Gjiknuri shpall një synim të rrezikshëm ndaj investitorëve të huaj. Shtetëzohet CEZ?

0
110

  Ervin Kaduku

 

 

Me këtë mënyrë sjelljeje ndaj investitorit më të madh strategjik të hyrë në Shqipëri vitet e fundit, jepet shenja më e keqe e trajtimit të kapitalit ndërkombëtar. Përveç faktit se buxheti do të paguajë gjynahet e këtij vendimi…

 

 

GjiknuriMerr një drejtim të rrezikshëm problematika midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë gjigande çeke CEZ Group. Deri tani, subjekti nga Praga ishte ankuar deri në Arbitrazh për shpronësim të aseteve të saj nga Tirana zyrtare, por duket se Ekzekutivi Rama ka marrë një kthesë drastike për të privatizuar kompaninë, pavarësisht se qindra miliona euro do të paguhen si dëmshpërblim, e që dalin gjithnjë nga xhepat e taksapaguesve.

“Unë shpresoj, shumë shpejt, CEZ-i do të kthehet në një shoqëri publike, për t’u forcuar, më vonë për t’u komercializuar dhe mbase, në perspektivën e saj, të shikojmë sesi do të privatizohet apo do të merren format më të mira të bashkëpunimit me sektorin privat, në mënyrë që sistemi i shpërndarjes të jetë një sistem efikas. Pra edhe të ofrojë shërbimin e duhur për qytetarët, por njëkohësisht të jetë edhe likuid nga ana financiare, të jetë një ndërmarrje vërtet me fitim. Por, këto janë reforma të thella dhe duan mbështetje financiare”. Ka deklaruar kështu dje ministri Energjetikës Damian Gjiknuri në analizën e punës të kompanisë CEZ, tashmë nën administrim të shtetit.

Ai ka deklaruar më tej se kemi mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, Banka Botërore do të ofrojë një mbështetje të madhe financiare për sektorin e shpërndarjes, gjë që do të përkthehet në investime, në mënyrë që të përmirësohet matja, edhe qytetarëve të mos ju mungojnë matësit dhe shërbimi të përmirësohet. Edhe USAID-i po na jep një mbështetje që është për tu vlerësuar, nëpërmjet asistencës që po i jep Task-Forcës, këtu kemi edhe një nga përfaqësuesit e USAID-it, një ekspert shumë të mirë nga Gjeorgjia.

Pas këtyre fjalëve, duket qartë se qeveria Rama ka një pikësynim të caktuar: Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ Shpërndarje do të kalojë e gjitha në pronësi të shtetit. Sipas ministrit humbjet e kësaj kompanie arrijnë deri në 200 milionë dollarë në vit, por Gjiknuri ka premtuar se po punohet për likuidimin e këtyre humbjeve. Gjiknuri shtoi se CEZ do të riprivatizohet sërish, por fillimisht do të kthehet në një kompani publike. Gjiknuri ka kërkua që të merren masa më të rrepta për debitorët e energjisë. Kush nuk paguan energjinë elektrike do të përballet me masa të rrepta. Askush që është debitor i CEZ Shpërndarje, nuk do të mund të marrë asnjë shërbim publik. ”Kodi Penal pasi të kalojë në Parlament, do të parashikoj dënim me burg për të gjithë abuzuesit e energjisë. Kemi raste kur biznese të tëra nganjëherë paguajnë më pak sesa një familjarë. Do të kalojmë një paketë tjetër ligjore, ku pagesën e energjisë elektrike do ta bëjmë prioritare. Nuk ka pse të ketë më shërbime publike me njerëz që nuk paguajnë energjinë elektrike. Një njëri që ka automjet nuk ka pse t’i ketë borxhe CEZ-it, një njëri që ka pasuri nuk ka pse të ketë borxhe, të ketë fatura të papaguara. Pagesën në kurriz e mban shoqëria shqiptare”, – u shpreh Damian Gjiknuri, ministër i Energjetikës dhe Industrisë.

Problemi në këtë mes është që, në këtë mënyrë sjelljeje ndaj investitorit më të madh strategjik të hyrë në Shqipëri vitet e fundit, jepet shenja më e keqe e trajtimit të kapitalit ndërkombëtar. Përveç faktit se buxheti do të paguajë gjynahet e këtij vendimi…

Damian Gjiknuri, ministër i Energjetikës, pati një takim pak ditë më parë edhe me aksionerët në fushën e energjisë. Qëllimi i takimit ishte për t’u konsultuar me aksionerët për ligjin e ri për energjinë, por në fakt ky takim u bë për të komunikuar ndryshimin e çmimit të energjisë që prodhohet nga HEC-et.

Ministria e Energjetikës, që ditët e para të punës së saj, ka marrë disa masa për anulimin e kontratave dhe të disa praktikave tenderimi për disa HEC-e. Që nuk ka një strategji të qartë kjo duket dhe në debatet dhe propagandën gjashtë mujore që po ndërmerr qeveria, sikur në këtë sektor është ‘‘bërë korrupsion i madh, janë nënshkruar kontrata koncesionare korruptive” etj., duke e vënë këtë sektor në një presion të jashtëzakonshëm, në një performancë jo të mirë e në vështirësi të plotë në raport me lehtësimet e të huajve, ndërtuesit e bankat. Dhe nuk mjaftonte kjo, por para dy ditësh u shpall se do të ndryshohet dhe çmimi i energjisë që prodhohet nga këto HEC-e, në kundërshtim të hapur me ligjin në fuqi mbi të cilin janë nënshkruar kontratat koncesionare.

 

 

Tuneli i Kërrabës, kryhen punime mirëmbajtjeje

Tuneli i Kërrabës, që lidh Tiranën dhe Elbasanin, është mbyllur dje, datë 31 mars, nga ora 08:00 deri më 22:00, për shkak të punimeve që u kryen për mirëmbajtjen e tij dhe vijueshmërinë e punimeve përgjatë autostradës Tiranë – Elbasan. Të gjithë automjetet që udhëtonin nga Tirana drejt Elbasanit dhe anasjelltas janë detyruar të përdorin rrugën e vjetër, pra nga Qafë-Kërraba. Kjo është hera e dytë që ndalohet qarkullimi i mjeteve në këtë aks rrugor për shkak të punimeve. Autostrada që lidh dy nga qendrat urbane më të rëndësishme të vendit ende funksionon nga një krah i saj dhe përdoret për të dyja drejtimet e lëvizjes, prandaj dhe në mënyrë graduale, sipas një grafiku të paracaktuar nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës, po bëhen ndërhyrjet përkatëse për të përfunduar plotësisht këtë vepër infrastrukturore të nisur nga qeveria e shkuar. Pas punimeve për mirëmbajtjen, tuneli është hapur sërish.

 

 

Shqipëria do të menaxhojë vetë fondet e BE-së

Komisioni Evropian i lejon Shqipërisë të menaxhojë vetë fondet e Bashkimit Evropian, jo nëpërmjet delegacionit evropian, siç ka ndodhur deri tani. Dy ministrat, ajo e Integrimit, Klajda Gjosha dhe i Financave, Shkëlqim Cani, ndërsa përshëndetën vendimin e KE-së, theksuan se ky vendim tregon besimin që ka Brukseli te qeveria shqiptare. “Fillimisht kjo praktikë do të testohet nga menaxhimi i disa fondeve nga IPA 2013”, – tha Gjosha.  Në një konferencë për shtyp në lidhje më vendimin e Komisionit, ajo shtoi se kjo arritje vjen pas plotësimit të një sërë detyrimesh nga ana jonë. “Ky proces është i rëndësishëm pasi bëhemi pjesë e akreditimit. Kjo gjë do të thotë besim dhe kjo gjë sjell më shumë të ardhura dhe vende pune në Shqipëri”, deklaroi ministri Cani. Sipas ministrit të Financave, “ky vendim nga strukturat e BE-së arrihet nga një angazhim maksimal i Shqipërisë dhe në menaxhimin e kontrolleve të fondeve të IPA-s. Tani fondet nuk do menaxhohen më nga Brukseli, por nga shqiptarët”. “Zbatimi do të jetë një sfidë për strukturat e administratës dhe qeveria shqiptare shpreh mbështetjen e plotë ndaj tyre. Dua të falënderoj strukturat e BE-së për mbështetjen e gjithanshme. Shqipëria në të ardhmen do të menaxhojë në mënyrë më të mirë fondet e BE-së”, – përfundoi ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency