shqiptare të ribëhej edhe një tjetër ekspertizë, e cila do konfirmonte ose hidhte poshtë dyshimet e tyre. Ndërkohë që në raportin e dorëzuar nga pala greke nuk flitej për mungesë të ndonjë organi në trupin e Kumes.

Raporti

Mjekësia Ligjore Shqiptare rikonfirmon vdekjen nga dhuna të Ilia Karelit, ose i njohur ndryshe Kudret Kume. Por, raporti shkon më tej, kur thuhet se gjatë ekspertizës u vu re se Kumes i mungonte zemra dhe disa inde të ndryshme, ndërkohë që konfirmohen plotësisht detajet e tjera të ekspertizës së plaës greke. Pas zbulimit të këtij skandali, ekspertët i kërkojnë Prokurorisë të nisë kontaktet me palën greke për të hedhur dritë mbi këto fakte të padeklaruara më parë. Në raportin e dorëzuar në Prokurorinë e Fierit, Mjekësia Ligjore i sugjeron organit të akuzës që të kërkojë zyrtarisht shpjegime nga Mjekësia Ligjore greke se përse mungon organi i zemrës në trupin e të ndjerit Kume, si dhe përse në trupin e tij ka heqje të indeve në pjesën e parakrahut dhe në gishta. Ndërkohë që për pjesën tjetër të raportit janë dakord me kolegët grekë, pasi gjatë ekspertizës kanë dalë në një përfundim të ngjashëm për konstatimin e thyerjes së brinjëve dhe hematomave të tjera të dukshme në kokë e fytyrë. Ndërkohë që për mungesën e zemrës dyshohet se ajo mund të jetë hequr nga Mjekësia Ligjore greke për autopsi edhe pse për raste të tilla ekzaminimesh, specialistët nuk i marrin komplet organin e zemrës.

Ekspertët

Raporti i detajuar dhe disa faqesh i është dorëzuar tashmë Prokurorisë së Fierit, të cilës i takon të ndërmarrë hapat e duhur ligjorë. Ndërkohë që, në fund të raportit disa faqesh, ata i kërkojnë akuzës shqiptare të kërkoj sqarime nga pala greke për arsyen e mungesës së zemrës. Sipas ekspertëve, në çdo autopsi të trupit të një viktime, merren kampionë indesh edhe nga zemra, por në asnjë rast nuk hiqet i gjithë organit jetësor. Gjithashtu, ekspertët kanë konstatuar se në bërrylat e dy duarve Karelit i mungon një pjesë e mishit, siç është konstatuar edhe mungesa e thonjëve të gishtave të dorës dhe këmbës, ku një pjesë e tyre është hequr me gjithë mishin, për këto dy konstatime, ekspertët i kërkojnë prokurorisë së Fierit që me anë të letërporosisë të kërkohet sqarime për këto dëmtime të mëdha dhe të pazakonta në trupin e një viktime. Ekspertët në raportin e tyre, kanë argumentuar edhe shkakun e vdekjes, i cili mendohet se ka ardhur nga dhuna e ushtruar me sende të forta. Si pasojë e kësaj dhune, ekspertët konkludojnë se Karelit i është thyer kafka, kraharori, disa brinjë që i kanë shkaktuar dëmtime në mushkëri, si dhe hematoma të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Bazuar në këtë raport dhe ankesën e familjarëve, prokuroria e Fierit ka nisur hetimet që pritet në ditët në vazhdim të marr në pyetje edhe të afërmit me të cilët ditët e fundit Kareli ka komunikuar që më pas, kjo dosje të përcillet drejt autoriteteve të drejtësisë greke.

Dyshimi

Dhuna makabre ndaj të dënuarit Ilir Kareli është mbajtur e fshehtë në raportin shëndetësor të palës greke, ku nuk bëheshin publike 15 shenja dhune. Ky konstatim është bërë gjatë ekspertizës së dytë nga ana e mjekësisë ligjore së vendit tonë, sipas të cilës 42-vjeçari ka fraktura të forta në kafkë dhe thyerje të saj dhe për këtë arsye do të ribëhej ekspertiza mjeko-ligjore. Sipas organit të akuzës së Fierit, nga 15 shenja dhune që ndodhen në trupin e Ilia (Ilir) Karelit dhe që i kanë shkaktuar vdekjen, në akt-ekspertizën e palës greke raportohen vetëm disa prej këtyre. Kjo ka qenë edhe arsyeja që nga ana e organit të akuzës ka nisur hetimi për këtë krim makabër, duke urdhëruar riekspertimin e trupit të 42-vjeçarit nga ana e ekspertëve të institucionit të Mjekësisë Ligjore së kryeqytetit. Kanë qenë vetë familjarë të viktimës, të cilët pas plagëve të konstatuara në turpin e Ilir Karelit, kanë ngritur dyshimet se ekspertiza greke ishte e cunguar dhe jo reale, ndërsa kanë hedhur dyshime se i mungon zemra. Nga konstatimet paraprake u dekalrua se Ilir Kareli kishte fraktura të forta dhe thyerje të kafkës. Të dënuarit i janë hequr edhe thonjtë e gishtave. Ndërkohë, nga ana e Prokurorisë së Fierit tashmë ka nisur procedimi penal për vrasjen e Ilir Karelit në qelitë e burgut të Nigritas, ku e transferua për ta mbajtur në izolim.

 

 

Aksidentet

Përgjaket e shtuna, dy të vdekur në Elbasan e Kukës

Përgjaket e shtuna, dy të vdekur si pasojë e aksidenteve rrugore. Viktima e parë u shënua në Elbasan, ku një kamion ka marrë para një kalimtar me biçikletë, ndërsa viktima e dytë u shënua në Rrugën e Kombit, ku një person humb jetën për shkak të përplasjes së automjetit të tij. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se një 62-vjeçar ka mbetur viktimë e aksidentit mesditën e djeshme në qytetin e Elbasanit. Ngjarja është shënuar në rrethrrotullimin e unazës perëndimore në hyrje të qytetit. Siç bën me dije policia e Elbasanit, një kamion me targa SR 989 CA ka përplasur për vdekje 62-vjeçarin Zamir Dedja, i cili udhëtonte me biçikletë. Me gjithë ndërhyrjen e shpejtë për ta dërguar në spital, viktima nuk ka mundur të mbijetojë. Policia ka shoqëruar drejtuesin e kamionit, shtetasin maqedonas Risto Demovski dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Paraprakisht mendohet se 62-vjeçari ka humbur kontrollin e biçikletës duke i prerë rrugën kamionit dhe për pasojë duke sjellë edhe përplasjen fatale që shkaktoi vdekjen e tij të menjëhershme. Nga hetimet paraprake, policia përjashton pistën e shpejtësisë së lëvizjes së kamionit pasi aksidenti është shënuar në rrethrrotullim, çka e bën të vështirë lëvizjen me shpejtësi. Ndërkohë që në orët e mesditës së djehsme një tjetër aksident u shënua në Rrugën e Kombit. Një automjet është përplasur me bordurën në afërsi të Gjegjanit dhe për pasojë drejtuesi ka humbur jetën. Sipas policisë, viktima është shtetasi Fatmir Matmuja, i cili po udhëtonte në drejtim të Kukësit. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje aksidentale, por paraprakisht dyshohet se drejtuesi ka humbur drejtimin dhe me pas është përplasur me bordurën.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency