Ndryshimet në prefektura/ Rama shkarkon Besnik Dervishin në Vlorë, Safet Gjici zëvendëson Hoxhën në Kukës

0
148

Gëzim Saliu

 

Në krye të Prefekturës së Vlorës emërohet Etjona Hoxha, Dervishi: Do të marr një detyrë tjetër

 

 

besnik dervishi kryesoreEdhe pse kishte pohuar se ekipi i përzgjedhur prej tij nuk ka të meta dhe do të jetë i konfirmuar, duket se Kryeministri Rama nuk ndan të njëjtin mendim si për qeverinë ashtu edhe për drejtuesit e përzgjedhur prej tij në krye të prefekturave të vendit. Në një vendim të marrë dje, qeveria shqiptare ka shkarkuar nga detyra prefektët e Vlorës dhe të Kukësit, shkarkimet e para këto të drejtpërdrejta në më shumë se 6 muaj qeveri, pas atyre të ardhura nga denoncimet e opozitës. Besnik Dervishi nuk do të jetë më prefekti i Vlorës e në krye të këtij institucioni, Rama ka emëruar Etjona Hoxhën, e cila ka mbajtur më parë edhe postin e kryetares së Këshillit Bashkiak të Vlorës, ndërkohë që me një tjetër vendim, qeveria ka shkarkuar gjithashtu edhe prefektin e Kukësit, Ram Hoxhën, dhe në vend të tij do të emërohet presidenti i klubit të futbollit të Kukësit, Safet Gjici.

 

Besnik Dervishi

Në reagimin lidhur me vendimin e qeverisë, ish-prefekti i qarkut të Vlorës, Besnik Dervishi, ka deklaruar se shkarkimi ka ardhur, sipas tij, pas një kërkese të Kryeministrit Rama për një detyrë tjetër të rëndësishme. “Pasi vendosa t’i përgjigjesha pozitivisht ftesës se Kryeministrit Edi Rama për të marrë një detyrë tjetër të rëndësishme, dëshiroj në radhë të parë të falënderoj të gjithë qytetarët e Vlorës për mbështetjen e vazhdueshme që më kanë dhënë në ushtrimin e detyrës së prefektit të Qarkut. Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë për besimin e palëkundur qe ka treguar gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës nga ana ime, besim të cilin unë dëshiroj ta përmbush edhe përmes detyrës së re që do të më besohet”, – tha Dervishi. Prefekti i Vlorës në pak muaj të detyrës së tij u bë pjesë e debatit politik mes palëve, nisur nga atentati me tritol ndaj tij në muajin dhjetor. Në makinën e tij, e parkuar para Kryeministrisë, u gjet një sasi eksplozivi, ku edhe pas hetimit të pistave të ndryshme nga policia, ende pas 3 muajsh nuk është arritur identifikimi i autorëve që vendosën lëndën eksplozive në automjetin e Dervishit. Hetime ka pasur edhe për persona të veçantë ku në lupën e hetimit janë dy persona tashmë të dënuar për vrasje dhe që ndodhen në qeli, të njohur si organizator të rrjetit të vendosjes së bombave me aparat celular. Po ashtu, Dervishi ishte pjesë e ekipit drejtues të operacionit të shembjes së ndërtimeve pa leje në bregdet. Ndërkohë, pasardhësja në detyrë e Dervishit, i cili kishte pak më shumë se 5 muaj në detyrën e prefektit të Vlorës, do të jetë Etjona Hoxha, e cila është pedagoge në departamentin e Gjuhë-Letërsisë, në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”. Gjithashtu, Hoxha është pjesë e Asamblesë Kombëtare të Forumit të Gruas Socialiste.

 

 

Albumi me foto

Rama: Në 2 muaj, nga zyrat e punës u punësuan 1090 persona

 Në vetëm dy muaj zyrat e punës në 5 qytetet e vendit kanë mundësuar punësimin e 1090 personave. Kështu pohoi dje Kryeministri Rama, i cili në përpjekjen e tij për të bindur qytetarët për shifrat, publikoi në rrjetin social “Facebook” edhe një album me njerëz të zakonshëm moshash e kategorish të ndryshme, të cilët janë, sipas tij, vetëm disa nga shumë të punësuarit së fundmi përmes zyrave të reja të punës. “S’duam zyra duam punë!”, – shkruante dikush në komentet e një postimi për çeljen e zyrës moderne të punës në Elbasan. Dhe s’ishte i vetmi që shprehte mosbesim se në zyrat e punës mund të gjendet punë. Por shifrat e faktet flasin ndryshe dhe me rritjen dita-ditës të këtij shërbimi të ri modern të punësimit do të rriten edhe mundësitë për punë, edhe numri i të punësuarve përmes zyrave të punës. Për më shumë hidhuni një sy shifrave. Nga dita e inaugurimit gjer sot, punësime direkte nga zyrat e reja moderne të punës, me emër e mbiemër, janë realizuar: Në Tiranë 528. Durrës 299. Vlorë 180. Kavajë 83. Totali 1090. Mbani parasysh që zyra e Tiranës ka vetëm dy muaj, e Durrësit vetëm 1 muaj, e Vlorës dhe Kavajës vetëm pak javë. Ndërkohë janë aktualisht të publikuara nga punëdhënësit privatë 3969 vende të lira pune. Në Tiranë 2289. Në Durrës 1052. Në Vlorë 457. Në Kavajë 171”, – shkruante Rama. Sipas Kryeministrit, mosbesimi i ndërsjellë i krijuar në vite ndaj Shërbimit të vjetër Kombëtar të Punësimit, qoftë nga punëdhënësit, qoftë nga punëkërkuesit është shumë i madh. “Në klimën e këtij mosbesimi në të cilën Shërbimi Kombëtar i Punësimit sapo ka rilindur, këto shifra e fakte janë një fillim shumë i mbarë. Dora-dorës besimi do të rritet dhe punësimi padyshim po ashtu, sepse zyrat e reja të punës janë më në fund pas njëzet vjetësh, një nga instrumentet e rritjes së punësimit”, – përfundoi kreu i qeverisë.

 

 

Takimi në Kosovë

Gjosha me Jahjagën: Bashkëpunim mes vendeve të rajonit për integrimin në BE

 Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kosovë u prit dje në një takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila e vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishëm bashkëpunimin mes dy shteteve për proceset integruese. “Ky nivel bashkëpunimi, na lehtëson dhe na shkurton kohë si për përkthimin e legjislacionit por edhe për adoptimin e tij. Sa më shumë të marrim nga përvoja e fqinjëve tanë dhe aq më tepër nga Shqipëria për proceset integruese aq më mirë është. Rëndësia e bashkëpunimit është e jashtëzakonshme”, – u shpreh Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Presidentja Jahjaga, theksoi se të gjithë vendet e rajonit duhet të jenë shumë të lidhur e të bashkëpunojnë sidomos për procesin e integrimit pasi çdo hap reflektohet edhe në shtetin fqinj. Nga ana e saj, ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, theksoi se bashkëpunimi do të thellohet më tej dhe me palën kosovare po diskutohet për ngritjen e një instituti të përbashkët përkthimi.“Mes shteteve tona ka një lidhje të brendshme dhe duhet të jemi shembulli i një bashkëpunimi të shëndoshë në të gjitha fushat. Marrëveshja e firmosur dhe dhurimi i legjislacionit nuk do të jenë të vetmet në sferën e legjislacionit të BE-së. Ne po diskutojmë për ngritjen e një instituti të përbashkët përkthimi. Jemi në diskutime që edhe Shkupi të jetë pjesë e këtyre marrëveshjeve në mënyrë që të zgjerojmë bashkëpunimin”, – u shpreh ministrja e Integrimit, Gjosha.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency