Atentati/ Plumb makinës së këshilltarit ligjor të Gjykatës së Lartë

0
135

Anxhela Tato

 

 Alban Dokushi: “Ngjarja shenjë paralajmërimi, dyshime se mund të jetë për biznesin e karburantit të babait”

Policia dyshon për ngatërrim shënjestre, në vendngjarje një makinë e ngjashme me atë të 35-vjeçarit

 

 

 

atentati alban dokushiAtentati ndaj këshilltarit ligjor të Gjykatës së Lartë mund të jetë ngatërrim shënjestre ose paralajmërim për biznesin e babait. Si çdo mëngjes Alban Dokushi po shoqëronte djalin për në çerdhe në momentin kur automjeti është ndaluar në Njësinë Bashkiake numër 5. Nga makina ka zbritur bashkëshortja e 35-vjeçarit së bashku me djalin, kur një motor është afruar, duke hapur zjarr. Vetëm një plumb ka goditur xhamin e dritares të drejtuesit të automjetit, i cili i tmerruar ka dalë nga makina duke vrapuar. Në këto momente ka dalë me nxitim nga çerdhja bashkëshortja e 35-vjeçarit, e cila ka thirrur në emër këshilltarin ligjor. Ajo e ka telefonuar duke i thënë që të kthehej dhe t’i tregonte se çfarë kishte ndodhur. Ndërsa atentatorët janë larguar në drejtimin e kundërt. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, fatmirësisht pa persona të lënduar. I vetmi dëm material është xhami i thyer i makinës “Citroen”, në pronësi të këshilltarit ligjor Alban Dokushi. Forcat e policisë të komisariatit numër 2 dhe të anti-terrorit këqyrën vendin e ngjarjes, duke mbledhur prova për identifikimin e autorëve. Në pyetje u morën edhe dëshmitarë të ngjarjes, të cilët kanë përshkruar se çfarë kanë parë. Ndërsa u shoqërua në komisariat Alban Dokushi, i cili ka sqaruar për blutë ngjarjen, duke mohuar që të ketë konflikte ose kërcënime. Sipas 35-vjeçarit atentatorët mund të kenë ngatërruar objekt, duke qenë se në atë zonë ndodhej edhe një automjet i ngjashëm me tijin. Por nuk mohon që kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me biznesin e babait të tij, i cili operon në fushën e karburanteve.

 

Dëshmia e Alban Dokushit

“Si çdo ditë normale pune bashkë me bashkëshorten po shoqëroja me makinë djalin në çerdhe. Bashkëshortja kishte zbritur nga makina për të futur djalin brenda , ndërsa unë isha jashtë duke e pritur. Në këtë moment shikoj nga xhami një motor që vinte drejt meje me dy persona. Njëri prej tyre qëlloi me armë në drejtim meje, xhamit. Më pas motori iku, ndërsa unë instinktivisht dola nga makina. Në fillim mendova se dikush qëlloi me gur në xham, kur më pas kam parë dy persona me skafandër në kokë. Nuk arrita t’ia fiksoja dot fytyrën dhe ata nuk më thanë asnjë fjalë kur u afruan. Kam bindjen se sulmi që më është bërë dje nuk ka lidhje me punën që unë bëj, sepse unë nuk kam gjë në dorë. Jam vetëm këshilltar ligjor. Kam dyshime se kjo ngjarje ka lidhje me biznesin e babait. Mendoj se ishte një paralajmërim për babanë tim. Ai operon në tregun e karburanteve. Kjo është pista që unë dyshoj më shumë. Pasi më morrin në pyetje në polici më thanë se mund të jetë ngatërrim shënjestre, sepse pranë meje ishte një makinë e ngjashme me timen. Unë asnjëherë nuk kam pasur konflikte dhe këtë gjë e kam deklaruar edhe në polici. Kurrë nuk kam marrë qoftë edhe një kërcënim. Madje as babai im nuk ka pasur konflikte, as kërcënime. Nuk e di se çfarë do të bëj për momentin. Është ngritur një grup hetimor për  zbardhjen e ngjarjes dhe deri sa të zbulohet e vërteta nuk di se çfarë do të bëj. Ajo që ndodhi sot është e frikshme dhe unë jam i shokuar nga kjo ngjarje. Për mua kjo ngjarje ishte një shenjë paralajmërimi. Kjo është e gjitha që unë dyshoj.

 

 

Ministria e Brendshme: Makina e këshilltarit u qëllua me armë, fatmirësisht shpëtoi

Ministria e Brendshme konfirmon se këshilltari Dokushi fatmirësisht u ka shpëtuar plumbave pa marrë asnjë plagë. Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet dhe autorët e ngjarjes, ndërsa policia ka nisur hetimet. “Sot në mëngjes është qëlluar në drejtim të automjetit tip “Citroen” në pronësi të shtetasit Alban Dokushi 35 vjeç, me detyrë ndihmës ligjor në gjykatë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut, ku shtetasi i sipërcituar është qëlluar një herë me armë zjarri tip pistoletë, ku fatmirësisht nuk është plagosur. Në vendngjarje aktualisht po kryen veprimet hetimore dhe procedurale duke mbledhur dhe administruar provat. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit”, – thuhet në njoftimin e policisë.

 

Dëshmitarja

“Motori ishte parkuar, u hap zjarr pasi zbriti nga makina gruaja me djalin”

Një nga dëshmitarët e ngjarjes rrëfen momentet e atentatit ndaj 35-vjeçarit Alban Dokushi. Gruaja, identiteti i së cilës mbahet anonim, ka parë motorin me dy atentatorët të parkuar afër njësisë bashkiake numër 5. Në momentin që nga automjeti i 35-vjeccarit ka zbritur gruaja dhe djali, motori është afruar dhe njëri nga djemtë ka qëlluar. Por vetë dëshmitarja nuk ka arritur dot të kuptojë, nëse bëhej fjalë për të shtënë arme apo thjesht thyerje xhami. Dëshmitarja ka dëgjuar britmat e gruas së 35-vjeçarit, e cila e telefononte dhe i kërkonte që të kthehej për të sqaruar se çfarë kishte ndodhur. Në rrëfimin e saj gruaja tregon se 35-vjeçari ka dalë me shpejtësi nga automjeti dhe ka vrapuar në drejtim të rrugës që të nxjerrë tek godina e LSI-së, ndërsa motori me dy atentatorët ka marrë drejtimin e kundërt. Dy djemtë mbanin skafandër në kokë, por dëshmitarja nuk ka arritur që t’i dallojë, pasi ndodhej pak metra më tutje nga vendi i ngjarjes. “Makina ndodhej përballë çerdhes, kur zbriti gruaja bashkë më djalin. Motori ishte parkuar dhe po priste makinën. Sapo panë gruan dhe fëmijën motori i afrohet makinë dhe njëri nga djemtë qëlloi. Tani unë ndodhesha pak metra më tutje dhe dëgjova zhurmë, por nuk e kuptova nëse ishte armë apo xham i thyer, pasi nuk kam dëgjuar herë të tjerë zhurmën që bën arma kur shkrepet. Gruaja doli me vrap nga çerdhja dhe u kuptua që po e merrte në celular. Ajo ishte e tmerruar dhe mbante celularin në vesh duke i thirrur: “Alban kthehu dhe hajde më sqaro se çfarë ka ndodhur, Alban”. Kjo është ajo çka unë kam parë. Di të them që dy djemtë ishin në motor dhe kishin parkuar afër çerdhes, por ata nuk e ndoqën nga pas Albanin kur ai doli me vrap nga makina. Nuk kam arritur do t’i fiksojë sesi ishin veshur dy djemtë, pasi ndodhesha larg”, – rrëfimi i dëshmitares.

 

Librazhd

Eksploziv banesës në ndërtim, nuk ka të lënduar

Një sasi lëndë plasëse i është vendosur një banese në ndërtim në fshatin Rrajcë në Librazhd. Nga shpërthimi i lëndës plasëse nuk ka pasur të lënduar por vetëm dëme të lehta materiale. Dyshohet se lënda eksplozive artizanale e vendosur nga persona të paidentifikuar të ketë qenë në sasi të vogël, gjë që fatmirësish ka bërë që dëmet të mos jenë të mëdha. Shkak i vendosjes së lëndës plasëse dyshohet të jetë një konflikt pronësie. Banesa i përket shtetasit me iniciale T.A, 39 vjeç, banues në Rrajcë në Librazhd. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe po punohet për shkaqet e vendosjes së lëndës eksplozive, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency