Letra e Ilir Karelit/ “Më privuat nga 2 jetë, tani duhet të marr një jetë nga ju”

0
147

Anxhela Tato

 

I dënuari shqiptar në Prokurori: Nuk më lejuat të shikoja nënën gjallë dhe të kisha familjen time

 Dëshmitë e gardianëve zbardhin krimin, i dënuari mbante një letër në dorë kur sulmoi gardianin

 

 

burgu greqi Ilir Kareli nuk shfaq asnjë shenjë pendese për ekzekutimin e gardistit grek. Para prokurorëve i dënuari shqiptar është justifikuar se vrasja është hakmarrje për privimin e jetës. Ai është shprehur se iu mohua që të shikonte nënën për herë të fundit dhe jeta e tij është shkatërruar, duke iu hequr e drejta për të pasur një familje. Kur u pyet nga prokurori se përse e kreu krimin, shqiptari është përgjigjur: “Përse mua më privuat nga 2 jetë?” Ndërkaq, dëshmitë e rojave të burgut zbardhin rrethanat e vrasjes së djeshme. Sipas tyre, ngjarja ndodhi në katin e parë të burgut. Rojat kanë dëgjuar zhurma dhe kanë shkuar me shpejtësi dhe kanë parë skenën. Kareli e kishte sulmuar papritur dhe e kishte qëlluar në qafë 46-vjeçarin, ndërsa në duar mbante një letër. Në letër ishte shkruar: “Nuk u ngopët me kaq shumë vite të jetës sime? Që nga viti 1997 unë jam brenda dhe vazhdoni të më mbani ende. Pse nuk me latë ta gjeja gjallë nënën time dhe të krijoja edhe unë një familje? Tani patjetër duhet të marr një jetë nga ju”. Sipas dëshmive nga burgu, nëna e të dënuarit ishte në Itali e sëmurë dhe vdiq. Ndërkaq, mësohet se shqiptari Ilir (Ylli) Kareli është dënuar në vitin 1997 për vjedhje, ndërsa në vitin 2006 ka marrë liri me kusht pas kërkesës së tij. Por një vit më pas, në 2007-ën, arrestohet për vrasje dhe grabitje. Ai akuzohet se vrau një çift në Iraklio, me qëllim grabitjen dhe mori dënimin me 20 vjet e 9 muaj burg, të cilin ishte duke e kryer në burgun e Malandrinos.

 

Punonjësit e burgjeve

 Vrasja e rojës së burgut të Malandrinos nga një i dënuar shqiptar ka tronditur dhe revoltuar të gjithë punonjësit e burgjeve në Greqi, të cilët gjithashtu janë të frikësuar për integritetin e tyre fizik. Federata e Punonjësve të Burgjeve të Greqisë ka shpërndarë një komunikatë, ku shprehet zemërimi për faktin që ata më herët e kishin dhënë alarmin për situatën e rëndë në burgje. “Ne kishim paralajmëruar me kohë për situatën e tmerrshme, në të cilën ndodhen burgjet në vend. Ne paralajmëruam se nëse nuk merren masa urgjente dhe efektive do të mbajmë zi viktimat, por vrasja e kolegut i kaloi kufijtë e durimit”, – thuhet në komunikatë. Në komunikatë njoftohet se punonjësit e burgjeve do të bojkotojnë detyrat e tyre gjatë vizitave të të afërmve tek të burgosurit, duke ndërprerë kështu funksionimin e rregullt të këtyre vizitave në datat 26-30 mars 2014, në shenjë zie dhe proteste për kolegun e vrarë. Ndërkaq, vizitat e avokatëve, gjykatat, kontrollet e planifikuara mjekësore dhe në përgjithësi të gjitha funksionet e tjera të brendshme do të jenë normale. Presidenti i Federatës së Punonjësve të Burgjeve, Spiros Karakitsos, theksoi nevojën për ndryshime radikale në sistemin e burgjeve dhe zbuloi se burgu i Malandrinos ka kapacitet për të akomoduar 280 persona, ndërkohë që mban 700 të burgosur. “Burgjet tona ngjajnë me burgjet e Kolumbisë dhe Brazilit dhe me asnjë vend të Evropës”, – tha ai për TV “Mega”.

 

 

Fushë Krujë

Eksploziv makinës së policit Dilaver Boga, dyshohet konflikti me një të arrestuar

Atentat me eksploziv makinës së punonjësit të policisë së Fushë-Krujës. Automjetit të efektivit Dilaver Boga i është vendosur një sasi prej 100 gr lëndë plasëse. Ngjarja është shënuar rreth orës 03:00 dje në mëngjes në fshatin Halil, ndërsa automjeti ishte i parkuar pranë banesës. Për pasojë, nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj. Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës, ndërsa është marrë në pyetje efektivi, i cili ka mohuar që të ketë konflikte apo kërcënime. Nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarjeje, ndërsa dyshohet për një konflikt midis Bogës dhe një personi të arrestuar pak kohë më parë. Policia ende nuk ka një autor për këtë ngjarje, edhe pse janë bërë shoqërime të rastit. Nuk është hera e parë që ndodhin shpërthime me eksploziv në këtë qytet të vogël të rrethit të Krujës me rreth 30 000 banorë. Shpërthimi i djeshëm shënon rastin e 4 të sulmeve ndaj punonjësve të komisariatit të Fushë-Krujës. Sulmi i parë u shënua ndaj një efektivi të policisë në Bubq. Ndërkohë, në 23 janar, një sasi tritoli u hodh në oborrin e komisariatit të policisë. Shpërthimi tjetër do të shënohej sërish më 3 mars, me po të njëjtin skenar. Për këto ngjarje, deri më tani asnjë person nuk është vënë në pranga. Në shënjestër u vu gjithashtu Bashkia e qytetit, ku u hodh një sasi e vogël lënde plasëse. Pavarësisht nga shoqërimet apo arrestimet, asnjë prej këtyre personave nuk ka rezultuar në fund si autor i atentateve.

 

 Korçë

Sekuestrohet tritol, fishekë dhe detonator, pranga 3 personave

Skuadrat e Forcës së Posaçme Operacionale e Antikrimit të Organizuar dhe forcat e Drejtorisë së Policisë së Korçës kanë goditur në një operacion blic një bazë të tritolit në fshatin Lozhan. Gjatë operacionit të koduar “Lozhan” mëngjesin e djeshëm u sekuestruan një sasi prej 66 copë kallëpe tritol, si dhe 35 copë tritol në forma të ndryshme, një mitraloz i rëndë, 2 kuti metalike të mbushur me fishekë model 56 dhe një pako detonator, të cilat duken edhe në këto pamje. Sipas burimeve nga informacionet e marra më herët në rrugë operative dyshohet se tritoli u shitej grupeve kriminale për kryerjen e atentateve me eksploziv. Të njëjtat burime bënë me dije se në pranga ka përfunduar Vasjan Plasari, 19 vjeç, Sergej Cenolli, 22 vjeç, dhe Halil Agolli, 26 vjeç, tre nga Korça, si dhe u bë shpallja në kërkim e një tjetër personi. Sipas policisë së Korçës, këta persona ishin duke udhëtuar në drejtim të qytetit të Korçës me një automjet “BMW” dhe u arritën të kapeshin në fshatin Lozhan, duke transportuar sasinë e tritolit të sekuestruar.

 

 

Tiranë

I dënuar për plagosje, ekstradohet Prend Vuka

 I kërkuar për plagosje të rëndë dhe i dënuar me 7 vite burg, ekstradohet nga Italia një 32-vjeçar nga Lezha. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se nga Interpol Tirana gjatë ditës së djeshme është bërë ekstradimi nga Milanoja i Prend Vukës, 32 vjeç, nga Lezha. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mirditë, me datën 17 maj 2007, e ka dënuar me 7 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Krimi për të cilin shtetasi Prend Vuka është deklaruar fajtor nga organet e drejtësisë, ka ndodhur më datë 11 dhjetor 2006, në qytetin e Rrëshenit, ku pas një debati që ka pasur për motive të dobëta me shtetasin Tonin K., e ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, duke e plagosur rëndë. Arrestimi dhe ekstradimi i tij është bërë si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën. Në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas, 32-vjeçari Vuka u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency